Kur Enver Hoxha dhe pionerët shqiptarë i këndonin Kosovës (VIDEO)

Është ndër videot e rralla nga një epokë e vështirë diktature për shqiptarët ku qendrën e vëmendjes e ka pikërisht Kosova dhe Shqiptarët e Kosovës.

Bëhet fjalë për videon e cila mbetet në arkivë nga koha e diktaturës komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha.

Në këtë video shihen të rinjë pionerë nga Shqipëria teksa ia thojnë një kënge që bën fjalë për një prej betejave epike, atë të Kaqanikut.

Në këtë video përveç fëmijëve këndon edhe njeriu që mbajti të izoluar Shqipërinë për 40 vite.
https://www.youtube.com/watch?v=4a5yMBR3m9o

33 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij, transmeton KP.

Shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, kurse më 11 prill 1985 ai ndërron jetë.


Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, karakterizohet me akuza dhe mbështetje, derisa një palë e shohin si hero, pala tjetër e akuzojnë për eliminime të kundërshtarëve politikë, dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe sigurimi i shtetit./ KultPlus.com

20 shkurti dhe rënia e bustit të Enver Hoxhës, del foto e papublikuar më parë

Rënia e bustit të Enver Hoxhës nuk mund të harrohet nga asnjë nga ata që ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 ishin në shesh, por dhe të tjerë që e panë nga televizioni.

Sot historiani Kastriot Dervishi ka nxjerrë një foto të re nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku duket edhe makina e tipit “Ifa” duke tërhequr bustin e ish diktatorit komunist.

Pamje e sheshit “Skënderbej” pak çaste para rrëzimit të shtatores së diktatorit. Makinat tip “Ifa” që shihen në foto janë të parkut të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me njërën prej tyre (të shënuarën me vijë të kuqe), pasi u rrëzua, u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit.

Telegrami i Enver Hoxhës nga Beogradi: Organizoni një pritje e manifestim madhështor me flamurët tanë e të Jugosllavisë (FOTO)

Historiani dhe ish-kreu i arkivës në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar për herë të parë një telegram që kishte dërguar Enver Hoxha gjatë qëndrimit të tij për një vizitë në Beograd, shkruan KultPlus.

Përmes këtij telegram diktatori informon se së bashku me të në Shqipëri do të vinte edhe Tito. Në këtë letër ai i shkruante zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, duke i dhënë udhëzimet të cilat duhet të ndiqen për një pritje madhështore.

KultPlus po ju sjellë të plotë këtë dokument që historian Dervishi e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’:

1946/Telegrami i diktatorit tonë nga Beogradi

Më 23 qershor – 2 korrik 1946, kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha vizitoi Jugosllavinë. Në përfundim të vizitës, më 1 korrik 1946, pra disa orë para mbërritjes në Shqipëri, i dërgon një telegram zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, të cilin e udhëzon për masat që duhet të marrë në këtë pritje. Hoxha ka tejkaluar se tepërmi detyrat komunale e bashkiake teksa porosit mënyrën e pritjes dhe parullat që duhen hedhur. Ja telegram i datës 1 korrik 1946:

“Nesër në mëngjes nisemi me aeroplan në ora 8. Organizoni një pritje e manifestim madhështor. Autoritetet më të larta, e qeveria të dalin për të na pritur në aerodrom. Populli të dalë me shumicë. Qyteti të zbukurohet me flamurët tanë e Jugosllavisë. Bëni çmos të punohet tërë natën që të bëni flamuj të Jugosllavisë e Shqipërisë e t’i mbajë populli në duar. Përgatitni mikrofona dhe megafona dhe unë do të flas shkurt gjatë manifestimit. Përgatitni parulla të shkruara dhe parulla që duhet të hidhen nga populli. Përveç parullave të tjera të zakonshme të ketë edhe parulla si “Rroftë marrëveshja midis popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë”, “Rroftë mareshali Tito”; parulla të shkruara “Tirana-Beogradi”, të thirret “Enver-Tito”, të bëhet parulla rreth ushtrisë sonë si dhe ushtrisë jugosllave: “Rroftë vëllazërimi i ushtrisë kombëtare shqiptare dhe i ushtrisë heroike jugosllave”, “Rrofshin popujt heroikë të Jugosllavisë”. Sa më shumë parulla mbi miqësinë tonë me Jugosllavinë. Në aeroport të vinë automobilat më të mirë për të na marrë, veçanërisht të vinë ato që janë të hapura”, shkruhet në këtë letër./ KultPlus.com

National Geographic shkruan për bunkerët e Enver Hoxhës: Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë (FOTO)

National Geographic ka publikuar një artikull mbi bunkerët ushtarakë të ndërtuar nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha.

“Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë ushtarakë”, është titulluar artikulli nga National Geographic, që sjell pamjet e sotme të këtyre bunkerëve të shpërndarë nëpër territorin shqiptar, transmeton Koha.net.



