50 vite karrierë, Veliaj nderon me titullin “Mirënjohja e qytetit” kantautorin Ardit Gjebrea

Një nga emrat më të njohur të muzikës dhe këngës shqiptare, kantautori Ardit Gjebrea u nderua nga bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e qytetit”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin, kulturën dhe muzikën shqiptare. Në ceremoninë e rastit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se Gjebrea ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qytet, sidomos duke promovuar artistët e rinj.

“Në Tiranë vërtet jetojnë sot 1 milion njerëz, por qyteti nuk i harron traditat, nuk e harron mirësjelljen, as kulturën e të qenit mirënjohës për dikë që kontribuon për Tiranën. Ndaj, jam shumë i nderuar që vlerësojmë sot me titullin “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”, një nga ikonat më të mëdha të qytetit tonë, të vendit dhe të kombit tonë, edhe përtej kufijve”, tha Veliaj. Kryebashkiaku kujtoi këngën “Jon” e cila shenjoi një kohë, ishte një gur kilometrik i tranzicionit, i një hapësire epokale në qytetin dhe në vendin tonë.

Mes emocionesh, Ardit Gjebrea u kthye pas në fëmijëri, kohë që shënoi edhe hapat e tij të para drejt artit.

“Teksa pashë këtë piano m’u kujtua vetja kur studioja. Nuk kisha piano në shtëpi, ishte në Pallatin e Pionerëve dhe këpucët më fusnin ujë teksa vija çdo mëngjes, në 5 të mëngjesit, për të studiuar dhe për të realizuar atë pasion që unë kisha, muzikën”, tha Gjebrea.

Ai u shpreh se çdo cep i qytetit i ka dhënë dashuri dhe mbështetje dhe të tillë e konsideroi edhe vlerësimin me titullin “Mirënjohja e qytetit”./atsh/KultPlus.com

Një tjetër murale stolis Tiranën, Veliaj ndan pamjet

Një astronaut, është muralja më e re e stolisur në fasadën e një pallati në kryeqytet si pjesë e projektit ‘Mural Fest’ në Tiranë.

Pamjet e veprës së përfunduar i ka ndarë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në rrjete sociale.

“Një tjetër murale zbukuron Tiranën”, shkruan Veliaj krahas videos.

Në edicionin e gjashtë, 14 murale të reja janë pikturuar për publikun duke i dhënë qytetit më shumë kulturë, dritë dhe ngjyra në ambientet e ndërtesave ku po vendosen. ‘Mural Fest’ organizohet nga Dekor Tirana dhe është kuruar nga artisti i njohur Helidon Haliti./tema/KultPlus.com

Ndarja nga jeta e poetit Agim Doçi- Veliaj: Lajm fort i trishtë, do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra teksteve të këngëve shqiptare, Agim Doçi.

Veliaj është shprehur se Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe.

“Fort i trishtuar për ndarjen nga jeta të Agim Doçit, poetit dhe autorit të teksteve të dhjetra këngëve, fitues i shumë çmimeve në festivale. Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe! Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe të afërmve. U prehsh në paqe!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Poeti i njohur Agim Doçi është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT pasi pësoi hemorragji cerebrale./KultPlus.com

Veliaj i dhuron “Çelësin e Tiranës” Shkurte Fejzës, nesër koncerti te Pallati i Kongreseve

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka përgatitur një surprizë për tifozët shqiptarë që po mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë, që është duke zhvilluar ndeshjen me Kroacinë.

Ai ka bërë të ditur se në Tiranë, do të këndojë artistja shqiptare Shkurte Fejza, për të gjithë mbështetësit e kombëtares.

Para përformancës, Shkurte Fejza u prit në takim nga Veliaj, ku iu dhurua edhe Çelësi i Qytetit.

