Pas pesë viteve, TKOB rifillon aktivitetin artistik

Pas 5 vite mbyllje, duke filluar nga data 15 shtator përmes një sërë aktivitetesh celebruese nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB”, do të nisin eventet e inaugurimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Shpallja e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të teatrit u bë sot në përvjetorin e 65-të të krijimit të TKOB.

Në konferencën për shtyp, të organizuar ditën e sotme në TKOB, merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtoresha e Përgjithshme Zana Çela.

15 Shtator 2021- Dita e parë e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB

Nis me ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB përmes një prezantimi – guidë të ambienteve të rikonstruktuara, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe të gjithë përfaqësuesve të lartë të shtetit, artistëve, miqve të TKOB, medias dhe trupit diplomatik, etj.

19.00-19.30 – RIKONSTRUKSIONI – 2017 – 2020 – Dokumentar premierë.

19:30 – Grand Gala- Hapja e TKOB”
Koncert i madh celebrues me pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operas, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistit më përfaqësues të historisë së sotme të operistikës botërore, Placido Domingo. Me përfaqësuesen më të denjë ndërkombëtarisht, të interpretimit operistik shqiptar, Ermonela Jaho. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj.

Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca.
Këto tituj do të prezantohen duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve te tyre në skenën e TKOB./atsh/ KultPlus.com

Margariti: Nxorëm nga pluhuri i harresës Qendrën Historike të Vlorës

Qendra Historike e Vlorës është rijetëzuar duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktiv dhe tërheqës kulturor.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në Ditët e Trashëgimisë, solli në vëmendje sot shndërrimin rrënjësor të Qendrës Historike të Vlorës, e cila kishte humbur identitetin nën pluhurin e harresës.

Restaurimi i qendrës historike të qytetit të Vlorës, një investim prej 11 milionë eurosh, është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Ndaj veç ndërhyrjeve në godina janë kryer edhe punimet nëntokësore.Projekti përfshiu restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni. /atsh/ KultPlus.com

Restaurimi i teqesë së Kaninës, rilind monumenti i kategorisë së parë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje rilindjen e Teqesë së Kaninës, monument kulture i rëndësishëm, ndërsa shtatori është muaji i trashëgimisë.

Restaurimi i Teqesë dhe Tyrbjes së Kaninës, u realizua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në kuadër të projektit “MileSTONES III” të mundësuar nga programi Interreg IPA CBC Greece-Albania 2014-2020.

Është ndërhyrë në çatinë e teqesë, janë rregulluar të gjitha pjesët e dyerve dhe harqeve të dritareve, si dhe është kryer konsolidimi i brendshëm. Tek Tyrbja po punohet për plotësimin e kupolës dhe konsolidimin e saj.

Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve.

Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk ekziston. Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për kalanë e Kaninës. Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid pashë Vlora.

Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem bej Vlorës. Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 2006. / KultPlus.com

Kalaja e Borshit i nënshtrohet mirëmbajtjes

Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare, me ullishte që shtrihen deri afër detit e me një panoramë mbresëlënëse.

Por kjo zonë nuk është vetëm për turizëm bregdetar por dhe historik e kulturor. Në majë të fshatit të Borshit ndodhet Kalaja e Borshit apo siç njihet në histori si kalaja e Sopotit, prej nga mund të shohësh bukurinë e peizazhit nga lart.

Së fundi, Kalaja së Borshit i është nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes nga punonjësit e DRTK Vlorë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi sot se, “punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ( DRTK Vlorë ) kujdesen për çdo monument kudo që ato ndodhen”.

“Ishte radha e Kalasë së Borshit për t’iu nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes”, theksoi ajo.

Kalaja e Borshit ndodhet 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në veri të fshatit Borsh dhe në perëndim të Fterrës. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare.

Borshi është një paketë e mrekullueshme turistike ku ndërthuret, natyra, plazhi, historia dhe legjenda. Borshi është vetëm 17 km larg Himarës dhe ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit. / KultPlus.com

Godina “Sarajet” do të shndërrohet në objekt kulturor publik duke ruajtur vlerat e saj unike

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi sot akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, zjarrvënien e qëllimshme në godinën “Sarajet” në Tiranë.

