Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Në këtë mbrëmje fituese u shpall autorja Kaltrinë Uka me poezinë e saj “Nën timbrin e këtij malli”, shkruan KultPlus.
Përgjatë ceremonisë së mbajtur mbrëmë, janë shpallur dhjetë finaliste gra, poezitë e të cilave do të publikohen kohë pas kohe në gazetën KultPlus.
Po ashtu, diçka e veçantë që ndodhi mbrëmë ishte mirënjohja e ndarë për drejtoreshën e gazetës online për kulturë dhe art, KultPlus, Ardianë Pajaziti, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
Mirënjohja u nda nga kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, Entela Kasi dhe bashkë-themeluesit të PEN-it, Sadik Bejko, të cilët ia dhuruan përgjatë mbrëmjes së konkursit poetik KultStrofa.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka thënë Kasi.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka falënderuar të dy kyetarët e PEN-it të Shqipërisë për këtë mirënjohje kaq të veçantë e që jo rrallëherë ndodh në konkurse të tilla poetike./ KultPlus.com
Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery ai që sundoi vendin ishte Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Poezia, kjo hyjneshë ndër vite, na nderoi mbrëmë me prezencën e saj të plotë, teksa emocionet sa vinin e rriteshin për konkurrentët e njashtu edhe për pjesëmarrësit. Mbretëria e fjalëve të thurura nëpërmjet poezive diversive ka mbizotëruar vendin nga cepi në cep, për të krijuar kështu një mbrëmje plot magji e shkëlqim që jo shumë lehtë harrohet dot, shkruan KultPlus.
Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të shtatë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.
Qe rënia e borës ajo që na zuri në befasi të gjithëve, e që bëri që të pranishmit të vinin ngadalë por në numër të lartë. Shkrimtarë, artdashës, poetë e gazetarë, mbushën vendin për të përcjellë nga afër gërshetimin e letërsisë, kulturës e artit. Ambienti në KultPlus Caffe Gallery ishte tejet i ngrohtë. Karrige në çdo hapësirë, dritat e stolisura në dritare që e bënin akoma më festive këtë mbrëmje, si dhe shoqëruesi ynë kryesor; bora që binte me një ritëm të shpejtë por tejet të bukur. Shkëndija të veçanta shiheshin në sytë e gjithsecilit, e kjo vlen të theksohet se përjetohet enkas për poezitë e brishta.
Mbrëmë, atmosfera poetike ra mbi të pranishmit si një fener në errësirë dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.
Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja dhe aktorja Vlora Merovci e cila edhe bëri me dije se ne këtë edicion të “KultStrofës” kanë aplikuar mbi 180 poezi.
“Të nderuar poetë në të gjitha anët që keni aplikuar në konkursin e poezisë në nivel mbarëkombëtar KultStrofa, zonja e zotërinj, faleminderit për prezencën e juaj në KultPlus. Edicioni i shtatë na ka tubuar edhe sonte, pra është një konkurs që vazhdon të mbetet një prej konkurseve më me emocion”, thotë ajo.
Sipas saj, poetët nga e gjithë bota kanë aplikuar dhe janë mbi 180 poezi nga vendet e rajonit, Evropës dhe ShBA.
“Tash e shtatë vite, konkursi organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus dhe këtë vit mbështetet nga MKRS, Hotel Nartel dhe Ujë Rugove”, thotë ajo.
Para se të niste i gjithë ky organizim, aktorja Merovci po ashtu interpretoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, “Dhimbja është turpëruese” të Rudina Çupit.
Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë. Ajo po ashtu bëri të ditur se në edicionin e dhjetë të konkursit KultStrofa, pritet të publikohet libri me njëqind poezitë e edicioneve paraprake.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në ceremoninë e edicionit të shtatë të KultStrofa. Sikurse e potencoi edhe Vlora, ky konkurs është mbështetë nga MKRS dhe ne jemi shumë të nderuar që po vazhdon tradita e këtij konkursi ku çdo vit jemi duke i nxjerr dhjetë finalistë dhe me këtë vit po e shënojmë shtatëdhjetë poezi që janë nxjerr nga çdo edicion. Ne po synojmë që të vazhdojmë me edicione të pafundme, por kur të organizohet edicioni i dhjetë, njëqind poezitë e edicioneve të konkursit do të dalin në formatin e një libri. Mezi prita ta ndaj këtë lajm me ju”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, ajo së bashku me stafin e KultPlus, janë të nderuar që çdo vit kanë pasur një juri prestigjioze dhe shijet e tyre e kanë obliguar Pajazitin që ta publikoj një format të librit siç e përmendi më herët.
“Unë e shfrytëzoj rastin me e falënderu jurinë profesionale që janë të pranishëm me ne sonte dhe që e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në këtë edicion kanë ardhur mbi 180 poezi, dhe ato që kanë ardhur jashtë afatit, na vjen keq mirëpo nuk janë përfshirë për arsye se dëshirojmë ta mësojmë audiencën që afati është afat dhe ora është orë. Nga fillimi kemi punuar në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojmë tutje. E përshëndes kryetaren e jurisë, Entela Kasi e cila na ka nderuar shumë me marrjen e kësaj përgjegjësie për përzgjedhjen e dhjetë finalistëve, njëherit është edhe kryetare e PEN-it të Shqipërisë. E falënderoj Lulzim Tafën, një poet mjaft i njohur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, që na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe natyrisht e falënderoj Vlora Konushevcin, e cila natyrisht sa herë që poston poezi, e ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ka merita të plota për prurjet e këtyre dhjetë poezive në këtë edicion”, përfundon Pajaziti.
