Studiuesi i letërsisë e shkrimtari Emin Kabashi është laureati i sivjetshëm i çmimit letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme. Çmimin që e ndan Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Kabashi e ka pranuar të hënën në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të takimit letrar të këtij viti që e ka organizuar LShK-ja.
Në “Akademinë letrare” të këtij manifestimi tradicional u paraqitën rreth dyzet krijues nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Juria letrare e LSHK-së vlerësoi katër punimet më të mira që u paraqitën në këtë takim, autorët: Shaban Pllana (“Bardi I”), Sulejman Dërmakun (“Bardi II”), Trandofile Mollën (“Bardi III”) dhe Mirvete Kabashin – Lekun (“Bardi III”).
Sipas Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, po bëhen pothuajse pesëdhjetë vjet që kandidati i tyre Emin Kabashi është i pranishëm në botën tonë letrare.
Fillimisht në vitet ’70 të shekullit të kaluar, lexuesi ynë e njihte si kritik letrar dhe shumë aktiv në manifestime letrare që organizoheshin mjaft dendur në mjedise të ndryshme dhenë gazeta e revista, ku emri i tij defilonte mjaft shpesh. Ndërkohë, në konkurse letrare anonime u shqua edhe me vlerësimin me çmime të ndryshme letrare. Po ashtu, sidomos në konkursin e gazetës “Rilindja” të Prishtinës u bën dër emrat që romanet e tij u shpërblyen dhe u morën për botim në vazhdime në gazetë dhe më pas si libra. Krahas prozës, doli para lexuesit edhe me vepra dramatike, disa nga të cilat zunë vend edhe në repertorët e teatrove tona dhe u ndoqën me mjaft interesim. Por krahas shkrimeve letrare-artistike, ai ndërkohë do të shquhet edhe me krijime eseistike e publicistike, të cilat në veprimtarinë e tij pa dyshim zënë një vend më vete. Mirëpo, një vend të veçantë do të zënë studimet e vazhdueshme në fushën e letërsisë e të artit, të cilat do të publikohen në shtypin e përditshëm e periodik dhe më vete, si dhe referatet e kumtesat e veçanta në tubime e konferenca shkencore brenda e jashtë vendit. Gjithsesi dhjetëra njësi bibliografike, kritikë letrare, eseistikë, publicistikë, studime për probleme të letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe të letërsisë së sotme shqipe e të artit, do të jenë preokupim i tij i përhershëm, kurse viteve të fundit një ndihmesë të veçantë për dallim nga shumë krijues e intelektualë do ta japë në shkrimin e monografive për dëshmorët e heronjtë eLuftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky varg i gjatë i punimeve të tij, edhe pse i ndaluar e i censuruar disa herë, do të arrijë në më shumë se tridhjetë vepra të veçanta – një larushi gjinore, tematike e stilistike, me një ndjeshmëri e perceptim që lidhet në mënyrëimediate me realitetin, me zhvillimet shoqërore, historike e letrare-artistike,të cilat individualitetin e tij krijues e intelektual e bëjnë të veçantë.
Prandaj, duke pasur parasysh punën e tij si tregimtar, romancier, dramaturg, eseist, publicist e gjithsesi si studiues të letërsisë, Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka shpallë laureat të çmimit letrar “Esad Mekuli”, që jepet për krijimtarinë e përgjithshme të shkrimtarit, Emin Kabashin./KultPlus.com