“Ejli”, poezia fituese e Orës së Madhe Letrare

Ejlli
(in memoriam Dom Mikelit)

Poezi e shkruar nga Erenestina Haili.

Thirre ejllin tând, kur dita përhimë t’kâ deshë,
bani zâ, se ejlli merr f’tyrën e nânës, bâbës, dheut.
Thirre ejllin tând, kur mushknía t’ka prè n’besë…
Ora pro nobis, ora pro nobis…

Nânë do të jèsë,
Bâbë do të jèsë,
Atdhe do të jèsë.

Bàni zâ ejllit, kur kâmbë e huej, t’shklet mbi koc,
mbi shpinë tanden kryqin kâ lânë shèj,
se lodin tand e mbledh n’ Graal t’fildishtë,
m’u ngíjë sofra e njerzúere e dëshmisë .

Ora pro nobis, Ora pro nobis!
Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.

E kur shkreptima t’rrâhin token nazike zhigâtun
e t’çilet porta nji bârrë dritë,
Ejlli difton krahët, ku rândesa yte, paditunie,
âsht bâ kryq e krane, prej dashnie.
Ora pro nobis, Ora pro nobis!

Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.
Ejlli yt!

Bibulza e Erës

Nëse në letërsinë bashkëkohore shqipe, e cila u krijua në Kosovë, kishim një libër poetik që e kapërcente dhimbjen për humbjen e të birit, siç është “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, sot, letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, e ka një model po kaq të arrirë, librin poetik “Bibulz” të Erenestina Halilit.

Për Erenestina Halilin ky vit qe vit jo vetëm i dhimbjes, por edhe i shpërthimit në krijimtari letrare dhe i përkushtimin në dy fusha të saj ku ajo e ndien veten më mirë: në dramë dhe poezi. Duke qenë njohëse e mirë e dramës, muaj më parë doli me bibliografinë e parë dhe më të plotë të dramës shqipe, nga fillimet e deri më sot. Gjithashtu, në fushë të poezisë vitin e kaluar, libri i saj poetik “Gjâma e erës” u vlerësua jashtëzakonisht nga kritika akademike, në Shqipëri e në Kosovë, për gjetjet e zgjedhjet e motiveve, për gjuhën dhe stilin brilant në frymën e Françeskanëve të mëdhenj, duke e nënvizuar se ‘poezia e saj ka palcë etnie, gjuhë dhe figurë autentike, e cila s’është vetëm varietet gjuhësor, është idiolekt, gjuhë e atësisë, etnotekst (…) një autopoetikë figurale, përtej së cilës shtrihet antropoetika si konfesion i përhershëm, që e ndjek si hije kudo në jetë dhe në letra”.

Dhe, jeta shpeshherë nuk pyet për fatin e letrave. Kur të gjithë menduam se bashkë me fatumin e saj do të pësojë edhe motivimi artistik aq i gjallë në librin e parë, kur të gjithë menduam se do të bien përtokë edhe ‘muzat dukagjinase’, ajo tërë atë histori dhimbjeje (humbjen e birit), e skaliti në figurë letrare, në vargje, të lidhura fort me rrëfimet biblike, mistike, njëkohësisht për të qenë krejt personale e autobiografike. Megjithatë, edhe pse ka një referencë, Librin e librave, ajo shkon edhe përtej tij, duke e shndërruar librin e vetes, ligjërimin e Nanës për të birin, në ligjërim për të gjithë lexuesit që njohin dhimbje dhe ata që lakmojnë vetëm tekstin dhe refuzojnë kontekstin. Prandaj, në çdo tekst, edhe pse bosht ka dhimbjen personale, ajo e tejkalon atë, duke ndërfutur edhe motive e figura të tjera, për të mos tingëlluar si mit e mitizim vetëm i subjektit, por si një dhimbje universale.

