Në Durrës u zhvillua ceremonia me rastin e fillimit të punimeve për restaurimin e Muzeut Arkeologjik.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Kulturës Elva Margariti, shefi i bashkëpunimit të delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, drejtuesja vendore e UNOPS-it, Pamela Lama, këshilltarja për trashëgiminë kulturore e UNOPS Shqipëri, Lejla Hadzic, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, specialistë të monumenteve, etj.
Kryebashkiakja Sako falënderoi BE për ndihmën e madhe që ka dhënë për Durrësin nëpërmjet programeve të veta EU4Schools dhe EU4Culture Albania.
“Programi EU4culture është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Sako.
Sipas saj, në sajë të këtij programi ka përfunduar restaurimi i kishës së Shën Ndout drejt përfundimit është Torra Veneciane dhe tashmë fillon puna në Muzeun Kombëtar Arkeologjik.
Sako u shpreh se “do të vijojë puna edhe me asete të tjera të qytetit si Muzeu Etnografik ose shtëpia e Aleksandër Moisiut, Hamami dhe kalaja e Ishmit. Ndërhyrjet që do të bëhen në këto site së bashku me ndërhyrjen unike që do të bëhet edhe në Amfiteatrin e Durrësit ku përveç zbulimit të arenës, do të rikonstruktohen dhe të fitojnë funksione të reja rreth 200 objekte përreth, do të sjellë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor”.
Këshilltarja për trashëgiminë kulturore e UNOPS Shqipëri, Lejla Hadzic prezantoi për të pranishmit projektin e restaurimit të muzeut.
Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.
Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake./atsh/ KultPlus.com