Muzeu Etnografik i Kavajës po i nënshtrohet restaurimit të godinës dhe objekteve, të cilat së shpejti do të kenë një ekspozim më të përshtatshëm.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se rikonstruksioni po kryhet falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture.
“Mbi 810 objekte etnografike të zonës së Kavajës rrezikuan të dëmtoheshin pas tërmetit të nëntorit 2019. Falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture, Muzeu Etnografik i Kavajës po i nënshtrohet restaurimit të godinës dhe objekteve, të cilat së shpejti do të kenë një ekspozim më të përshtatshëm”, tha Margariti.
Muzeu Etnografik i Kavajës ndodhet në një banesë të bukur rezidenciale, ndërtuar ë vitit 1800 nga familja Arkaxhi dhe e shndërruar në muze në 1971.
Sot muzeu mban rreth 810 objekte të tipologjive të ndryshme që përfaqësojnë stilin e jetesës së Kavajës dhe krahinave përreth.
Muzeu Etnografik në Kavajë është planifikuar të ruajë funksionin si muze duke ruajtur rolin e tij si një pol interesi si për banorët e Kavajës ashtu edhe për turistët që kalojnë kohën në zonat e plazhit të kësaj bashkie dhe bashkive fqinje.
Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tre aspekte: a)stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, b) struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe c) fondi i përgjithshëm etnografik. Karakteristika kryesore e fondit të muzeut etnografik përcaktohet nga një varietet të objekteve të tij dhe të origjinave të ndryshme të tyre.
Veprat artizanale të kompozuara në qeramikë, bakër dhe tekstile nga artizanë vendas, që përfaqësojnë qytetin dhe rajonin, janë të pranishme për tu parë. Gjithashtu ka edhe një koleksion të gjerë punimesh nga rajonet e veriut, verilindjes dhe jugut të Shqipërisë. Elementet e veshjeve tradicionale nga këto rajone dallohen për nivelin e lartë të mjeshtërisë dhe finesës, për pasurinë e zbukurimeve dhe simboleve të shkrira në forma gjeometrike, zoomorfe dhe antropometrike./atsh/KultPlus.com
Në prag të Krishtlindjeve, specialistët e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar po punojnë për restaurimin e ikonës “Krishti Pantokrator”, me origjinë nga fshati Pojan i qytetit të Korçës.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se: pas trajtimit të suportit të degraduar u bë bashkimi i dërrasave, mbushja e mungesave, teksa vazhdon procesi i largimit të vernikut të oksiduar, duke nxjerrë në dritë një botë të mrekullueshme, fshehur pas gjurmëve të kohës.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com
Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë është veshur me tringjyrëshin e flamurit kombëtar të shtetit fqinj, por në formën më të lartë të një arti kontemporan, sjellë nga artisti pamor dhe skulptori i mirënjohur shqiptar, Helidon Xhixha.
Vepra prej stili unik e artistit të diplomuar në Akademinë e Arteve të Milanos dhe specializuar në Londër, e quajtur “Flamuri prej Çeliku”, ka qenë një dhuratë për ambasadën italiane, por edhe për qytetarët e Tiranës, të cilët tashmë kanë një instalacion të ri në një prej kryqëzimeve më të bukura të qytetit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së inaugurimit të veprës së piktorit dhe skulptorit Helidon Xhixha në rezidencën e Ambasadës Italiane, u shpreh se kjo vepër i jep një tjetër pamje gjithë zonës. “Mjafton të shikojmë si ka ndryshuar ky kryqëzim – që lidh Liceun me shkollën “Kosova” – dhe çfarë pamjeje i jep ky rikompozim i murit të Ambasadës me një vepër fantastike të Helidon Xhixhos”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi në mënyrë të veçantë simbolin e një gjesti të tillë, që ngre lart më së pari vlerat e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jemi shumë me fat që kemi Italinë fqinje, Italinë e kulturës, Italinë e gjuhës, Italinë e shkencës, Italinë e estetikës, Italinë e këngës, Italinë e poezisë, Italinë e ushqimit! Edhe sikur të kishim zgjedhur, ne do të kishim mundur të zgjidhnim komshinj më të mirë sesa italianët. Ndaj, mezi pres që gjatë vitit 2022, bashkë me ju, ta maksimizojmë Tiranën si Kryeqytet i Rinisë”, tha Veliaj.
