Era Berisha
Ambienti në KultPlus Caffe Gallery edhe mbrëmë si çdo herë u shndërrua në shtëpinë e dytë të artdashësve dhe jo vetëm. Ishin meloditë muzikore ato të cilat thumbonin atmosferën nga çasti në çast, melodi këto të cilat vinin nga përgatitjet për promovimin e albumit “Epikë” nga këngëtari i njohur, Naser Berisha, e që të njëjtat përplaseshin në katër anët e hapësirës duke paralajmëruar për një mbrëmje krejtësisht të veçantë e mjaft të ngrohtë mes të pranishmëve, shkruan KultPlus.
Fillimisht, pak para se ora të shënonte 19:00, një numër i madh i të pranishmëve veçse kishte kapluar hapësirën në një masë të madhe dhe ende pa filluar mbrëmja zyrtarisht, fotografitë, bisedat dhe buzëqeshjet e sinqerta tashmë kishin filluar të krijoheshin. Në ndërkohë, artistët që kishin edhe kohë pa u parë mes vete, shfrytëzuan hapësirën në KultPlus Caffe Gallery për të qenë të rrethuar rreth pikturave abstrakte të artistit Sadri Morina e për të bashkëbiseduar tutje.
Dashuria e mirësia, ishin këto dy ndjenja që fuqishëm po rrezatonin gjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi kishte arritur deri në kupë të qiellit për të dëgjuar sa më shpejt këngën brilante ‘Epikë’ të Naser Berishës, kënga e katërt e albumit “Epikë”.
Pas kësaj pritjeje të lezetshme, drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.
“Faleminderit Naser për këtë bashkëpunim të radhës dhe faleminderit të gjithë të pranishmëve që keni gjetur kohë për të ardhur e dëgjuar rrëfimin e Naserit rreth albumit të tij të fundit. Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e që ka filluar nga muaji janar, fillimisht me hapjen e ekspozitës së artistit Sadri Morina, e tani që po vazhdojmë me promovimin e albumit të Naserit”, thotë Pajaziti.
Në ndërkohë, fjalën e mori edhe këngëtari Naser Berisha, i cili së bashku me moderimin e Vlora Merovcit, ata zhvilluan një bashkëbisedim rreth albumit “Epikë”, album ky që vjen pas 16 vitesh pas publikimit të albumit të tretë.
“Kjo është kënga e tetë, pra kënga e fundit e albumit që po promovohet sonte me ç’rast po përmbyllet një cikël që ka filluar në muajin shkurt të vitit të kaluar. E kisha filluar pikërisht me këngën ‘Himni i Nënës’, që është një dedikim për nënën time, e cila që 31 vite më nuk është në mesin tonë. Pastaj vazhdova gjatë gjithë vitit duke i publikuar pothuajse çdo muaj nga një këngë dhe pikërisht një vit më pas edhe u publikua kënga e fundit duke u bërë kështu sonte edhe promovimi i albumit në tërësi”, thotë Berisha.
Sipas tij, kënga ‘Epikë’ është një këngë e veçantë për të për arsye se teksti i këngës është shkruar nga Rexhep Selimi, i cili për momentin gjendet padrejtësisht në burgun e Hagës, së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe në njërën anë ai e ka respektuar Berishën duke ia dhënë tekstin në mënyrë që t’i krijohet muzika, ndërsa në anën tjetër konsiderohet se ka qenë një siklet i madh për Berishën se a do të plotësonte pritshmërinë e tij që e ka pasur.
“Jam munduar që këngën ta bëjë diçka të veçantë dhe jashtë konturave të cilat janë mësuar njerëzit t’i dëgjojnë në këngët e mija. Për atë arsye edhe kam përdorur Korin, harkore e shumë instrumente në këtë këngë”, shpalos Berisha.
Përgjatë kësaj mbrëmje të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Naser Berisha ka punuar që nga janari i vitit të kaluar, dhe ku përgjatë kësaj periudhe ka realizuar gjithsej tetë këngë.
Në albumin “Epikë”, katër këngë janë në autorësi të Naser Berishës, katër tekste, katër orkestrime, si dhe bashkautorë në dy këngë, në muzikë dhe tekst. Si producent muzikor dhe audio inxhinier në Mix dhe Master të këtij albumi, Naser Berisha përpos tetë këngëve të reja, ka përfshirë edhe si ‘bonus track’ dy hitet e pa vdekshme “Do te doja“ dhe “A me kujton“, këngë këto të riregjistruara përgjatë vitit 2021, në versionin akustik.