Ajo tutje i falënderoi edhe anëtarët e jurive të kaluara që kishin ardhur në këtë mbrëmje si shkrimtarët: Agim Vinca, Sali Bashota e Arbër Selmani, por njëkohësisht e falënderoi për prezencën edhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Sadik Bejko.
Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje ishte prezenca e këngëtarit Endrit Krasniqi, njëkohësisht fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili përveç këngës tashmë të njohur “Flas me gjethen”, ka interpretuar këngët e veta personale, e që u shpalosën si një ëndërr brenda ëndrrës. Ndërsa, si një gjethe vjeshte që bie lehtësisht, ishte zëri i këngëtares së re, Anna Krasniqi e cila interpretoi këngën “Stay”. Timbri i saj vinte në veshët e të pranishmëve si një melodi e papërsëritshme, teksa kënga e merrte atë me vete dhe e dërgonte në piedestalin e artit, aty ku ngrihen zërat dhe gjendet e vërteta.
Tutje, kryetarja e jurisë së këtij konkursi, Entela Kasi, kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.
“Ju përshëndes të gjithëve. Në fakt, për mua personalisht mbetet privilegj, nder dhe detyrë që të jemi në këtë anë të Prishtinës, kudo ku janë hapësirat tona. E kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e Ardianës, për të qenë në KultPlus e në KultStrofa, për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të një konkursi i cili do të ketë rrugën e gjatë. Letërsia në fakt është art magjik, sublim dhe poezia është tepër e thellë e tepër shpirtërore. Në historinë e botës, dikur poezia këndohej dhe rrëfehej, por tash ne jemi në këtë kohë moderne dhe pavarësisht ndryshimeve, ajo asnjëherë nuk e humb peshën e saj”, thotë ajo.
Sipas saj, juria pati fatin që të jenë pjesë e edicionit të shtatë të KultStrofa, dhe ajo që është më e bukura për të ka qenë që mendimet e tyre janë përputhur tejet shumë, të menduara në mënyrë të njëjtë, asnjëherë duke mos i ditur emrat e askujt sepse është ruajtur anonimiteti.
Ajo tutje bëri të ditur se është ndarë një certifikatë për drejtoreshën e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, shpalos Kasi.
Mirënjohja iu dha drejtoreshës Pajaziti nga profesori dhe bashkë-themeluesi i PEN-it të Shqipërisë, Sadik Bejko.
Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i shtatë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here erdhi me një frymë tejet unike. Vendi gumëzhinte nga heshtja për secilën poezi të interpretuar, teksa poetët u mblodhën për të shkëlqyer në skenë. Në fytyrat e tyre rrinte një çudi që ishin zgjedhë pjesë e dhjetëshes finaliste. Ata me secilën poezi kanë hapur zemrat e tyre para botës, teksa secili varg që buronte nga ta, vinte me një brishtësi të rrallë. Me duar që dridhen, ton të qëndrueshëm, fryma e tyre erdhi krejt këndshëm. Poezi pas poezisë, ato u shpalosën si petalet e lules e sikurse dielli në perëndim. Kështu, mbrëmja u vulos me strofa që shpërthyen valë-valë e që dëshmuan se poezia ka kurorën mbi të gjitha zhanret e tjera.
Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Leonora Lokaj, Nagjije Kastrati, Vlora Kozhani-Tolaj, Valmira Rashiti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Ardiana Thaci-Mehmeti, Alketë Spahiu, Kaltrinë Uka, ishin poetet finaliste të edicionit të shtatë të “KultStrofa”. Është hera e parë që dhjetësha finaliste përmban vetëm gra, dhe kjo është diçka shumë e veçantë dhe rastësore. Njëra pas tjetrës, ato interpretuan poezitë e tyre, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Teksa nata po merrte formën më të mirë, fjalët e poeteve e ndriçuan hapësirën ëmbëlsisht.
Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Nën timbrin e këtij malli”, “Qysh me e kornizu kohën”, “Guri i koshares”, “Të ringjallem nga hiri”, “Kripë e mjaltë”, “Diplomaci”, “Dashnia jem s’asht e kësaj bote”, “Harrimi është amorf”, “A m’vjen vera kah dera” dhe “Si m’shikon ashtu?!”.
Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poeteve: Vlora Kozhani-Tolaj, Leonora Lokaj, Ardiana Thaci-Mehmeti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Alketë Spahiu.
Nagjije Kastrati u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Guri i koshares”, ndërsa Valmira Rashiti u radhit e dyta me poezinë “Qysh me e kornizu kohën”.
Autorja Kaltrinë Uka, fitoi vendin e parë në edicionin e shtatë të këtij konkursi me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”, e cila pas marrjes së trofeut, u ndje shumë e emocionuar dhe nuk i dilte pothuajse asnjë fjalë, por gjë e mirë është që poezia e saj ka thënë shumë. Ajo potencoi se të gjitha poezitë e tjera e inspiruan dhe i dhanë një motiv shtesë për të shkruar.
Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke kërcitur si muzikë, meloditë e ëmbla shqipe që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.
Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove. / KultPlus.com
KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me një atmosferë poetike që do të ndriçojë mbi të pranishmit.
