Montazheri kosovar Enis Saraçi, një histori suksesi në “FAMU” të Pragës

Enis Saraçi, montazheri kosovar, bëhet storie suksesi në FAMU të Pragës

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, këtë vit, studenti nga Kosova, Enis Saraçi, ka marrë vëmendjen e Akademisë, duke u bërë storie suksesi për punën dhe angazhimin e treguar.

“Filmat në të cilët ai ka punuar gjatë studimeve, kanë arritur në Berlinale (Në mes, 2019), në festivalin e Kanës (Pa vend, 2021), ose Sundance (Zgjoi, 2021 me Çmimin e Publikut, Çmimin Kryesor të Jurisë dhe Çmimin e Regjisë). Sa u përket sukseseve në festivale, Enisi është njëri prej studentëve më të dalluar të departamentit në çerekshekullin e fundit”, ka shkruar FAMU.

QKK përmes marrëveshjes në fjalë, për të tetin vit me radhë ofron mundësinë e edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. / KultPlus.com

Gashi takoi fituesin e bursës në akademinë e famshme FAMU në Pragë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim fituesin e radhës së bursës për studime në një ndër shkollat më të mira në botë për studime në fushën e kinematografisë, akademinë e famshme FAMU në Pragë, Enis Saraçi.

Pas memorandumit të lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së para 5 viteve, Enis Saraçi është studenti i katërt që përfiton nga kjo bursë e ndarë nga MKRS dhe QKK.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që studentët nga Republika e Kosovës kanë mundësi që përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të arritur ndërmjet MKRS-së, QKK-së dhe Universitetit FAMU në Pragë të Çekisë, të përfitojnë bursa për ngritje profesionale në fushën e kinematografisë.

“Mbetet përkushtim i imi si ministër dhe i MKRS-së, që përveç mbështetjes financiare që po u jepet institucioneve kulturore në vend, edhe përmes bursave të mbështeten kineastët në shkollimin e tyre profesional nëpër universitete prestigjioze ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ai po ashtu tha: “Jam i lumtur që këta student të cilët po përfitojnë nga ana i institucioneve vendore për ngritjen e tyre profesionale në të ardhmen, do t’i kontribuojnë kinematografisë në vendin tonë”.

Në anën tjetër, Enis Saraçi, përfitues i kësaj burse, u shpreh shumë i kënaqur dhe falënderues për mundësinë e dhënë për të studiuar në akademinë FAMU në Pragë./ KultPlus.com