Edhe ambasadori italian, Fabrizio Bucci vlerësoi faktin që mes dy vendeve tona nuk ekzistojnë kufijtë dhe barrierat. “Për fat të keq, ambasadat shpesh shihen paksa si kala me mure të larta dhe nuk arrin kurrë të shohësh atë që është brenda. Por sot kemi hapur dyert për të zbuluar këtë vepër, të cilën kemi menduar ta vendosim në ambientet e jashtme, një vepër e bukur që ka një karakter të fortë italian, por është gjithashtu një vepër që Helidoni ka dashur t’ia dhurojë mbi të gjitha qytetit”, u shpreh ambasadori Bucci.
Artisti i mirënjohur Helidon Xhixha falënderoi ambasadorin italian.
“Falenderoj Fabrizion që e ka transformuar këtë vend në një lidhje perfekte midis Italisë dhe Shqipërisë. Këtu festojnë dy popuj që bashkohen dhe jemi prej shumë kohësh të bashkuar nga historia dhe gjithçka tjetër. Ne falënderojmë Italinë, të cilës do i jemi gjithmonë mirënjohës për atë që jemi,” tha ndër të tjera Xhixha, i cili njihet veçanërisht për faktin se aplikon një stil të veçantë në punimet artistike, duke përthyer dritën kryesisht në metal.
Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti reagoi për këtë vepër, duke thënë se, “”Bandiera d’acciaio” nuk është thjesht një flamur tringjyrësh, por është lidhja e fortë, e hekurt mes Shqipërisë dhe Italisë. Një miqësi shekullore, që kohërat moderne vetëm po e forcojnë. Përuruam sot në Rezidencën Italiane, këtë vepër simbolike të artistit Helidon Xhixha, historia jetësore e të cilit na përfaqëson nga pak të gjithëve, duke u përpjekur të tejkalojmë kufijtë, por gjithnjë lidhur fort pas rrënjëve”. / KultPlus.com
Shfaqja “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet.
Me praninë e një publiku të vogël në numër për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Në rolet kryesore janë aktorët e njohur Alfred Trebicka -Makbeth, Loredana Gjeçi-Ledi Makbeth si dhe 4 aktorë ndihmës Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se është një shfaqje, që nuk duhet humbur. “Një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit. “Makbeth”, një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Enton Kacës dhe interpretim në rolet kryesore nga Alfred Trebicka dhe Loredana Gjeci na rikthyen edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të lakmisë për pushtet…Një shfaqje që nuk mund ta humbisni!”, shprehet ministrja.
Kjo pjesë është rindërtuar dramaturgjikisht duke pasur parasysh vendosjen e saj në kohën e sotme dhe është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore, dhe specifikisht hapësira e mundshme dhe më e përshtatshme të ishte vila 31, ish -rezidenca e diktatorit Enver Hoxha.
Shfaqja teatrale do të vijojë edhe në datat, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se, “viti 2022 do të jetë viti i kulturës”.
Margariti tha se, viti i kulturë do të vijë si një paradë shumëngjyrëshe kulturash, traditash nga e gjithë bota.
“Dje, në një mbrëmje miqësore prezantuam para përfaqësuesve të trupave diplomatike në Tiranë, nismën më të re të Qeverisë: Javët Kulturore Ndërkombëtare, si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por gjithë Shqipërinë”, tha ministrja.
Margariti bëri të ditur se, kjo është një nismë që u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, teksa shtoi se “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se, “një nga çështjet më prioritare të qeverisë është krijimi i një kornize të shëndosh ligjore kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore”.
Duke marrë fjalën sot, në seancën plenare të Kuvendit, Margariti vuri në dukje se, nuk bëhet fjalë vetëm për një memorandum por për një sërë aktesh nënligjore, që forcojnë luftën pa kompromis kundër trafikimit të pasurive tona kulturore.
Sipas saj, që prej 2018 Ministria e Kulturës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë nisur punën për hartimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në respekt të Konventës së UNESCO-s, 1970, që u finalizua me nënshkrimin e memorandumit në muajin gusht në Uashington, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Kulturën dhe Edukimin, Matthew Lussenhop, duke zyrtarizuar kështu angazhimin tonë për të qenë krah për krah në një luftë, që nuk na përket vetëm ne.
Gjithashtu vijoi ministrja, një hap tjetër i rëndësishëm në krijimin e kësaj kornize ishte edhe vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, një proces i nisur me miratimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që lidhet direkt me mënyrën e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”.