“Çelësi i Tiranës është simboli i një dere të hapur, i një zemre të hapur dhe i një mendjeje të hapur. Ti na ke frymëzuar pafund në çdo festim, në çdo tubim, sidomos në gëzimet me Kombëtaren tonë. Sot në Tiranë kemi shumë qytetarë të Kosovës, por edhe nga vendet e tjera, por fakti që kënga jote ka qenë tamam si ai filli që i ka lidhur shqiptarët kudo ku janë, në një copë të madhe kuq e zi, është diçka e jashtëzakonshme. Duhet të jesh shumë krenare. Ne, po e po! Por edhe ti vetë, për këto 50 vjet dashuri që na ke dhënë pa kushte dhe pa u kursyer. Lajmi i dytë i mirë është që, Shkurte Fejza do të jetë pas pak te Fan Zone, ku do të kemi një surprizë për të inkurajuar Kombëtaren, përpara se të fillojë ndeshja me Kroacinë” u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë se ditën e nesërme Shkurte Fejza do të mbajë një koncert në Pallatin e Kongreseve, si qershia mbi tortë për 50 vite karrierë. “Nesër te Pallati i Kongreseve, në orën 20.00, Shkurte Fejza ka koncertin e saj, qershia mbi tortë, i 50 vjetorit të karrierës. Të jemi shumë mirënjohës dhe të duam shumë”, tha Veliaj.

Artistja Shkurte Fejza tha se është shumë e nderuar me këtë çmim që merr sot nga Bashkia e Tiranës, si jetësim i ëndrrës së saj rinore. “Faleminderit shumë kryetar. Jam shumë e nderuar dhe tani po shoh se thjesht po jetësohet ëndrra ime rinore. Në çdo këngë timen, unë kam kënduar atdheut tonë të përbashkët dhe tani jam e lumtur që ky çmim me të cilin unë u vlerësova, nuk e ke vlerësuar veç njëherë Kombëtaren nga Kosova, por gjithë Kosovën, gjithë shqiptarët kudo ku janë, bashkëpunëtorët, familjen time dhe të jam jashtëzakonisht mirënjohëse. Shumë faleminderit”, deklaroi ajo./KultPlus.com

Veliaj: “Las Vegas Magic Festival” vjen në Tiranë

Tirana tashmë është kthyer në atraksion për produksione të mëdha të huaja, të cilat e kanë vendosur kryeqytetin tonë në hartën e tureve ndërkombëtare.

I tillë është edhe “Las Vegas Magic Festival”, një produksion ekskluzivisht nga Las Vegas ku në turin e saj ndërkombëtar ka përfshirë dhe Shqipërinë. 7 prej alkimistëve më të talentuar të kohëve moderne do të vijnë në datat 5-6-7 prill në Pallatin e Kongreseve për të na dhuruar momente magjie, humor dhe emocione të papërshkrueshme.

Ata u pritën në takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj i cilu u dhuroi atyre edhe Kullën e Sahatit. Gjatë fjalës së tij Veliaj u shpreh se aktivitetet në kuadër të vitit “Tirana Kryeqytet Mesdhetar i Kulturës” kanë filluar një vit më herët. Ai u bëri thirrje të gjithë fëmijëve të kryeqytetit të ndjekin nga afër shfaqjen, duke theksuar se pavarësisht se vijmë nga kombe të ndryshme na bashkon arti, magjia dhe kultura.

“Jam shumë i lumtur që një ekip që ka ardhur nga disa vende të Europës dhe botës, këtë tur e ka sjellë edhe në Tiranë. Kalamajtë do kënaqen me bukurinë që sjell magjia, arti dhe skena. Por unë besoj që edhe ne si qytet kemi nevojë për pak pushim. Është momenti kur ka ndërruar stina, kur kemi energji të reja dhe më vjen mirë që kjo trupë me kaq shumë energji pozitive dhe entuziazëm na ka nderuar në Tiranë. Ne jemi pjesë e turit, pas Athinës ka qenë Tirana. Në një qytet që do të jetë kryeqyteti mesdhetar i Kulturës, më vjen mirë që aktivitetet kanë filluar që një vit përpara. Shpresoj që fëmijët e Tiranës të gëzohen të kënaqen dhe të kuptojnë, që pavarësisht se ne vijmë nga kombe të ndryshme, flasim gjuhë të ndryshme ka diçka që na bashkon, që është arti, magjia dhe kultura”, tha Veliaj.