Këngët e këtij albumi pra sjellin si tematikë dashurinë, sikurse që ka të përfshirë edhe këngën ‘Himni i Nënës’, dedikim për nënën e tij, me rastin e 31 vjetorit të vdekjes së saj, pastaj kënga ‘Kohë’ për jetën e pa brenga të fëmijërisë së tij, atëherë kur telefonat nuk kishin ekzistuar dhe ishin lojërat e ndryshme ato të cilat zunë vend në kujtimet e tij.
Albumi “Epikë” ka marrë titullin nga kënga e katërt e këtij albumi, ku muzikën e ka realizuar Naser Berisha, orkestrimin Florent Boshnjaku, Valon Gashi në kitarë, kurse kjo këngë është realizuar me tekst të Rexhep Selimit, njërit prej themeluesve të UÇK-së, i cili këtë tekst e ka shkruar gjatë kohës së luftës.
E kjo punë një vjeçare e tij rreth albumit “Epikë” që mbrëmë po promovohej, solli aq shumë emocione të bukura, sa që nuk kishte mundësi tjetër përpos që të lëshohej edhe kënga ‘Epikë’, për të përmbyllur kështu suksesshëm ciklin e tij të këngëve të këtij albumi të jashtëzakonshëm që vjen për publikun pas plot 16 vjetëve që nga publikimit i albumit të tij të tretë.
Me sy e veshë të koncentruar drejt ekranit të vendosur para të pranishmëve, doli edhe kënga ‘Epikë’, këngë kjo që qysh në sekondat e parë, hyri në mendjen, trupin dhe shpirtin e njeriut. Me një videoklip tejet të realizuar bukur dhe stilin e tij të njohur, erdhi gërshetimi i melodive dhe tingujve që buçonin në tërë hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, e që pothuajse donte të dilte edhe jashtë derës për të kapur yjet në qiell, njëlloj sikurse ylli i ulur poshtë mbrëmë; kënga ‘Epikë’.
Pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve që duket se nuk kishin të ndalur në kuadër të publikimit të këngës dhe sikurse koha të mos kishte kaluar fare, këngëtari Naser Berisha doli në skenë me një siguri e besim në vetvete për të kënduar dy hitet e tij “Do të doja” dhe “A më kujton”, në versionin akustik.
Si në një rikthim në kohë, Naser Berisha i solli para publikut këto këngë që po buronin fuqishëm nga zemra e tij, një zemër kjo që në vete ngërthen dashurinë pakushte për muzikën. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me talentin e tij që fuqishëm nxori në përfundim se ai talent e pasion për këngën, nuk është tjetërsuar aspak.
Pena e tij për të shkruar tekste të mrekullueshme, mbetet edhe sot po aq e njëjtë, teksa mbrëmë ajo penë po shkrihej tërësisht në melodi nën ajrin e mbushur me ngrohtësi shpirtërore dhe dashamirësi të mirëfilltë.
Tutje, Naseri me një buzëqeshje që nuk po i hiqej as edhe për një moment, me karizmën dhe harenë e tij të poseduar, përgjatë mbrëmjes vazhdoi të nënshkruajë autografe të shumta në albumet që ai i dhuroi për të gjithë të pranishmit. E ndërkohë ishin shkrepjet e fotografive që në një vallëzim me muzikën, zunë dalëngadalë vendin e tyre për të krijuar një atmosferë të rehatshme për biseda e nga një gotë verë mes miqve që vazhduan deri në orët e vona të natës.
Kujtojmë se koncerti i parë live i paraparë për albumin “Epikë” vjen më 19 shkurt në Rockuzinë, natyrisht me instrumente elektrike. Ndërsa, tanimë të gjithë fansat e tij mund ta sigurojnë albumin nëpërmjet platformave të ndryshme.
Kjo mbrëmje është mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ku që nga muaji janar është duke mbajtur mbrëmje të ndryshme promovuese, mbrëmje këto që po realizohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Eventi është sponsorizuar nga Uji Rugova. / KultPlus.com