Libri mban një titull mjaft përfaqësues për të gjitha tekstet poetike që përmblidhen përbrenda librit. “Bibulz” ka konotacione dyfishe, referencë në kulturë letrare e kulturë besimi, Biblën, dhe bulëzat e ujit si shenja të pikëllimit dhe të ringjalljes përmes shkrimit. Jo vetëm kaq, Erenestina, me strukturën, vargun, gjuhën, sikur iu ka përgjigjur maksimës, se pavarësisht shekujve të tërë të poezisë, përsëri jemi në pikënisje (Bukowski).

Si duket, pas të gjitha këtyre rrëmimesh përbrenda shpirtit të vrarë, por edhe të kultivuar me gjuhë dhe figurë, ky vit e paska gjetur Erën në fillim të fillimit, në vitin zero, për të ardhur në nëntorin e saj. Ka udhëtuar çdo ditë me një frymë shpirti dhe ka gjetur shpëtimin nga zija në shenjtninë e Librat të Shenjtë, në mesazhet e tyre, është ringritur nga aty për ta jetësuar dhimbjen e një viti të vështirë në 160 faqet e këtij libri poetik.

Ashtu si në librin e parë, Era edhe sot dëshmoi se poezia është gjuhë e shpirtit njerëzor, strehë ku njeriu flet e banon. Pra, ajo ‘banon në gjuhë” dhe ripërtërihet përmes gjuhës së variantit të madh, gegë, madje duke rikthyer edhe subvariantin e Dukagjinit, prej ka shtrihet loza e saj e gjatë familjare.

Në këtë mënyrë, Era i rri besnike gjuhës së saj poetike, si gjuhë të “Nanës Bjeshkë”, të dëshmuar më parë, porse kësaj radhe, ajo e zgjeron leksikun me të tjera fjalë e fraza poetike. Gjithë vokabulari i saj krijues, duket se vjen prej fillimit të jetës, e mund të merret me mend rruga e përditshme e saj drejt objektit, shenjës, lutjes, meditimit, për ta gjetur e kuvenduar Atin, Birin sa për ta mbajt gjallë Shpirtin.

Përmes gjuhës së saj specifike dhe dëshirës për ta treguar atë me ngulm prej nga ka ardhur, rrugëtojmë në mistikë e realitet, në rrëfime të shenjta, që jehojnë kudo në literaturën e përbotshme, si një kambanë që na tërheq vëmendjen, se asgjë nuk është e re, se jo gjithçka është e rastit, por një provë para të cilës kalon çdo njeri. Kështu ndodhi edhe me poeten tonë, e cila na solli jo vetëm një tekst, një cikël, por një monument elegjiak, i skalitur edhe me figura të tjera që shtrohen e trajtohen herë si tema, e herë si mitema, të artikuluara në të tre ciklet të lidhur mjeshtrisht njëri me tjetrin në tri stade. Kjo s’është lojë me trinitetin, është sprovë me jetën, vdekjen dhe rilindjen. Prandaj “Bibulz”, duke qenë i shkruar në sistem, duhet lexohet si i tillë, pa harruar edhe intereferimet me pikturën, muzikën etj.

“Bibulz” i Erenestina Gjergji Halilit, pavarësisht pse ka shenja dominante biblike, ai mban vulën autoriale. Gjithë struktura poetike e veprës së saj funksionon mbi këtë shenjë e mbërrin në prekje të plagës krejt njerëzore, edhe kur flet për veçori, momente të ndodhura në jetë, edhe kur i flet femrës, dashurisë, fjalës, atdheut etj. Vargu, figura tingullore, elementet stilistike, ritmi e harmonia ritmike e çojnë lexuesin te këndimi, siç ndodhte me format lirike klasike.

Poezitë e saj, edhe pse shpërfaqen si “vargje të zeza”, gjithnjë janë në funksion të idesë autoriale, e herë të tjera janë një pikturë që ecën, ku e ku edhe si një muzikë dhome.

