Lumturia, optimizmi dhe shpresa të ndërthurura në “Monumentalitetin e Përditshmërisë”

Uranik Emini

Të punosh vepra arti është gjë shumë e vështirë, e të kesh një kohë të limituar për ta bërë një gjë të tillë, shpesh herë është edhe e pamundur. Megjithatë, ekspozita e sivjetme e Kosovës “The Monumentality of the Everyday” nga artisti Jakup Ferri në Bienalen e Artit 2022, u paraqit me shumë sukses dhe madje u mirëprit shumë mirë nga gjithë vizitorët aty, duke u përshkruar si diçka që frymëzon lumturi, optimizëm dhe shpresë, shkruan KultPlus.

Mënyra e vetme dhe vendi i vetëm për të marrë një kopje falas të librit “The Monumentality of the Everyday” ishte pikërisht sot në Kino Armata, kur edhe ekipi i Kosovës në Pavijonin e Venedikut u mbledhën bashkë për të ndarë mes tjerash përvojën e tyre në këtë Bienale.

Ekspozita e kuruar nga Inke Arns është një instalim i veprave të Jakup Ferrit, si piktura, qëndisje dhe qilima, të cilat i gjeni të prezantuara në librin e ekspozitës të dizajnuar nga Diellza Veliqi dhe Lira Gjikolli.

📷: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

E para për të marrë fjalën ishte komisionerja e pavijonit, Alisa Gojani, e cila hapi edhe këtë ngjarje dhe pati disa falënderime për ekipin që e bënë të mundur realizimin me shumë sukses të kësaj ekspozite.

“Ne besojmë se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të paraqitur punën tonë dhe atë se çfarë kemi bërë në Bienale. Ne kemi këtu zyrtarë nga Ministria e Kulturës, zyrtarë nga Qeveria dhe gjithashtu edhe artdashës të tjerë të pranishëm, të cilët i falënderojmë shumë”, thotë ajo mes tjerash.

Liburn Jupolli – Këshilltari politik i Ministrit të Kulturës, u shpreh shumë krenar për të arriturat e Kosovës në kulturë këtë vit dhe jo vetëm.

“Kemi nderin që si Kosovë, si Ministri e Kulturës të prezentohemi këtë vit në Bienalen e Artit 2022 nga një artist shumë i veçantë siç është Jakup Ferri. Puna e tij e paraqet një pjesë shumë interesante dhe të veçantë nga pjesa e pas-luftës. Sot do të shohim këtë punë të ndërthurur në një libër, një ekip shumë, shumë punues që kanë bërë të mundur edhe realizimin e kësaj ekspozite. Dua të falënderoj gjithë njerëzit që prezantuan Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ministria e Kulturës qëndron mbrapa shumë aktiviteteve të ndryshme artistike e kulturore, siç është edhe “Manifesta 14″, e ky event le të jetë një monumentum tjetër i një viti kulturor këtu”, thotë ai.

📷: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Gojani edhe një herë tjetër, e ftoj me shumë kënaqësi kuratoren Anke Arns, për të ndarë përvoja të ndryshme rreth asaj se çfarë është biseduar, punuar e kaluar nëpër punimin e kësaj ekspozite.

Arns, rikujtoi fillimisht momentin kur edhe ka kontaktuar me Ferrin, ajo fillimisht hezitoi 3 sekonda kur ky i fundit i kërkoi që të jetë kurator i saj.

“Unë kam kontaktuar në dhjetor me Jakup Ferrin dhe më pas jemi pajtuar që të shkojmë bashkë. E kemi përgatitur konceptin dhe kemi hyrë në garë. Ajo se çfarë e bën më interesant këtë rrugëtim është koha e limituar që kemi parë. Gjithçka që ju po shihni këtu, është ndërtuar nga janari në prill, pra, një periudhë e shkurtër kohore”, thotë ajo.

Kuratorja e Pavijonit të Kosovës vazhdon të tregojë edhe histori të tjera, derisa një prej më të veçantave është kur ka takuar një të huaj dhe ka pyetur për vendin.

“Në hapësirën e ndarë për ne, kishim vizitorë të shumtë, e një prej tyre më pyeti se cili shtet është ky? Unë nuk hezitova t’i tregoj që është Kosova dhe ai u habit kur e mësoi një gjë të tillë. E njihte Kosovën si shtet, por nuk ishte mësuar që të shihte gjëra me kaq shumë ngjyrë dhe kaq shumë shpresë në to”.

