Këto letra cilësohen shumë të vështira në përkthim, dhe asnjëherë nuk janë përkthyer në shqip. Loja e fjalëve në frangjisht e bën shumë të vështirë përkthimin.
Nëse letra lexohet e plotë, në dukje, jep përshtypjen e një letre dashurie, por nëse lexojmë vetëm rreshtat me bold, del letër e mirëfilltë erotike.
Letra e George Sand
I shtrenjti im
Me shumë emocion dua t’ju them se kam
kuptuar në mbrëmjen e kaluar se kishit
një dëshirë të epshme për
të kërcyer me mua. E ruaj në kujtesë puthjen tuaj plot
dashuri dhe do të doja që kjo të tregohet
si provë që më bën të dëshirueshme
edhe nga ju. Jam gati t’ju tregoj
joshjen time pa kurrfarë interesi a llogarie,
pjeshkën time; edhe nëse doni gjithashtu të më shihni
shpirtin tim lakuriq pa shumë mundim
krejt të zhveshur, ejani për një vizitë.
Do të bisedojmë, sinqerisht, si miq.
Do t’ju bind se jam femër
e sinqertë, e aftë për t’ju kënaqur,
shumë e thellë, por edhe e ndjeshme
në miqësi. E thënë troç, prova më e mirë është
ajo për të cilën ju mund të ëndërroni si
shpirt i lirë që jeni. Merreni me mend se jeta në vetmi është si
kalli misri që zgjatet, forcohet e hera-herës
i lodhshëm. Kur e mendoj kështu, shpirti
më dhemb. Nxitoni pra dhe ejani
që të harroj vetminë dhe një kurë dashurie
mua të ma bëni.
Përgjigjja e Musset
Kur para jush, si një hyjni, ju përulem,
doni që për një çast t’ju dukem dikush tjetër?
Ju keni prekur ndjenjat e një zemre,
që Krijuesi i bëri vetëm për t’ju adhuruar.
Unë, i dalldisur nga dashuria, me këtë penë në kllapi, dua
ta bëj si në këtë letër, atë që ngurroj të shpreh.
Me shumë kujdes, po të lexoni në këto vargje fjalët e para,
Ju do të kuptoni ilaçin e dhimbjeve të mia.
Përgjigjja e Sand
Këtë vardisje tuaj nuk e quaj kurrsesi,
natë ma bën emrin e në shpirt më kall neveri.
/KultPlus.com
Përktheu: Ergisa BEBJA