Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.
Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.
Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.
Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.
Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.
Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.
Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.
Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.
ELVI SIDHERI
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…
Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme. / KultPlus.com
Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.
Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.
Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.
Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.
Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.
Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.
Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.
Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.
Shkruan Elvi Sidheri
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…
Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme./KultPlus.com
Prej disa ditësh në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në lagjen piktoreske Ulpiana në Prishtinë, mes gjelbërimit dhe ndërtesave karakteristike, piezazhit të pjerrët dhe godinave hijerënda e pakëz futuriste të gjysmës së dytë të shekullit XX, është hapur sakaq një ekpozitë tepër e veçantë, me emërtimin kuptimplotë “Naked Eye”.
Bëhet fjalë për ekspozitën vetjake të piktores Qëndresa Krasniqi, e cila është takuar me publikun artdashës me një sërë pikturash ku shpaloset, pikërisht e zhveshur për syrin artistik, pothuajse gjithë bota e saj të brendshme dhe frymëzimet e saj burimore, që kanë gjetur ravijëzimin e duhur përmes tablove të krijuara prej saj, ku vizitorët dhe ithtarët e pikturës së mirëfilltë, mund të hasin krejt larminë e universit ku autorja ka përthithur nektarin që më tutje është shndërruar në secilën prej pikturave të saj.
Në muret e mjediseve të brendshme të KultPlus Caffe Gallery, një vend (dhe gjithashtu portal letrar e artistik) që tashmë nënkupton vetvetiu cilësinë në art dhe letërsi në çdo kuptim, varen një sërë pikturash të ngjizura në telajo me ngjyrat e vajit, që nga piktorja Qëndresa Krasniqi janë përdorur pa kursim, herë me penel, herë mbase edhe drejtpërdrejt me duar të zhveshura, duke ndërthurur një ylber tematikash jetësore që shpërfaqen me ngjyrime të gjalla, nëpërmjet metaforave pamore, duke pasqyruar përherë besnikërisht edhe gjendjet shpirtërore të autores.
Tablotë që syri ynë i zhveshur kundron në këtë ekspozitë, na ofrojnë një diapazon gjithëpërfshirës të botës së filtruar artistikisht përmes syrit thelbësisht femëror të autores së tyre, e cila ia del mbanë përkryer që t’i shndërrojë mbresat e saj vegimore, në diçka tejet të pashlyeshme, siç janë pikturat ku galaksitë, qiejt, nuancat ujore, siluetat trupore, kornizat që duhen kapërcyer, njëlloj siç nevojitet të thyhen edhe barrierat mendjengushta mendësore (në art dhe jetë), shfaqen të gjitha si fryte të çmuara të frymëzimit të saj të pashtershëm.
Ndoshta nuk është rastësi që “Naked Eye” është përzgjedhur nga autorja si emërtim për ekspozitën e saj, ngaqë kjo fjalë është njëfarë sinonimi i padyshimtë i kësaj ekspozite, sepse edhe vetë arti i këtillë është, i zhveshur nga tepricat e padobishme, i zhveshur nga paragjykimet, i zhveshur nga kotësitë.
Pa qenë nevoja ta cilësojmë si impresionizëm, realizëm, onirizëm ëndërrimtar artistik, sidoqoftë piktura e krijuar nga Qëndresa Krasniqi, meriton pikësëpari përgëzimet tona më të çiltra si artdashës për mënyrën unike si është ngjizur dhe përvijuar në secilin krijim të sajin në tablo, ngase tashmë arti pamor në Kosovë, fiton një artiste të mirëfilltë.
ELVI SIDHERI
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com
Sapo është botuar përkthimi i autorit Elvi Sidheri nga frëngjishtja i librit “IBRAHIM RUGOVA, Vigani i Brishtë i Ballkanit”, një bashkëpunim i tre autorëve francezë, Jean Yves Carlen, Joël Ehrhart dhe Stève Duchêne, përcjell KultPlus.
Në këtë libër të botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, shpërfaqet figura prej kolosi, ndonëse e brishtë, e Ibrahim Rugovës, duke nisur nga vitet e tij të hershme, gjer në lëvizjen paqësore të shqiptarëve të Kosovës, nën udhëheqjen e tij, përpara bombardimeve të NATO-s dhe luftës çlirimtare në Kosovë.
Ky libër, i botuar në fillim të vitit 1999, në prag të fillimit të fushatës shpëtimtare nga qielli, që i dha fund spastrimit etnik të Kosovës nga Millosheviçi, shërben sidomos për të kuptuar sa shumë pati ndikuar Rugova në ndryshimin e qëndrimit francez ndaj çështjes së Kosovës, duke arritur ta bënte për vete fuqimisht opinionin publik në Francë, falë maturisë, qëndrimeve dhe largpamësisë së tij të spikatur. / KultPlus.com
Vaftë në djall konformizmi: nuk dua të jem thjesht kujtim.
Dua të jem një dashuri e pamundur, të bëhem dhembja jote e pakëmbyer, të jem muza jote më ligë, të shndërrohem në emrin që ti skalit në çdo shtrat ku prehesh, në secilin krevat që nuk është i imi syresh, të jem ajo që ti mallkon gjatë netëve pa gjumë, ajo që ti ke për të dashuruar me ndjenjën e tërbuar, që ngjall veç urrejtja e ndërsyer.
Nuk dua të më thuash që ti vdes për mua, dua të të gjallëroj me dashurinë time, sidomos kur të përlotesh, atëherë kur më tepër ti ripërtërihesh.
Nuk dua që bota jote të përmbyset, sa herë unë të largohem, dua që atëherë kur të ta kem kthyer shpinën, kjo gjë të ketë veç domethënien e lirisë për instinktet e tua më parësorë.
Nuk dua të të çliroj nga vuajtjet duke të dënuar, dua thjesht të jem e vetmja nga e cila të varet trishtimi yt, ngase kjo do të ishte mënyra më egoiste dhe e guximshme për t’u kujdesur për ty.
Nuk dua të të lëndoj, dua thjesht ta mbush trupin tënd me plagë, që pastaj të t’i lëpij, dhe mos të shërohesh, që mos të të harroj.
Nuk dua të lë gjurmë në jetën tënde, dua thjesht të bëhem shtegu yt, dua që të përhumbesh, të dalësh, të ngresh krye, të shkosh kundër rrymës, asnjëherë mos të më zgjedhësh, që gjithmonë të kthehesh në gjirin tim për ta gjetur sërish vetveten.
Nuk dua të të premtoj asgjë, dua veç të të jap gjithçka pa kompromise, as marrëveshje, të ofroj në pëllëmbën e dorës tënde çdo dëshirë që shqiptohet nga goja jote pa asnjë ngurrim, të jem menjëherë e tashmja jote.
Nuk dua që ta ndiesh mungesën time, dua që të mendosh aq shumë për mua, saqë mos ta dish çfarë është mungesa ime.
Nuk dua të jem e jotja, as që të jesh ti e imja, dua thjesht që ndonëse mund të jemi me këdo tjetër të na duket më e lehtë të jemi së bashku.
Nuk dua të të shpëtoj nga acari, dua thjesht të të jap motivet e duhura që kur të kesh ftohtë, të shohësh vegimin e fytyrës time dhe lëkura të të harliset.
Nuk dua që çdo natë të jetë si mbrëmje dite të premte, dua që gjithë javën tënde ta bëj si të dielat, e të mendosh se çdo ditë është një kremte, ndërsa të gjitha të kushtohen veç ty.
Nuk dua të nevojitet të qëndroj pranë teje, që mos të përmallohesh për mua, dua që kur të pandehësh se nuk ke asgjë dhe ta kesh lëshuar veten, të ndiesh duart e mia në shpinën tënde, që të mbajnë larg humenerës, dhe të rrish mbi këmbët e mia, teksa vallëzojmë në majë të gishtave në varreza duke përqeshur vdekjen.
Nuk dua të kesh nevojë për mua, dua të kesh besim tek unë pafundësisht gjersa bota e përtejshme të bashkojë strehat tona.
Nuk dua të të bëj të lumtur, dua të t’i fal lotët e mi sa herë të qash me dënesë dhe të përlotemi bashkërisht, dua të të dhuroj një pasqyrë kur të duash një arsye për të buzëqeshur, të paraprij shpërthimet e gajasjeve të tua kur të qeshurat ta pushtojnë kraharorin, dhe ta pushtoj unë kraharorin tënd kur dhembja të brengosë sytë e tu.
Nuk dua që mos të më frikësohesh, dua t’i dashuroj edhe përbindëshat e tu, që asnjëri prej tyre mos të ketë emrin tim.
Nuk dua të ëndërrosh për mua, dua thjesht të më frysh si qiririt dhe të jem dëshirë e përmbushur për ty. S’dua që me ty të bëj dashuri, dua të të zhvesh nga dashuria e munguar.
Nuk dua të jem thjesht kujtim, e dashura ime, dua që kur të më vështrosh ta kesh parë edhe të ardhmen tënde. / KultPlus.com
Kur kureshtja e shpie njeriun nëpër skutat më të largëta dhe në trevat më të gjelbëruara të Kosovës, ndonjëherë qëllon të bësh zbulime rastësore që përveçse të mahnisin ty vetë si hulumtues, njëherësh edhe shpërfaqin pjesëza historie shqiptarësh që janë mjegulluar gjatë rrjedhës së shekujve.
