Shkruan Ergys Mërtiri
Sipas një mase të madhe komentuesish ndaj reagimit tim mbi dekorimin e Era Istrefit, – shumica e të cilëve analfabetë funksionalë që marrin guximin e budallait të ofrojnë me kompetencë verdikte definitive mbi estetikën, – kategoria e muzikës që Istrefi përfaqëson ka vlera muzikore. Sipas tyre këngëtarë si Ricky Martin, Shakira, Rihanna, Rita Ora, Jennifer Lopes, etj, bëjnë muzikë me vlerë pasi e pëlqen gjithë bota. Sipas një pjese të madhe prej tyre arti komercial ka vlera artistike të pamohueshme që ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë. Pati mjaft prej tyre që e reduktuan problemin në çështje shijesh, me idenë se gjithësekush ka shijet e veta.
U përpoqa të shpjegoj tek disa se, përtej shijeve personale ka edhe disa vlera që gjykohen objektivisht apo profesionalisht. Kultura ka disa parametra që përcaktojnë se cila është një vepër e mirë e cila është një vepër e keqe. Shijet janë aspekti relativ i vlerësimit, por pasi objekti i gjykuar i përmbush disa kritere objektive dhe standarde të përcaktuara nga një sërë vlerash të mirënjohura. Përndryshe bota bie në batakun e shkatërrimit relativist të vlerave dhe asgjë nuk mund të jetë e vlerësueshme. Sipas kësaj pikëpamje i bie që sot Linda Morina të vlerësohet po njësoj sa Bethoveni, në mos më shumë, pasi ajo ka më shumë klikime nga shqiptarët në youtube.
Për ta ilustruar po sjell shembullin e bletës që ushqehet me nektar lulesh dhe mizës që ushqehet me fekale. Secila ka të drejtën e saj të ushqehet me atë çfarë ia ka nevojë trupi, por, në pavarësi nga “shijet e insekteve”, unë kam të drejtë të vlerësoj estetikisht aromat e secilit material ushqimor.
Në lidhje me artin komercial, ka pafundësisht reagime nga kritikë, muzikantë, studiues, mendimtarë të cilët thonë se ky lloj arti po shkatërron kulturën e sotme. Në fakt, arti komercial është një jo-art, madje anti-art, i cili i kundërvihet artit të vërtetë duke e shndërruar atë në një surrogato pa vlerë. Arti komercial, nuk i drejtohet më vlerave universale, por vlerave të konsumit. Ai bëhet mbështetet mbi marketing e jo mbi vlera dhe në fund matet me sasinë e shitjeve, jo mbi kritere artistike. Ai del në shitje dhe vdes sapo konsumohet, për t’ia lënë vendin një vepre të re, e cila gjithashtu konsumohet me shpejtësi për t’ia lënë vendin një tjetre.
Kur kam qenë fare i ri, adoleshent, kam dëgjuar Metallica, Led Zeppelin, Deep Purple, Pink Floyd, Guns n Roses, ndërsa grindesha me miq të mi që dëgjonin Snap, 2 Unlimited, Technotronic, Dr. Alban, La Bouche (që gjithsesi, kanë më shumë vlera se këta të sotmit që përmenda më sipër). Sot, Zepelin-ët Purple-at e të tjerët, dëgjohen akoma me të njëjtin interes, ndërsa, Snap-ët e La Bouch-ët nuk i njeh më kush. Imagjino se kush do ta njohë Ricky Martin, pas 30 vjetësh! Më vjen keq që po rrisim një brez që kullot në plehra dhe kultivohet me shije surrogate për të cilat nuk do të ketë nesër kurrfarë krenarie, nëse do të arrijë dikur të kuptojë ca gjëra nga bota!
Përveç kësaj, më duhet të sqaroj se në reagimin tim nuk kam pasur aspak për qëllim të merrem me Era Istrefin e as të fyej atë. Ajo shkoi në botëror sepse e ftuan dhe është gjëja më normale që do të bënte çdo këngëtar në këto kushte. UEFA e përzgjodhi sepse ajo bën biznes dhe kërkon muzikë komerciale vulgare për të tërhequr masat. Shkrimi im i adresohej Hashim Thaçit që ngatërron vlerat kombëtare, vlera sublime të kombit si, lufta për pavarësi, me ahengjet banale të botërorit! Kaq.
Më poshtë, po sjell një fragment nga shkrimi im i fundit në revisitën Medius, ku kam trajtuar kulturën e konsumit dhe rrënimin e vlerave që ajo sjell në shoqëri.
“Një ndër konceptet e rëndësishme që shenjon shoqëritë industriale është ai i “shoqërisë së masave”, i cili, sipas Hannah Arendt, tregon për një model të shkatërruar shoqërie që përmbledh të gjitha tiparet e psikologjisë së turmave: mungesën e standardeve, të qenit vetëm, paaftësinë për të menduar, aftësinë për konsum e mbi të gjitha egocentrizmin dhe tjetërsimin. Ajo e shikon këtë fenomen si pasojë të trupëzimit në shoqëri të masave të gjera të popullsisë. Duke u rritur numri i njerëzve që fitojnë pasuri, e për pasojë edhe kohë të lirë, fillon të rritet numri i individëve që fiton akses tek kultura dhe arti. Kultura nuk është më monopol i aristokracisë. Ajo zbret në masa, duke zhbërë vetveten për t’u transformuar gradualisht në atë që njihet si “kulturë e masave”.
