Erdogan ka dalë kundër artistëve, pasi nuk duron asnjë kritikë, as kur ajo vjen prej artistëve me bindje konservatore. Kundëgoditjet bëhen të ashpra, kur atij i duhet të heqë vëmendjen e opinionit nga problemet politike.
Armiqësia e fundit verbale tingëllon zbavitëse. Artisti 72 vjeçar, Rutkay Aziz i rekomandoi Recep Tayyip Erdoganit që: “Presidenti i shtetit duhet të dëgjojë një herë Moxartin dhe Bethovenin. Mbase do t’i bënte mirë.”
Dhe meqenëse presidenti refuzon pirjen e alkoolit, gazetari Yilmaz Özdil shkruajti në editorialin e tij për gazetën nacionalisto- kemaliste “Sözcü”: “Sikur Tayyip Erdogan të pinte vetëm një birrë, Turqia do i kishte punët sot shumë më mirë.”
Për këto dy rekomandime, Erdogani reagoi ditën e martë (8.01)pa humor në fjalimin e mbajtur para deputetëve të AKP: “Të detyrosh të pijë birrë dhe të dëgjojë Moxartin presidentin e shtetit, karakteri dhe qëndrimi i të cilit janë të qarta, nuk është gjë tjetër veç epitomi e fashizmit.”
Erdogan: “Epitomi e fashizmit”
Rutkay Aziz reagoi në televizionin turk Arti TV, që transmeton në ekzil, nga Këlni. Ai tha se nuk i dha asnjë këshillë Erdoganit. “Mua më thanë se Erdogani do të shkojë në një koncert të pianistit me famë botërore, Fazil Say. Dhe më pyetën çfarë mund të them për këtë? Unë iu përgjegja: Kjo do ishte shumë mirë. Atje ai do të dëgjojë Moxartin dhe Bethovenin. Kjo do t’i bënte mirë.”
Aziz nuk mund ta kuptojë pse Erdogani e quan fashist: „Nuk mund të kuptohet çfarë ka të bëjë kjo me fashizmin. Jam unë fashist apo është Mozarti fashist? Nëse është ky i fundit, atëherë unë them se Moxarti duhet mbrojtur në emër të njerëzimit.” Azizi thotë se rasti për të është i mbyllur. Për DW ai tha se: „Unë i kam vënë pikë kësaj historie dhe nuk dua të flas më për të.”
Hetime për “fyerje” dhe “nxitje të situatës”
Aktorja Deniz Çakir u kthye në objekt sulmesh të Erdoganit, pasi hapi një beteje fjalësh për gratë me perçe. Gazetat e afërta me qeverinë raportuan për këtë. Presidenti i shtetit akuzoi Çakirin se i ka kërkuar grave që mbulojnë kokën me shami të shkojnë në Arabinë Saudite. Edhe një herë Erdogani kujtohet se:„ky është fashizëm i gjallë. Kjo është ideologjia e Partisë Republikane CHP”. Partia socialdemokrate dhe kemaliste CHP, është partia më e madhe opozitare në Turqi.
Prokuroria është duke zhvilluar hetime kundër Deniz Çakirit për „fyerje”. Ekziston mundësia që rasti të ketë qenë i ndryshëm nga ajo që Erdogani dhe prokuroria pretendojnë të jetë. Në twitter Çakiri thotë se „ajo që i prezantohet publikut nuk ka të bëjë me të vërtetën.”
Skena kulturore u trondit edhe me një rast tjetër një javë më parë. 76 vjeçari Müjdat Gezen dhe 78 vjeçari Metin Akpinar janë dy aktorë legjendë në Turqi. Filmat e tyre dhe shfaqjet teatrale vlerësohen edhe nga të majtët edhe nga konservatorët. Ata të dy janë distancuar nga politika aktuale qeveritare. Në stacionin televiziv opozitar Halk TV ata kanë kritikuar Erdoganin. Erdogani i quajti ata të dy „aktorë që do të donin të ishin aktorë”.
Aktorët kërkojnë më shumë demokraci
Por Müjdat Gezen dhe Metin Akpinar nuk janë vetëm duke u vënë në lojë nga presidenti. Kundër tyre po zhvillohen hetime me akuzën: „Fyerje e presidentit të shtetit, kërcënime me puç dhe vrasje.”
Pas marrjes në pyetje dy aktorët u lanë fillimisht të lirë me kusht. Ata nuk lejohet të dalin nga Turqia, prandaj pasaportat e tyre u mbajtën nga autoritetet dhe një herë në javë ata duhet të paraqiten në polici. Prokuroria prezantoi këtë javë një raport hetimor për „nxitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër qeverisë së Republikës së Turqisë.”
“Nxitje e një kryengritjeje të armatosur?” Çfarë kanë bërë dy aktorët?
“Rruga e vetme me të cilën ne mund të kapërcejmë polarizimin dhe kaosin, është demokracia”, kjo ishte çfarë tha Akpinar në emisionin “Volksarena”. “Nëse ne nuk jemi në gjendje të dalim nga kjo situatë, atëherë ne do të na ndodhë e njëjta gjë si në fashizëm. Udhëheqësi varet prej këmbe, ose helmohet në burg.”
Edhe kolegu i tij Gezen jo vetëm që pati bërë thirrje për revoltë, por kritikoi edhe Erdoganin: „Ai shan këdo që i del përpara, ngre vazhdimisht gishtin dhe thotë se duhet kuptuar ku është kufiri. Unë të them ty, Recep Tayyip Erdogan, se dashuria jonë për atdheun nuk duhet vënë në provë. Ti duhet ta dish ku e ke vendin.”
Erdogan reagoi në mënyrë edhe më agresive. Pse i sulmon ai kaq shumë artistët, ndërkohë që vendi është duke jetuar kohë të trazuara politike dhe ekonomike dhe me shumë probleme, që janë shumë më të rëndësishme se sa kritika ndaj skenës kulturore?
Gülfem Saydan Sanver ka marrë çmimin Pollie për konsultime politike nga Shoqata amerikane për konsultime politike (American Association of Political Consultants). Për të përgjigja për këtë pyetje ka të bëjë me zgjedhjet komunale që pritet të zhvillohen në mars.
Erdogani shfrytëzon polarizimin
Në të kaluarën Erdogan është përpjekur në të gjitha fushatat elektorale që të verë veten në qendër të çdo lloj diskutimi, shpjegon Sanver. “Nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të fundit shohim se polarizimi i shoqërisë që nxitet nga Erdogani, i sjell atij dobi. Goditja publike e artistëve është pjesë e kësaj strategjie.”
Erdogan krijon përshtypjen se rrethet konservatore të shoqërisë janë të kërcënuara. Ai mundohet nga njëra anë që zgjedhësit e tij të bashkohen me njeri tjetrin dhe nga ana tjetër që të pengohet opozita të dërgojë mesazhet e saj në popull. “Përveç kësaj Erdogan kërkon të mbulojë pasojat e krizës ekonomike”, thotë Sanver. “Ai është i vetëdijshëm se atmosfera e frikës i sjell dobi qeverisë aktuale. Sepse një shoqëri që ka frikë, përkrah gjithnjë sistemin ekzistues. Fjalët e ashpra dhe hetimet kundër artistëve lëshojnë mesazhin se kritika ndaj qeverisë ka çmim të lartë.”/DW/KultPlus.com