E tillë është edhe kjo histori që do të lexoni në vijim:
Gjatë rrugës Prishtinë – Gjilan, kur më tepër i shtyrë nga kërshëria, sesa nga ndonjë nxitje më e përcaktuar, i shmangesh udhës kryesore, dhe vazhdon midis kodrave të blerta, fushave të mbjella me misër, gjurmëve të grurit të korrur, pemëve që harlisen me kumbulla dhe mollë, zogjve dëfryes ndër cicërimat e tyre, dhe pak shtëpive që t’i has syri tek-tuk, sakaq një degëzim rural rrugor të shpie në një fshat tepër unik në historinë dhe banorët e tij.
Është fshati Manishincë, që ngrihet mbi një kodërz të butë, pak kilometra nga një vendbanim akoma mjaft i populluar serb në Kosovë, ku gjindja ende jetojnë në limontinë e zadrugave titiste, diçka kjo që pohohet edhe nga mbishkrimet cirilike që flasin akoma për korrje-shirjet, drithërat, traktorët e lërimin e arave, krahas magazinave dhe dyqaneve të dikurshme kooperativiste.
Gjithsesi fshati ku kemi vajtur, cazë rastësisht, e më tepër qëllimisht, Manishinca, ndryshon nga fshatrat e tjerë të banuar nga serbët përreth, duke mos shfaqur gjurmë të qarta të trashëgimisë jugosllavo-agrare, meqenëse bëhet fjalë për një ngulim të vogël, ku bien në sy sapo t’i jesh futur shtegut të ngushtë që të çon drejt qendrës së tij, serat e shumta, mullarët, misri dhe shtëpitë e vjetra dhe të reja që kacavirren njëra mbi tjetrën në faqen e kodrinës ku janë mbështetur të gjitha.
Aty na presin ndërkaq një mori zbulimesh të befasishme, që menjëherë mishërohen në njeriun e parë që na buzëqesh kur zbresim nga makina, Srboljubi, i cili mbas një “Dobrodošli”, shton në çast “Mirë se erdhët”, dhe të rrëmben vetvetiu në ngazëllimin e vet, duke të shpënë t’i argëtosh sytë me pemët e pafundme frutore që stolisin tokat e tij, ndërsa përpara syve të hapen plantacionet me tranguj që eksportohen direkt në Gjermani (nën emblemën e Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës), stallat me kafshë, arat me misër dhe bletët e mjalti që duket sikur buron nga kroje qiellore.
Historia e këtij njeriu dhe origjinës së tij dhe të lagjes së vet, është thelbi i këtij tregimi.
Si të gjithë banorët e këtij fraksioni të Manishincës, Srboljubi është thjesht një “Korçar”!
Po pra, e lexuat mirë!
Ai vetë e pohon kur është duke të shoqëruar nëpër shkallët e shtëpisë së tij familjare, se korçarë në këtë ngulim janë të gjithë pa përjashtim, të cilësuar qysh në mbiemra si Korčević, apo në emërtimin e lagjes së tyre “Korčini”, që është thjesht versioni në serbisht i shumësit “Korçarë” në gjuhën shqipe.
Prej kohësh kisha dëgjuar se në Kosovë dikur patën ardhur valë migrimesh edhe nga viset jugore të Toskërisë, por njohuritë e mia ngushtoheshin veç me praninë e shqiptarëve ortodoksë dhe vllehëve voskopojarë në Prizren, të cilët në këtë kryeqendër ekonomike dhe kulturore të këtyre viseve shqiptare, ishin shpërngulur kryesisht mbas djegies së Voskopojës, dhe ku kishin pasur edhe Kishën e tyre të Sveti Spasit (të djegur për këtë shkak nga serbët), si qendrën e tyre shpirtërore dhe fetare, me liturgji në greqisht (jo serbisht), stemën e veçantë të komunitetit të tyre (jo në gërma cirilike serbe), e shumë gjurmë të tjera të lënë në këtë qytet.
Në Kosovë nuk mungojnë gjithaq edhe mbiemrat “Korça”, dhe gjithmonë pata qenë kureshtar për origjinën e këtij mbiemri, sidomos kaq larg Korçës së mirëfilltë, vendlindjes së gjyshërve të mi.
Të ulur rreth tavolinës së këtyre korçarëve të habitshëm kosovarë, në një fshat serbishtfolës, pasi e zonja e shtëpisë, një nikoqire e vërtetë, me buzën në gaz, sytë e hareshëm e gojën e ëmbël, na ka ofruar përnjëherë çdo pije dhe ushqim të mundshëm, unë nuk përmbahem dot dhe pa humbur kohë i kërkoj Srboljubit të ma shtjellojë më hollësisht historinë e origjinës së tyre korçare.
“Me kadalë” – ma kthen ai në shqip, në dialekt të pastër geg, dhe fillon të tregojë se përpara disa shekujsh paraardhësit e tij kanë ardhur pikërisht nga Korça, kryesisht “Kao zidari”, “gurpunues”, mjeshtra në këtë zanat të vyer, dhe janë kujdesur për ndërtime të shumta, përfshirë kishat e këtyre trevave.
Duke dashur ta përforcojë dëshminë e tij, mikpritësi ynë na tregon po ashtu se korçarët e mërguar deri në Manishincë, patën ardhur duke kaluar pikësëpari nga viset e Maqedonisë, më saktësisht nga Prilepi, dhe të ofron një libër fort vëllimor si fakt të mëtejshëm, një libër ku tregohet se familjet korçare të ardhura tërthorazi nga Maqedonia, kishin qenë fillimisht katër syresh (dhe dyzet e nëntë shtëpi), ndërsa pastaj ishin bërë plot katërmbëdhjetë, me tetëdhjetë e shtatë shtëpi.
Është vërtet e mahnitshme t’i dëgjosh dhe t’i lexosh këto gjëra, aq më tepër të thëna nga dikush që ndonëse flet serbisht, ka pamjen dhe fytyrën tipike dashamirëse dhe zemërgjerë të një korçari (edhe gjyshja e stërgjyshi im korçar, kështu dukeshin fundja).
Në familjen e tij, duke përfshirë doemos të shoqen, Verkën, e cila nuk resht së foluri edhe ajo, duke të sjellë kafe turke, mjaltë kurativ të bletëve të familjes, raki të disa llojeve (edhe ftoi, si askund tjetër; megjithëse unë ia kthej flakë për flakë, se në Boboshticë të Korçës, kemi raki mani, ai askund tjetër gjithashtu), të gjithë sidoqoftë ndihen korçarë dhe kanë vetëdije të plotë për origjinën e tyre, bashkë me djalin dhe nipat e këtyre dy ish mësuesve të moshuar, e ndoshta pakëz edhe nusja e tyre.
Nusja mbase është nga lagja e afërt, fraksion e të njëjtit fshat, që mban emrin kuptimplotë “Bugari”, megjithëse vendasit ngulmojnë që bëhet fjalë për maqedonas, të cilët serbët dikur i patën quajtur kështu, e ndërkohë për veshët dhe ëndjen e saj maqedonishtja ime tingëllon më këndshëm se kroatishtja me të cilën po komunikoj me antarët e tjerë të kësaj familje gazmore korçarësh kosovarë serbishtfolës.
Prania e një toponimi të këtillë, “Bugari”, kaq afër lagjes Korçini në Manishincë, e dëshmon edhe më tepër prejardhjen e tyre korçare, duke faktuar kalimin e tyre nga Maqedonia, ndoshta bashkërisht me maqedonas (bullgarë) sllavë, të cilët mund të jenë shpërngulur njëkohësisht me korçarët në ato kohë të turbullta, disa shekuj më parë.
Ndërkaq tërë familja është mbledhur, teksa njëri nga fëmijët mban akoma të veshur fanellën e Messi me stemën e Barcelonës, dhe unë i them me qesëndi “Messi sada igra za Paris SG” (Messi tani luan për Paris SG), dhe menjëherë shtoj “Sad će Manaj, albanac, da igra za Barça” (Tani do të luajë Manaj, lojtar shqiptar, për Barça-n), por çunaku buzëqesh dhe të avitet me kërshëri edhe ai, duke treguar të njëjtën mikpritje si gjithë të afërmit e tij.
Të vërshojnë të gjithë me pyetje “Ku është Korça?”, “Si është Korça?”, “Si shkohet në Korçë?”, “Ko ima najbolju rakiju, Korčini ili Korça?” (Kush e ka rakinë më të mirë, lagja Korçini apo Korça), “Mi smo korčini” (Ne jemi korçarë), dhe nuk harrojnë të të tregojnë me mburrje, se kanë njohur një korçar prej vërteti, i cili dikur paskësh punuar në Kosovë për organizatat ndërkombëtare.
Mezi presin të shkojnë në Korçë, ndërsa të paktën kreu i familjes, Srboljubi, ka qenë në Tiranë dhe bregdetin shqiptar, por këtë gusht të nxehtë, nuk e mban vendi pa vajtur gjer në Korçë, mbase i nxitur jo pak edhe nga vizita jonë, nga ky takim kaq mbresëlënës mes korçarësh, që përkundër shekujve ndarje, ndihemi sërish mirëfilli të këtillë, megjithëse flasim gjuhë të ndryshme, sepse shpirti, zemra, qëndrimi, kultura dhe origjina, na bashkon më tepër se gjithçka tjetër.
