Epitafi i Gllavenicës, i treti në Europë për nga rëndësia në llojin e vet

Muzeu Historik Kombëtar publikoi online një nga elementet më të vyer të fondit të tij, të njohur si Epitafi i Gllavenicës. Pëlhura e qëndisur me fije ari dhe argjendi është gjetur në Ballsh.

Në të paraqitet Krishti i shtrirë në varr. Epitafi përdoret në shërbesën e të Premtes së Madhe dhe sipas traditës, nxirret përreth kishës në përkujtim të varrimit të Krishtit. Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar, në afërsi të Ballshit. Gjatësia e epitafit është 211 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm.

Fjala epitaf vjen nga greqishtja bizantine dhe do të thotë “përmbi-varr” ose siç mund të thuhet ndryshe “mbulesë-varri”.

Epitafi i Gllavenicës është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi, i cili gjendet i qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit që paraqitet i pajetë.

Epitafi i Gllavenicës është unikal dhe është vlerësuar si i treti në Europë për nga rëndësia në llojin e vet. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishëm në Muzeun Historik Kombëtar. / atsh / KultPlus.com

Epitafi i Gllavenicës dhe historia e tij mbresëlënëse

Më 22 mars 1373, përfundoi qëndisja e veprës “Epitafi i Gllavenicës”, që është një nga objektet më të rëndësishme të besimit ortodoks që është ruajtur dhe ka ardhur deri në ditët tona. Ky Epitaf është një kryevepër e artit mesjetar shqiptar që për rëndësinë e saj i tejkalon kufijtë shqipfolës, shkruan KultPlus.

Epitafi është një ndër tre vepra të këtij lloji në botë. Në qendër të tij konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj. Përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit.

Mbi të është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”.

Mendohet se Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Thuhet se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballash, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë.

Në këtë “ikonë të qëndisur” me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuanacat përkatëse. Ai, së bashku me disa objekte të tjera të MHK-së, si ikona e objekte që i takonin pavijonit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u grabitën në vitin 1995 dhe u rigjet, ose më saktë u rikthye një vit më vonë, në vitin 1996.

Në vitin 1974 u kërkua nga Franca për një vlere prej 2.4 milion dollarë./ KultPlus.com