Presidentja Osmani: Epopeja e Dukagjinit, flakadan i lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kanë qenë në Gllogjan për të kujtuar dhe nderuar Epopenë e Dukagjinit.

“Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka shtuar se përulen para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë.

“Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!”, ka shtuar Osmani në fund./KultPlus.com

Presidentja: Epopeja e Dukagjinit, një nga ngjarjet më heroike të luftës së UÇK-së për lirinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit.

Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani:

Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme.

Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet.

Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike.

Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim! / KultPlus.com

Fillon shënimi i “Epopesë së Dukagjinit”

Me disa aktivitete në Gllogjan, sot fillon shënimi i “Epopesë së Dukagjinit”.

20 vjet më parë në Gllogjan të Deçanit filluan luftimet frontale mes luftëtarëve të UÇK-së dhe familjes Hardinaj kundër forcave pushtuese, të cilat më 24 mars 1998 kishin rrethuar Gllogjanin, e që synim kishin familjen e Hilmi Haradinajt, babai i të katër gjeneralëve të UÇK-së Luan, Shkëlzen, Ramush e Daut Haradinaj. Luani dhe Shkëlzeni kanë rënë dëshmorë.

Aktivitetet e sotme nisin nga ora 09:00 në Shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit” të Gllogjanit.

Në ora 13:30 në Sallën e Asamblesë së Komunës së Deçanit mbahet akademi për shënimin e 20-vjetorit të Epopesë.

Aktivitete për shënimin e Epopesë do të ketë edhe më 23 dhe 24 mars./ KultPlus.com