Margariti inkurajoi organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para ligjit.

Po ashtu, ministrja Margariti u shpreh se duke parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar.

“Ministria e Kulturës mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unike. Falënderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontribuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë”, tha Margariti.

Margariti kujtoi se për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”, u shpall në vitin 1973, monument kulture e kategorisë I.

“Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj. Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj.
Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik”, tha ajo. / KultPlus.com

Dita e Shën Mërisë, Margariti: Vizitoni kishat e manastiret tashmë të restauruar

Sot festohet dita e Shën Mërisë, e cila ka mbledhur besimtarët në vendet e shenjta.

Atmosferës i është bashkuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila solli pamje nga ikona e Shën Mërisë, tashmë e restauruar. “Me këtë rilindje të ikonës së Shën Marisë, në laboratorin e Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, ju uroj gëzuar Ditën e Shën Marisë!”, u shpreh Margariti.

Ajo ftoi qytetarët të vizitojnë kishat e manastiret, që mbajnë këtë emër, restauruar e nxjerrë në dritë, si pjesë e trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore.

Në laboratorin e restaurimit dhe konservimit të veprave të artit mesjetar u krye restaurimi i ikonës së Shën Mërisë e vitit 1746. Ikonat që paraqesin Shën Mërinë gjenden pothuaj në gjithë kishat mesjetare në vend. / KultPlus.com

https://fb.watch/7p4K062h_r/

“Shtëpia me Gjethe”, dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet

Vlerësimi i Jurisë së Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit, mbërriti sot në Tiranë, për Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Vlerësimi është nënshkruar nga kryetarja e Forumit Europian të Muzeve, Jette Sandahl dhe nga kryetari i Jurisë për vitin 2020, Marc O’Neil.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua në nëntor të vitit të shkuar nga Këshilli i Evropës si “Muzeu më i mirë 2020”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se “si dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet, si një leksion për të rinjtë dhe një reflektim për të ardhmen, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua si “Muzeu më i mirë 2020”, një çmim i Këshillit të Evropës.

Motivacioni për “Fituesin e Çmimit të Muzeut 2020 të Këshillit të Evropës” është: Juria e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit shpreh vleresimin më të lartë për arritjet e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, Shqipëri. Ky muze i veçantë përcjell realitetin sesa lehtë njerëzit mund të kompromentohen dhe të detyrohen të bashkëpunojnë. Ai bën një deklaratë të fuqishme mbi natyrën e qytetarisë aktive në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe të institucioneve transparente. / KultPlus.com

Miratohet restaurimi i “Odeonit” në Gjirokastër

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e “Odeonit ” në Gjirokastër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se ky është një tjetër projekt restaurimi në Gjirokastër.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për rivitalizimin dhe restaurimin e plotë të hapësirave publike të Odeonit. Rëndësi të veçantë do t’i kushtohet konceptimit të një skene të re, me një strukturë edhe më funksionale.  Këndi sportiv, i cili më vonë mori emrin “Odeon”, u ndërtua në vitin 1974 dhe ishte një nga mjediset sportive ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme lokale dhe kombëtare”, thekson Margariti.

“Me restaurimin e këtij ambienti synohet edhe rikthimi i vëmendjes në këtë objekt sikurse”, shton ministrja.

I pozicionuar në lagjen “Partizani” në qytetin e Gjirokastrës, Odeoni ka një kapacitet të shkallareve prej rreth 1200 vende. Falë projektit të ndërmarrë, synohet rikthimi i vëmendjes dhe aktiviteteve në një monument me pozicion mjaft strategjik në qytet. / KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në Berat

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në qytetin e “një mbi një dritareve”, përcjellë KultPlus.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin dhe konsolidimin e fasadës dhe çatisë së kishës që i përket shek. XVIII në Berat.

Margariti shprehet se edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, objekti është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi.

“Kjo kishë në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, ka shkruar ministrja. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në botë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nënshkroi sot, marrëveshje me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me qëllim promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në botë.

KultPlus ju sjell njotimin e saj të plotë:

Artistët shqiptarë në diasporë janë ambasadorët tanë më të mirë, ndaj edhe duhet të krijojmë të gjitha hapësirat për promovimin e tyre në vendin amë. Me këtë qëllim, por edhe për të promovuar kulturën shqiptare, përtej kufijve lidhëm sot një marrëveshje me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko.

