EXPOART.40 ka njoftuar se do të fillojë me aktivitetet e saj MasterClass dhe Workshop të dedikuar për artistët e rinj.
Në njoftim thuhet se MasterClass dhe Workshopi do të ofrojnë një platformë për artistët e rinj për të ndarë idetë dhe përvojat e tyre, duke u fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive artistike dhe promovimin e dialogut ndërkulturor. Programi është konceptuar për të ofruar një eksperiencë të pasur edukative, e cila përfshin ligjërata nga ekspertë të fushës, diskutime, dhe krijime artistike.
Ky projekt synon të forcojë lidhjet ndërmjet artistëve dhe komuniteteve të ndryshme, duke i dhënë rëndësi zhvillimit të artit bashkëkohor në Kosovë.
Në përfundim të Workshopit, punimet më të mira do të përzgjidhen nga kuratori për t’u ekspozuar në një ekspozitë prestigjioze që do të mbahet në Greqi gjatë muajit shtator 2024.
“Ne jemi të përkushtuar të sjellim përpara talente të reja dhe të ndërtojmë ura të forta komunikimi përmes artit. Ftojmë mediat dhe publikun e gjerë të na bashkohen dhe të ndjekin këtë ngjarje të rëndësishme artistike”, thuhet në njoftim.
EXPOART.40 është mbështetetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Komuna e Prishtinës. Këto aktivitete do të zhvillohen nga data 19 deri më 23 gusht 2024 në Rezidencën 17, Prishtinë./ KultPlus.com