Iluzionistët që do të ngjiten në skenë kanë rrëmbyer një seri çmimesh prestigjioze si Merlin, ekuivalente të çmimeve Oscar, Guinness ejt. “Las Vegas Magic Festival” do të kthehet në destinacionin e preferuar të familjeve, të rinjve e kujtdo tjetër fundjavën e 5, 6 dhe 7 prillit.

Një shfaqje ekskluzive dhe e veçantë për të gjithë që padyshim nuk duhet humbur. Biletat janë drejt fundit dhe mund të blihen në www.vivere.al/KuktPlus.com

Për herë të parë vjen në kryeqytetin shqiptar, “Parada e shqiptarëve”

Aktiviteti do të zhvillohet më 28 Nëntor në bashkëpunim me “Albanian Roots”, bëri të ditur sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ftoi të gjithë të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Këtë 28 Nëntor ne, shqiptarët, festojmë 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Është një nga ato ditë kur dritaret e shtëpive tona skuqen nga flamujt kuqezi, kur zemra e çdo shqiptari rreh njësoj, dhe secili prej nesh ka dëshirë ta thotë me zë të lartë: “O sa mirë me qenë Shqiptar”! E ku ka më bukur se sa Ditën e Flamurit ta festojmë të gjithë bashkë, këtu, në Tiranë! Prandaj, këtë vit, kemi menduar të organizojmë diçka krejt të veçantë, që do ta mbajmë mend gjatë. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, m’u në zemër të kryeqendrës së shqiptarëve, vjen “Parada e Shqiptarëve” – një festë e paharruar për Ditën e Pavarësisë, plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë”, thotë Veliaj, ndër të tjera, në mesazhin e postuar në rrjetet sociale.

Ai shpreh lumturinë që kjo paradë e jashtëzakonshme do të mbahet në Tiranën e transformuar vitet e fundit.

“Tirana do të mirëpresë krahëhapur, me këngë e valle, çdo shqiptar që ka dëshirë të na bashkohet në festën tonë të madhe. Por, kam edhe një falenderim për “Rrënjët shqiptare”, që pas 15 vitesh organizimi në New York, e riktheu Paradën aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipërinë tonë, në kryeqytetin e shqiptarëve! Mezi pres t’ju takoj të gjithëve në Tiranë në 28 Nëntor”, përfundoi Veliaj. /ATSH /KultPlus.com

Java Kulturore e Azerbajxhanit, Veliaj pret delegacionin azer: Projekte konkrete mes Tiranës dhe Bakusë

Java Kulturore Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka çelur siparin në Tiranë. Përmes një morie aktivitetesh artistike, mjaft koncerte, ekspozita, por edhe eksperienca kulinarie, kanë sjellë këto ditë kulturën azere në kryeqytet.

Gjatë një takimi me një delegacion të kryesuar nga zv/ministri i Kulturës së Azerbaixhanit, Farid Jafarov, që ka mbërritur në Tiranë për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj tha se, bashkëpunimi më i mirë mes vendeve është ai që bën bashkë njerëzit përmes artit kulturës dhe sportit.

“Unë jam shumë i lumtur që, pas vizitave të zotit Rama dhe zotit Aliyev, Presidenti i Republikës gjithashtu ka qenë në Azerbajxhan, ne tani ta çojmë bashkëpunimin në një nivel tjetër. Një mënyrë për ta bërë këtë, përveç liderëve tanë kombëtarë, është bashkëpunimi midis njerëzve, midis qyteteve, midis bashkive, midis organizatave dhe grupeve të ndryshme kulturore. Kështu që, mezi pres të hapim një faqe të re, teksa udhëheqësit tanë kombëtarë e kanë shtruar rrugën, është detyra jonë që të fokusohemi në projekte konkrete, si mes Tiranës dhe Bakusë, apo edhe mes grupeve dhe organizatave të ndryshme, që përfaqësojnë qytetet tona, dhe të vijojmë të fokusohemi në projekte të veçanta. Jam vërtet krenar për çdo urë që lidhet mes Bakusë dhe Tiranës”, tha Veliaj.

