Vjollca Duraku
Sulmet e vazhdueshme nuk patën forcën e mjaftueshme të ndërprisnin misionin e Emira Selimit për hapjen e Bibliotekës së parë Shqipe në qytetin e iluminizmit shqiptar, në Manastir, në këtë qytet, ku 115 vjet më parë, kolosët e shkencës dhe letërsisë shqiptare si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda dhe Parashqevi Qiriazi, në një konferencë akademike, vendosën themelet e alfabetit të gjuhës shqipe.
E lindur në Shkupin e Nënë Terezës, Emira Selimi është nismëtarja e re e një projekti me rëndësi madhore për të gjithë shqiptarët, atij për të shpëtuar gjuhën shqipe dhe për të hedhur dritë në qytetin e vjetër shqiptar, i cili në heshtje, me hapa shumë të shpejtë, po shkonte drejt një asimilimi të plotë.
Bitola – emri i ri i cili i është vënë qytetit të Manastirit, tkurrja e planifikuar e numrit të popullsisë në vetëm 5 mijë banorë, duke u shtuar mbiemrave shqiptarë mbaresa sllave, si dhe mbyllja e shkollave të mesme shqipe në këtë qytet historik shqiptar, janë arsyet që e kishin ngacmuar thellë misionaren Selimi, për t’i dhënë zë në mbarë kombin shqiptar një fenomeni të tillë, dhe për të ndërmarrë një nismë vetanake që do ta parandalonte këtë gjë.
Të shumtë ishin ata të cilët i premtuan për ndihmë, kur ajo e kishte paraqitur projektin fillimisht si ide, por kur ishte koha që ky vizion të merrte formë fizike, për realizimin e të cilit ishte e domosdoshme lëvizja për sigurimin e librave shqip, ajo u la e vetme. E dëshpëruar dhe e mërzitur për këtë fakt, e gjithashtu nën trysninë dhe sulmet e të tjerëve, ajo vendosi që këtë mision ta vazhdonte vetëm me forcat e saj dhe me mbështetjen e familjes.
Por jo, kur njeriu ka një qëllim të pastër e i cili është në shërbim të të tjerëve, duket sikur universi ndërmerr vetë hapa për të konkretizuar dhe realizuar atë gjë, në këtë rast duke i vënë në dispozicion ndihmën e gjithë popullit shqiptar, e cila është shumë më me vlerë dhe më e rëndësishme se sa ajo e disa individëve të cilët me ndërrime të pushteteve, shkojnë e vijnë.
Biblioteka që morri formë nga librat e dhuruar nga mbarë kombi shqiptar, u përurua në Ditën e Alfabetit Shqip, më 22 nëntor 2023, fiks 115 vite nga koha kur etërit e gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, në po këtë datë më 1908 i dhanë vulën kësaj gjuhe, e cila ndër mileniume kishte qenë target i asimilimeve të mundshme, nga pushtuesit e njëpasnjëshëm.
Në një intervistë për KultPlus, iniciatorja e këtij projekti, skandaloz e quante faktin që një qytet me rëndësi të madhe historike për shqiptarët, ishte lënë në harresë nga politika shqiptare, e të cilin hap pas hapi po e përvetësonin të tjerët.
“Manastiri është qytet i iluminizmit shqiptar. Në këtë qytet u themelua edhe alfabeti i gjuhës shqipe, e poashtu Manastiri ka qenë qendër vilajeti dhe fakti që sot ky qytet nuk përmendet fare nga shqiptarët është skandaloze. Qëllimi dhe ideja ishte që i gjithë kombi ynë të dëgjonte për Manastirin dhe të solidarizohej me të. Ajo çfarë e bën edhe më unike bibliotekën është se në krahasim me gjithë bibliotekat tjera në trevat tona, këtë bibliotekë e ka themeluar i gjithë kombi shqiptar, në një ditë me simbolikë shumë të fuqishme si ajo e 22 nëntor-it”, ka thënë Selimi.
Ajo më tutje tregon që qysh nga fëmijëria ka pasur një lidhje të veçantë me qytetin e Manastirit, falë atdhedashurisë të cilën ia kishin mbjellë prindërit. Ndërsa ideja për një projekt të tillë i kishte lindur kur ajo filloi të bëjë një hulumtim për gjurmët e shqiptarëve ortodoks në këtë qytet, ku nga ajo që pa mbeti e shokuar, pasi edhe për pak vite nuk do të mund t’i gjente as gjurmët e shqiptarëve si etni.
“Në momentin kur unë fillova të gjurmoj aty, kuptova edhe fatin e shqiptarëve të sotëm që kanë mbetur në qytetin e Manastirit. Statistikat tregonin se në Manastir ishin vetëm 5% shqiptarë, ku përfshiheshim vetëm ata që kishin mbiemrat e shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin me mbiemra të sllavizuar dhe të turqizuar. Këta shqiptarë me këta mbiemra në statistika, pavarësisht se deklarohen shqiptar ata nuk shkruhen të tillë. Kjo nënkupton që në Manastir t’i mund të jesh gjithçka, vetëm shqiptar jo. Më pas kuptova që shqiptarët atje po humbnin gjuhën shqipe. Shqiptarët në Manastir e flasin shqipen me shumë pengesa dhe kjo është si pasojë e mungesës së shkollës së mesme shqipe por edhe të literaturës shqip, dhe një bibliotekë e pasuruar me libra shqip besova që do i mbrojë shqiptarët atje nga asimilimi dhe do të mbrojë gjuhën amtare shqipe”, ka thënë iniciatorja Selimi, e cila tregoi më tutje edhe për sfidat e mëdha që ajo hasi gjatë procesit të hapjes së Bibliotekës Shqipe në Manastir.