Margariti vuri në dukje se, “hartimi i kuadrit ligjor vjen sipas eksperiencave ndërkombëtare, siç është skema e bazës së të dhënave e miratuar nga Interpol, si dhe sistemi në zbatim në Itali, që përmban një informacion të mjaftueshëm për krijimin e pasaportave të sakta, sipas një modeli të miratuar nga UNESCO për çdo objekt që rezulton i trafikuar në mënyrë të paligjshme”.
Ajo theksoi se, “viteve të fundit është forcuar bashkëveprimi me Interpolin, Europolin, pikat doganore dhe po punohet ngushtësisht me vendet fqinje për identifikimin dhe kthimin e veprave që rezultojnë të vjedhura”.
“Aktualisht jemi duke çuar përpara një proces delikat atë të kthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të 27 ikonave të identifikuara tashmë. Me përfundimin e procedurave këto vepra do të kthehen në vendin e origjinës. Ndërsa kemi edhe të tjera çështje të hapura për vepra me origjinë Shqipërinë, të kapura në vende të tjera, të cilat do të kthehen në vend. Në historinë e saj të afërt dhe të largët, Shqipëria ka kaluar momente kritike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjatë viteve 1991 dhe 1997 u grabitën dhe u trafikuan vlera të rëndësishme të trashëgimisë materiale. Por tanimë Shqipëria e ka kaluar fazën e tranzicionit, ka dalë nga listat e zeza të trafikimit”, deklaroi Margariti.
Ministrja deklaroi se, “Shqipëria është një vend me një trashëgimi të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, që po bëhet gjithnjë e më tepër tërheqëse për të huajt, që numëron mbi 2220 monumente kulture e mijëra artefakte. Ndaj edhe duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë ruajtjes, mbrojtjes, konservimit dhe menaxhimit të pasurisë sonë, për ta shndërruar atë në një burim ekonomik të qëndrueshëm për vendin tonë”.
Ajo vuri në dukej se, ratifikimi i memorandumit me SHBA është padyshim një nga ato gurë themeltarë për nënshkrimin e së cilit jemi sa të kënaqur aq edhe të vetëdijshëm në përmbushjen e tij.
“Mbi bazën e këtij Memorandumi Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të luftojnë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ta mbrojnë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kufizojnë importimin të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik, që datojnë nga 300,000 vite më parë deri në vitin 1750 P.K. dhe kategori të caktuara të materialit etnologjik, nga viti 400 P. K. deri në vitin 1913, që mund të jenë elemente arkitekturore nga strukturat historike ose fetare; objekte funerale; rituale dhe ceremoniale; piktura; dokumente të shkruara; tekstile; si edhe armë e parzmore të identifikuara në listën që do të shpallet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç rasteve kur Republika e Shqipërisë vërteton se ky eksportim nuk është i paligjshëm”, tha ministrja.
Margariti deklaroi se, objektet e konfiskuara në SHBA do të rikthehen në Shqipëri. Nga ana tjetër, Shqipëria do të ndajë informacione rreth gërmimeve të paautorizuara, vjedhjeve të pasurive kulturore, trafikimit të pasurive kulturore dhe kërcënimeve të tjera që rrezikojnë trashëgiminë e saj kulturore.
“Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të ratifikimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, tashmë është momenti që të votohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe jam e bindur, që do të gjejë mbështetjen tuaj të plotë, pasi ky nënshkrim me partnerin tonë strategjik, SHBA, përbën një hap mjaft i rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore”, përfundoi Margariti. / KultPlus.com
Aktivitete mes institucioneve artistike, por dhe bashkëpunime për trashëgiminë kulturore janë pjesë e marrëveshjes nënshkruar mes dy ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pas mbledhjes së dy qeverive, që u zhvillua në Labinot, Elbasan, dy ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku nënshkruan aktet, që konsistojnë në shkëmbimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, muzeve, bibliotekave, etj.
Ministrja e Kulturës Elva Maragriti në një status të saj shprehet se institucionet janë ato që do të çojnë përpara marrëveshjet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Bibliotekat, muzetë, opera, arkiva, ansamble e parqe arkeologjike u angazhuan që atë bashkëpunim vëllazëror që kemi pasur deri më tani, ta fusin në korniza institucionale, me të vetmin qëllim: promovimin e kulturës shqiptare, atë që na bën unikë, një gur të çmuar mes kombeve!”, thotë ajo.
Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022 po hyn në vitin e tetë radhazi. Në njoftimin e ministrisë thuhet se përmes këtij bashkëpunimi, është realizuar përfshirja e aktiviteteve kulturore të të dy vendeve në një kalendar të përbashkët.
“Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe bashkëpunimi ndërmjet Galerive Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri dhe prezantimin e përbashkët në aktivitete ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Kalendari kulturor
Kalendari parashikon Javën e Bibliotekës në Kosovë, çeljen në Prishtinë te ekspozitës “Kundërbota e Branko Merxhanit”. Pjesëmarrje e përbashkët në festivalin ndërkombëtar të filmit në Berlin, pjesëmarrje e përbashkët në festivalin e Kanës, bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit të organizuara në Shqipëri.
Realizimi i shfaqjeve te ndryshme teatrale si “Carmina Burana”, “Monger” dhe popullore si “Gjerdani i Artë”. Por në kalendar shkruhet gjithashtu dhe realizimi i festivalit të regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj. Pjesë e tij është dhe pjesëmarrja e TKEKS në festivalin “Femart”, në qershor 2022.
Pjesëmarrja e Artpolis në festivalin që do të organizojë TKEKS në prill 2022, krijimi i një fondi të dedikuar për lëvizjen e artistëve, ekspozitë fotografike dhe promovimi i katalogut “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, etj.
Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Operës, Filarmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, konsiston në bashkëpunimin artistik dhe shkëmbimin kulturor, promovimin e shfaqjeve dhe trupave në festivale apo projekte të tjera teatrore, në kuadër të realizimit të programeve dhe veprimtarive të tyre.
Pjesëmarrjen në produksione të përbashkëta të performancave, shkëmbime autorësh, artistësh, etj. TKOBAP do të vërë në dispozicion për Operën e Kosovës shfrytëzimin, kopjimin e arkivit dhe nototekës shqiptare, për të gjitha veprat të cilat nuk kanë të drejtë autori, duke njoftuar të paktën 6 muaj përpara, dhe në mbështetje të rregullave dhe procedurave të legjislacionit në fuqi.
Po ashtu TKOB do të vërë në dispozicion të Operës së Kosovës shfrytëzimin e hapësirave për realizimin e koncerteve premierë ose rivënie, duke njoftuar të paktën 1 vit përpara, etj. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit nënshkruan dje marrëveshjen e administrimit të pasurisë kulturore të Parkut të Butrintit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të autorizuar nga Bordi i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u firmos protokolli i bashkëpunimit midis Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga Belisa Muka. Gjithashtu, marrëveshja e grantit u firmos midis bashkëdrejtorëve ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli dhe ministres Elva Margariti në rolin e kryetares së Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Ministrja Margariti tha në fjalën e saj se “ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit”.
“Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore, Richard Hodges, një njohës i mirë i Butrintit, që do të shërbejë si garanci dhe paanshmëri”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “marrëveshja që po lidhim sot krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë, por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve”.
Sipas saj, kjo marrëveshje krijon një marrëdhënie të mirërregulluar mes fondacionit të posaçëm dhe aktorëve të rëndësishëm institucionalë në Butrint, përmes Protokollit të bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; bashkëpunimit me agjencitë e mbrojtjes mjedisore.
“Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore dhe edukuese për brezin e ri”, shtoi Margariti.
Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948, ndërsa më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga dy anë nga liqeni i Butrintit dhe në një anë nga kanali i Vivarit./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar është një premtim madhor, i mbajtur ndaj artistëve, por edhe publikut që meritojnë kushte të denja njëlloj si në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe hapësira bashkëkohore për të bërë art.
“Është një skemë që duhet të pulsojë, jo vetëm nga kujtimet e veprave shqiptare, por edhe nga prania e artistëve e regjisorëve të huaj që do të vijnë”, tha Margariti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2022.
Ministrja Margariti tha se janë 30 objekte të dëmtuara nga tërmeti që jo vetëm po ringrihen, por edhe rijetëzohen. Sipas saj, kjo edhe falë mbështetjes prej 40 milionë eurosh të EU4Culture.
“Kultura vjen me buxhetin më të madh që kjo ministri ka patur ndonjëherë dhe me numrin më të madh të projekteve. Buxheti është mishërimi i një vizioni për të vazhduar me rikthimin e dinjitetit të jetës artistike e kulturore, duke u përqendruar te rimëkëmbja e infrastrukturës dhe duke sjellë mundësi të reja ndaj kulturës dhe të të bërit art”, tha Margariti.