Zv/ministri Jafarov, nga ana e tij, nënvizoi faktin se, kulturat e dy vendeve tona kanë mjaft pikëtakime të përbashkëta.

“Megjithëse vendet janë mijëra kilometra larg, ne kemi shumë pika të përbashkëta kulturore dhe vlera që ndajmë bashkë, si toleranca dhe bashkëjetesa paqësore. Kjo nismë erdhi kur vitin e kaluar Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Edi Rama, vizitoi Azerbajxhanin dhe u miratua nga Presidenti i Azerbajxhanit, Shkëlqesia e Tij, z. Ilham Aliyev. Ne si Ministri dhe ju si kryetar Bashkie po bëjmë gjithçka që kjo Javë Kulturore të jetë e paharrueshme për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe për të gjithë vizitorët e Tiranës. Mendoj se ka shumë potencial për të bërë më shumë dhe ne do të shtjellojmë gjërat për t’i konkretizuar, se si të ecim përpara, sepse ka një vullnet dhe interes të madh nga Azerbajxhani për kulturën shqiptare dhe për kombin shqiptar,” u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

Veliaj: Teatri i Ri, bizhu për qytetin

Ish-godina e Drejtorisë së Burgjeve është shembur për t’i hapur rrugë punimeve që po kryhen për Teatrin e Ri.

Kantieri, në të cilin puna është fokusuar kryesisht gjatë orëve të natës, tashmë ka në dispozicion edhe një rampë, përmes së cilës do të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për Teatrin e Ri, u shpreh se në këtë mënyrë të gjitha mjetet do të kalojnë përmes Unazës së Vogël të Tiranës, pa dëmtuar zonën e Pedonales apo Kalasë, mjaft të frekuentuara nga turistët që kanë mbushur edhe këtë verë kryeqytetin. Nga ana tjetër, ato do të kryhen gjatë orëve të natës për të mos rënduar as trafikun në kryeqytet.

“Tetari Kombëtar është vërtet një bizhu për qytetin, por duhen marrë disa vendime që përputhen me rritjen e turizmit dhe të jetës së natës së qytetit. E gjithë zona e Kalasë, zona e Pedonales, ka pafundësisht jetë, përfshirë këtu edhe institucionet që kanë akses nga pedonalja “Murat Toptani”. Kemi vendosur që aksesin për kantierin e Teatrit ta kemi në rrugën e Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dekomisionuar ndërtesën e ish-Drejtorisë së Burgjeve dhe me hapjen e atij kantieri, e me zhvendosjen e disa kabinave elektrike, mundësojmë që Pedonalja, Kalaja dhe kinemaja të përdoren; pra i gjithë “damari turistik” i Tiranës të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, kurse ne do të përdorim këtë akses këtu që të sigurohemi që kamionët që punojnë kryesisht natën të kenë hyrje-dalje në kantier”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë falënderoi të gjitha strukturat e bashkisë, por edhe të Policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e projektit, ndër më të rëndësishmit në kantieret ku po punohet aktualisht në kryeqytet.

“Dua të falenderoj të gjithë për angazhimin, IMT-në, të gjithë kolegët që janë mobilizuar, nga Policia Bashkiake, Policia Rrugore, kolegët e Zjarrfikëses. Është një operacion që do të na zërë gjithë natën, por nesër kur Tirana gdhihet në mëngjes, secili do vazhdojë ta përdorë Unazën e Vogël, por ishte i vetmi moment ku ne mund të bënim një ndërhyrje të tillë. Kështu që, dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë treguar mirëkuptues për këtë devijim të përkohshëm gjatë mbrëmjes,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se, ky është muaji kur Bashkia intensifikon punën në terren, ndihmuar më së shumti edhe nga çlirimi i trafikut në Tiranë, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë përfunduar. “Gushti do të jetë muaji më i ngarkuar për ne. Duke qenë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë buzë detit, do të sigurohemi që t’i përfundojmë në verë gjithë këto kantiere që kërkojnë hapje të mëdha të rrugëve, siç është kantieri i madh në Kinostudio, kantieri i Teatrit dhe 10 shkollave të reja, që po përgatisim të vlojnë gjatë Gushtit, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë mbaruar. Do shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë.

Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore./ atsh / KultPlus.com

Veliaj: Arti mural në Tiranë, ftesë për të gjithë ata që na vizitojnë

Arti mural në Tiranë i ka dhënë një pamje të re ndërtesave në kryeqytet, duke zëvendësuar fasadat dhe duke i veshur ato me ngjyra dhe imazhe mjaft domethënëse.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë foto nga disa lagje të Tiranës, të cilat janë transformuar nga veprat e realizuara nga artistë të njohur pjesë e “Mural Fest Tirana”.

Veliaj shkruan se secila nga veprat e artit është një ftesë për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Tiranën.

“Tirana po zbukurohet nga arti mural në çdo lagje të qytetit, ku secila vepër arti është ftesë për të gjithë që të na vizitojnë”, u shpreh kryebashkiaku.

Tashmë prej disa vitesh në kryeqytet zhvillohet “Mural Fest Tirana”, e cila është një nismë e Drejtorisë së Dekorit nga bashkia e Tiranës, kuruar nga Shoqata Kulturore VIZart.

Tirana regjistron 8.5 milionë turistë, pikë turistike edhe shtëpia e Kadaresë dhe e Agollit

Turizmi ishte tema e videomesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke sjellë në vëmendje faktin se industria e turizmit në Tiranë sot po kalon ditët më të mira, Veliaj tha se shifra e mbi 4 milionë turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.

“Pavarësisht bindjeve, shumica prej nesh biem dakord se, vitet e fundit, Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Unë ju ftoj të zgjidhni një orë të ditës, kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë,” tha ai, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.

“Pyetja është, si kemi arritur deri këtu dhe si kemi bërë të mundur që nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, 8 vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4.5 milion? Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë: të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme që realisht janë shpallur monumente të kulturës, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet,” shpjegoi Veliaj.

Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik, por që shpesh janë anatemuar dhe janë bllokuar nga një pjesë e politikës.

“Sheshi Skënderbej nuk është më një rrethrrotullim, por një hapësirë fantastike për turistët dhe për aktivitetet. Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, që Bashkia i ka blerë, Shtëpia Kadare, Shtëpia Dritëro Agolli, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, stadiumi Arena Kombëtare, janë histori suksesesh, të cilat nuk i kemi pasur, por janë bërë falë punës në këto 8 vitet e fundit. Kanë sjellë më shumë punë dhe zhvillim për qytetin, për gjithë Tiranën tonë dhe kanë ndikuar që qyteti ynë të vizitohet nga këta miliona turistë,” u shpreh Veliaj.

Ai u ndal edhe te kullat e Tiranës, të cilat janë sulmuar shpesh nga politika. “Kullat e Tiranës, sidomos të qendrës, janë mundësia e artë për të sjellë investime të klasit botëror në fushën e turizmit. Fatkeqësisht, ndërtimi i tyre është sulmuar shumë nga njerëz që nuk e kuptojnë potencialin që ato kanë për turizmin. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike është po ashtu e rreme. Janë në pronat e tyre private. Kush investon në sektorin e turizmit është guximtar, duhet t’i jemi mirënjohës, t’i themi bravo të qoftë, sepse janë përfaqësuesit e parë të Tiranës dhe Shqipërisë me turistin e huaj, me atë që na viziton,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se ndërtimi i kullave ka sjellë në Kryeqytet disa nga brandet më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit. “8 vjet më parë nuk kishim asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë. Asokohe, gjithollogët thoshin se Tirana s’ka turizëm, se nuk ka mundësi për turizëm. Ndoshta, me të drejtë, sepse si mund të ketë turizëm kur nuk kemi ku t’i strehojmë turistët? Turizëm në shtëpi qerpiçi nuk mund të ketë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë punësim, kanë sjellë edhe dije për sektorin vendas,” u shpreh ai.