Kur bëhesh gati të largohesh, ngaqë pas muzgut po erret dhe nata nuk është për shtigjet e ngushta rurale deri në rrugën Gjilan – Prishtinë, të gjithë brofin në këmbë, të habitur që po ikën pa u nginjur me gatimet, mishin dhe mikpritjen e tyre, dhe të rrasin në duar një enë me disa kilogramë mjaltë të cilësisë më të lartë, teksa “Faleminderit” të thonë vetë në shqip, pa hapur akoma ti gojën për të folur.
I zoti i shtëpisë na shpie të shohim edhe krojin e fshatit, ku datohet më së miri themelimi i këtij vendbanimi, dhe ku lexoj vitin e moçëm 1674, si themelimin e “Mahala Korčini”, lagjes së tyre të korçarëve.
Ky krua i kushtohet Sveta Petkës (Shën e Premtes), dhe gjithkujt që shuan etjen në këtë burim, i thuhet që “Çdo pikë uji t’i bëhet shëndet atij që e gjerb”!
Kur jemi uruar anasjelltas “Natën e mirë” (prej tyre, në shqip), dhe “Prijatno” (prej nesh, në gjuhën e tyre), largohemi nga lagja Korčini me bindjen se kemi qenë dëshmitarë të një ngjarje që rrallëherë kemi për ta hasur në jetë.
Këta njerëz, këta korçarë krejtësisht të panjohur, që jetojnë në viset kosovare prej kaq shekujsh, akoma janë tepër të vetëdijshëm për origjinën e tyre, duke e ditur se nga vijnë, çfarë prejardhje kanë, duke pasur gjithaq dijeni të plotë për rëndësinë e Korçës dhe të kulturës e traditave të saj edhe në ditët e sotme.
Mbase gjuha që flasin është e ndryshme, ngaqë prej shumë kohësh jetojnë krah për krah me serbët,me të cilët i afron feja, bashkëjetesa dhe doket e shumta, ndoshta janë asimiluar në shumë aspekte, por vetëdijen e dëlirë korçare nuk ua kanë zhbërë apo ndryshuar sadopak vitet dhe shekujt.
Korçarët e lagjes Korčini e dinë shumë mirë se kushërinjtë e tyre në Kosovë, me mbiemrin Korça, shqiptarë dhe myslimanë me fe, janë të afërmit e tyre nga gjaku, dhe këtë gjë e pohojnë njëzëri pa ngurrim.
Gjithashtu këta njerëz kanë punuar, jetuar dhe janë shkolluar bashkë me fqinjët e tyre shqiptarë, jo vetëm në kohëra jugosllave e titiste, por edhe në ditët e sotme, dhe hyrje-daljet, bashkëjetesa dhe tregtia midis dy komuniteteve është gjithnjë për t’u pasur zili.
Falë kësaj dashamirësie që mbretëron mes banorëve të lagjes Korčini dhe shqiptarëve, edhe unë pata fatin të mësoja për këta korçarë të panjohur të Kosovës, sepse vetë shqiptarët më treguan për praninë dhe historinë e tyre, duke më grishur edhe më tepër, për shkak të rrënjëve të mia korçare.
Jam i lumtur që i njoha, që kuvendova me ta, që ma treguan prejardhjen e tyre, por mbi të gjitha u ndjeva krenar ngaqë e kuptova mirëfilli se kur u takuam, të gjithë së bashku ishin veç KORÇARË!
Nacionalizmi duan të thonë, konsiderohet në botën tonë moderne dhe egërsisht të globalizuar, si diçka e tepërt, antike ndoshta, një shfaqje mendësie të tejkaluar nga koha dhe zhvillimi bashkëkohor i botës në të cilën në fakt jetojmë të gjithë bashkë.
Për një arsye të tillë edhe unë si qenie me prirje “globale”, si një shqiptar qytetar i botës së përbashkët për të cilën qeshë duke treguar pak më parë, nuk do të duhej faktikisht që të kisha ndonjë gjë të veçantë kundër shfaqjes së Goran Bregoviç serbit në një skenë shqiptare pas ca ditësh.
Të këndojë ore tjetri, kush e pengon!
Në serbisht po ashtu, se mos di të këndojë në anglisht fundja? – Jo nuk di, ndaj dhe lëreni të këndojë në gjuhën e tij mëmë serbisht, meqë ndryshe nuk mundet.
Ka ëndje të këndojë dhe mirëfilli askush nuk ka ndërmend ta ndalojë në ushtrimin e profesionit të tij Bregoviçin, aq më pak në skenat e Shqipërisë!
Unë për fat Goranin nuk e njoh, as kam patur rastin të dëgjoj këngët e Lepa Brenës apo ndonjë serbi ose boshnjakeje tjetër.
Turbofolkun serb nuk e njoh dhe as që më intereson gjithashtu.
Thënë kjo, më nevojitet të pranoj “botërisht” se mosnjohja nga ana ime e realitetit muzikor serb (turbofolku) nuk më ka penguar aspak që të jem një artdashës, shijues i apasionuar i tingujve të mirëfilltë joserbë muzikorë, vlerësues i muzikës në përgjithësi.
Ideja ime si njeri “veshmprehur” lidhur me botën e muzikës ballkanike, pa qenë sidoqoftë i këtij profesioni si formim, është se rajoni ynë vuan thellësisht nga mungesa e “origjinalitetit” në këtë fushë, dhe kjo ndodh ngaherë e nuk ka nisur kurrsesi sot.
Fakti është që prania e stërzgjatur osmane në viset dhe trojet etnike të popujve të Ballkanit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme sa në veshje, mendësi, sjellje dhe veprime, aq edhe në muzikën dhe vallet tona pa përjashtim.
Në një këndvështrim të tillë, tallavaja aktuale si dhe turbofolku serb, kanë të bëjnë ngushtësisht ashtu si edhe shumë degëzime të tjera të lëvrimit të muzikës së këtij gadishulli ku të gjithë frymojmë, me një origjinë të përbashkët turke, sa nga folku i mirëqenë turk, aq edhe nga muzika e romëve të Azisë së Vogël, të quajtur “romani” nga turqit.
Në të vërtetë po të hidhet një vështrim i përciptë mbi universin e pasur muzikor të Turqisë së ditëve tona, aty do të vërehen pa shumë vështirësi, pjesëza të origjinës së shumë dokeve dhe traditave muzikore të gjithë banorëve të Ballkanit, me përjashtim të sllovenëve e ndoshta kroatëve, që kanë jetuar më tepër nën qeverisjen dhe kulturën austriake, sesa nën ndikimin jetëgjatë të hapësirës osmane.
Kështu mund të takojmë lehtësisht gjurmët turke sa në vallet dhe këngët e Shqipërisë së Mesme (por edhe më tej sesa thjesht ky rajon i vendit tonë), aq edhe në veshjet apo vallet, meloditë dhe kërcimet specifike të serbëve, maqedonasve, domosdo të boshnjakëve (gjithmonë me modelin e tyre tipik ala-cigan të të kënduarit të përdëllyer brenda përvuajtjes së përhershme), bullgarëve e ndopak edhe grekëve.
E gjithë kjo na vlen për të kuptuar se jetojmë në një rajon tepër të vogël, ku shumë popuj të ndryshëm janë “ndikuar” fort kulturalisht nga fuqia e fundit madhore sunduese, siç patën qenë turqit deri para një shekulli, për këtë arsye është deri diku normale dhe e pranueshme që muzika e njëri-tjetrit (që jo rrallë ngjan), të na tërheqë.
Unë vetë nuk prirem të kem ndonjë ndjesi të zhvilluar kureshtje apo grishje ndaj muzikës ballkanike në përgjithësi, apo asaj të fqinjëve tanë në veçanti.
Mënjanë malazezëve që në përshtypjen time nuk kanë muzikë fare, s’m’i kanë ndezur ndërkaq asnjëherë ndjenjat baladat qaramane orientale të boshnjakëve, dhe sigurisht kurrsesi folku i serbëve ku të njëjtat melodi me kombinimin e pamungueshëm “srce-ljubav” (zemër-dashuri) t’i çajnë veshët në përjetësi.
Maqedonasit, sidomos në rajonet kufitare me juglindjen e Shqipërisë dhe Selanikun në Greqi, lëvrojnë një lloj muzike të këndshme qytetare e cila ngjan së tepërmi me serenatat korçare, e për këtë arsye, është më e pranueshme për një vesh të hollë.
Nga ana tjetër, bullgarët muzikë nuk kanë (ose kanë, po këtë fakt nuk e njeh askush) dhe rendin vazhdimisht pas kopjimit të trubofolkut serb ose tallavasë rome, me tekste bullgare.
Rumunët sipas përshtypjes sime, bëjnë muzikë tepër të mirë “dance”, një fakt që i ka bërë të njohur anembanë “Club-ve” të kontinentit evropian, ndaj dhe ankesa për ta nuk mund të kem, ndonëse muzikën tradicionale nuk ua njoh ndopak.
Po Goran Bregoviçi?
Goran serbi është gjë tjetër.
Personalisht më shumë më ka çuditur ndërthurja e pakuptimtë e emrit dhe mbiemrit të tij, ngaqë Goran dhe Bregoviç, pak a shumë në shqip domethënë “Malësor i Bregut”, diçka krejt e papërputhshme gjuhësisht.
Mbase domethënë se Gorani vjen me vrull nga lartësitë serbe drejt bregut shqiptar, gjithmonë të ëndërruar nga serbët.
Gorani sakaq është simbol, është serbi që vjen në Shqipëri dhe shkul rrylin e fytit duke kënduar (apo mbase me “play back” gjë?), pa iu dridhur qerpiku, pa ia bërë syri tërrt, si të ishte në Beograd e jo në tokën e “albancëve” këtyre njerëzve me bisht sipas ndoca shkencëtarëve serbë.
