Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, gazetarin Engjëll Ndocaj.
Duke shprehur vlerësimin e tij, Meta shprehet se Engjëll Ndocaj është një nga gazetarët më të shquar të Televizionit publik shqiptar.
“Falë kontributit të pareshtur të dhënë në katër dekada, për informimin dhe modernizimin cilësor të gazetarisë televizive, ai vlerësohet nga të gjithë, veçanërisht për krijimin e qindra dokumentarëve, të dalluara për tematikën e gjerë dhe nivelin e lartë artistik. I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i proceseve demokratike, Engjëll Ndocaj u bë më i afërt dhe i dashur për publikun”, shprehet ai.
Po ashtu, Meta thekson se në vlerësim të punës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, si gazetar e skenarist i mirënjohur televiziv, pata sot kënaqësinë t’i akordoja Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
“Vlerësimi për të është njëkohësisht shprehje e vlerësimit për TVSH-në, medien e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive, për të cilët krenohemi dhe gëzojmë respektin më të madh”, shprehet ai. /ata/ KultPlus.com