Sot është bërë publike edhe juria profesionale e këtij edicioni dhe përbëhet nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 14 nëntor 2024, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi-finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami-Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. / KultPlus.com
Kukulla – leximi i marrëdhënies shumëdimensionale të autorit me origjinën dhe identitetin
‘Kukulla’, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit’ Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si libër më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë. Kjo kukull, sjellë nga studio e shkrimtarit në trashëgiminë letrare, duket sikur të jetë guri i munguar dhe i palexuar prej nesh, që mbart peshën e kumtit në qasjen për ta kuptuar lidhjen organike të asaj që krijon të tjerët, pasi lënda jote si qenie humane prej atributit të së quajtur i lindur, i sjellë në jetë, i takon vetëm asaj. Marrëdhënia me atë është organike përveçse shpirtërore. Ajo është e përzgjedhur nga natyra, nga ritmet e një ligjësie gati hyjnore, sepse nëse ka një person të vetëm në botë që ti nuk ke fuqi ta zgjedhësh është pikërisht ajo, nëna. Nëna mundet të përzgjedhë atin tënd, e këtu duket sikur ajo ta ketë një pushtet hyjnor, e në këtë rast vetëm ajo mund të jetë superiore. Asgjë tjetër nuk varet prej teje në këtë ngjarje. Aty në qendër të saj, ti je thjesht i krijuari, i linduri, dhe vetëm fryma organike është lidhja e vetme e pakontestueshme në ADN apo edhe kode të tjera qofshin këto të shpjegueshme apo mister. Kukulla e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në marrëdhënie të pafundme zhvillimesh. E ndriçuar me një shkëlqim të neontë, si prej gipsi, aq sa të jep përshtypjen se edhe vetë shndërrohet në kukull prej gipsi dhe prej letre njëkohësisht, ka fuqinë të jetë përgjithmonë aty, si tërësi në të cilën jeton e frymon jo vetëm ti, por krejt njerëzimi. Ajo është e përhershme, e përjetshme. Bijtë e saj janë përgjithmonë fëmijët e saj edhe kur ata vetë të jenë moshuar prej kohës dhe jetës. Në trurin e tyre ajo është jeta e tyre e përjetshme, në kuptimin e pranisë, nevojës së komunikimit, rritjes së dyanshme, e cila mbushet me moskuptim. Nëna, në romanin Kukulla, është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në veprën e Ismail Kadaresë. Shkrimtari na drejton kah leximi i gjuhës së sistemit të shenjave dhe kodeve, për ta zbërthyer dhe kuptuar atë. Lidhja me atë është sa e veçantë, po aq edhe e mbushur me moskuptimin e saj të përhershëm, ku ka ndaluar procesi i zhvillimit. Ky proces i ndaluar na kthen tek një marrëdhënie përtej lidhjes organike nënë – bir, pasi na drejton ka kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, lindur me gjuhë, familje, komunitet, mjedis, kode, zakone, ngjarje, histori, zhvillim, kuptim dhe moskuptim të njëhershëm prej ngrehinës, me të cilën rrethohesh tërësisht, kur je i lidhur me rrënjët dhe themelet e asaj që mund të quhet ‘shtëpia jote’, jo në kuptimin e banesës, por në kuptimin e ngrehinës së identitetit tënd, që të kthen e të lidh me tërësinë e tij, atdheun tënd të përhershëm në të cilin ti je lindur, me të cilin marrëdhënia mbetet e dhe e fuqishme, e përhershme, e përjetshme. Kukulla, e cila vendoset në lëvizje, në tre mjedise të një kohë të pandërprerë, e mbështjellë me moskuptimin e saj, ndriçohet prej të gjitha anëve. Ajo është pikërisht ashtu si e sjell shkrimtari me pak fjalë; ‘kështu jam unë’. Ajo vendoset në qendër të dy burrave, bashkëshortit, atit të shkrimtarit, dhe birit shkrimtar, djalit të saj të përhershëm, dhe të dy këta njerëz janë jeta dhe kuptimi i saj. Ajo nuk ka kuptim jashtë tyre. Jashtë tyre ajo mund të jetë e zakonshme, brenda tyre ajo bëhet e jashtëzakonshme. Ajo bëhet e përjetshme tek biri i saj, të cilin e sheh vazhdimisht në rritje, në një zhvillim që tejkalon rritjen e ndërprerë të saj. Kjo rritje e ndërprerë e saj, sjellë prej shkrimtarit, na kthen tek kuptimi i mëmëdheut të shkrimtarit, tek Shqipëria, pasi është pikërisht ajo lidhja organike që vjen tek shenjat; nënë- dhe- kur ti i lindur prej saj, del në dritën e botës prej trupit të saj, nga errësira në dritë. Fjalët e gjuhës shqipe, mëmë-dhe, nënë-dhe, të cilat gjuhët e ndryshme i kanë në forma të ndryshme, për të krijuar lidhjen e njeriut me atdheun, na drejton kah leximi i marrëdhënies të shkrimtarit me Shqipërinë. Kukulla shndërrohet në atdheun e shkrimtarit. Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit. Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij. Përmes saj shkrimtari i drejton mesazhe universale njerëzimit. Kadare i cili kalon me mjeshtri dhe origjinalitet nga bota e miteve, legjendave dhe përrallave, në botën reale të mendimeve, që përbëjnë edhe boshtin filozofik të veprës letrare të tij, na kthen kah fati i Shqipërisë, kah zhvillimi i saj i ndërprerë në për më tepër se pesë shekuj të perandorisë otomane e cila ishte ora e zezë jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Ballkanit dhe Evropës lindore në përgjithësi. Por në këtë çështje shkrimtari hedh dritë mbi atë që i takon identitetit dhe mëmëdheut- apo atdheut të tij. Kjo dritë e domosdoshme për artikulimin e të vërtetës historike të shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë, është sa e domosdoshme po aq edhe e dhimbshme, pasi na rrëfen ato të vërteta, që ende edhe sot mbahen të mbyllura në arkivat e historisë së një kombi i cili vazhdimisht është përballur me rrezikun e shuarjes dhe rënies në errësirë edhe pas largimit të shkaktarëve të dramave dhe tragjedive të tij. Elementet që Kadare ka sjellë konfliktet e kësaj natyre, duke krijuar gjuhën e sistemit të shenjave, veçanërisht tek Ura me tri harqe, Tri këngë zie për Kosovën, Dosja H, dhe Sjellësi i fatkeqësive. Tek Ura me tri harqe, në njërin plan na shfaqet shenja e ‘murgut’, dhe në planin tjetër na shfaqet shenja e femrës së murosur, e presë së atdheut mbi atë Urën ku do të kalonte jo vetëm pushtimi i Shqipërisë por deformimi dhe ndërprerja e rritjes dhe zhvillimit të saj për qindra vjet. Ura dhe Kukulla janë gjuha e sistemit të shenjave në tërësinë e letërsisë së këtij shkrimtari, i cili e kthen Shqipërinë në vëmendjen e botës, në shekullin e XX. Letërsia kur i kapërcen kufijtë rajonalë, i takon të gjitha vendeve, e për këtë arsye veprat letrare serioze, mbeten një pasuri e paçmuar në kulturën e botës . Koha ka provuar që letërsia serioze, ka ardhur nga periudhat më të vështira të shoqërive dhe kombeve, pikërisht kur këto kanë qenë të tronditura, në momente të cilat historia e njerëzimit na i ka dëshmuar. Kadare shkruan identitetin tipik shqiptar, e, ky identitet është autobiografia letrare e Shqipërisë në veprën letrare të Kadaresë. Ashtu si mendon Borges, ‘secili prej nesh është një kopje kohore dhe e vdekshme e arketipit njerëzor. Koha është shëmbëlltyra e përjetësisë. Përjetësia është bota e arketipave.’ Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj. Në botën e arketipave, ajo mbetet atje e përjetshme. Individi me botën e tij ende të pashtershme është njëkohësisht universi dhe kozmosi i pafundmë të cilin mund ta kuptojmë duke e zbuluar përmes dritës shumëdimensionale. Në këtë mënyrë individët, popujt dhe njerëzimi mund të shpëtohen vetëm prej ndriçimit të qenies së tyre, e cila është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike./ KultPlus.com
Ndërsa zgjas duart kah tjetër dritë, Dhe sytë, Dhe fjala, Dhe ëndrra, Dhe fryma, Janë pemë jete në kopshtin ku bien ditët
Koha Është tjetër bote që pret, tjetër. Atje tej është një det dhe një tjetër Ndërsa nuk bashkohen ujërat që i ndan kuptimi i së fshehtës Jemi pika uji në fuqi drite,
Edhe nëse qiellit jemi re, Kur biem tokës, Shi, A dëborë e bardhë, Biem, Në plis, Në shkrepa të gurtë majash të ngrira Në lugina e shtretër të përjetshëm, Në liqene dhe dete biem dhe në tokë të thatë Mbi duna rëre ku devetë ulin kokën duke mbajtur gjithçka mbi shpinë, Biem mbi veten, e bëhemi za i fëmijëve tanë, Ai çasti kur të qash është të gëzosh bekimin Dhe dashuria është frymë, është lëndë, është plotni e pasosun, jetë. Ashtu siç ka qenë Prej fillimi./ KultPlus.com
Entela Kasi, gjatë ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Selanik, pati një vizitë zyrtare në Muzeun Hebraik të Selanikut.
Ajo i bëri dhuratë Bibliotekës së Muzeut botimin antologjik “18 histori hebraike” (18 Jewish Stories) në gjuhën angleze, ku mes veprave të autorëve të huaj është përfshirë në këtë botim edhe ” Rikthimi” nga autorja Kasi.
Ky botim antologjik është realizuar nën kujdesin e shkrimtares dhe studiueses Nora Gold, themeluese e medias dhe botimeve Jewish Fiction. “18 histori hebraike” është botuar nga Academic Studies Press në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu ky botim është fitues i Çmimit të vitit 2023 në kategorinë – prozë antologjike. Njëkohësisht media si New York Times, Los Angeles Reviews of Books, etj, por edhe autoritete të kritikës botërore e kanë çmuar këtë botim si një prej veprave më të mira të vitit 2023.
Shkrimtarja Entela Kasi në këtë vizitë të rëndësishme në Muzeun Hebraik të Selanikut ishte e shoqëruar nga stafi i Konsullatës së Shqipërisë në Greqi./ KultPlus.com
Sot, në Bibliotekën Qendrore të Bashkisë së Qytetit Selanik është bërë promovimi i novelës ‘Rikthimi’ i shkrimtares shumë të njohur të pas viteve 1990, Entela Kasi, përcjell KultPlus.