Kurse Bregoviçi ynë as që trembet fare dhe me vetëmohim, vjen me këngë në gojë, sjell tingujt dhe fjalët serbe mes shqiptarëve.
Nuk e njoh Goranin dhe nuk e kam idenë se çfarë lloj njeriu është ai. Mua vetë më duket pak si leshko në pamje, por nuk dua të abuzoj me njerëz që s’i njoh.
Ajo që mendoj është se Goran Bregoviçi më tepër habitet vetë si vallë nuk do e “hanë ose pjekin të gjallë” këta shqiptarët me bisht dhe të egër, se gjë tjetër, dhe i ngrati kur të këndojë, ndoshta do t’i numërojë së prapthi sekondat deri në çastin kur ndokush do ta lërë shakull në vend, që më pas ta rrjepin dhe t’ia hedhin qenve ose diçka të ngjashme.
Publiku shqiptar aty nën skenën ku serbi në fjalë do të çirret, mbase do të dukej pak a shumë nën efektet degjeneruese të ekstazës idiotësuese, si një turmë e etur që ka vrapuar me të katra, për në ndonjë lokal “striptease”.
Kam bindjen që nëse Goran Bregoviçi do të zhvishej atë mbrëmje, rrobat e tij do të kishin shkaktuar një kaos të tillë midis publikut të përvëluar, saqë salla ku serbi do të këndonte, do të digjej me themel dhe do t’i kish dalë tymi.
Si ta them, Gorani do të ishte “palaço” në skenë dhe masa amorfe me trajta të paqarta turme të dalë duarsh, do harbohej me vetveten dhe ekstazën e këngëve që ai këndon, duke u çjerrë dhe uluritur histerikisht.
Sigurisht që disa dhjetëra spektatorë të matufosur turbofolk-dashës, nuk përbëjnë asgjë krahasuar me shoqërinë shqiptare.
Shqipëria për fat të madh, është shumë më tepër se aq, megjithëse shfaqje të tilla të marrëzisë kolektive, nuk të bëjnë të mendosh mirë për qenësinë mendore, e aq më pak morale të popullit tënd.
Në të njëjtën kohë nuk do kishte qenë e tepërt të ishte përmendur për shembull sesi do të kishte vajtur saktësisht një situatë e ngjashme, por e ndodhur hipotetikisht në Beograd dhe jo Shqipëri…
Këngëtari “X” shqiptar ta zëmë shkon i ftuar në një program të suksesshëm serb.
Në çastin që i kumtohet publikut emri i tij, ka një ngërdheshje të përgjithshme…
“Ore, mos është emër shqiptarësh ky”? – do vinte në dukje dikush midis publikut në sallë.
Më tej, kur këngëtari shqiptar do të ngjitej në skenë, kur të niste të shqiptonte rrokjet e para të fjalëve në shqip të këngës së tij, atëherë nga publiku drejt tij do të vërshonin jo vetëm një numër i pallogaritshëm sharjesh të çdo lloji, fyerjesh personale dhe etnike, kërcënimesh, por ka mundësi edhe karrige, stola, ombrella, këpucë e bastunë të spektatorëve të pranishëm.
Dikush tani do të thoshte se ne prandaj nuk jemi serbë, as ballkanas nuk jemi nga kjo anë, se nuk bëjmë gjëra të tilla, jemi më normalë dhe të evoluar ne, i pranojmë ndryshimet dhe dallimet me të tjerët, kurse artit i japim vëmendjen e duhur duke e ndarë nga mëritë ndëretnike të rajonit tonë.
Fundja, në vitet 80 të shekullit të kaluar, dyshoj fort që Bijelo Dugme, pjesë e të cilëve ka qenë Goran Bregoviç, të ketë pasur fansa të shumtë në Shqipëri, ndërsa gjithë vëmendja e publikut shqiptar i kushtohej si gjithmonë muzikës dhe kulturës italiane, që ngaherë qëndron në pararojë të artit në nivel botëror.
Kur dinjiteti ynë të mos nëpërkëmbet nëpër librat e historisë, stadiume, politikën dhe qëndrimin zyrtar të shtetit serb dhe jo vetëm, atëherë mund të jetë e udhës, që edhe ne të tregojmë para fqinjëve tanë e në veçanti serbëve, faqen tonë moderne, liberale dhe evropiane, atë që pranon vlerat e tjetrit, që njeh meritat e artit, që gëzon muzikën, pa u ngatërruar me epshet shtazarake të kënetave të prapambetura ballkanike.
Ndërkaq, të shfrytëzohet kjo ndodhi fatkeqe, ky vendim dukshëm pa shije për të ftuar një personazh të këtillë në një skenë verore, për të vjellë vrer e helm veçanërisht ndaj Korçës dhe qytetarisë e kulturës së saj, është gjithashtu diçka krejtësisht e papranueshme.
Në 1999, nuk ka pasur thuajse asnjë fshat të Korçës, përveç vetë qytetit sigurisht, ku mijëra familje shqiptarësh të Kosovës mos të kenë gjetur mikpritje të pashembullt, dhe qytetarët korçarë shpesh patën vajtur në stadiumin e qytetit, për t’i marrë dhe strehuar refugjatët kosovarë nëpër shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve i kam miq dhe i takoj edhe në ditët e sotme dhe janë akoma mirënjohës për Korçën dhe korçarët.
Do theksuar se mirësia e administratave amerikane ndaj shqiptarëve, dhe gjithaq Kosovës, nis me shoqërinë Vatra ne SHBA, të themeluar pikërisht nga mërgimtarët e parë korçarë në Amerikë mbi një shekull më parë.
Me katër ndër këngëtaret më të njohura në botë, të gjitha me origjinë shqiptare (Dua Lipa, Ava Max, Rita Ora dhe Bebe Rexha), me një mori këngëtarësh shqiptarë të bëjnë ligjin në muzikë nga Italia në Gjermani, Zvicër, Angli, Greqi e tjetërkund në Europë, pak nevojë kemi për Bregoviçët në skenat tona, ndonëse nuk ka asnjë arsye të tregohemi shovinistë si ndokush nga fqinjët tanë, sidomos në fushën e artit.
Por deri në ditën kur respekti kulturor të jetë i ndërsjellë, sipas meje gjasë ende e largët, Bregoviçët dhe këngët e tyre, s’bëjnë për mua të paktën!
Një nga problemet kryesore më të cilët përballet turizmi aktualisht qoftë në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është pa dyshim “turizmi rastësor” që akoma gëlon rëndom në një mori qendrash të rëndësishme arkeologjike, duke përbërë ende mënyrën e vetme të vizitueshmërisë së këtyre simboleve të trashëgimisë tonë shekullore kulturore kombëtare.
E tillë pikërisht ishte edhe njohja ime personale me Novobërdën, kështjellën madhështore dhe gjithashtu historinë e saj të mrekullueshme, që do të ngjallte zilinë e çdo historiani, arkeologu dhe shtetari të mençur në çdo vend tjetër të botës, nëse do të kishin fatin të gëzonin në territorin e tyre një zonë kaq magjepsëse arkeologjike siç është Novobërda.
Në mënyrë rastësore e pata njohur këtë kështjellë të vendosur në një pozicion dominues mbi malet, grykat dhe luginat përreth, që ngrihet porsi një pikë vrojtimi e fortifikuar hijerëndë mbi një kodër malore, në lartësi mbidetare rreth 1200 metra, duke spikatur në distancë edhe nga shumë kilometra tutje, nga të gjitha anët dhe tërë drejtimet në horizont.
Kështjella e Novobërdës është një fortesë mesjetare që i fal Kosovës një pjesë thelbësore të trashëgimisë së saj historike, duke ofruar një mozaik të vyer kulturor, kombëtar, fetar e arkeologjik që rrallëherë mund të haset tjetërkund në rajon e më gjerë.
Kjo kështjellë me formë kaq unike gjashtëkëndore, me tetë kulla të vjetra, një pamje përrallore, që më tepër ngjan me një kështjellë të Europës Veriore, sesa me një fortesa të gjendur në zemër të Ballkanit mesjetar, sot vijon t’u bëjë ballë kryelartë kohës së pashpirt, kushteve atmosferike dhe lënies së pakuptueshme jashtë itinerarëve kryesorë turistikë.
Disa javë më parë, në një ditë të vapët gjetiu në trevat e ulëta fushore, por fort të freskët dhe me një erë që frynte tërbueshëm sa më shumë i afroheshe Novobërdës, i qemë afruar kësaj kështjelle duke përshkuar një rrugë të ngushtë gjarpëruese që kalonte mes kodrash e malesh të mbushura me gjelbërim, pemësh të harlisura me çdo frut malor të përfytyrueshëm (që të grishnin ta ndaloje makinën në çdo pak kilometra për t’i shijuar këto fryte bujare të natyrës), liqenit të këndshëm të Badovcit që t’i freskon edhe sytë me ujërat e tij, dhe një mori minierash që dergjen në braktisje.
Është e pamundur që mos të shtangesh nga mahnitja kur kështjella e Novobërdës lartësohet mes maleve, thuajse duke prekur qiellin, duke ruajtur akoma në ditët e sotme tisin e saj të pamposhtur, muret e paarritshme, pamjen luftarake dhe trashëgiminë fisnike që i japin asaj tiparet e saj që nuk mund t’i hasim asgjëkundi përveçse në këtë fortesë mbi kreshtat e larta të përqafuara pareshtur nga rrezet diellore.