Siç njofton ajo, shumë njerëz erdhën për të parë nga afër pavijonin e Kosovës dhe ekspozitën e Jakup Ferrit, pasi u ndjen shumë rehat në të.

Arns e përshkroi si një rrugëtim fantastik prezantimin e Kosovës në Bienalen e Artit 2022, duke ftuar të pranishmit që të marrin nga një libër, kopja e vetme që jepet.

📷: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Koordinatori i Pavijonit të Kosovës, Engjëll Berisha, ka thënë për KultPlus që një prej pikave kryesore të një Pavijonit është gjithmonë edhe katallogu që bëhet.

“Ka dalë një katallog tepër i bukur dhe kemi dashtë që t’i shpërndajmë edhe këtu librat, pasi kemi pasur dëshirë që shumë njerëz të marrin nga një kopje. Është një periudhë shumë e shkurtër që realizohet puna dhe përzgjedhja e ekipit zakonisht bëhet nga vetë artisti”, njofton Berisha.

📷: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ai gjithashtu ndanë edhe përvoja nga turistët që kanë vizituar Pavijonin e Kosovës aty.

“E kemi pa shumë të veçantë pjesën ku një numër i madh i njerëzve vijnë me u relaksu, me u shtri pak e kështu me radhë. Si diçka që ndodhë rrallë, njerëzit që kanë ardhur aty, e kanë komentuar ekspozitën si shumë pozitive dhe që po i bën të ndjehen më mirë”, shprehet Berisha.

Ndërkaq, shumë prej të pranishmëve u mblodhën në radhë për të marrë librin “The Monumentality of the Everyday”, i cili përpos dizajnit të bukur që pati, brenda kishte edhe vepra të artistit Jakup Ferri. /KultPlus.com

Në Gjakovë u mbajt Mitingu i 56-të i poezisë

Shkruan Engjëll I. Berisha

Në një tjëtër format, online, u mbajt Mitingu tradicional duke ruajtur të gjitha format e saj, vetem se nuk ishin prezent në sallë poetët, por, me zërin e tyre u përcollën nga publiku gjakovar dhe më gjerë kudo që adhurohet fjala poetike. Në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova”, Klub i letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizoi manifestimin letrar i nisur para 56 vjetëve nga krijues që sot janë të pashmangshëm nga historia e letërsisë shqipe dhe më gjerë.

Ky vit, i kërcënuar nga epidemia, ka bërë që të gjitha manifestimet të mbahen online, me programin zoom, që mbase, nuk ka kënaqur edhe aq publikun, por gjithsesi është mbajtur gjallë jeta kulturore. Gjakova, dikur mitingun e kishte festë, kësaj radhe nga kamera e TV Syrit dhe Radio Gjakovës, me ndihmen e Minsitrisë për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtorisë për Kulturë nga Komuna e Gjakovës, nuk e humbi traditën dhe solli para në monitor poetë të shumtë, e fitues të çmimeve për veprat më të mira të botuara në mes dy mitingjeve në poezi e në prozë, si dhe për poezinë më të mirë garuese të lexuar gjatë mbrëmjes.

Tribuna letrare: “Të rinjtë dhe botimet sot”

Si gjithmonë, Mitingu nisi me Tribunën letrare, debat për krijimtarinë, duke zgjedhur për temë “Të rinjtë dhe botimet sot”, për ta bërër një llogari se sa lexohet, sa shkruhet dhe sa jane të njohura gjeneratat e reja me letërsinë, e cila po krijohet, sikur u tha, e pa u vërejtur sa duhet nga kritika, ngase publikohet në rrjete elektronike dhe më oakë e shtypur, si dhe, nëpër shtëpi botuese që janë jashtë redakturave të mirëfillta. Temën e ligjëroi Dr. Prof. Sali Bashota, shkrimtarë e vrojtues i letërsisë nga Universiteti i Prishtinës, si dhe Mr.Sc. Engjëll I. Berisha, punëtorë bibliotekarë.

Leximi i poezive në Orën Qëndrore të Mitingut për çmimin “Ali Podrimja”.

Leximi i poezive, konkuruese, çmimet dhe pjesmarrja e poetëve ndërkombëtarë, mëtonte ta ruajë qëllimin e mbajtjes së Mitingut, gjë që u realizua deri në një masë, duke që të gjitha aq sa planifikohej.