E pranishme në kë promovim ishte edhe Erida Dobrushi, Konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik e cila u shpreh se kjo novelë jep mundësinë të njihemi me një tjetër dimension të njohjes, përceptimit dhe të konceptit që kemi mbi realitetin që jetojmë.
“Prezenca e një autoreje si Entela Kasi në këtë panair të librit dhe përzgjedhja e romanit “Rikthimi” nuk janë aspak rastësore, edhe pse prezantohet në shqip. Por ky ndoshta është dhe momenti që të konsiderohet përkthimi i këtij libri në gjuhën greke, veçanërisht për lexuesin e Selanikut, një qytet me një histori unike të hebrejve deri në mesin e luftës së dytë botërore – Unë jam e sigurtë që ky libër do e gjejë lehtësisht lexuesin e vet – dhe do ketë lexues cilësor. Për tu kthyer te libri, sot, ne nuk prezantojmë një letërsi që provokon imagjinatën nëpërmjet stilistikës, përshkrimit dhe historisë (megjithëse ka shumë histori bardh e zi brenda tij) , apo që jep në formë klasike imazhin e një vendi dhe karaktereve që e përfaqësojnë.”
Ndërkaq, ky promovim u bë në kuadër të Panairit të librit në Selanik./KultPlus.com
Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në Panairin e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror.
Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit.
Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.
“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.
Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre.
“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje.
Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com
Entela Kasi është shkrimtare, përkthyese dhe eseiste. Deri më tani botuar në gjuhën shqipe librat me poezi “Ëndërr e paemër” (1992), “Koha e kalit” (1998) dhe “Muzg pikëllimi” (2005).. Me romanet trilogji “Të korrat e Krishtlindjëve”, “Hannah K” ka tërhequr vëmendjen e kritikës shqiptare dhe të huaj. Poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në antologji dhe revista letrare nëshumë gjuhë të huaja.
Vetë titulli i veprës “Nëna e atit” mund të lexohet në disa forma, duke u nisur nga fjala nënë prej të cilës fillon njerëzimi, është zanafilla e jetës, qeliza e krijimit të shoqërisë, njerëzimit, kushti për të ekzistuar, ashtu siç është edhe ati i rëndësishëm, sepse pa atin nuk është as nëna, kjo është jeta, midis këtyre dyve, prej nga lind shoqëria, ashtu edhe kjo vepër sjell ngohtësi te secili lexues, siç sjell ngohtësi nëna dhe ati në familje.
Në këtë libër, Entelën e gjejmë si “autore të brendshme” d.m.th. kur lexon poezitë e saj, duket sikur lexon një pjesë të jetës së saj, sepse fjalët e saj letrare tëndërthurura mirë në vargje, kanë përthithur kujtimet nga çastet e jetës të cilat ajo i pasqyron në poezi. Ajo na e thotë troç e pa frikë të kaluarën e saj, sepse shkrimtari që ka frikë nga përjetmet e veta është një shkrimtar i mjerë, i pasinqertë, sepse të gjitha këto kujtime e përjetime janë ngjizur në kujtesën e saj, kanë mbetur brenda saj, të cilat i shpreh me, pothuajse, të gjitha figurat stilistike, duke na i servuar edhe më bukur më anë të metaforës, krahasimit, alegorisë… në mënyrë që lexuesi të mbajë në vazhdimësi vëmendjen dhe të mos lexojë sipërfaqësisht, por të lexojë mes rreshtash, t’i kuptojë fjalët në burim dhe ta kuptojëporosinë e saj në rrënjë, ta përjetojë apo ta lexojë përjetimin e autorës.
PEISAZHI FAMILJAR
AMIDAH, NËNA E ATIT
Mbështjellë nga drita heshtur me kandilin ndezur shkonte tek bariu… …Flokët e saj si një kurorë kallinjsh gruri Mbështjellë kokës së bukur Nën dritë yjesh Ai mbante një kapë të zezë, Përherë Të premteve mbrama Të bardhë Tash është koha të heshtim Të dëgjojmë… këngët…
Një hyrje madhështore, plot metaforë e krahasim, e gruas fisnike, me dinjitet, si zanë mali që reflekton dritë, me flokët si kurorë kallinjsh: Amidah – lutje e heshtur., ndoshta sepse heshtja është më e bukur se fjalët, e në këto raste lutjesh, më shumë i shkon për shtati heshtja gruas, që pret lutjet e burrit. Amidah, ashtu është edhe gjyshja, nëna e atit, që brenda vetës gjithmonë mbarte qetësinë dhe maturinë.
Me anë të kesaj poezie autorja na e skicon një mbrëmje të një familjeje që bëhen gati për lutje. Ata pothuajse janë të vetëm apo të braktisur, megjithatë të qetë dhe të lumtur, janë hebrenj dhe përderisa kanë mbaruar punët e lodhshme të ditës, fillojnë të bëhen gati për leximin e librit të shenjtë. Nuk duhet të bëjnë asgjë, duhet thjesht të luten, t’i bëjnë çapat e llogaritur, sepse tashmë i kanë bërë gati të gjitha gjërat, dhe ky është momenti që sapo kanë mbaruar ushqimin, kanë përgatitur gjithë atmosferën, kanë vendosur librat që do t’i lexojnë me zë të lartë dhe gjyshi, në këtë rast, ka vendosur kapën e zezë kostum tipik i besimtarit hebre dhe po bëhet gati të lexoje Toran, ndërsa gjyshja, nëna e atit, pasi ka mbaruar të gjitha punët do të dëgjojë zërin e librit të shenjtë që vjen përmes burrit.