Tirana sot shkëlqen, shtoi kryebashkiaku, dhe është shumë herë më e pastër, më e gjelbër, por edhe më mikpritëse./ KultPlus.com

Qyteti i Sportit 2023, Veliaj: Tirana, ‘shtëpia’ e mundjes për të rinjtë në qershor

Në qershor të këtij viti, Tirana do të mirëpresë Kampionatin Europian të Mundjes për të rinjtë e moshës 17 vjeç, teksa vitin e ardhshëm Shqipëria synon të jetë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Mundjes. Për këto evente të rëndësishme sportive, në Tiranë ka ardhur një delegacion i Federatës Botërore të Mundjes, të cilët u pritën nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Mundja në Shqipëri është ardhur në një nivel tjetër. Sot kemi mbi 12 medalje nga ky sport dhe më vjen mirë që Tirana, në qershor, do të jetë mikpritëse e Kampionatit Europian të Mundjes U-17. Për sa kohë që SHBA-të dhe vende të tjera i janë rikthyer sporteve klasike, siç është mundja, kanë filluar t’i përfshijnë të rinjtë në këto aktivitete që të vegjël, nuk ka asnjë arsye pse edhe ne, këtu në Ballkan, të mos marrim mësime nga më të mirët”, u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin te rëndësia e një brezi të rritur me sport. “Një lojtar i mirë, një sportist i mirë, është mbi të gjitha një qytetar i mirë sepse respekton rregullat e lojës, di të punojë në ekip, mëson që ka edhe humbje, ka edhe fitore. Asgjë nuk zgjat përjetësisht, ndaj edhe e vlerësoj shumë që Tirana do të jetë ‘shtëpia’ e mundjes gjatë muajit qershor, për të gjithë të rinjtë e moshës 17 vjeç dhe mezi pres që, ndoshta edhe për vitin tjetër, në Kampionatin Botëror, ne të konsiderohemi si një vend mikpritës. Sigurisht, nuk do kursehemi edhe për investimet që do bëjmë jo vetëm për sportin komunitar, por edhe sportistët elitarë,” vlerësoi Veliaj.

Ai solli shembullin e mundësit Zelimkhan Abakarov, i cili u shpall Kampion i Botës me ngjyrat kuqezi, si një arsye për të investuar më shumë në sportin elitar.

“Fakti që Zelimkhan është kampion bote na bën besimplotë se skuadra jonë ka një shans të mirë për Paris 2024. Ne do punojmë me sportin në komunitet dhe palestrat e reja, që janë hapur, por do punojmë edhe me sportin elitar. Mbështetja juaj është shumë domethënëse. Faleminderit që keni vizituar Tiranën dhe na keni dhënë mundësinë që në qershor të jemi shtëpia e mundjes. Dëshira më e madhe është të kurorëzohemi në Paris me një fitore”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

Veliaj: Këtë vit i shtojmë Tiranës Muzeun ‘Dritëro Agolli’

 Sot shënohet 6 -vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli.

Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se, për nder të kolosit të letrave shqipe, këtë vit Tiranës i shtohet dhe Muzeu “Dritëro Agolli”.

“Dritëroi i paharruar! 6 vite pa kolosin e letrave shqipe, Dritëro Agollin! Shkrimtar, gazetar, politikan e publicist, i cili ka lënë një trashëgimi të madhe letrare për vendin. I lumtur që këtë vit i shtojmë Tiranës Muzeun “Dritëro Agolli”, si një kujtesë dhe trashëgimi e identitetit të qytetit”, nënvizoi Veliaj. /atsh/ KultPlus.com

Veliaj zbulon aktivitetet e përgatitura në kryeqytet në natën e ndërrimit të viteve

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zbuluar aktivitet e përgatitura nga Bashkia e Tiranës për festat e fundvitit. Veliaj deklaroi nata e ndërrimit të viteve do të jetë një spektakël fishekzjarrësh, i koordinuar edhe me muzikë të mirë.

