Jeta Zymberi
25 vite pas, takova gruan fisnike e cila më lau e shpërlau balten që kisha mbledhur gjatë rrugës Kosovë-Shqipëri në prillin e vitit 1999, atëherë si 8-të vjeçare.
Kur unë bashkë me familjen time arritëm në Peshkopi në një sallë sporti, zonja Emrie tashmë kishte strehuar një familje kosovare në banesën e saj, por duke e pas trashëgim nga babi, dashurinë për Kosovën e kosovarët, ajo pothuajse tërë kohën sillej në atë sallë për të parë në çfarë gjendje ishin këta njerëz shumë të dashur për të. Babi im, duke e parë kujdesin e saj, kishte menduar që është ndonjë person me mision dhe i është afruar e i ka kërkuar ndihmë. “Të lutem vetëm fëmijët mi merr” (e ne nuk ishim pak, 5 fëmijë, më i vogli 6 muajsh). Zonja Emrie, si një grua fisnike që ishte, i premtoi që nëse deri në mbrëmje nuk vjen dikush të ju strehoj, unë do ju marr te shtëpia ime. Ashtu edhe ndodhi. Në mbrëmje, ajo na mori në shtëpinë e saj. Deri këtu e kam rrëfimin e treguar kryesisht nga prindërit e tashmë edhe versionin e plotë nga zonja Emrie. Unë mbaj mend momentin kur zonja Emrie më lau e shpërlau gjithë balten që kishte zënë vend në trupin tim. Kokën e mbaja poshtë nga turpi që isha aq e ndotur, e shikoja ujin e zhytur që binte poshtë këmbëve të mija dhe përkundër turpit, më në fund po ndjeja një lloj çlirimi e një ndjenjë kënaqësie, diçka që nuk e kisha përjetuar për muaj!
Një bluzë e hollë, ngjyrë pink e lehtë, diçka e pastër, më në fund ra në trupin tim. Tashmë nisa të ndjeja lumturi që isha pastruar, kishim një strehë dhe më në fund diçka do të binte në gojën tonë.
Një natë qëndruam tek zonja Emrie, ndërsa të nesërmen, neve na ftoi një tjetër familje bujare për të na ofruar dashuri e kujdes. (Një histori tjetër që do të marr jetë tjetër herë).
Me zonjën Emrie kemi rënë në kontakt për herë të parë vitin e kaluar (falë rrjeteve sociale). Ditën e shtunë, pas 25 vitesh, me zonjën Emrie u takuam në Prishtinë, ajo kishte ardhur për të ndjekur një seminar të Gjuhës shqipe. Kur i shënova për ti treguar që jam afër hotelit ku ajo po qëndronte, më tregoi që në ato momente ishin tek objekti i Ish-Gërmis duke vizituar ekspozitën “Reporting House”, një ekspozitë e cila shpalos materiale nga media botërore e vendore, nga viti 1987 deri tek viti 2000 mbi Kosovën, luftën tonë për liri. Kjo ekspozitë të cilin unë e kisha vizituar më herët, në këto momente mori tjetër kuptim. Kur hyra në objekt, një grup me diku rreth 30 vizitorë po dëgjonin e shikonin me vëmendje çfarë po ju ofronte ekspozita, ndërsa unë si e humbur sillesha mes tyre duke e kërkuar me sy zonjën Emrie. Në një moment kur humba shpresat dhe vendosa ta kërkoja me zë të lartë, sapo ktheva trupin në anën tjetër, zonja Emrie u gjend përballë meje. Një përqafim i gjatë i mbështjellë me lot të cilët i nxiste ende më shumë vendi ku ishim dhe historitë që po na mbështillnin, na mbajti ashtu për disa minuta. Meqë e kishim të pamundur t’i mbanim fjalët, e mora për dore e dolëm jashtë. U ulem në një nga kafiteritë në sheshin e Prishtinës dhe nisëm të shpalosim krejt çka ishte akumuluar për 25 vite në zemrat tona.
E falënderova pafundësisht që më çliroi nga balta që me aq vështirësi e barta deri në Shqipëri. Ndërsa ajo ma ktheu shkurt: E kemi për obligim, pse të duket gjë e madhe!/ KultPlus.com