Përkundër erës së çmendur, temperaturave më tepër se 10 gradë më të ulëta se në Prishtinë, truallit të thepisur dhe të tatëpjetë, nuk patëm ngurruar që të ngjiteshim gjer në muret e moçme gjysmë të rrënuara të kështjellës, duke përpirë me të gjitha shqisat tona këtë monument drithërues të mesjetës arbërore dhe të Kosovës, teksa përfytyronim jetën që dikur kish gjallëruar me ritëm të vrullshëm në këtë qytet të banuar nga arbërorët, tregtarët raguzanë nga Dubrovniku i sotëm, minatorët dhe mjeshtrat saksonë gjermanë, të sjellë pikërisht për këtë qëllim në këto vise të largëta nga sundimtarët e kohës, dhe ndoshta ndonjë përfaqësues të despotëve serbë të periudhës në fjalë.
Të përhumbur në këto vegime mesjetare, në një realitet të drobitur bashkëkohor që përplaset papërputhshëm me të shkuarën e ndritur të këtij vendbanimi të shquar të shekujve të kaluar, u futëm në bujtinën e parë që na hasën sytë rrëzë shtegut të vetëm të shtruar tek-tuk me gurë që të shpie lart në kështjellë, dhe zonja e sjellshme e shtëpisë na ofroi një fli që akoma piqej në saç dhe prush.
Megjithëse ende nuk më kishin kaluar dridhmat e të ftohtit të asaj dite, vendosa të kthehesha sërish në këtë vend të mbetur jashtë kohës, akoma pezull mes të shkuarës së lavdishme mesjetare, dhe harresës e mënjanimit aktual nga hartat e rëndësishme turistike, kredhur në një melankoli tipike të ngulimeve që kanë njohur madhështinë dhe qytetërimin e epërm, për t’u dergjur pastaj në sfondin e vakët të ditëve të sotme të pangjyra.
E kur u ktheva, përsëri për t’i shpëtuar vapës zhuritëse të kësaj vere të nxehtë, nuk u zhgënjeva aspak, përkundrazi…
E them këtë jo vetëm si shkrimtar dhe përkthyes letrar, që në një vend të tillë gjen parajsën për të shkruar qetësisht.
Novobërda, si kështjellë, si qytet dhe rrënoja arkeologjike mesjetare, por edhe si vendbanim i vogël bashkëkohor, është një gur i çmuar në gjirin e trashëgimisë historike të Kosovës së sotme, një vlerë e shtuar për turizmin kosovar, një destinacion i pashmangshëm për çdo turist të etur për gjurmë të pashlyeshme qytetërimi, historie dhe kulture të mirëfilltë, por edhe një vend plot kulturë, arsimim dhe mikpritje burimore shqiptare, duke ofruar një dëshmi të çmuar për doket dhe traditat shqiptare.
Ndër të veçantat më të spikatura të Novobërdës, mjafton të theksohet se në hapësirën e një rrugice të gjatë jo më shumë 70 metra, në radhë gjejmë Shtëpinë Muze të Bejta Novobërdalisë, gazetar, shkrimtar e politikan me origjinë nga ky vendbanim, pastaj Tyrben e Mehmedit të Vjetër, ku mund të shihet edhe një varr i moçëm me shkrime në osmanisht (shekulli XVIII), kurse pak hapa më tutje Xhaminë e Osman Efendisë gjithashtu të shekullit XVIII, me një arkitekturë të rrallë tipikisht osmane të vjetër, me ngjyrë të hirtë dhe minaren e veçuar nga godina qendrore.
Përkundrall tyrbes së vjetër, sakaq gjenden rrënojat mahnitëse të Katedrales së Novobërdës, që dallohet edhe nga largësia, e ngritur në një kodrinë të ulët, pikërisht përballë kështjellës disa qindra metra matanë.
Një sërë kolonash të larta të Katedrales janë ngritur sërish në këmbë, dhe gjithaq muret dhe gurët e saj janë meremetuar dhe sistemuar mjaftueshëm sa për t’i rikthyer këtij objekti të vyer kulti pakëz nga shkëlqimi i tij i dikurshëm, kur pamja e saj veç mund të orvatemi ta përfytyrojmë çfarë mrekullie arkitektonike duhet t’u ketë ofruar besimtarëve novobërdas dhe vizitorëve e tregtarëve të shumtë që kishin marrëdhënie me këtë qytet.
Vendasit, mikpritës dhe të gjithë skajshmërisht krenarë me të kaluarën e vendlindjes së tyre, të tregojnë me ëndje se rreth e rrotull Novobërdës së sotme, gjenden rrënojat e të paktën 12 kishave të moçme, dhe janë njëherësh të gatshëm të të shoqërojnë miqësisht për t’i soditur secilën syresh, me një bujari dhe gatishmëri që ta heq menjëherë nevojën për udhërrëfyes të rregullt turistikë.
Burimet historike ndërkaq tregojnë se Novobërda mesjetare, në banorët e saj, përveç arbërorëve (me gjasë jo vetëm katolikë, por edhe ortodoksë, gjë që dëshmohet nga disa kishat ortodokse, në një vendbanim kryesisht katolik), raguzanëve, saksonëve, mund të numëroheshin sakaq edhe tregtarët venedikas, duke e bërë këtë qytet një vendbanim shumëkombësh me tipare të qarta tregtare, qendër të nxjerrjes së mineraleve të çmuara, por edhe shteg kalimi për karvanet e shumta që arrinin deri në brigjet e detit Adriatik.
Ky qytet kaq i pashoq, ku ishte harlisur qytetërimi, bashkëjetesa midis lindjes dhe perëndimit, në radhët e banorëve, feve dhe kulturave të tij, që ndërkaq zotëronte dhe minierat më të pasura të gjithë siujdhesës Ballkanike, do të rrethohej disa herë pamëshirshëm nga osmanët, gjersa në vitin 1455 do të mposhtej përfundimisht, dhe turqit do t’u prisnin kokat gjithë mbrojtësve meshkuj të qytetit (qindra syresh), duke çuar përdhunshëm të miturit si jeniçerë, ndërsa gratë e femrat do të përfundonin në harem.
Një fakt interesant është se një vit përpara rënies së qytetit në sundimin osman, Vojvodë i Novobërdës ishte Aleks Spani, kurse përpara tij këtë post të rëndësishëm udhëheqës, e kish mbajtur babai i tij, Pjetër Spani, të dy pinjollë të familjes së madhe fisnike arbërore të Spanëvë nga Drishti pranë Shkodrës.
Gjithashtu një arbëror i shquar me origjinë nga Novobërda, është Gjergj Pelini, klerik katolik dhe diplomat i Gjergj Kastriotit.
Më tutje nga Novobërda në Gjilanin e sotëm do të shpërngulej edhe familja e madhe e Gjinollëve në shekullin XIX, duke themeluar këtë qytet të rëndësishëm të Kosovës, të cilit i dhanë edhe emrin e tyre.
Novobërda vijon të shuhet dhe të shpopullohet gjatë shekujve të sundimit osman, derisa vendbanimi i vogël i sotëm, në shekullin XX thuajse zbrazet tërësisht, dhe ringjallja e tij kryesisht, përveç përpjekjeve të autoriteteve kosovare përgjegjëse për trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore, i detyrohet kryesisht banorëve vendas të familjes Novobërdaliu, të cilët ende nuk pranojnë stoikisht të shkëputen nga trojet e tyre atërore, duke e ripërtërirë pak nga pak jetën në këtë qytet dikur të fisëm mesjetar.
Gjithë shtëpitë e mbetura në këtë vendbanim, u përkasin trashëgimtarëve të kësaj familje, dhe të tillë janë edhe Xhema dhe Feimja, një burrë me shpirt bujar që pati lënë karrierën akademike dhe filozofinë, për t’u kthyer në kohë të vështira në vendlindje, rrëzë kështjellës madhështore, dhe gruaja e tij e palodhur, që mes një flije dhe tjetrës, të pjekura domosdo në saç, mirëpresin me buzë në gaz këdo, në Shtëpinë e tyre Akomoduese në sheshin e vetëm të vendbanimit, poshtë mureve të kështjellës.
Anëtarët e kësaj familje, përbëjnë edhe një tjetër veçori krejt të rrallë të këtij vendbanimi, ngaqë të gjithë pa përjashtim, duke nisur nga brezat më të moshuar, gjer te brezat e rinj, janë të shkolluar në nivel universitar, duke jetuar e punuar me sukses bijtë e nipat e tyre nga Prishtina, deri në vendet e Europës Perëndimore e Veriore.
Sot Novobërda vuan nga infrastruktura turistike, ndërsa kështjella mesjetare nuk është rikonstruktuar dhe meremetuar akoma plotësisht, teksa shtigjet që të shpien deri lart poshtë mureve të saj, nuk janë shtruar akoma, të paktën me plloça guri, dhe kur ende mungon ndriçimi i duhur për kështjellën dhe zonën përreth saj, por gjithashtu askund nuk të has syri ndonjë tabelë ku të tregohet përmbledhtas historia mahnitëse e këtij qyteti dhe bëmat e qytetarëve të tij.
Megjithatë Novobërda ndodhet vetëm 40 minuta larg Prishtinës, rreth dy orë larg Shkupit, në distancë të pranueshme nga Tirana dhe gjithë qytetet e rëndësishme të Kosovës.