Autorja e përkëdhel fjalën e zgjedhur, si të jetë fëmija veç i saj, i jep jetë kopshti të oboes vetanake, i jep kadencën e shpirtit të saj, e vesh me stilin barok të Katedrales ku ajo përulet për të kumtuar në fund:

Merrni të gjithë prej tij, ky është vargu jem! Varg i thënë dymijë vjet më parë, në fillim të fillimit!

Krejt në fund, nëse në letërsinë bashkëkohore shqipe, e cila u krijua në Kosovë, kishim një libër poetik që e kapërcente dhimbjen për humbjen e të birit, siç është “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, sot, letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, e ka një model po kaq të arrirë, librin poetik “Bibulz” të Erenestina Halilit.

Meliza KRASNIQI
Hulumtues shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës

Dritë e synit

Poezi të Erenestina Halili nga libri “Bibulz”

Dritë e synit

T’randoi ai qerpik,
pa mujtë m’e hapë, me m’thanë :
– Nanë, erdh Ora!
Nuk e dveta Zotin tem:
– Pse?! Pse?! Pse?!
Se nân qerpik m’the:
– Nanë, mos dvet…!
Unë iu binda fjal’s tande,
Zotit tand e temit…!
Kajherë, dritë e synit tem,
mall po kam me t’pâ,
me t’rrokë,
me ta puthë at sy qerpikgjatë,
terr si mbramja e të hânës…
Paj, dert mos ki!
Njatij tandit e temit,
njaty nelt,
nuk mundem m’i mbajtë m‘ni!
N’lutje t’mban nâna n’gjí…

Toke

E tokim godën për orët tona,
tόke me nânën!
E tokim për fjalët netëve të vona,
tόke me nânën!
E tokim për numrat shkue pa ârdhë,
tόke me nânën!
Për rininë qi t’qendisi ballin,
tόke me nânën!
Për gazin tand qi m’shuen mallin,
tόke me nânën!
Për jetët si ti, qi qiellin bâjnë belì,
tόke me nânën!
Për nanat, qi lodin e pijnë si Ú,
tόke me nânën!
Për na qi jena n’qiell e frymojmë njetu,
tόke, bir me nânën!
T’kam gjetë dhimtë,
mâ e mira dhimtë!
T’pritsha e t’paça!
Dashni e mbitë…

Du me t’pâsë ngát

Du me t’rrokë gërmën e fundit,
du me t’dhânë brymën e synit,
du me t’pâsë ngát.
Du me t’qafë tjetrin ngat unit,
du t’mâtë kâmbët e shpirtit,
du mos me t’pâsë larg.
Du me t’mârrë heshtën e plâgës,
du m’ju gjegjë dvetjes së natës,
du me t’pâsë ngát.
Du me m’dhânë zgjimin e ândrrës,
du me kenë nânë prej Nânës,
me t’pâsë, mâ ngát se ngát.
Du me t’pâsë ngát, du me t’pâsë ngát,
du me t’pasë forcë, du me t’pâsë bindje,
du me t’pâsë n’bark.

Tempull

Grue,
mos e len tempullin tand t’shembet,
mos i len kolonat t’rrëzohen n’dhè,
grue,
pa tempullin tand, nuk ka qiell e tokë,
pa tandin tempull, s’ka me pâsë as ne.
Grue,
ti je lira e mâ t’çmueshmes melodi,
je ti bërtháma, qi tretet me rrit pemë,
grue,
kuqlimin e gjakut tand ia fal prandìmit,
lulëkuqën farë, m’e rritë n’ditë g’zimit.
Grue,
gjâ mâ t’hijeshme s’ka kqyrë njaj sy,
je bulëza, fryma, buka, shenjtnia n’ty.
Grue!
Tempulli i kohnave, bâmun dy!