Psikoligjia është aq e thellë sa përmes kësaj pamjeje ja jepët pasqyra, thujase, e tërë librit, apo e jetës në të kaluarën: Familje e vogël, e qetë, punëtore, gruaja përfaqëson qetësinë, prehjen, dashurinë, urtësinë, ndërsa burri si baza, shtylla e shtëpisë dhe mbështetja me e madhe e gruas dhe prijës i familjes. E mbi të gjitha këto që e personalizojnë familjen, nuk mungon besimi, të drejtuarit Zotit për paqe, qetësi shpirtërore e harmoni.
Ndoshta këto janë elementet që i mungojnë nga e kaluara famlijes së sotme!
MELANKOLIA
Ta lexosh Entelën në këtë vepër, do të thotë të lexosh ndjenjat e brendshme të saj, të gjitha sfilitjet e saj shpirtërore të strukura në xhepin e shpirtit, të kaluarën e saj, herë-herë tëdhimbshme, si një kohë e vranët dhe më shi, melankolike, përmalluese, fjalë të pathëna, lot të derdhur, dhimbje të strukura, dashuri e dështuar, e largët… melankoli e dashuri, e shprehur me litotë, metaforë, alegori, simbol, krahasim… lirizëm i thellë brenda secilës strofë, ndërsa metafora e krahasimi ndihen të përsëritura dhe të pranishme, gati në secilin varg. Vjeshta dhe vetmia, rënia e gjetheve, flladi vjeshtor të gjitha këto elemente na sjellin melankolinë e shpirtit të saj mes rreshtash:
PËR TË FUNDIT HERË
…Si kristale rrëzëllejnë lotët harrimit
E pa ëndërrt dridhem si violina në shi
Si tingull që humbet në terr gjersa meket
Që shuhet e vdes gjersa tretet…
TIS I NATËS
… Qelq i natës tis krejt i përhumbur
Nëpër vetëtima mbushur plot zjarr
Tutje djeg njëëndërr të gremisur
Në ç’pikëllim e dëshpërim pa cak…
Entela,duke u tretur në lirizëm, sikur krahason gjendjen e saj shpirtërore me peisazhin, ashtu siç ndjehet brenda vetës, ashtu është edhe peisazhi që e rrethon,dhe kjo, për arsye se ky lirizëm është në pajtim me horizontet e saj.
REVOLTA
Entela është e jashtëzakonshme nga mënyra se si e ndërton poezinë, si e organizon, si e përdor fjalën në funksion të idesë, si e ndërton frazën pa asnjë tepri. Ajo arrin me sa më pak fjalë e fjali maksimumin e përcjelljes së mesazhit te lexuesit. Ia arrin qëllimit.
Gjithçka në poezinë e saj është funksionale dhe në shërbim të konstruktit të krijimit.
ATLANTIS
Që kur u fundos,
mori me vete edhe “ca kamare turpi”
me koka njerëzish
si në teatër
kur hyjmë nërend.
Poetja vëren në bashkëkohësinë e saj moderne se njeriu nuk është përmirësuar shumë, pavaräsisht katastrofave, që i ka shkaktuar vetes gjatë shekujve, katastrofa këto që po ky njeri i ka shqyrtuar e pasqyruar në letërsinë e vet historike, biblike e mitologjike, por pa nxjerrë mësime të dobishme prej tyre.
KËTU KU JEMI
“Thuhet se liria këtu është jo thjesht një fjalë, duket,
Kyçur kemi gojën me shtatë dryna
(Çelësat dihet i kanë ata që ulur janë mbi jetët tona)
Ndaj këtu
Ne robër
Ne skllevër
Të njëjtë, të sotëm, të djeshëm.”
Edhe Migjeni donte një grusht të fortë t’i binte malit që s’bëzanë… ashtu edhe Entela shpreh revoltën e saj ndaj politikbërësve dhe ndaj gjendjes së tanishme të atdheut, sepse siç duket, edhe pse si popull i vuajtur e i shtypur, përjetues i gjenocideve e padrejtësive të shumta nga popuj të tjerë, ne shqiptarët nuk kemi mësuar, sidomos ata që merren me fatet e shoqërisë apo krijuesit e politikave për shoqërinë, kudo qofshin ato, në cepe të ndritura apo të errëta të vendit.Sepse ne si qënie humane kemi trashëguar trauma nga gjenocidet, prandaj kur shikon tëkaluaren, kujtesen dhe je në pikën reale të së sotmës, në realitet dallojmë se nuk është përmirësuar shumë sjellja, dhe problematika është gati e njëjtë, dhe thua nuk paskemi mësuar ende.Shqipëria e sotme ende i ka gjërat jo të qarta, jo të paqta, jo mirë me vetveten.
Kualitet i veçantë, pra, i disa poezive të Entela Kasit janë ironia e satira, që ndonjëherë, përshkak të angazhimit emocional të autores, ngrihen në nivelin e sarkazmit dhe të akuzës së tërë sistemit shoqëror të kohës. Kjo ironi e saj nuk i pason skenat komike të jetës, ajo nuk rrjedh prej humorit, andaj as nuk e ka atë qëllimin e rëndomtë të satirës: përmirësimin e jetës me anë të kritikës. Ironia e Entelës vjen prej tragjikes së vërejtur në realitet, prej shqetësimit që ndjen ajo ndaj shkaktarëve të mjerimit, prej turbullirave të saj shpirtërore dhe, në fund, prej dëshirës së nxitur nga pezmi që ai realitet të mohohet, të ndryshohet.