Sipas saj, buxheti 2022 është mbi 4.1 miliardë lekë.
“Buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”, tha Margariti.
Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Margariti tha se janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %. Ministrja theksoi se, në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.
Ajo informoi se ka nisur puna për krijimin e Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave.
“Për të gjithë ata gjumëprishur e fjalë shumë për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave, ju them me krenari se si pjesë e programit EU4Culture do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë dhe do të shndërrohet në një qendër multikulturore. Në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekë, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë. Programi art e zeje do të hyjë në të gjitha shkollat. Ne, me të njëjtën ambicie si atë të TKOB, do të riparojmë Galerinë e Arteve që do të kthehet në një muze dinjitoz, Muzeun e Arteve të Bukura”, tha Margariti.
Ministrja u shpreh se do të zbulohet edhe Mozaiku i Tiranës, një hapësirë mes disa rrugicash ku arkeologët u rikthyen pas më shumë se 40 vitesh dhe rishkruan edhe një herë historinë e gjenezës së këtij qyteti. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e fondacionit të menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë.
Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i bordit të AADF, Michael Granoff.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi krijimin e këtij fondacioni një hap historik në mendësinë e re të menaxhimit të muzeve.
“Është një hap i rëndësishëm për të arritur diçka që nuk është bërë më parë në Shqipëri. Nëse ka diçka që Fondacioni është i angazhuar, që edhe ministria duhet të jetë e angazhuar, është që të arrijnë gjëra që nuk janë bërë më parë dhe të ruajmë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”, tha Margariti.
Fondacioni i menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë është një institucion që synon tërheqjen e financimeve për ruajtjen e historisë shqiptare gjatë viteve të errëta të Holokaustit.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbështetur edhe ngritjen Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor të shekullit të 21, që do të tregojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shpresë. / KultPlus.com
Shqipëria ka ratifikuar një memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do t’i shërbejë qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të qeverisë është ratifikuar memorandumi me SHBA për vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnografike shqiptare.
Sipas saj, puna për hartimin e memorandumit ka nisur që në 2018-ën.
“Ministria e Kulturës ka bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Shtetit për hartimin e këtij memorandumi, i cili sjell në vëmendje nevojën e Shqipërisë për t’u pozicionuar në luftën e trafikimit të pasurive kulturore”, tha ministrja.
Sipas ministres, pjesëmarrja në konventën e UNESCO-s të vitit 1970, një sërë aktesh nënligjore dhe udhëzimesh, si dhe ky memorandum, e pozicionojnë Shqipërinë ndër vendet aktive në luftën e trafikimit të pasurive kulturore.
Margariti u shpreh se tashmë Shqipëria ka një database me listën e pasurive kulturore të vjedhura, ndërsa do të krijohet edhe një database tjetër ku do të përfshihen koleksionistët dhe tregtarët e veprave të artit.
Për këtë ajo tha se do të bashkëpunohet si me gjendjen civile, edhe me Policinë e Shtetit.
Margariti deklaroi se tashmë Shqipëria nuk është më në listat e zeza të trafikimit të pasurisë.
Në zbatim të memorandumit, ministrja bëri të ditur se do të ngrihet një grup ekspertësh nga Ministria e Kulturës dhe Policia e Shtetit që do të bashkëpunojnë me Departamentin Amerikan të Shtetit në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.
“Ky memorandum do të çojë luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore në një stad tjetër dhe do të kompletojë kuadrin ligjor”, tha Margariti.
Ajo vlerësoi se bashkëpunimi me SHBA është një tregues për rezultateve në këtë lufte. / atsh / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se “buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”.
Margariti raportoi sot para anëtarëve të komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mbi projektbuxhetin e Kulturës për vitin 2022.
Ministrja tha se “tërmeti dhe pandemia kanë sjellë një rrudhje jo të vogël të buxhetit të kësaj ministrie vitet e kaluara, si dhe problematika për gjithë sektorin”.
Duke u ndalur te disa nga projektet e realizuara gjatë këtij viti, Margariti veçoi rihapjen e TKOB, investimi më madhor i qeverisë shqiptare në fushën e artit dhe kulturës.
