Sot fillon edicioni i 13-të i Festivalit për Art dhe Kulturë Tradicionale, EtnoFest

Sot, në fshatin Kukaj fillon edicioni i 13-të i festivalit për Art dhe Kulturë Tradicionale, EtnoFest, shkruan KultPlus. Gjatë këtij festivali pritet të shpaloset para publikut  një program i mbushur me shfaqje teatrale, poezi, muzikë, etnoperformanca kontemporane dhe baleti, vepra arti e shumëçka tjetër.

I gjithë programi do të shpaloset për publikun duke filluar sot, nga data 13 deri më 20 gusht.

Etno Fest në faqen e tyre zyrtare tashmë kanë shpalosur programin zyrtar të edicionit të 13-të.

Linku: https://www.etno-fest.com/Programi.html

Historiku i Festivalit ‘EtnoFest’

Çdo gjë fillon në vitin 2009 kur në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi “Gomarët e Kufirit” ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të fshatit të braktisur e blen një shtëpi, rrënojë dhe e fton shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I magjepsur me bukurinë e këtij fshati Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilat janë me gurë, ndërsa shtëpia e vjetër që përdoret si ahur për vitin 2010 do të kthejë në Etno Teatrin e parë në Kosovë, ku me 26 maj 2010 do të jepet premiera e shfaqjeve “Dardha pas bunarit” e Arta Arifit, në regji të Iliriana Arifit. Rregullimi i oborrit, duke e respektuar reliefin kodrinor, imponuan krijimin e kaskadave të cilat i dhanë dhe idenë e ndërtimit të një amfiteatri të ardhshëm në të cilin në shtator të vitit 2011 do ta mbushë ngjarja më e madhe kulturore Etno Fest, festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. / KultPlus.com