Ky vend klimaterik ku mushkritë të mbushen me ajër të pastër, ku gjelbërimi gjendet në çdo skaj, ku bimësia lulëzon, ku ushqimi Bio ta mbroth shëndetin, ku njeriu ecën me rrënoja arkeologjike në çdo hap që hedh përtokë, dhe ku veçanërisht mikpritja vendase mund të cilësohet thjesht si e përkryer, nevojitet patjetër të shndërrohet në një “must go place” për çdo turist që vjen në Kosovë, sepse vizita do t’ia vlejë qartësisht mundimin.
Nga Elvi Sidheri (Shkrimtar dhe përkthyes letrar shumëgjuhësh) / KultPlus.com
Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’ (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, që në vete ngërthen ndaras tre pjesë përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij ku tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave, mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përhershëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.
Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shënjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul diktaturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.
Të pranishmit mbrëmë patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përmbajtjen e këtij romani që autori e ka sjell para publikut shqiptar. Ndërsa, të pranishëm në këtë promovim ishin gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.
Fillimisht, mbrëmja nisi me fjalimin e gazetares Vera Pelaj e cila fillimisht kujtoi takimin e parë me autorin e tutje vazhdoi të fliste rreth romanit të tij.
“Para disa vitesh ishim në mbrëmje në një tavolinë krijuesish pas përurimit të krijimtarisë të një autori që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare. Në atë tavolinë kishte botues, shkrimtarë, studiues, profesorë universitar, unë gazetare dhe Elvi. Nuk e njihja por ma morri mendja që edhe Elvi do të duhej të ishte nga bota krijuese”, ka thënë Pelaj.
Sipas saj, Elvi është një erudit i jashtëzakonshëm, poliglot i cili me punën e tij ditë e natë gjen libra nëpër stepa që ti përkthej e t’ia ofroj lexuesit shqiptar.
“Në romanin ‘Spanjës me dashuri’, ai ngërthen tre periudha që ndërlidhen ngjarjet e ndryshme mes Spanjës dhe Shqipërisë me personazhe interesante. Përmes romanit ai sjell botën spanjolle dhe shqiptare përmes tri periudhave të ndryshme kohore me breza të ndryshëm. Në letërsinë moderne shqipe Elvi sjell ngjarje, imazhe, personazhe e dashuri, kulturë madrilene e tiranase përmes romanit. Elvi ka stil të veçantë të të shkruarit, narracionit e trajtimit të ngjarjeve e personazheve. Ka fjalor shumë të pasur që lexuesi përveç kënaqësisë për të lexuar këtë roman, do të mësoj shumëçka tjetër”, përfundon Pelaj.
Ndërsa, muzikanti Sylë Maxhera i cili mezi priste të këndonte këngë spanjolle romantike, fillimisht ndau një kujtim dhe foli rreth rëndësisë që një autor si Elvi ekziston.
“Nuk kam absolutisht asgjë të përgatitur se është lehtë të flas për dikë si Elvi, si mik e si poet. Ai është një yll. Djali im 13 vjeçar më pyeti se pse Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe unë iu përgjigja se ka ca çështje politike. Ai më thotë se ‘’Jo babi, por janë trullana’’ në gjuhën shqipe. Prandaj, kemi njerëz si Elvi që është gjëja më e mirë që po na ndodh”, ka thënë Maxhera.
Tutje, vetë autori i këtij romani, Elvi Sidheri foli rreth përmbajtjes së librit dhe mesazhit të tij.
“Titulli i romanit nuk është thjeshtë dashuria ime si autor për Spanjën por është një libër ku dashuria shqiptaro-spanjolle është thelbi i librit. Janë tre breza të ndryshëm të mishëruar nga tre gra në tre kohë të ndryshme. Janë tre periudha historike e tre dashuri shqiptaro-spanjolle. Ngjarjet nisin në fillimin e luftës civile spanjolle. Unë desha të ringjallja në pjesën e parë të romanit dashurinë shqiptare-spanjolle mes një shqiptari idealist që shkon në luftën e Spanjës dhe një spanjolle aristokrate”, thotë Sidheri.
Sipas tij, këta dy personazhe janë dy njerëz të ndryshëm me dy filozofi të kundërta jete e dy vende të ndryshme që takohen dhe që në atë pikë dashuria e tyre shndërrohet në luftën e tyre.
“Kjo dashuri shqiptaro-spanjolle pastaj vazhdon në vitet e 70-ta në Tiranë pasi vajza e këtyre të dashuruarve lind në Tiranë dhe është brezi i dytë i këtij libri. Jam përpjekur që ta vë theksin në jetën kulturore të Tiranës së viteve 70-të sepse ka një problem pasi që pas viteve 90-ta me përshkrimin letrat të diktaturës është parë gjithmonë bardh e zi”, thotë ai.
Për Sidherin, brezi i tretë në këtë libër është mbesa e tretë shqiptaro-spanjolle ku më pas në vitet 2000 ajo kthehet në Spanjë në rrënjët e saj dhe kështu është sjell romani në ditët e sotme. Pra, janë tre breza, tre gra, tre lidhje kulturore shpirtërore shqiptaro-spanjolle.
Po ashtu, nëna e autorit, Luiza Sidheri e cila njëkohësisht është edhe redaktorja e këtij romani, foli për rëndësinë e grave dhe vajzave që shtypen në një shoqëri të tillë patriarkale.
“Pavarësisht zhvillimeve industriale e artit që lëviz përpara e mirëqenies në disa shtresa, jetojmë në shoqëri thellësisht patriarkale. Jemi vende me mendësi patriarkale andaj roli i fuqishëm i grave nuk dihet ose thjesht margjinalizohen. Prandaj, Elvi tek romanet e veta promovon gratë e vajzat që kanë guxim e dinë të shohin përtej humbjes së tyre e dinë të kërkojnë me dinjitet të drejtat e tyre”, thotë ajo.
Ndërsa, ëmbëlsia e natës ishte performanca muzikore e këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila interpretoi këngët si: ‘Snowman’ nga Sia dhe ‘Tumankuqe’ duke kapluar tërësisht atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e saj të veçantë e zërin që nuk njihte kufij.
Kështu, krejt në fund duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje ndaj autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me meloditë e këngëve spanjolle ku kënga ‘No Volvere’ nga Gipsy Kings pushtoi atmosferën në KultPlus Caffe Gallery.
Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetëra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com
Sot, duke filluar nga ora 19:00, autori Elvi Sidheri promovon librin e tij ‘’Spanjës me Dashuri’’ në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
Të pranishëm në këtë promovim do të jenë gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.
Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’ (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, ngërthen ndaras në tre pjesët përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij, tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave që mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle.
Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përherhshëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.
Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shenjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul dikataturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.
Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com
Me 15-të korrik, e enjte duke filluar nga ora 19:00, autori Elvi Sidheri promovon librin e tij ‘’Spanjës me Dashuri’’ në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
Të pranishëm në këtë promovim do të jenë gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.
Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’ (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, ngërthen ndaras në tre pjesët përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij, tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave që mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle.
Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përherhshëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.
Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shenjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul dikataturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.
Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com
Djaloshin poliglot dhe me informacion universal Elvi Sidherin e kam njohur vite me parë, gjatë perkthimit të një libri studimor e monografik të studiusit të njohur italian dhe evropian Luca DE POLI, Ibrahim Rugova, viaggio nella memoria tra il Kosovo e l’Italia, (Ibrahim Rugova Rrugëtimi në kujtesën e tij mes Kosovës dhe Italisë), në përkthim të shkëlqyeshëm shqip të Elvit, botuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2017, f. 220.
Ky botim e mori Shpërblimin e
parë në Itali në konkursin ndërkombëtar në vitin 2016 në Firence, Seksioni:
Biografitë, dhe ishte çmuar jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë, kudo në botë,
si studim shumë i qëlluar dhe dokumetuar.
Përkthimi dhe botimi shqip quditërisht mbeti pa zë dhe pa jehonë
ndër ne, përse askush nuk e di dhe nuk e thotë. Siç duket, të tillë jemi ne, që
nënçmojmë vetveten, njëri-tjetrin, dhe mbiçmojmë të tjerët, sidomos nëse janë
të huaj. Kësaj radhe edhe i huaji shkruan mjaft mirë për dr. Ibrahim Rugovën,
për Kosovën, për Popullin shqiptar, por kot.
Duket intreset tona nuk janë më
libri, krijimtari, kultura, arti, por diçka tjetër… Populli thotë: E kemi
humbur rrugën në oborr. Sfidat e reja të jetës dhe veprimtarisë, si duket, na kanë
gjetur “në gjumë”, pa përgatitje.
Përthimi shqip i Elvi Sidhedherit është shumë i rrjedhëshëm dhe
mjaft besnik, si i tillë, pra, edhe i suksesshëm. Fill sa e mora në dorë dhe e
lexova versionin shqip e kuptova që ishte një njeri me njohuri të begtashme gjuhësore,
me përgatitje solide kulturore dhe jetësore, me përspektivë të mirë për punë
dhe krijimtari artistike, sepse puna dhe përkthim ishte bërë vërtet me
përkushtim dhe shumë dashuri.