“Kemi përfunduar edhe kantiere të tjera të mëdha në drejtim të restaurimit të objekteve të kultit. Kemi përfunduar Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë, investim totalisht i buxhetit të shtetit. Kemi nisur rikonstruksionin e sallës së Akademisë së Arteve, nevojë që lindi si rezultat i Paktit për Universitetin. Po përfundojmë aneksin e Bibliotekës Kombëtare”, tha Margariti.
Margariti tha se “jemi ndalur si në projekte madhore, por edhe projekte që lidhen me rrënjët e identitetit tonë. Kemi vënë theksin mbi funksionet që lidhin artin, kulturën me dialogun, komunitetin, artistët”.
Rritja e paprecedent e buxhetit të këtij viti, sipas saj, mbështet prioritetet e qeverisë shqiptare për edukimin përmes kulturës, për fëmijët, të rinjtë, artet e zejeve.
Margariti siguroi se “përgjatë vitit 2022 do të çojmë përpara projekte madhore si ngritja e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ngritjen e Parkut të Artit, rikonstruksionin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve, rivlerësimin e Mozaikut të Tiranës, ngritjen e Teatrit të ri e shumë të tjera”.
Margariti theksoi se në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.
Ndërkohë për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, sipas saj, “janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %”.
“Kemi trefishim të të ardhurave të dedikuara për projektet artistike. Po ashtu kemi edhe një buxhet të dedikuar prej 100 milionë lekësh për javët e kulturave të huaja në Shqipëri, që do të sjellë jo vetëm gjallërim të jetës artistike në vend, por kjo nismë merret në kuadër të politikave integruese”, tha ajo.
Margariti theksoi po ashtu se në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekësh, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë./ atsh / KultPlus.com
Teatri Kombëtar riktheu publikun artdashës në skenë pas një mungese të gjatë që shkaktoi pandemia. Në ArTurbina u vu në skenë komedia “Edmond”, e autorit Alexis Michalik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foto nga kjo komedi teksa u shpreh se “ishte emocion i veçantë të shihje skenën me aktorë e sallën me publik, të dëgjoje duartrokitje, të qeshura me humorin e këndshëm e karakteret pikante të “Edmond”.
“Mos e humbni shfaqjen e Teatrit Kombëtar, në sallën e ArTurbinës, me regji të Indrit Çobanit e Andia Xhungës”, tha Margariti. Ministrja e vlerësoj shfaqjen si frymëmarrje për artin shqiptar.
Një histori argëtuese, me nota komike dhe dramatike, që tregon se si Edmond Rostand, krijoi një nga kryeveprat botërore të letërsisë dhe artit skenik, “Cyrano de Bergerac”.
Një histori e jashtëzakonshme, ku e ardhmja e Edmondit, vihet në provën e kohës. Për dy javë duhet të krijojë veprën më të bukur të jetës, për të shpëtuar nga dështimi dhe mjerimi. Në qindra pengesat që ka përpara, ku më e madhja është mungesa e subjektit të duhur, Edmondi ka vetëm një zgjidhje; të hedhë në letër një ngjarje rastësore që nisi si histori dashurie e mikut të tij të ngushtë dhe përfundoi si vepra më e susksesshme e Teatrit.
Kjo histori e pabesueshme, e treguar me vargjet e Siranoit dhe me prozën e Mishalik e aktorëve Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re, që ishte surpriza tjetër e shfaqjes, Ilirda Bejleri. / KultPlus.com
Në Parkun Arkeologjik Kombëtar ‘Bylis’ po vijon ekspedita e Institutit të Arkeologjisë të ASA për projektin e Akademisë së Shkencave për aplikimin e metodave gjeofizike në kërkimet arkeologjike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se krahas gërmimit arkeologjik po realizohet prospeksioni gjeofizik, si projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Arkeologjisë, nën drejtimin e prof. Neritan Ceka dhe Skënder Mucaj.
“Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis gjatë muajit tetor, mirëpret ekspeditën e Institutit të Arkeologjisë të ASA, që punon për të tretin vit me projektin e drejtuar nga Profesor Luan Perzhita dhe Olgita Ceka, në gërmimin e cisternës të qytetit antik Bylis, duke bërë njëkohësisht restaurimet e sitit”, shprehet ministrja.
Siç njofton Akademia e Shkencave që në ditën e parë të punës u gjet një mbishkrim i shek. III p. Kr. që përmban emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun.