Përmes kësaj marrëveshjeje synojmë të nxisim dhe zhvillojmë aktivitete të artit dhe kulturës të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu angazhohemi në ngritjen e Këshillit Koordinues të Artistëve në Diasporë, anëtarë të të cilit do të jenë artistë me kontribut të çmuar në promovimin dhe zhvillimin e artit shqiptar. / KultPlus.com

Shpallen tre fituesit e fondit për autorët e rinj

Qendra Kombëtare e librit ka prezantuar fituesit e fondit që mbështet autorët e rinj.

Kanë qenë 16-të veprat e propozuara pranë qendrës nga vetë botuesit, ndërsa në juri ishin emra si Stefan Çapaliku dhe Arta Marku, përcjell KultPlus.

Fituese janë Nurie Emrullai në gjininë e poezisë, Dionis Prifti në atë të prozës, dhe Ledian Gjeci në gjininë e dramës.

Fondi vjen për të dytin vit radhazi nga qendra e Librit në rrekje për të mbështetur emra të rinj në letërsinë shqipe. / KultPlus.com

Zbulimi i strukturave arkitektonike dhe varrit monumental në Amantia, Margariti: Interes i shtuar për vizitorët

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ndau sot lajmin e mirë të zbulimeve mbresëlënëse, që dolën në dritë pas gërmimeve më të fundit arkeologjike të shpëtimit pranë varrit monumental në varrezën antike të parkut arkeologjik të Amantias.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Margariti theksoi se “pas dy muajsh pune të imtësishme u arrit të zbulohej e gjithë struktura arkitektonike e monumentit antik”.

“Bëhet fjalë për një ekzemplar të rrallë të tipit të mbular me qemer, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonikë. Specialistët vlerësojnë se përmasat e mëdha, veçoritë ndërtimore dhe elementet e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, tha Margariti.

“Nga rezultatet paraprake mendohet që monumenti daton rreth shek. III p. Kr.”, u shpreh ministrja.

“Këto zbulime vijojnë të hedhin dritë mbi rëndësinë e qytetit të dikurshëm të Amantias, duke shtuar po ashtu kuriozitetin te vizitorët”, theksoi Margariti./atsh/ KultPlus.com

6 veprat dhe autorët shqiptarë që do të përkthehen në gjuhë të huaja

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në praninë e Ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe të jurisë Znj. Diana Kastrati, Znj. Esmeralda Kromidha dhe Z. Ben Andoni, shpalli fituesit e Fondit të Përkthimeve të veprave nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj.

Ministrja Margariti dhe Drejtoresha e QKLL-së Znj. Alda Bardhyli shprehën rëndësinë e vazhdimësisë së këtij fondi për mbështetjen e letërsisë shqipe në gjuhën e huaja, ndonëse mbështetja për përkthimin e letërsisë shqipe është modeste.

Nga 13 aplikime që konkurruan pranë QKLL-së, juria përzgjodhi 6 vepra fituese. Ato janë:

  1. Eurasia 1618 LP, Arjan Leka, Hartë memece për të Mbyturit, Andrea Zarballa, Greqisht.
  2. Fauves Éditions, Zija Çela, Djalli Komik, Sebastien Gricourt, Frëngjisht
  3. Ginger Ape Book, Rudi Erebara, Epika e Yjeve të Mëngjesit, Maria Roces Gonzalez, Spanjisht.
  4. Besa Muci, Tom Kuka, Gurët e Vetmisë, Valentina Notaro, Italisht.
  5. Besa Editrice, Bashkim Shehu, Udhëkryqi dhe Humnerat, Mirela Alushi, Italisht.
  6. Grammata, Natasha Lako, Qiell Europe, Petro Çerkezi, Greqisht./a2/ KultPlus.com

Margariti: Muzeu Etnografik në Krujë do të restaurohet

Aktivitete të ndryshme po zhvillohen për ditët e Evropës në Shqipëri.

