Poezi nga Lasgush Poradeci.
Sesí m’ju lëndon dashurija!
Sesì m’ju lëndon pa pushim!
O lotët e syve të mija!
O klithmëz e tingëllit t’im!
Ju shoqe të kohës mitare…
Mikesha… motriçka… pa faj!
Ju humbtë në mjegull përfare,
Dh’u solla ndër mënd e po qaj!
As flak’ e shkëndijës q’u shua,
As syri që nxihet e plas,
Nuk lanë-o ju vasha për mua
Vuratat e errëta pas:
Haj! flutur e zënë me duar
Një flutur sicila prej jush,
Më la në gishtrinj dyke shkuar
Pluhùrin që ndrin posi prush…
Sot çela pëllëmbën e dorës
Q’ u çiku gazmore dikur –
Si pah verbimtar i dëborës
Së-rish po më ndrin një pluhúr…
Përse nuk m’u shojte përherë,
Të hesht të pushoj për kurdo,
Ti mall që nër to pate lerë
Dh’u rite dh’u ndrite nër to!
Ju shoh përtej mjegullës s’uaj
E shpirtin prej jush e kam plot,
Pa s’mund si t’a them, si t’a shuaj
Ah! këngën e mbushur me lot.
Së koti-u larguat mënjanë,
Më vajttë më kot aqe larg,
Kur sumbullat lot që më ranë
Si ruázat i shkova në varg…
Dh’i ndrita me syrin e fshehur…
Dh’i vela me zërin mitar…
Dh’i skuqa me buzën e dehur…
Me shpuzën e flogut si ar…
Oji! trëndelin’ e venitur
Ju fali gjith erën e saj… –
Pse rreh kaq me hov të çuditur,
Haj! zemëra ime ti haj?…
Ju lule q’u leu parëvera,
Dh’u çika me gas një mëngjes!…
Së largu prej jush më ra era,
E desha prej mallit të vdes! / KultPlus.com