“Numri i saktë i bunkerëve ushtarakë të shpërndarë anembanë Shqipërisë është një çështje për t’u diskutuar. Varësisht së kënd e pyesni, raporti sillet nga 175,000-750,000 të strofullave të mbushur me çimento e çelik, që kanë për qëllim të mbrojnë këtë vend në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore. Kabinat në formë të kërpudhave u ndërtuan në Luftën e Ftohtë, në vitet 1970-80, nga një regjim me paranoja”, shkruan National Geographic.


“Kjo ishte atëherë. Sot, tre dekada nga komunizmi i diktatorit Enver Hoxha, që sundoi nga 1944 deri më 1985, qytetarët shohin bunkerët e përhershëm si përkujtues të dhimbjes nga e shkuara e vështirë. Sidoqoftë, shqiptarët, të shkathët nga natyra, po ndërrojnë skenarin, duke u dhënë jetë këtyre objekteve përmes restoranteve, bareve, kafeve, madje edhe muzeve”, vazhdon artikulli për bunkerët.
Më poshtë mund të shikoni fotografitë e bunkerëve, të përzgjedhura nga National Geographic./KultPlus.com

Bunkerët e Shqipërisë komuniste po marrin tjetër formë të përdorimit

Pronari i një hoteli në Shqipëri, Kujtim Roçi, asnjëherë nuk do ta harrojë vitin 1992. Ishte viti kur djali i tij i madh Elesio u lind dhe koha kur ai nisi një biznes të vogël afër plazhit në qytezën bregdetare të Golemit.

Pak kohë pas rënies së komunizmit, Roçi vendosi që t’i transformojë në bar bunkerët në plazhin e Golemit me qëllim që të bëjë para për të kaluar kohët e vështira. Derisa shumë miq të tij qeshën me këtë ide, biznesi shumë shpejt nisi të rritej. Bari më pas u bë restorant, i cili më pas u rrit në hotel të madh të ndërtuar rreth bunkerëve dhe mori emrin e djalit të tij të madh.

“Kjo copë betoni më bëri ai që jam sot”, ka thënë Roçi, derisa ka treguar një pjesë të bunkerit që ende shihet nga hyrja e hotelit, transmeton “Koha Ditore” një reportazh të Euronews. Bunkeri të cilin Roçi e zhvilloi në biznes është vetëm një prej mijëra të tillëve që ndodhen në mbarë Shqipërinë – një mbetje e qëndrueshme e epokës komuniste.

Nga frika e pushtimit nga të huajt, lideri shqiptar komunist, Enver Hoxha, kishte urdhëruar që të ndërtoheshin 173 mijë e 371 bunkerë në mes të viteve 1975 dhe 1983, që shqiptarët të fshiheshin dhe të luftonin nga aty. Sidoqoftë, sulmet e tilla kurrë nuk ndodhën. Në fakt, vetëm atëherë kur shqiptarët si Roçi i kthyen bunkerët në bare të plazhit, restorante, depo, kolibe për qentë dhe muze, atëherë ata hynë në përdorim. I ndërtuar për Hoxhën dhe asistentët e tij, kompleksi i fshehur është bërë hapësirë kulturore ku zënë vend ekspozita, performanca dhe koncerte. Tani tërheq shumë turistë dhe rangohet si atraksioni numër një i Tiranës në “TripAdvisor”.

Pas suksesit të operatorit “Bunk’Art”, asociacioni shqiptar “Qendra Ua” hapi një tjetër muze të quajtur “Bunk’Art2” në qendër të Tiranës në nëntor të vitit 2016. Lokacioni i muzeut të dytë është ish-bunker nuklear që i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Bunk’Art” thotë se është një prej dëshmive më të mira të projektit për “bunkerizim” të Hoxhës. Sidoqoftë, ndërtimi i një hyrjeje në formë të kupolës në muze ishte vonuar për shkak të protestave politike kundër asaj që disa e quajtën si “nostalgji për kohët e kaluara të dhunshme”. Për të luftuar këtë perceptim dhe për t’i përdorur bunkerët për një Shqipëri moderne, disa artistë vendorë po ashtu i kanë përdorur bunkerët për të promovuar mesazhe për pozitivet dhe prosperitet.

Projekti “Treffpunkt Bunker” i udhëhequr nga një grup i studentëve gjermanë, të mbledhur disa herë me artistët shqiptarë të cilët ngjyrosën dhe ridizajnuar pjesë të ndryshme të bunkerit në një kodër të Tiranës, është një prej tyre.

“Edhe pse kishte aq shumë trishtim dhe vuajtje në atë kohë, njerëzit prapë gjenin mënyra për të shijuar jetën dhe doja që të ruaja kujtimin tim të asaj kohe”, ka thënë një prej artistëve, Stela Sulioti, e cila qëllimisht ka përdorur vetëm ngjyra të lehta në dizajnin e saj.

Arkitekti Arnen Sula për një kohë të gjatë ka eksploruar mënyra të ndryshme të ripërdorimit të bunkerëve, prej sallave të tatuazheve e deri te strehimoret e kafshëve. Ai thotë se disa bunkerë, të cilët janë dëmtuar dhe shkatërruar pas kolapsimit të regjimit komunist, duhet të lihen në atë mënyrë.