KTHIMI I POEZISË NË PROZË
Tiparet respektuese të dy gjinive nuk janë kategorike, pasi ato migrojnë sa nga njëra te tjetra, ndaj edhe një prerje e ftohtë dhe përfundimtare mes tyre është e vështirë të gjendet. Meqenëse ky “mes i artë” nuk ekziston, për të dalluar prozën nga poezia, deri në njëfarë pike, mund të aplikohen metoda formale e logjike.
Po marr një shembull dhe me të do të përpiqem të kryej një shndërrim, jo për të treguar se e gjithë poezia e Entelës mund të kthehet në prozë, por thjesht për të vërtetuar karakterin prozaik të poezisë së saj.
PËRTEJ
Nuk mund t’i gjej sytë e gjelbër të fëmijës lypës, as skalpin pa flokë në hollet e galerisë së shtetit, ku burra e gra, me gazeta palosur në dosjet bosh, ngjitnin shkallët e ligjit pa vepra origjinale.
Zemra e fëmijës lypës, e përcaktuar si organ, do të rrahë diku për një tjetër shëndetlig të botës. Skalpi pa flokë, ngjyrë bari, do të endet nëpër rrugë vazhdimisht në sheshin “Nëna Tereza. Në të majtë, në të djathtë, në qendër.
Në themel të kësaj qëndron ideja domethënëse sa i përket faktit që poezia e Entelës nuk është tërësisht një gjini e pastër dhe se mbi të gjitha, ky tipar (sistematik) i poezisë së saj, nuk mund të mos cilësohet si një tjetër “provokim estetik”.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com
Një nga 5 fitueset e Çmimit “Eccellenza Donna International” për vitin 2020 është shpallur shkrimtarja shqiptare, presidente e Qendrës Pen për Shqipërinë, Entela Kasi.
Ky çmim i është dhënë nga Komuna e Aulla-s, në Toskanë, 5 grave nga e gjithë bota për kontributin e tyre në fushën e letërsisë dhe arteve. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve së “Ekselencës në Itali dhe botë” do të mbahet në muajin nëntor në Komunën e Aulla-s.
“Për këto gra – thotë Marina Pratici – të cilat sjellin përsosmërinë e tyre në Itali dhe në botë, shkojnë urimet tona më të ngrohta”. / KultPlus.com
Ky është një krim ndaj identitetit, ndaj trashëgimisë
kulturore të shqiptarëve, që kryhet paturpësisht sot!
Shekspir ku je? Bash mes Tiranës në shekullin XXI- një
tjetër dramë në skenë po luhet si një kumt i zi, krejt si në kryeveprat e
letërsisë botërore!
…por pyetja që sot kam, nuk është – ku është opozita, e ku
janë artistët?
Pyetja që shtrohet sot është – Ku janë artistët veshur me
imunitet deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë?
– Ku janë të gjithë ata, arkitektët, por edhe albanologët,
të cilët brenda institucionit të Qeverisë, lejuan të arrijmë në këtë situatë të
tillë, absurde të Shqipërisë sot?
– Ku janë të gjithë ata intelektualë të Bashkisë Tiranë, e
po ashtu edhe ata këshilltarë të këtij Institucioni?
– Ku është Ministria e Kulturës si institucion në këtë ditë?
– Ku janë reaktorët e suplementeve të kulturës në mediat e
shkruara dhe audiovizive të Shqipërisë?
Se ku është opozita, dihet!
Se si po merren zvarrë ata që po e mbrojnë këtë çështje, këtë ne po e shohim me
sy!
Çështja është: ku është pushteti? Shteti!
Shekspir, ku jemi?
Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë /GazetaLetrare.com
Prej 17 vjetësh, Peja është kthyer në një qytet të kulturës evropiane dhe asaj botërore, falë Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, të cilat i kanë sjellë Kosovës, personalitete të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Përmes këtij manifestimi ndërkombëtar, Kosova ka shpalosur vlerat e humanitetit, parimet universale të lirisë, duke dëshmuar trashëgiminë kulturore jo vetëm letrare por edhe atë historike të shqiptarëve e cila mbetet një pasuri e çmuar për njerëzimin dhe kulturën botërore, e sidomos për Evropën e shekullit në të cilin vlerat e dinjitetit njerëzor mbeten vlera të mbarë njerëzimit.
Letërsia , artet, janë pasuri e çmuar për njerëzimin. Punët e artit janë trashëgimia e kulturës së qytetërimeve nga antikiteti në kohët moderne. Ky Manifestim i cili mban emrin e poetit Azem Shkreli, një prej majave të letërsisë shqipe, mbetet i një rëndësie të veçantë, dhe njëkohësisht një urë lidhëse midis Kosovës, rajonit të Ballkanit, Evropës dhe botës.
Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sporte, stafet organizative të këtij Manifestimi Ndërkombëtar, kanë ditur të sjellin elita të mendimit botëror në Kosovë, duke i dëshmuar krejt kryeqendrave të botës, jo vetëm trashëgiminë kulturore identitare të shqiptarëve, por vlerat e humanitetit të kulturës shqiptare e cila mbetet përfaqësuese dhe e rëndësishme për botën e madhe të letërsisë. Ismail Kadare, shkrimtar dhe intelektual i përmasave evropiane dhe botërore ka nderuar Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, në vitin 2016. Kadare, laureat i Çmimit Ndërkombëtar Letrar Azem Shkreli në vitin 2016, me pjesëmarrjen e tij në këtë manifestim të përmasave elitare, i bëri një shërbim të çmuar Pejës dhe Kosovës. Fjala e Kadare drejtuar lexuesit, publikut dhe autoriteteve përcjell ende edhe sot mesazhe të rëndësishme për shqiptarët, rajonin dhe botën.
Poetë shqiptarë dhe të huaj kanë qenë Laureatë të Çmimeve Azem Shkreli, mes tyre Visar Zhiti, e shumë të tjerë, maja të poezisë dhe letrave. Studiues, albanologë, përkthyes, nga vendi dhe bota mbeten ambasadorët më të mirë të përfaqësimit të kulturave duke ndërtuar me punën dhe veprën e tyre ura komunikimi midis kulturave tashmë të përfaqësuara ku secila mbetet pasuri e çmuar për njerëzimin pavarësisht kufijve gjuhësorë, politikë dhe kufizimeve të tjera.
PEN International, Organizata Ndërkombëtare e Poetëve , Eseistëve, Shkrimtarëve, e themeluar në Londër në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë dhe mendimit botëror, gjatë këtyre ditëve është në Pejë, Kosovë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, duke u përfaqësuar nga personalitete dhe autoritete të letersisë botërore të sotme. Emmanuel Pierrat, shkrimtar, Kryetar i PEN Francës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, do jetë i pranishëm në këtë Manifestim, në ceremoninë zyrtare të Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, ku do ketë fjalën ceremoniale dhe po ashtu do të lexojë gjatë takimeve fragmente nga libri i tij Morali i lajmit dhe morali i çensurës. Veprat e Emmanuel Pierrat janë botuar nga Gallimard dhe Fayard në Francë. Po ashtu janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të ndryshme të botës.
Sylvestre Clancier, poet dhe intelektual francez, një prej drejtuesve të bordit të PEN International, po ashtu mik i çmuar i letërsisë shqipe dhe njohës i thellë i veprës së Kadare, është pjesëmarrës në këto takime. Clancier me elegancën e mendimit dhe diplomacinë në komunikim ka bërë të mundur që PEN Kosova, themeluar në vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova, të pranohet në asamblenë ndërkombëtare të PEN mbajtur në Tromso të Norvegjisë, kur për herë të parë Kosova kishte vendin e vet në këtë Organizatë të rëndësishme për kulturën botërore, përfaqësuar nga Presidenti i PEN Kosovës, poeti Basri Qapriqi. Antonio Della Rocca, poet dhe shkrimtar italian, nga Trieste vjen në këtë manifestim nën përkthimin e poetes dhe gazetares së njohur Ilire Rugova Zajmi. Vepra e Antonio Della Rocca prej vitesh i ka kapërcyer kufijtë e Italisë. Rafawl Newman, poet, kritik arti, përkthyes , një nga artistët hebrenj të Zvicrës është pjesëmarrës në këtë aktivitet të rëndësishëm. Për herë të parë në Pejë , vjen nga Izraeli poetja dhe studiuesja e njohur Hava Pinhas Cohen, autore e shumë librave në gjuhë të ndryshme të botës. ‘ Të bashkosh të ndarët’ është libri më i ri i saj i cili ka tërhequr vëmendjen e kritikës letrare në botë. Hemuth A Niederle, poet, antropolog, drejtues i PEN Austrisë, një emër i njohur për kulturën evropiane, e njëkohësisht një përkrahës dhe mbështetës i kulturës shqiptare dhe autorëve shqiptarë me banim në Austri, vjen në këtë manifestim nderkombëtar, duke sjellë jo vetëm poezi por kujtimet dhe lidhjen e tij tepër të veçantë me Kosovën dhe Shqiptarët.
Përveç autorëve të huaj, poetë dhe studiues të letërsisë shqipe do të jenë gjatë ditëve të këtij aktiviteti me promovime librash, lexime dhe takime me publikun. Erestina Halili, Anton Nikë Berisha, dhe të tjerë autorë do të promovohen gjatë ditëve të manifestimit. Poetë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni do të lexojnë poezi të tyre. Mes emrave të 18 autorëve shqiptarë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të jenë për publikun në orën qëndrore të Manifestimit, Aleksandër Çipa, Rozafa Shpuza, Naime Beqiraj, Arjan Kallço, Flamur Shala, Xhevat Latifi, Irena Gjoni, Lindita Ramushi Dushku, Rami Kamberi, e shumë autorë të tjerë shqiptarë nga hapësirat mbarë shqiptare. Në këtë vit, djali i poetit Azem Shkreli, Valon Shkreli, do të jetë në të gjitha ditët e Manifestimit. Ashtu siç është në traditën e Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të ndahen edhe çmimet letrare. Përgjatë këtyre ditëve Peja , vendlindja e poetit Azem Shkreli, do të jetë një qendër e Kulturës Evropiane. Me këtë rast, Qendra PEN e Shqipërisë , Qendra PEN e Kosovës dhe PEN International, do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Pejës, për aktivitete të rëndësishme të cilat do të bëjnë të mundur që qyteti i Pejës të gëzojë statusin e qytetit të kulturës evropiane. Entela Kasi Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë Tiranë, 21 Maj 2019 / KultPlus.com