Në këtë kuadër, në muzeun Etnografik në Krujë u zhvillua një aktivitet, ku merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE në Tiranë, specialistë të fushës së trashëgimisë, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se takimi u zhvillua në një muze, që do të rijetëzohet për të dëshmuar vlerat. “Ne shqiptarët synojmë të bëhemi pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar.

E pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook, për këtë takim ditët e fundit që ka publikuar edhe foto.

Sipas saj, takimi shërbeu dhe për të folur mbi projekte të ndryshme dhe shkëmbim idesh. Ndër tjera Margariti shprehet se falënderon ambasadorin Soreca për ndihmën, në projektet me monumentet e kulturës në vendin tonë.

“Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zv. kryetari i Bashkisë së Krujës Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal diskutuam projektet tona e shkëmbyem ide të reja.

Një falenderim i veçantë për ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE; por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama (County menager) e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës”, shprehet ministrja Margariti. Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës.

Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /sot/ KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Krujë drejt restaurimit

Muzeu Etnografik në Krujë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bashkë me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vizituan sot Muzeun Etnografik të Krujës.

Margariti tha se “shqiptarët synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar”.

“Pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, tha ajo.

Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zvkryetari i Bashkisë së Krujës, Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal në takim u diskutua mbi projektet dhe u shkëmbyen ide të reja.

Margariti falënderoi Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE, por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama  e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës./ atsh / KultPlus.com

Kcimi i Tropojës dhe Xhubleta, më pranë UNESCO-s, Margariti firmos formularin e kandidimit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi sot formularin e kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” (lista përfaqësuese e dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale te njerezit) dhe dijebërjes së Xhubletës për në listën e dukurive në rrezik (Urgent Safeguarding List).

Siç njoftoi vetë Margariti, bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Ajo falënderoi komunitetet lokale që e propozuan dhe këmbëngulën, por edhe partnerit The_AADF që, siç u shpreh ajo, “ na mbështetën për ta çuar përpara këtë nismë, që për ne është një mision”.

Xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe dosja ka mbaruar në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik.

Xhubleta, veshje tipike e zonavë të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin./ASHT/ KultPlus.com

Shtatë shenjtorët e “Onufrit” i shpëtojnë shkatërrimit

Shtatë shenjtorët e “Onufrit” i shpëtojnë shkatërrimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se pas një pune të gjatë dhe të kujdesshme në Laboratorin e Veprave të Artit në Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, ka përfunduar ndërhyrja restauruese e një tjetër vepre në koleksionin e Muzeut.

“Një vepër e vitit 1873 nga autori Adam Kristo nga Samarina, që paraqiste probleme serioze. Tashmë ajo nuk është vetëm një vepër e shpëtuar, por edhe e rifreskuar. Vlerat e saj kanë dalë në dritë dhe po i bashkohet “serisë” së shenjtorëve, që presin e përcjellin vizitorë në qytetin e “një mbi një dritareve”, u shpreh Margariti.

Këto vepra janë ndër më të rëndësishmet e koleksionit të ikonografisë shqiptare. /ata/ KultPlus.com

Margariti për Durrësin: Trashëgimia kulturore do të jetë një magnet ekonomik dhe turistik

Ministrja për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti ka treguar për zhvillimet e fundit në qytetin e Durrësit, shkruan KultPlus.

Ajo ka vizituar qytetin shqiptar bashkë medrejtorët ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Me këtë rast, ministrja Margariti ka thënë se diçka e mirë për Durrësin po vie.

“Vizituam zonën që do të shndërrohet në më tërheqësen për qytetin, ku trashëgimia kulturore do të jetë një magnet i vërtetë ekonomik dhe turistik”, ka shkruar Elva Margariti.

Ky investim do të vie në kuadër të projektit TID Durrës. / KultPlus.com

Margariti për Kadarenë: Do ngelet gur themeli i kulturës shqiptare

Sot, shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare mbush 85 vjeç.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, në konferencë të mbajtur për Kadarenë, deklaroi se ai është një shkrimtar shqiptar dhe botëror, e se do ngelet një gur themeli i kulturës shqiptare.