“Tregon zemërimin që njerëzit kishin me të kaluarën tonë komuniste dhe vështirësitë tona ekonomike, pasi që ata morën gjithçka që mundën prej tyre, duke filluar nga orenditë, kabllot elektrike, materialet për filtrimin e ajrit apo edhe tullat”, ka thënë ai. Por Sula mendon se bunkerët që ende janë në gjendje të mirë mund të ndihmojnë në ekonominë e vendit duke u transformuar në zona të brendshme të blegtorisë, dhoma të ftohjes, kinema, hotele, hapësira për ekspozim dhe punëtori të ndryshme.

“Do të rriste numrin e punësimit, do të përkrahte turizmin dhe do të gjeneronte kushte ekonomike për rajonet ku bunkerët janë të vendosur”, ka shtuar ai./ KultPlus.com

Si Sali Berisha dhe Fatos Nano u caktuan nga Ramizi me Nexhmijen

Dje, në një aktivitet shkencor me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Atë Zef Pllumit, pas disa kumtesave mjaft interesante, u promovua edhe vepra e plotë e Atë Zef Pllumit. Mes librave të tij, ishte edhe “Siç thonim dje” ku, nga faqja 266 e saj jepet një tregim satirik ku tregohet si u krijua pluralizmi në Shqipëri.

Pasi Ramiz Alija u kthye nga Amerika, ai shkon e takon Nexhmie Hoxhën dhe i thotë:
[Ramizi]-Ndigio Nexhi, kur kjeçë atje, ata miqtë tanë më këshilluen mos me ndjekë Çausheskun, por me ba edhe na si gjermanët e Aoenackerit.

[Nexhmija]-Jo, ma mirë po bajmë si Kim Ir Seni i Koresë: po largohemi na e po ua lëshojmë djelmve tanë,… Si të duket? Po vem djalin tem të madhin e djalin tand, sepse atë të voglin e kam të pandigiushëm. Ka marrë për gru nje kaurreshë që nuk ma don kurrsesi hero Haxhi Qamilin… Si thue?

-Jo moj jo. A e din si asht puna: me vue dy djemtë tanë, na çohen kundra shoku Haxhi, Babë Myslymi e të gjithë shokët e tjerë që i kanë djemtë ma besnikë.

-Mirë e ke shoku Ramiz. Kam nji djalë aty në Institutin e Studimeve marksiste – leniniste që nuk e ka shokun; quhet Fatos e asht taman fatos i Enverit, e njof mirë se ai emnin e kishte Foto, por shoku Enver e njofti mirë e ia suell Fatos. Ai i redakton shkrimet Enverit e i ban aq të bukura, sikur i përket njaj klasiku të vërtetë. Mendoj se edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës po t’emnohet e kryen me nder detyren.

-E njof, e njof mirë; tamam e ke gjetë. Ma mirë ta ngarkojmë atë si kryesor. Sa për të dytin, po ta gjejë vetë: asht nji djalë guximtar nga Tropoja. E kemi doktor të specializuem në Francë. Sali Berisha quhet.

-E njof, e njof edhe unë Salen se ishte në atë ekipin e mjekëve të Enverit. Por a të ndigjon se më kanë thanë se baba i nuses së tij ishte argat i UDB – së Jugosllave.

-Aq ma mirë, sepse kështu gjurmët tona nuk i dikton Europa, as Amerika.

-Hajt pra; futju sa ma parë e ta marrin vesht Europa, Amerika e tanë bota.(Shkruan Konica.al)./ KultPlus.com

Ja si e ndryshoi regjimi i Enver Hoxhës tekstin e këngës së famshme shqiptare

Në kohën e Enver Hoxhës, çdo krijim duhej ti nënshtrohej kërkesave të asaj periudhe, andaj, edhe këngët cungoheshin deri në atë masë që shpeshherë deformoheshin nga origjinalja, shkruan KultPlus.

Kënga e famshme “Kur perëndon dielli”, me tekst të Zef Lekajt e muzikë të Leonard Dedës, është një ndër këngët që ka pësuar ndryshime.

Leon Lekaj, djali i Zef Lekajt, ka publikuar versionin e parë të kësaj kënge, që për dhjetëra vite është kënduar me versionin ashtu si e ka kërkuar koha.

Më poshtë keni tekstin si është kënduar kjo këngë, strofa e dytë në anën e djathtë, është teksti se si kanë ndërhyrë në periudhën e komunizmit.

Kur perëndon dielli (origjinali)
-1-
Mbeta gjithë ditën hijeve
Se m’than nën hije rri
Etjen e shova krojeve
Krojeve ku pin ti
Flaka ju raft-o hijeve—————-E mira u raftë o hijeve
Qi s’mujtën me m’freskue——- Qi mujtën me m’freskue
Turbullt asht uji krojeve————I kjart asht uji krojeve
Se etjen s’ma kan shue————Qi etjen ma kanë shue
refreni
Po t’jemi bashk’ ne të dy
Do t’na shikjojn me zili
E do t’na flasin në sy
Sa duhemi un’ e ti. / KultPlus.com