Fillimisht, ky proces shfaqet tek filistinizmi, ku arti dhe kultura humbasin vlerat e tyre universale duke u shndërruar në mjete të shtresave të reja të pasuruara të popullsisë, në funksion të nevojës së tyre për të fituar një rang shoqëror më të lartë. Arti dhe kultura nuk përfaqësojnë më përsosmërinë dhe përjetësinë, por një fushë përdorimi funksional për një kategori të caktuar individësh që sa vjen e zgjerohet. Për këtë arsye, veprat e pavdekshme të artit fillojnë të vlerësohen në bazë të dobisë së tyre shoqërore. Ideja moderne kërkon tashmë që arti të jetë funksional, gjë që, në thelb, është pa lidhje me artin në vetvete. Sipas Arendt-it, kjo e bën kulturën të shihet si një mall i këmbyeshëm në vlerë. Ajo bëhet një monedhë me të cilën filistini blen statusin e tij të ri. Kjo çon në zvetënimin kulturor dhe një “ankand të vlerave” ku kultura zbret nga pavdekësia.
Megjithatë Arendt thotë se, sado që shoqëria e periudhës së filistinizmit, e etur për kulturë, i zhvlerësoi, përdori dhe keqtrajtoi objektet kulturore për qëllimet e veta egoiste, ajo sidoqoftë nuk i “konsumoi” ato. Këto objekte, u kthyen në një grumbull plehërash, por nuk u zhdukën. Ndërsa, ajo që bën shoqëria e masave është krijimi i një standardi tjetër, ku shoqëria nuk interesohet më për kulturë në vetvete, por vetëm për argëtim. Industria e kulturës, e përdor kulturën si mall konsumi në funksion të argëtimit. Argëtimi është ai që mbush kohën bosh të njeriut, dhe kultura bëhet materiali që tregtohet për këtë qëllim.
Ndryshe nga natyra e artit dhe kulturës, objektet e të cilave vlerësohen nëpërmjet jetëgjatësisë produktet e industrisë së kulturës konsumohen shpejt dhe serviren të freskëta. Kultura që prodhon kjo lloj industrie nuk kërkon aspak ti rezistojë kohës, por përkundrazi, të konsumohet shpejt në mënyrë që të prodhohen produkte të reja, e kjo në mënyrë të vazhdueshme, duke përmbushur pa pushim nevojën e pangopur të tregut për konsum. Pra argëtimi e plaçkit kulturën. Ky proces, thotë Arendt, nuk e përhap kulturën tek masat, por përkundrazi e shkatërron atë me synim për të nxjerrë prej saj argëtim. Për këtë arsye, kjo shoqëri nuk mund të bëhet kurrë e kulturuar.
Kjo temë është rimarrë nga shumë autorë të shkencave shoqërore. Daglas Kellner dhe Herbert Markuze kanë zhvilluar një kritikë të shoqërive duke evidentuar rolin e teknologjisë. Markuze e shikon teknologjinë në përgjithësi, e sidomos televizionin, sportet dhe seksin si mjete të prodhimit kulturor. Ai gjykon se ato përdoren si mjete kontrolli për ndrydhur individualitetin dhe për të zbutur reagimin shoqëror, duke i bërë individët të humbasin aftësinë për të menduar në mënyrë kritike rreth shoqërisë. Pra kultura nuk prodhohet më në mënyrë të vetvetishme nga shoqëritë, por nëpërmjet mjeteve të tilla, të kontrollit, të cilat kanë sjellë shndërrimin e njeriut në një “qenie njëdimensionale”. Sipas tij, teknologjia moderne është një nxitëse drejt totalitarizmit si një mjet efikas skllavërimi për të dominuar njerëzit duke kufizuar dhe pushtuar lirinë e brendshme të aktorëve socialë.
Megjithëse në të njëjtën linjë mendimi, ndryshe nga Markuze, Kellner nuk e sheh realitetin si produkt të një kontrolli të organizuar. Ai nuk pranon ta shohë këtë proces si një instrument të ideologjisë kapitaliste. Ai thotë se televizioni nuk është monolitik, dhe nuk është i kontrolluar nga forca koherente, por është një media konfliktuale, ku ndërthuren forca ekonomike, politike, sociale e kulturore në përplasje me njëra-tjetrën.
Kellner, sidoqoftë nuk e kursen kritikën ndaj shoqërisë së masave dhe kulturës së prodhuar në kushtet e ndikimit të madh të teknologjisë dhe komunikimit në shoqëritë moderne. Ai përpunon konceptin e tekno-kulturës, me të cilin ai shenjon kulturën e konsumit, ku mallrat e konsumueshme si dhe ato të argëtimit, përfshi këtu edhe informacionin e kompjuterizuar, dominojnë kulturën në shoqëritë moderne. Tekno-kultura krijohet nëpërmjet produkteve të reja kulturore që po “kolonizojnë” jetën e përditshme si “spektakli, imazhi, estetika e komoditeteve” etj. Kellner e vendos theksin tek televizioni si pjesë e rëndësishme e kësaj industrie duke e parë atë si një kërcënim, jo vetëm për kulturën, por edhe për demokracinë, individualitetin dhe lirinë”./ KultPlus.com