Puna paraprake drejtohet nga prof. Skënder Muçaj që asistohet edhe nga studentja e masterit, Amra Minaj. Sipas arkeologëve në Bylys priten zbulime të reja të rëndësishme, një projekt kërkimesh me metoda të reja në bashkëpunim me ekspertë italianë.
Arkeologu Neritan Ceka është shprehur se puna që po bëhet këto ditë në Bylis që është pas 4 dekadash me një ekip shqiptar, edhe në 1981 ishte po Akademia e Shkencave që u mor me gërmimet.
“Pas 40 vitesh po zhvillohen për herë të parë gërmimet vetëm me ekip shqiptar arkeologësh. Janë bërë dikur në 1981 dhe në atë kohë para 40 vitesh është bërë po nga Akademia e Shkencave. Puna po vijon në parkun Bylis dhe ka rëndësi se është projekt i Akademisë së Shkencave me Institutin e Arkeologjisë (ASA)”, është shprehur profesor Ceka, në lidhje me punën në Bylis. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot nisjen e punës së taskforcës ndërinstitucionale, e cila do të jetë një përkujdesje më shumë për monumentet e kulturës në Gjirokastër.
“Gjirokastra nuk është vetëm Qafa e Pazarit”, u shpreh ministrja Margariti, pasi sipas saj, të tjera ndërhyrje restauruese e rijetësuese pritet të nisin në qytetin-muze.
“Sot i hapëm udhë krijimit të një taskforce midis bashkisë së Gjirokastrës, Ministrisë së Kulturës dhe DRTK Gjirokastër. Që në fazën e parë të saj, kjo taskforcë synon të krijojë një grup pune me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në rreth 30 objekte në lagjen Pazar i Vjetër, Dunavat dhe Manalat”, u shpreh Margariti.
“Ky është momenti i bashkëpunimit me pronarët e objekteve e sipërmarrës për të çuar para këto projekte. Përvojat në banesat Kale, Lulo e Harshova janë shembuj suksesi që duhen ndjekur”, tha ajo.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi u shpreh se “së bashku me ministren Margariti, specialistët e fushës, pronarët e banesave karakteristike, bizneset lokale dhe banorët do të bëjmë të mundur rijetësimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”.
“Tashmë Gjirokastra është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet në zonën muzeale janë të konsiderueshme, madje duke sjellë dhe një transformim rrënjësor të qytetit në tërësi.Ne do të vazhdojmë punën për ta kthyer Gjirokastrën në një xhevahir të vërtetë të kurorës së trashëgimisë kulturore botërore”, tha Golemi./ KultPlus.com
Tanimë që punimet për Parkun e Artit kanë nisur, ngritja e një muzeu që të rrëfejë historinë e filmit shqiptar, brenda hapësirave të ish-Kinostudios është edhe më e prekshme.
Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas bisedës së sotme me presidenten e Cinecittà, Chiara Sbarigia, drejtorin e Arkivit historik Luce, Enrico Bufalini dhe regjisorin e një nga kuratorët e MIAC (Museo Italiano del Cinema e dell’Audiovisivo, Cinecittà).
Margariti tha se “gjatë takimit parashtruam mundësitë e bashkëpunimit, marrjen e eksperiencës, ngritjet e grupeve të punës, për të kaluar në terma konkretë për realizimin e këtij projekti, por edhe për zgjidhjen e disa problematikave siç është restaurimi dhe digjitalizimi i arkivit të filmit”.
Parku i Artit, do të shndërrojë hapësirën publike rreth Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh./atsh/KultPlus.com
Në kishën e Shën Gjergjit në Berat vijon puna për kthimin e saj në identitet.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore solli sot në vëmendje punën që po bëhet në këtë monument kulture të ndërtuar në shekullin XVIII në Berat.
“Kisha e Shën Gjergjit në Berat, një objekt i veçantë, ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike”, – tha Margariti.
Kjo kishë, në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase.
Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë.
Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në anën juglindore të kalasë së Beratit dhe aktualisht ruan shumë pak nga ndërtimi i saj origjinal i shek. XVIII.
Një nga dëshmitë e para që kemi lidhur me arkitekturën e mëparshme të saj, është një imazh fotografik bardhezi nga agjencia LUCE gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në të duket se bëhet fjalë për një kishë tipmanastir, të rrethuar me mure prej guri dhe hyrje kryesore nga perëndimi.