Pastaj e njoha edhe në krijimtarinë e tij letrare, sidomos
nëpërmjet dy romaneve që sot po i paraqesim dhe promovojmë, ku përpos njohjes
dhe begatisë gjuhësore, punës dhe përkushtimit në shkrim, përshkrim, do të
thoja gati “pikturim” gjuhësor, ai është një krijues i ri, gjithnjë i etshëm
dhe uritur për të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, duke
lënë gjurma të pashlyeshme nëpërmjet përshkrimeve dhe përjetimeve artistike dhe
letrare.
Albanologjia shqiptare ka nevoje për kësi lloj mendjesh të
përndritura, sikurse kishte nevojë dikur Kisha universale për një Shën Jeronim
ilir, studiues, përkthyes dhe komentues të “Vulgates”, përkthimit të tërësishëm
të Biblës nga gjuhët e vjetra hebraishte, greqishte, pjesërisht aramaishte, në
gjuhën e asaj kohe dhe bote, që ishte latinishtja, (sivjet përkujtojmë dhe
kremtojmë së bashku me botën e kulturës 1600 vjetorin e vdekjse së tij).
Ai, por edhe shumë të tjerë, klerikë dhe shekullarë, gjatë
shekujve, prej Pal Engjëllit deri te i ndjeri Dr. Don Gaspër GJINI, Don Simon
FILIPAJ, ishin studiues, gjuhëtar, përkthyes dhe krijues të zellshëm dhe të
suksesshëm, përkrahës të komunikimit jo vetëm gjuhësor, por edhe të vlerave dhe
virtyteve tona dhe anasjelltas, të botës për ne dhe ndër ne.
Përkthyesit i ngjasojnë një urë – lidhjes mes kulturave e popujve,
ku përmes kësaj simbioze shpirtërore, intelektuale e integruese, planetin tonë
e bëjnë në vazo kulturore të përbashkët në shkëmbimin e vlerave letrare,
kulturore e kombëtare, botën e bëjnë më të njësuar, më tolerante, më të
informuar, por edhe me të vëllazëruar, të mbështetur në të Vërtetën dhe të
begatuar dhe fisnikëruar me Dashuri.
Këtë dimension intelektual dhe letrar, synime kulturore dhe
artistike, pa dyshim i ka edhe margaritari i lindur apo i fituar nga puna e
palodhshme dhe me përkushtim, Elvi Sidheri, i cili përmes botimit të këtyre dy
romaneve jep prova, porosi dhe dëshmi për rininë shqiptare se: emancipimi
letrar e kulturor nuk është privilegj, por flijim dhe përkushtim, dhe mundësia
që të jesh vetvetja, nuk është utopi, por mundësi konkrete dhe reale.
Mesazhi i Ronald Rolanit: ,,Te krijosh d.m.th. te vrasësh
vdekjen’’ është gjithmonë aktual e maksim për të gjithë, sidomos për brezin e
ri në trojet tona stërgjyshore, edhe më shumë në diasporë, që mos të pësojë nga
materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, por të
jetë vetvetja gjithnjë, si në jetë dhe në veprimtari, po ashtu edhe në
krijimtari, që hyjnorja dhe njerëzorja të gërshetohen dhe begatohen.
Shoqëria, populli pa vlera dhe virtyte, pa krijimtari burimore,
nuk ka as të tashme, edhe më pak të ardhme.
Të shkruash roman domethënë angazhimi i të gjithë mendjes e
qenies, që brendia të shpaloset, vlerat të përpunohen dhe ofrohen, ngjarjet dhe
personazhet të përshkruhen dhe portretohen, si përjetim artistik, por edhe si
përvojë jete dhe porosi frymëzuese.
Bota e brendshme, mendore dhe shpirtërore, dhurohet, paraqitet,
ofrohet, bëhet pjesë edhe për të tjerët, në veçanti për lexuesit e botimeve.
Autori Elvi Sidheri, i frymëzuar nga këto ide, dëshira dhe porosi
të romaneve, shkëlqen si në planin ideor dhe artistik, po ashtu edhe në atë
gjuhësor dhe botëkuptimor, ku në qendër të rrëfimit është etnopsikologjia
shqiptare dhe mbijetesa e individit në kohëra të mjegulluara dhe të pasigurta.
Këtë bërthamë narrative e ngërthejnë në vete edhe romanet
“Emigrantja” dhe “Dy Botë”, që reflektojnë një frymë post moderne letrare, si
një model kulturor e universalizëm letrar, i cili nuk i pranon cenimet apo
copëtimet, po as ngurtësimet që imponohen nga jashtë.
Është nder për Institutin Albanologjik dhe dashamirët e tij dhe të
letërsisë, qe ta promovojmë krijimtarinë e këtij krijuesi, model për brezin e
ri, i cili përmes rrugës jo të lehtë, po hyn krah-hapur dhe natyrshëm në botën
e letërsisë shqiptare, pse jo edhe asaj universale.
Urojmë që emri Elvit tonë të dashur t’i pushtojë majat e letërsisë
kombëtare dhe ndërkombëtare, së bashku me shumë krijues tanë, dhe të tjerë, për
një botë më njerëzore, për një takim, afrim dhe bashkim më të ngrohtë, për një
“shtëpi” të përbashkët në bukuri, vlera dhe virtyte, që jetën tonë e bëjnë më
të mirë, përjetimet tona më të bukura, ëndrrat tona më të realizueshme, idetë
dhe idealet e përbashkëta të vëllazërisë gjithë-njerëzore të përjetuara dhe të
dëshmuara në përditësi.
Shpresojmë dhe urojmë që në këtë mozaik kombëtar dhe ndërkombëtar,
Elvi Sidheri të jetë një margaritar i çmuar dhe i dalluar. Urime dhe përgëzime!
Prishtinë, 6 shkurt 2020
(Reflektim për Romanet “Emigrantja” dhe “Dy Botë” të shkrimtarit Elvi Sidheri) / KultPlus.com
Kur lexon “Dëfrim Heshtnaje” të artistes polivalente Valentina Saraçini, menjëherë të krijohet si fillim përshtypja se ky libër poezish të shumëllojshme, shumë qëllimshme, shumëkuptimshme, plot zhanre, trajta e fjalë të përdorura me një larmi të admirueshme, të ofron një këndvështrim krejt burimor mbi botën e poetes pikësëpari, por njëkohësisht edhe lidhur me vetë stadin e zhvillimit, evolucionit të poezisë së krijuar në universin letrar shqiptar.
“Dëfrim Heshtnaje” është pikërisht i tillë, një Heshtnajë nga ku buron thelbi i krijimtarisë së poetes, krejt dimensionet e shprehjes së saj poetike, ngjizjet e artit të saj të fjalës, gjithçkaje në diapazonin e saj poetik, që paskëtaj rrjedhimisht shndërrohet domosdoshmërish në një Dëfrim për lexuesin, por edhe vetë venën e pashtershme poetike të autores, dëfrim që ka për gurgullimë veç këtë heshtnajë themeltare.
Është një kapicë poezish, një pirg poetik, një Kullë Babeli artistike që rreket dhe synon qiellin, “Caput Mundi-n” e letërsisë dhe poezisë më të zgjedhur, duke rrëzuar mite, vrarë paragjykime, zhbërë sajesa e shpërfaqur botën më shndritëse ku gjallon krijueshmëria e poetes përmes disa nëndegëve poetike: Orë e Paparë; Përtej Mitikes; Kumte Krahënderë; dhe Si Dunë.
E në secilën pjesë, lexuesi do të hasë një univers të ri, një mendësi të re, një stil të vijueshëm krijues të poetes, që prapëseprapë sendërtohet pandalshëm në forma e shpërfaqje të ndryshme të poezisë dhe artit të saj burimor.
Do të takoni “Shumëkushët”, këtë shprehje kaq origjinale e njëkohshëm krejtësisht gjithëpërfshirëse për mjedisin e sotëm jetësor shqiptar.
Do të ndeshni Antigonenë, qytetin mishërues të dashurisë epirote, grahmat e Pirros legjendar, frymërat, epikën dhe tiset e së shkuarës së largët që përditësohet mrekullisht nga poetja duke na e servirur të gjithën me elegancën e gjuhe të zgjedhur dhe metaforash të denja për antologjinë më të epërme të poezisë shqipe.
Do t’ua zënë udhën Dunat, këto trupëzime shkretëtirash e rëre, simbolika të një realiteti njerëzor e mendor të stisur me synime e smira djerrinash e shkretimesh.
Tematika e rërës vjen e shpeshtë në këtë libër, nga Klesidra, ora e lashtë e rërës, të cilës poetja i avitet me aq shije, e gjer te dunat e sipërpërmendura.
Është një kushtrim poetik, një orvatje kulturore mbi të gjitha, e shkruar me një gjuhë të rrallë për ditët e sotme, ku ndërthuren toskërishtja juglindore e origjinës së autores, me shkreptima e vetëtima gjuhësore të gegërishtes së Kosovës, që e lartësojnë këtë stil të shkruari edhe më shumë, duke e fisnikëruar këtë libër mëtejshëm.
Gjithçka në këto poezi është njësore, e pahasshme tjetërkund, e rrallë dhe pavarësisht këtyre karakteristikave kaq dalluese, këto poezi, qysh nga e para syresh “Orë e Paparë” e gjer te kushtimet për miqtë e penës dhe poezisë, korifejtë e letrave dhe artit shqip, Ali Podrimja, Azem Shkreli e Bekim Fehmiu, për të përfunduar me shpirtin e këtij libri, vetë poezinë “Dëfrim Heshtnaje”, të tëra bashkërisht arrijnë të depërtojnë krejt natyrshëm në psiken dhe etjen më burimore poetike të çdo lexuesi.