“E kam pasur parasysh që do kem vështirësi. E kam pritur, pasiqë po flasim për një qytet që është asimiluar brenda një kohe shumë të shkurtër. Aty kuptohet çdo gjë, dhe rëndësia e këtij qyteti. Ka qenë për tu habitur që disa individ nga Maqedonia Veriut me ngulm të fuqishëm indirekt e kanë penguar bibliotekën, për arsye që unë nuk i di edhe pse lehtë mund të kuptohen nga çdo shqiptar i devotshëm”, ka thënë Selimi e cila qëndroi e palëkundur në synimin e saj.
Gjithsesi, Biblioteka u hap me 22 Nëntor. Populli shqiptar i kishte dhuruar 30 mijë tituj, prej të cilëve deri në atë ditë arritën të silleshin 10 mijë të tillë në Bibliotekë. Ndërsa, edhe 15 mijë të tjerë pritet të sillen nga Tirana dhe 5 mijë nga Prishtina gjatë ditëve në vijim.
Kjo bibliotekë përmban zhanre të ndryshme të librave, në të cilat dominojnë libra me karakter historik e kombëtar. “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti, “Lahuta e Malcis” nga Gjergj Fishta dhe tituj të shumtë nga shkrimtari Ismail Kadare nuk mungojnë po ashtu në bibliotekën e hapur para një muaji, në të cilën aktualisht pjesë aktive e saj janë 60 fëmijë, pa përfshirë frekuentimin nga mësueset e shkollave fillore, dhe të qytetarëve të tjerë të qytetit të Manastirit.
Si ekzemplarë të veçantë në këtë numër të madh librash, Selimi përmend “Mesharin” e Gjon Buzukut, i cili në katër kopje të vjetra, i ishte dhuruar nga një bashkëkombës i yni, i cili jeton në Holandë.
“Ky qytet është tradhtuar nga politika shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Janë bërë pazare me fatin e shqiptarëve në Manastir. Duke shpërndarë dezinformata se aty paska pak shqiptar, më vjen keq që ata që nuk e kanë vizituar kurrë Manastirin, i thonë qytet me shumë pak shqiptar. Nuk është e vërtetë”, ka thënë më tej Selimi, duke e quajtur urgjente nevojën për intervenim, duke filluar me hapjen e një shkolle të mesme shqipe për të parandaluar një asimilim të plotë, i cili veçse është në plan.
“Në Manastir duhet shumë punë, aty duhet me patjetër pushteti të hapë shkollë të mesme shqipe. Para disa viteve është hapur një paralele në gjuhën shqipe, por shqiptarët atje thonë se kur fëmijët i kanë dorëzuar dokumentet për tu regjistruar, ua kanë kthyer pas me arsyen se nuk ka mësimdhënës shqiptar. Arsye boshe për të gjetur justifikime dhe për tu larë në sytë e opinionit. Asimilimi i vrullshëm triumfon atje, nëse e vizitoni qytetin edhe maqedonasit edhe shqiptarët vajzës i thonë çupë, kur i pyet se pse ju thoni kështu përgjigjen që na ka mbetur nga manastirasit e vjetër. Kjo nënkupton hapur se çfarë kanë qenë manastirasit e vjetër, e që pasardhësit e tyre akoma me presion me ndalimin e shkollave shqipe, tentojnë t’i asimilojnë rreptësishtë”, ka thënë ajo.
Në gjendje më të mirë nuk janë as Ohri, Velesi, Prilepi ku në formë indirekte, agresore, synohet zhdukja e gjuhës shqipe. Madje edhe në Shkup në Njegosh fëmijët shqiptar një gjysmëvjetor nuk mësojnë fare në gjuhën shqipe.
“Ky është realiteti dinak i Maqedonisë së Veriut. Një shtet me komunizëm modern. Shqiptarët në pushtet janë vetëm lodra të pushtetit maqedonas, asgjë më shumë, edhe pse kemi ministra dhe deputet shqiptar”, ka thënë Selimi e cila përgjegjës për këtë gjendje e cilëson sferën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Ngecjen e shikoj tek partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që e duan servilizmin dhe jo reagimin për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve. Ndoshta frikësohen, por ndoshta edhe i ruajnë pozitat e tyre. Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ua kanë shkatërruar arsimimin dhe me vite nuk bëjnë ndryshime të teksteve shkollore. Skandal pas skandali”, ka thënë më tej iniciatorja e hapjes së Bibliotekës Shqipe në Manastir, e cila për këtë sukses e falënderon popullin mbarëshqiptar.
“Të gjithë falënderimet shkojnë për shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës. Këtë bibliotekë e themeloi i gjithë kombi ynë. Kur shqiptarët bëhen bashkë të pamundurën e bëjnë të mundur”, përfundoi ajo. / KultPlus.com