“Trekandshi” është iniciativë artistike përmes së cilës përzgjidhet puna e tri projekteve muzikore të zhvilluara nga Erëmira Çitaku. “Trekandshi” parasheh krijimin e një realiteti audio-teatral e muzikor përmes efekteve elektronike, natyrës origjinale të flautës, zërit, instrumenteve të ndryshme dhe teksteve të përzgjedhura. Qëllimi kryesor i projektit është inkuadrimi i teknologjisë së re muzikore në veprat e apostrofuara duke i kombinuar ato me elemente tradicionale, minimaliste por edhe jashtë saj.
Vepra “Hypercreation” si pjesë e parë e kësaj përmbledhjeje nga plani estetik mëton të na teleportojë në një hapësirë mjaft simuluese. Përmes një loje nocionale e cila konkretizohet nëpërmjet artit vizuel, muzikës dhe hologramit, ajo shpërfaq gjendjen e brendshme të dilemës mes realitetit dhe imagjinares, e kjo, mund të shihet si frika nga humbja e realitetit. Pjesët tjera titullohen “Hyperfaith”dhe “HyperLove”, në të cilën përmes lojës me maska artistja rikuptimëson ballafaqimin e brendshëm dhe të jashtëm mbi konceptimin e dashurisë. A është reale apo imagjinare dashuria? Përgjigjja e Erëmirës është e thjeshtë, ajo është Hyperreale.
Pjesa e dytë është përzgjedhje nga projekti “Etno muzikë e re” dhe zhvillimi i materialit komunikon me melosin etno shqiptar, përdorimin e instrumenteve si çiftelia por edhe okarina. Kjo përmbledhje quhet “Eletno” dhe përmban përpunimin e këngës “Hajredin Pasha” si dhe “Ohooja” dhe “Ritmaza”.
Më tutje duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzor në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon pjesa e fundit e albumit të përmbledhur me emrin Trekandshi i cili përfshin gjithashtu materialet e përpunuara nga projekti “Shtëpia e Qenies”; frymëzuar nga filozofi gjerman Martin Heidegger, i cili thotë se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Kjo e intrigoi artisten që ta bëj një ndërtim muzikor duke e ri-formuluar titullimin e mësipërm dhe nga kjo doli konstatimi që “Muzika është shtëpia e qenies”. Bredhje me tingull, matematik, gjuhë, kaos dhe në fund heshtje që paraqiten në pjesët “Ëith us”, “Being” dhe “Ready to”.
Një kontribut të veçantë në muzikë kanë dhënë Liburn Jupolli, Luan Durmishi, Dren Suldashi, audio mix dhe master Dritero Nikqi e Alban Telaku, video Lum Çitaku, 3D modelim Lisian Bajri, Hologram Arvan Berisha, maska Njomëza Luci, zhvillim të konceptit Labinot Kelmendi, aktrim Dren Suldashi e Erleta Morina, fotografi Enisa Kasemi dhe Shenoll Zehri, dizajn Ylber Cërvadiku, kostume Flutura Dedinja – Galeria e Fakultetit të Arteve – Klubi M – Technomarket
Në koncert do të interpretojnë: Erëmira Çitaku – flaut, za, çifteli, okarinë, efekte, Liburn Jupolli – sint & elektronikë, Luan Durmishi – vokal & efekte, Dren Suldashi – kitarë & efekte.
Koncerti mbahet më datë 27 shtator, në ora 20:30 në Kino Armata.
Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /KultPlus.com