Mbetet vetëm t’i lexoni, me pasionin që do t’u shtohet poezi pas poezie (sepse faqet nuk do të keni kohë as t’i vëreni), dhe të ndiheni mirënjohës për këtë dhuratë nga autorja./ KultPlus.com
Kur nis të lexosh romanin Psycho të shkrimarit Ilir Muharremi, gjëja e parë që të bie në sy është thellësia në të cilën përnjëherë zhytet lexuesi porsa kapërdin faqen e parë të këtij libri.
Do pranuar se termi “Psycho” qysh në titull ta ofron një sintezë të vetë përmbajtjes së librit, duke shërbyer si udhëzues mjaft i mprehtë për vijimin e lexueshmërisë së këtij romani, dhe qëllimisht edhe titulli është lënë në versionin anglez, për të ushtruar një efekt më të fuqishëm mbi kërshërinë e lexuesve, një element ky tepër me vend në mbarëvajtjen e këtij romani.
Por, sakaq do të ishte diçka tejet e cekët që thelbi i këtij libri të përmblidhej veç në titullin e tij, sado magnetik të jetë ai.
Vetë romani përshkohet nga një gjuhë e thiktë, nga pasazhe të tëra që depërtojnë mes amullisë të shoqërisë kosovare, mes dekadave dhe dokeve e shprehive shqiptare, mes dritëhijeve ekzistenciale të narratorit, përmes një stili vegues dhe një qëndrimi sfidues ndaj shumë rregullsive të letrave shqipe gjer në ditët tona.
E qysh këtu shfaqet vetë guximi i këtij libri. Te synimi i jetësuar më së mirë nga pena dhe mendja e autorit për të gjetur dhe shfrytëzuar çdo mënyrë e secilin shteg të imagjinatës së tij krijuese, për të rrëzuar murin e radhës të autocensurës letrare shqipe, përherë duke shtruar njëkohësisht një udhë të re që arrin ta përçojë lexuesin në kapitullin e mëtejshëm jo vetëm të këtij romani, por edhe të kurajës ngadhënjyese të lirisë themeltare të mendjes së shkrimtarit.
Merita e autorit, mënjanë cilësisë dhe krijueshmërisë së vlerësueshme në shtjellimin e këtij romani atipik, qëndron jo vetëm në risinë e mirëpritur që i sjell lexuesit falë një romani të tillë, por edhe në zbërthimin e kthjellët që ai i bën nuancave më të errëta të shoqërisë.
Është një lloj psikologjie letrare, e shpërfaqur me një gjuhë aspak të drunjtë, por gjithaq edhe qëllimisht të çeliktë sa i përket dukurive që autori përshkruan nëpër faqet e këtij libri.
Gjithçka vërtitet përreth tërë skajshmërive të së ashtuquajturës “përditshmëri normale”, të shoqërisë tonë, që normale ka veç emrin dhe përçapjet për t’i mveshur ndonjë mbështjellje normaliteti mungesës së moralit, shthurjes, insitinkteve shtazarake, lakmisë së shfrenuar, kurvërisë femërore e mashkullore, rrënimit të shpirtit njerëzor dhe djerrinës emocionale ku pluskon prej kohësh shoqëria jonë në këtë kënetë të helmatisur.
Dhe ky boksier i përshkruar me kaq vërtetësi të mirëfilltë në këtë roman, të jep përshtypjen sikur me grushtin e tij të hekurt mëton faqe pas faqeje të godasë e dërrmojë çdo normë falsiteti ku kridhet shoqëria jonë pashërueshëm.
Pija, seksi, shtytjet epshore, joshjet dehëse, gotat e zbrazëta, lekët nën dorë, karrierat e stisura nga favore të mugëta, shndërrohen në këtë libër deri në një kanibalizëm aspak metaforik apo retorik, që nuk është asgjë tjetër veç një impulsi kafshëror që e shtyn njeriun drejt ekstremit, pasi shoqëria ia ka shteruar forcat me pafytyrësinë dhe ligësinë e saj.
Prandaj ky libër do të zërë vendin e merituar në bibliotekën tuaj, bashkë me ngarkesën e origjinalitetit që ia karakterizon çdo faqe, mendim e ngjarje./KultPlus.com
Për shumëkënd nga artdashësit e sotëm, njësimi i figurës së Çun Lajçit mes poliedrizmit të qenësisë së tij burimore njerëzore pikësëpari, e artistike paskëtaj, përbën një ushtrim akrobatizmi mendësor e thuajse filozofik (filozofia e ekzistencës së këtij personazhi kaq shumëplanësh në krijueshmërinë e tij jetësore) që rrallëherë arrin t’i përvijojë e përcaktojë qartësisht linjat imagjinare të “demarkacionit” mes aktiviteteve të shumëfishta të njeriut të skenës, vargjeve poetike e gjuhës së thiktë gegnishte që thyhet e mplekset në një amalgamë e përjetim të pandashëm me shpatet e atyre maleve, zabeleve e gërxhe ku autori gjen burimin e arsye-shkak-pasojës së Anteut të vet të pashuar.
Po pra, sepse Çun Lajçi gëzon një Ante ekzistencial të lidhur pazgjidhshmërisht me tokën e viset e tij stërgjyshërore, një fuqi burimore ku ndërthuren reminishenca të një epizmi që akoma gjallon e frymon ndër shtigjet e fëmijërisë së hershme e burrërisë së paepur të autorit, aty mes lëndinash e rudinash, thepash e ajri malësie që puqet me qiejt e përjetshëm të shpirtit kreshnik shqiptar të trojeve ku ngjizet fundja edhe thelbi i fjalës, mendimit dhe krejt bota e poezive që lexuesi do të ketë fatin të hasë, takojë, përqafojë, kuptojë e sintetizojë sipas shijes dhe botëkuptimit vetjak të secilit lexues, në këtë libër, këtë përmbledhje kaq të veçantë nën shenjën dhe prekjen tërësisht origjinale e të papërsëritshme të Çun Lajçit, njeriut që endet pandalshëm nëpër gjithë eterin e pakufijshëm të universit artistik prej më shumë se katër dhjetëvjeçarësh, sa në skenë, aq përballë objektivit të kamerës apo edhe në pasionin e tij të pashuar për poezinë.
Nuk është e vështirë të shkruash për poezinë e Çun Lajçit, as për trajtimin e privilegjuar që ai i kushton fjalës në radhë të parë, gjithaq edhe për sendërtimin e mendimit të tij poetik të ndërthurur aq hijshëm me tërë fuqinë e një pasioni burimor të shpirtit të këndonjësit të ngazëlluar të trashëgimisë burimore shqiptare, e njëkohësisht malësore, të njeriut që di ngaherë fort mirë të ngjallë shumësinë e ndjenjave që i vlojnë përbrenda lidhur me dashurinë, atdheun, kolosët e historisë kombëtare e rajonale, që ia del krejt natyrshëm të rrokë një pafundësi personazhesh, dukurish e ngjarjesh, pa lëvizur kurrë as një milimetër nga karakteri i vet kryeneç në personalitet, jetë e padyshim edhe nëpër vargjet që i rrjedhin krijueshëm në çdonjërën poezi që lexuesi ka fatin ta lexojë sot a mot.
Çun Lajçi përbën një risi poetike krejt unike në mënyrën sesi ngjizet dhe i shpërfaqet publikut krijimtaria e këtij poeti e artisti hijerëndë, një risi poetike pra, e mbrujtur sakaq pandashëm me gjithë trashëgiminë më të shquar gjuhësore, burimore, artistike, historike e mendësore të ngërthyer në llavën ngaherë shpërthyese që vlon nëpër venat aq pjellore të krijueshmërisë të poetit që aftësinë e tij të bashkëlindur interpretuese në universin vetjak paralel të aktorit-poet që dominon pushtetshëm skenën, filmin e teatrin ndër vite, arrin ndërkaq ta përçojë edhe në vetë ngjizjen e secilës poezi të tij, poezi që lindin mistershëm e gjithë magji krijuese, sikur të ishin duke qenë të interpretuara ethshëm plot pathos nga mishërimi aktorial i poetit, në një ekzistencë artistike përherë paralele që sfidon ligjësitë e këtyre botëve të njëkohëshme ku gjallon arti i jetësuar nga Çun Lajçi.
Aktrimi e poezia pra, skena dhe faqet e vargjet e librit, aty ku poeti që i është huazuar kaq gjatë skenës, apo aktori që gjen prehje në prehërin krijues të poezisë, pasionanti i fjalës shqipe, kumbuesi i artit të ringjalljes së muzave, zanave e miteve të eposit shqiptar të bjeshkëve të gjakut e origjinës së poetit, buçitësi i andrallave, kumteve, syçeljes, kujtesës historike, dokeve e gjithçkaje vërtet burimore shqiptare që jetësohet aq prekshëm nëpër poezitë e kësaj përmbledhje të tretë me poezi të Çun Lajçit, e nëse do të hasni poezi si “Cilën gjuhë ta flas” apo “Eshtnat tua s’na flasin”, ndër dhjetëra poezi të tjera shajnitëse, sa edhe krejt reale e me një gjuhë të mprehtë që farkëtohet e formësohet me një tingull në kufijtë e epikës moderne, atëherë do ta kuptoni se poeti “flet me gjuhën e tij unike” duke depërtuar gjer në eshtrat e palcën e secilit nga ne, lexuesit. / KultPlus.com