Andante

Ikjet janë tela t’viol’s,
zâulta, t’mbyllta
rr’rrshqasin n’shpatull katër herë,
n’ t’ katërtin tel…
Ikjet janë violë n’katër tela,
t’ambla si puthja n’faqen Sol,
t’pazhurmta si tingull n’odë,
si dora e motrës n’shpatull,
e butë,
e âmbël,
si motër.
Zâulta,
t’mbyllta,
rr’shqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë…
Ikjet janë fill viole,
prej gjorgut t’Kostandinit,
janë frymorë druni,
t’zbardhun telash n’jele trungut,
t’buta,
t’âmbla,
t’rrshqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë,
janë Do maxhor ikjet, violë…
Ikjet, janë kadencë
tuj pritë violën,
t’butën,
t’âmblën,
t’pshtetunën n’shpatull
violë…/KultPlus.com

Një bibël njerëzore në gegnisht

Thuhet se fara e grurit duhet vdesë për t’u rilindur. Në një konceptim të tillë vjen libri poetik Bibulz i Erenestina Halilit, një vëllim poetik prej 160 faqesh, i gjithi i mbështetur në filozofinë e librave të shenjtë, Biblës, paraqitur në tre cikle të mëdha: Ati, Biri, Shpirti.

Ky libër prezanton një sistem gjuhësor të cilit autorja i rri besnike, është gegnishtja e saj, ajo e vjetra, më e vjetra e folur dhe e shkruar, kërkime kulturore, mistike e filozofike mbi qenien dhe raportin e saj me Krijuesin, leksikografi të pasur të botës kishtare, liturgjike, por edhe asaj të së përditshmes, rastësores, mbi të gjitha njerëzores.

Për Erenestinën, duket se vdekja nuk ekziston, ajo konsiderohet porta me të përtejshmen, të përkryerën, të përhershmen. Duket se autorja e thur e rithur termin poesis, në gjuhën e shpirtit të saj dhe kumton hapësirën ku ajo mëton të dekodohet gjuha e ashku i saj poetik dhe dëshirën për ta jetuar jetën përmes ringjalljes.

Vetë titulli i vëllimit, Bibulz, e dëshmon këtë ndërkomunikim: bulëza e Biblës, ose mund të konotojë edhe binomin (bi) – dy bulëza të sistemit të saj ontologjik e eskatologjik, mbi të cilin ka ndërtuar sistemin e saj të rrëfimit poetik.

Autorëfimi i saj poetik, i artikuluar përmes figuracionit të lartë e stilemave të zgjedhura, herë – herë idiomatike, të degdisin në portat e parajsës, në gurin e kandit, në dritaret gotike të Katedraleve, në dheun e ftohtë, në obojën e trishtë, në andanten e jetës, në ikjet e ardhjet të motiveve, ideve, përjetimeve, deri në ndalesën e hapave të tangos.

Era nuk përlotet, as përulet sa shihet në varg, ajo gjen simbolin, metaforën, nëntekstin, kodifikimet e forta, duke të detyruar të lexosh ngadalë, siç lexohet Bibla, një bibël njerëzore në gegnisht. Diskursi i saj transfiguron datat kalendarike jetësore me ato qiellore, duke përcaktuar e mandej duke orientuar auditorin e ideve drejt modelit tjetër, jo atij të konsumit modern, drejt shenjave estetike, me idenë se jo gjithçka është ashtu siç duket, e gjithçka ndërtohet mbi një plan.

Libri nis me dëshmi dhe përfundon në kurbë ngjitëse mbi bindjen e saj, se tha të vërtetën, se gjeti të vërtetën, se e vërteta është e pandryshueshme. Këtë e transmeton edhe përmes shenjave, koncepteve, figurave, shkallëve e pentagrameve muzikore, të cilat i shtojnë koloritin dhe erudicionin vëllimit poetik.

Libri vjen nga shtëpia botuese “ Faik Konica”, Prishtinë. Era iu ngjit malit, si burri që cakit në malin e poezisë së saj, prej nga bindemi se prej fundit rrahë ma i forti tuj cakitë, bash si në vargun e thënë nga ajo.
A. G.