Presidentja Osmani për Epopenë e UÇK-së: Testament i qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë

Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

Presidentja Osmani ka reaguar në ditën që fillon epopeja, duke u shprehur se ajo është testament i sakrificës së popullit tonë.

Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë!”, ka shkruar Osmani.

Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

Në fakt, sot bëhen 27 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re./KultPlus.com

“Epopeja e UÇK-së” sot përmbyllet me ‘Natën e Zjarreve’

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi më 5 mars, do të përfundojnë sot.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.

“Nata e Zjarreve’, do të mbahet edhe në Prishtinë. Ky është viti i dytë që Kryeqyteti e shënon Epopenë e UCK-së, për të vazhduar kështu traditën e përkujtimit të luftës dhe sakrificës së njerëzve tanë për liri”, njofton Komuna e Prishtinës.

Ndryshe dje dhe pardje me aktivitete u shënua 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Kurse dje Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancë në shënim të ‘Epopesë së UÇK-së, si dhe u mbajt një Akademi Përkujtimore./ KultPlus.com

25 vjet nga beteja historike në Prekaz, sot nis Epopeja e UÇK-së

Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila i mori jetën familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz.

Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila i mori jetën familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz.

Sulmi mbi Jasharët nisi rreth orës gjashtë të mëngjesit, kur forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga të gjitha drejtimet. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigjja e Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Pasi iu vra gruaja dhe disa fëmijë në ditën e parë e të dytë të betejës, data 7 mars 1998 do të shënonte rënien e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

23 vjet nga sulmi në familjen Jashari, sot nis Epopeja e UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Ndërsa më 7 mars bëhen 23 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballaknit, Sllobodan Millosheviq.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës dhe më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Sot në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore i kushtohet Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Gjithashtu, në këtë ditë shfaqen aktivitete nëpër rrjete sociale të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Në orën 09:00 mbahen seanca solemne nëpër të gjitha Kuvendet Komunale, ndërsa do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz në nderim të sakrificës së familjes Jashari. Në orën 11:00 hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Prishtinë. Në ora 12:00 mbahet Parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, ndërsa në ora 18:00 turniri në futsall në Prishtinë. / KultPlus.com