Kadare, një shkrimtar shqiptar dhe botëror. Ai është një figurë që inspiron. Megjithëse ne presim të fitojë Nobel, për ne shqiptarët, ai e ka fituar këtë çmim. Kadare do të ngelet një gur kilometrikë të kulturës sonë.Ne të gjithë, Ismailin e njëhesojmë me atdheun. Jemi krenar që jetojmë në epokën e Kadaresë. Kadare arriti të nxjerrë letërsinë nga errësira’, ka theksuar Margariti, përcjell KultPlus. / KultPlus.com

Margariti: Falë projektit të ndriçimit, Kalaja e Argjirosë si kurrë më parë

Projekti i ndriçimi në kalanë e Gjirokastrës nxjerr në pah vlerat e këtij monumenti të kulturës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Gjirokastra nuk duhet të jetë qytet gri, dhe se gjirokastritët do të kenë një arsye më shumë për të qenë krenarë.

“Falë projektit të ndriçimit, kalaja e Argjirosë duket si kurrë më parë. Gjirokastritët do të kenë më tepër arsye të jenë krenarë për këtë monument, i cili tashmë nxjerr edhe më tepër në pah vlerat e vërteta, që bart”, shkruan Margariti, në një status të saj. Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.

Nga kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi.

Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Në vitin 1417, kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë. Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse, u bë me një ngutësi aq të madhe sa të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë.

Kalaja përmbante përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kronikat e kohës përmendin se vetëm për ndërtimin e vendqëndrimit të Ali Pashës, një kullë pranë këndit juglindor, punuan 1500 vetë./sot/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri premton ndriçimin e 15 kalave

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Elva Margariti ka publikuar një projekt që pritet të ndodh përgjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Margariti në facebook ka shkruar se do të arrihet ndriçimi i 15 kalave në Shqipëri.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Elva Margaritit:

Ditë të mbarë!  #Punëtqëçojmëpërpara2021

Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohen 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke u kthyer krenarinë e harruar. / KultPlus.com

Ndarja nga jeta e Kujtim Prodanit, Margariti: S’gjej dot fjalët nga humbja e parakohshme

Gjatë ditës së sotme ka vdekur në moshën 57 vjeçare, këngëtari i njohur Kujtim Prodani, cili ditë më parë kishte njoftuar se gjendej në spitalin e Sanatoriumit, shkruan KultPlus

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti i ka shprehur ngushëllime familjes Prodani për humbjen e madhe. Ajo shprehet se një lajm i tillë është shumë i trishtë dhe se e ka shumë të vështirë që të gjejë fjalët.

“Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani… Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe”, ka shkruar Margariti./ KultPlus.com

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë së shpejti një destinacion turistik

Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije punët që çojnë përpara, ku një prej tyre është dhe Muzeu i Arsimit. “Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj për muzeun.

Mësonjëtorja e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.

Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902 për t`u riçelur në vitin 1908.

U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, familja Qiriazi, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë, që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.

Ndërtesa e muzeut ka dhe mjedise ekspozimi. Në shtator të 2019 u bë me dije se kishte nisur puna për restaurimin e godinës së Mësonjtores së parë shqipe. / KultPlus.com

‘Apolonia e Ilirisë’, aplikacioni që mundëson vizitë virtuale në një prej qyteteve më të famshme të botës antike

“Apolonia e Ilirisë” është i pari aplikacion, që na mundëson një vizitë virtuale në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se ky aplikacion shumë shpejt do të bëhet një praktikë e zakonshme dhe për sajte të tjera arkeologjike në vend.

Aplikacioni mundëson një vizitë virtual, një praktikë që rezultoi mëse e domosdoshme gjatë këtij viti në kushtet e masave kufizuese ndaj pandemisë, që bënë të mundur për shumë të apasionuar pas udhëtimeve të mos lënë shtëpinë, por në të njëjtën kohë të gjenden pranë thesareve të trashëgimisë shpirtërore e historike.

“Duke shkarkuar këtë aplikacion në telefonët tuaj, mund të ktheheni pas në kohë dhe të përshkoni një nga qytetet më të famshëm të botës antike: qytetin e akademisë, bibliotekës, teatrit e tempujve”, shprehet Margariti për aplikacionin e Apolonisë.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ka qenë ndër më të vizituarit nga turistët vendas dhe të huaj, /atsh/ KultPlus.com