Leximi i poezive nisë me poetin humanist, fitues i çmimit Nobel, Ernesto Kahan, që, solli një poezi dhe një përshëndetje më të ngrohtë se kurrë nga momenti i fundit i njohjes së shtetit të Izraelit që i blri Kosovës. Vazhdoi me leximin e poezisë nga Besnik Mustafaj, në Tiranë, Maria Miraglia nga Italia, Agron Tufa, Zvicër. Alicia Kuberska, Poloni. Sali Bashota Prishtinë. Entela Kasi,Tiranë. Shaip Emërllahu, Tetovë. Anton Gojçaj, Tuz. Kujtim Morina, Kukës. Vlora Konushevci, Prishtinë. Jeton Kelmendi, Belgjikë. Ylli Çela, ShBA. Ramë Oraca, Podujevë. Servet Bytyçi, Londër. Tixhe Gërçari, Jetlira B. Avdija, Dafina Roka dhe Laureta Rexha.

Duke qenë se leximi i poezive është konkurruese për poezinë më të mirë të lexuar gjatë mbrëmjes, fitues u shpall Entela Kasi, nga Tirana.

Çmimi për ndërkombëtarë “Nënë Tereza”.

Për nderim e respekt të krijuesve që sjellin të botuara veprat e tyre në gjuhën shqipe, si dhe ndajnë frymë humane me mesazhe për virtyte njerëzore me krijimtarinë e tyre, ndahet çmimi me emrin e humanistes shqiptare “Nënë Tereza”. Këtë vit, fituese është poetja italiane, e njohur për lexuesin shqiptar, Maria Miraglia. E njohur në Kosovë, Maria Miraglia, me botimin në gjuhën shqipe, edituar nga IWA Bogdani, poezia e saj vjen te lexuesi me ndjenjën humane që shprehë dashurinë ndaj njerëzimit, dhe diversitetit kulturor për ti bashkuar popujt në kuptim të së mirës.

Çmimet tradicionale i Mitingut “Din Mehmeti”, poezia më e mirë në mes dy mitingjeve.


Konkuruan për këtë çmim shumë autor, por juria ka përzgjedhur pesë libra për në rrethin e ngushtë, e që janë: -Zonja asnjeri zoti askurrkush” i autorit Agron Tufa. -” Më lanë edhe pa këngë”, i autorit Naim Fetaj. -“Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”, e autorit Pal Ndrecaj. -” Një ardhje tjetër” e autorit Jeton Kelmendi. -“Shënime të pamjaftueshme” e autorit Imer Topanica.

E fituan këtë çmim “Din Mehmeti”, libri më i mirë poetik, botuar ndërmjet dy mitingjeve “Zonja asnjeri zoti askurrkush” i autorit Agron Tufa, Dhe “Një ardhje tjetër” e autorit Jeton Kelmendi.

Çmimi për prozë, dramë ose roman “Teki Dërvishi”

Po ashtu, për çmimin ” Teki Dervishi”, proza më e mirë, dhe drama më e mirë, që ndahet për herë të parë, në këtë miting, për të cilin ka pasur prurje të shumta në prozë, por jo në dramë, juria ka përzgjedhur   “Dëmtuar gjatë rrugës” e autorit Besnik Mustafaj. -“Ata dy të burgjeve” e autorit Ibrahim Kadriu.

Çmimi për krijuesin debutues “Yllka Domi”

Ky çmim, po ashtu tradicional, iu nda krijueses Jetlira B. Avdija, që tani është bërë i njohur me disa romane, poezi e shumë vepra tjera që pret të botohen këtyre ditëve.

Çmimin e nisur para tri viteve për vepër jetësore, çmimi i Klubit letrar “Gj.N.Kazazi” e fitoi autori i shumë veprave me poezi e prozë, Tahir Bezhani, anëtar i ditëve të hershme të klubit.

Mitingu i sivjetëm dha mundësi për pjesmarrje nga të gjitha qendrat botërore duke shprehur entuziazë për ruajtjen e traditës dhe të kultivimit të vlerave letrare që edhe e ka për mision ky manifestim. Krej kjo u bë me angazhimin e Klubit letrar “Gj.N.Kazazi”, i ndihmuar nga Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit të Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë Rini e Sport të Komunsë së Gjakovës./ KultPlus.com