Suada Qorraj
I frymëzuar nga dokumentari i regjisores belge Chantal Akerman, “News From Home”, Eneos Çarka sjellë mesazhet zanore që i dërgoni i ati gjatë kohës kur të dy, por edhe e gjithë bota ishin mbyllur në shtëpi si pasojë e pandemisë. Eneo në Budapest kurse i ati i tij në Shqipëri, një distancë e madhe që dyfishonte mallin. Mesazhet e filmit të metrazhit të shkurtër “Where are you now?” ngërthejnë në vetvete dramën pothuajse dy mujore, rrugën e së cilës e kishte përjetuar gjithsecili, shkruan KultPlus.
I ndërtuar krejtësisht si një animacion, “Where are you now?” sjellë fantazinë e një bote të jashtme, duke e bërë të prekshme atë që gjatë izolimit dukej e paarritshme, madje edhe e largët. Mesazhet ndonëse nuk kanë lidhshmëri me imazhet, paraqesin një nga ato kontrastet që nuk u duhet një shpjegim, ngase si i tillë u përjetua nga të gjithë.
Në një intervistë për KultPlus regjisori i këtij filmi, Eneos Çarka tregon se gjatë dy muajve të izolimit të tij në Budapest, ku ishte larg familjes, mesazhet zanore që i dërgonte i ati ishin të shpeshta. Sipas tij janë pikërisht pyetjet retoriket të të atit ato që edhe ndërtuan titullin e këtij filmi.
“Gjatë atyre muajve, merrja shumë shpesh mesazhe zanore nga im atë i cili më pyeste për çdo gjë—si çdo prind në merak—e që shkonte deri tek pyetjet më retorike nga ku merr edhe titullin filmi. Vetëm si tekste, ato mbartnin në vetvete mjaft dramë dhe për mua ishin një bazë e fortë për një histori të tillë”, ka thënë Çarka.
Regjisori tutje ka treguar se mesazhet që përshkojnë filmin nuk janë të gjitha artistike. Ai ka thënë që së bashku me të atin, duke punuar si regjisori me aktorin kanë arritur që të shkruajnë dhe të redaktojnë tekstet e këtyre mesazheve.
“Me tim atë kam punuar si regjisori me aktorin. Jo çdo mesazh zanor në film është autentik. Ne jemi ulur bashkë – ai në Tiranë e unë në Budapest – e kemi shkruar e më së shumti kemi redaktuar tekstet që ai më ka dërguar. Më pas erdhën regjistrimet nga ku, ashtu si në një film fiction, bëmë disa dubla deri sa arritëm në rezultatin që mendoja se ishte i duhuri”, ka rrëfyer Eneos Çarka.
Çarka ka shtuar se pjesa më sfiduese në të gjithë filmin ishte realizimi virtual sepse ishte një punë e re për të dhe të tjerët, që tashmë ishin pjesë e epikes që punonin për filmin. “Realizimi vizual ishte pjesa më sfiduese e filmit. Për këtë, kreditet i shkojnë Stivi Imamit, dizajner me bazë në Tiranë, i cili gjithmonë na shtynte të shkonim një hap më larg. Puna me imazhet virtuale ishte e re për të dy ne, dhe eksperienca e të filmuarit në një video game është sa interesante aq edhe reduktive, pasi tek e fundit asgjë se mposht realitetin”, ka vazhduar rrëfimin regjisori.
Tutje regjisori ka treguar se ai beson që narrativa e filmit do të prek cilindo që të afërmit i ka pasur larg vetes në këta muaj të çuditshëm. Gjithashtu ai shpreson që filmi do të arrij të ngroh sado pak shikuesit e t’i nxisë ata që t’i telefonojnë ose të paktën t’ju dërgojnë mesazhe zanore familjes, në mënyrë që të bëjnë të lumtur njëri-tjetrin.
Krejt në fund regjisori ka thënë se është çdo herë kënaqësi të dëgjosh komente pozitive nga audienca e Dokufestit, madje atë e gëzon edhe qasja e publikut shqiptar ndaj tij.
Krejt për fund, ai ka treguar se tashmë ka siguruar disa pjesëmarrje në festivale të tjera, programi i të cilave do të publikohet së shpejti. / KultPlus.com