‘Ëndrrat e Hamletit’ përfaqëson Kosovën në Rusi, Zymberaj: Kosova po prezentohet në programin zyrtar të festivalit

Drama ‘Ëndrrat e Hamletit’ me regji dhe interpretim të Mentor Zymberaj prezentohet dhe përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Vladimir të Rusisë, shkruan KultPlus.

Në një prononcim për KultPlus Mentor Zymberaj ka thënë se është shumë i rëndësishëm përfaqësimi në këtë festival sepse tashmë dhe Kosova bënë pjesë në mesin e shteteve tjera në programin e këtij festivali.

“Përfaqësimi në këtë festival është mjaft i rëndësishëm pasi që pos prezentimit dhe selektimit të shfaqjes si vlerë artistike, prezentohet edhe Kosova në mesin e shteteve tjera në programin zyrtar të festivalit”, ka pohuar ai.

Krahas pjesamrrjes në këtë festival drama ‘Ëndrrat e Hamletit’ në nëntor të vitit që po lënë pas ka fituar çmimin kryesor ‘Monodrama më e mirë e festivalit’ në Festivalin Ndërkombëtar SITFY në Egjipt.

Gjithashtu shfaqja ‘ Ëndrrat e Hamletit’ ka triumfuar edhe në festivale tjera ndërkombëtare në vende si Rumani, Bullgari, Ukrainë, Dagestan, Egjipt dhe Moldavi.

‘Ëndrrat e Hamletit’ është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës. Premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 31 mars të vitit 2018 në Teatrin ‘’Dodona’’./ KultPlus.com