Një element arkitektonik me rëndësi ishte prezenca e këmbanores me dy vendosje këmbanash në anën perëndimore të monumentit. Kisha, duke iu përshtatur terrenit shquhej për lartësinë dhe madhësinë e saj. Planimetria ishte drejtkëndore dhe në anën perëndimore ndodhej edhe një portik me kolonadë prej guri. Kisha e Shën Gjergjit është pjesë e monumenteve të tjerë të kulturës në Berat me vlera për trashëgiminë tonë kulturore. / KultPlus.com
Kalaja e gurtë e Gjirokastrës vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli në vëmendje ndriçimin e kalasë së Gjirokastrës të kryer në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës për vendosjen e ndriçimit në kalatë e vendit.
“Nxorëm nga errësira Kalanë e Argjirosë, në Gjirokastër, këtë kurorë të qytetit”, – tha Margariti.
Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.
Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.
Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.
Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos. Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. / KultPlus.com
Kisha e Shën Mërisë në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton qytetarët ta vizitojnë këtë kishë duke e cilësuar një destinacion të rrallë për t’u zbuluar.
“Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit, në liqenin e Prespës, një destinacion i rrallë për t’u zbuluar”, tha Margariti.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers restauruan çatinë e kishës si dhe punuan për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.
Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.
Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.
Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. / KultPlus.com
Ngritja e muzeut hebraik në Vlorë, që do të rrëfejë historinë shqiptaro-hebreje, e që nuk nis gjatë Luftës së Dytë Botërore, kalon në një tjetër fazë tashmë, atë të konkursit ndërkombëtar për projektin arkitektonik.
Ftesës për të marrë pjesë në konkursin e organizuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Ministria e Kulturës i janë përgjigjur 5 studio, Kimmel Eshkolot Architects, Tel Aviv/Izrael, Merz & Renz GmbH + Co. KG, Berlin/Gjermani, studio Terragni Architetti, Como/Itali, Wandel Lorch Götze Wach GmbH, Frankfurt/Gjermani dhe Winkler + Ruck Architekten, Klagenfurt/Austri.
“Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë. Shpresojmë që studiot pjesëmarrëse në konkurs, të mund të kapin shpirtin dhe domethënien që ky muze ka për shqiptarët dhe hebrenjtë, në një bashkëjetesë shekullore”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një forumi online me përfaqësuesit e 5 kompanive. / KultPlus.com
Veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë (1990-2000), i shtohen “Arkivit të hapur” të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se, “të fshehtat” e Galerisë, tashmë janë të hapura për të gjithë, përpara nisjes së procesit të restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të ambienteve të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura”.
Ministrja Margariti pak ditë më parë tha se, “do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”. /KultPlus.com
Shqipëria zgjodhi sot filmin “Dy Luanë drejt Venecias”, si kandidaturë për “Oscar”.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila i uroi suksese filmit shqiptar.
Margariti tha se filmi “Dy Luanë drejt Venecias” me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji, prodhuar nga shtëpia kinematografike “EJF FILM” sh.p.k, do të konkurojë në edicionin e 94-të INTERNATIONAL FEATURE FILM AWARD.
Filmi flet për aventurën e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias, ku takojnë papritur në udhëtimin e tyre dy aktore italiane të filmave për të rritur где где получить займ безработным . Këtu përplasen botëkuptime të ndryshme, që sjellin të papritura. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi sot gërmimet e reja tek mozaiku i Tiranës.
“Të gjithë e njohim si mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq. Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj, por shtyn deri në fund të shek. I datimin e banimit të asaj hapësire”, u shpreh ministrja Margariti.
“Me Olsin dhe Maringlenin (Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë) ishim sot në territorin ku po gërmojnë bashkë me specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT, të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit”, theksoi ministrja.
“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, tha ministrja Margariti. /atsh/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar disa foto disa orë nga hapja e dyerve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të rikonstruktuar.
Margariti thotë se lulet në shkallët e Teatrit janë vendosur si homazh për artistët dhe njerëzit që humbën jetën gjatë pandemisë.
Ditën e nesërme në këtë Teatër do të ngjiten në skenë artistë të talentuar shqiptarë e të huaj për të performuar si tenori i famshëm, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho.
Postimi i plotë:
Dhe pak ore na ndajnë nga hapja e dyerve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit…
Këto lule të bardha vijnë si homazh për artistët dhe njerëzit e dashur që humbëm gjatë pandemisë…/KultPlus.com