E ngase unë nuk të du, dhe ktë s’e lun as guri toka asht shqetësu e po rrotullohet kadalë e mjera, prandej diçka për botën unë duhet me bâ: Se nuk të du duhet me t’njoftu.
Uh, duhet me marrë ‘i copë udhë t’gjatë e me mbrritë n’cakun tand me ta thanë qartë ballë për ballë se nuk të du, as ‘i fije.
E ngase unë nuk të du, dhe kësaj nuk i lëviz as presja filli i hânës â bjerrë e gjysë ka mbetë e shkreta, kshu që unë diçka për hânën duhet me bâ: Se nuk të du duhet me t’tregu.
Uh, duhet me t’u avitë fort ngjitë me ty qerpik m’qerpik me ta rrëfy n’dritë t’synit se nuk të du, as ‘i grimë.
E ngase unë nuk të du dhe kjo asht krejt e dukshme dielli n’mendime krejt ka râ e brenda reve mshihet shpesh i vorfni. A kam si diçka për të unë mos me bâ? Se nuk të du aspak, duhet me t’ sqaru.
Uh, duhet me t’folë njat mu n’vesh që n’kryt tand këto fjalë mosdashnie bashkë me zanin tim t’hyjnë sak e ti fije dyshimi mos me pasë: Nuk të du, nuk të du, pra.
E ngase unë nuk të du ajri, uji e dheu janë bâ lâmsh sa kurrkush drejtim s’po di m’u dhanë, si mundem unë për kyt rruzull mos me bâ gjâ? Prandej, se nuk të du, ty vrik duhet me t’kallëzu.
Uh, duhet buzë n’buzë me tu avitë frymën bashkë me ndërru pa frikë që sa pa u tretë avulli i fjalëve ti t’kesh ditë se unë ty me t’dashtë nuk kam sesi.
A merr vesh se nuk të du apo ta them prapë? / KultPlus.com