Ai tha në një intervistë në Tv Klan se pas Fifit, Eugent Bushpepës si dhe Venerës dhe Lindit, mbrëmja e 31 Dhjetorit do të sjellë në sheshin “Skënderbej” një grup të madh artistësh shumë të dashur për publikun.


“Ne filluam një sprint koncertesh. Kishim koncertin e Krishtlindjeve që patën në vigjilje të Krishtlindjeve, kemi pasur Gent Bushpepën, kemi pasur Fifin, Lindin dhe Venerën. Çdo natë do të kemi grupe artistësh. Derisa të shkojnë në natën finale ku do të kemi prapë një grup të madh artistësh. Besoj se surpriza për fëmijët siç ishin zbukurimet këtë vit me planete dhe me gjithësinë, do të jenë fishekzjarret. Kemi spektakël fishekzjarrësh të koordinuara me muzikë. Përtej gjithë vështirësive, ashtu si në shtëpi edhe kur kemi një situatë të vështirë, fëmijëve mundohemi të mos u biem në sy që po kalojmë një sfidë Për fëmijët duhet të rezervojmë një fundviti me shkëlqim dhe xixa. Sidomos për të dhënë një mesazh që i kemi kaluar vështirësitë bashkë dhe mot do të jetë më mirë. Thoshin gjyshet tona mendo mirë të bëhet mirë”, deklaroi Veliaj.

Ai u ndal te disa nga aktivitet që do të mbahen në kryeqytet vitin e ardhshëm që kur Tirana do të jetë “Qyteti Europian i Sportit”. Veliaj tha janë një mijë aktivitete që do janë parashikuar përgjatë gjithë vitit, duke përmendur kampionatin europian të gjithë universiteteve të Europës dhe kampionatin botëror të peshngritjes.

“Sërish aktivitetet sportive prodhojnë shumë ekonomi. Ndonjëherë e kam gjetur veten në një aktivitet sportive të tipit Kampionati Europian i Taekwondo-s nën 16. Dhe ti thua janë disa fëmijë që po bëjnë këto artet marciale. Dhe ti zbulon që janë 1600 fëmijë nga gjithë Europa, nga Islanda deri në Turqi. Kanë ardhur me prindërit dhe kanë zënë 2500 dhoma hoteli në Tiranë. Shumë gjëra që janë në dukje modeste prodhojnë ekonomi të jashtëzakonshme për qytetin. Janë 1 mijë aktivitete që kemi përgatitur. Do të kemi kampionatin europian të gjithë universitetet të Europës. Në të gjithë disiplinat. Një lloj mini olimpiade për universitetet. Do kemi kampionatin botëror të peshngritjes. Do të kemi disa evente të rëndësishme. Interesi kryesor nuk është as te imazhi i qytetit, që e kemi arritur tashmë, as te ekonomia. Ambicia kryesore është sporti në komunitet.

Rezultati ideal do të jetë një Tiranë që merret me sport. Sporti që na mëson karakter që në jetë ka dhe humbje, ka edhe fitore. Nëse qyteti ynë është fizikisht më i shëndetshëm do të jemi një qytet më i mirë vitin tjetër sesa jemi në fund të këtij viti”, deklaroi ai./ KultPlus.com

Veliaj: Teatri i Ri do të ndërtohet, votohemi që të bëjmë punë

Kryebashkiaku Erion Veliaj në një intervistë për News 24, deklaroi se nuk ka asnjë vendim gjykate që të bllokojë procesin e ndërtimit të Teatrit të Ri.

Veliaj siguron se puna për ndërtimin e Teatrit të Ri do të vijojë.

“Teatrin nuk ka vendim gjykate që e bllokon. Ai ka qenë një vendim për ligjin e posaçëm me PPP, që ne nuk e shfrytëzuam kurrë sepse morëm një vendim që do e bëjmë vetë. E ardhmja nuk i përket atyre që gjejnë alibi për të bllokuar gjërat. E ardhmja u përket atyre që gjejnë arsye për t’i bërë gjërat, që deri tani nuk kanë ndodhur e për t’u siguruar që ne ecim më shpejt. Nuk kemi asnjë vendim që na bllokon dhe nuk presim asnjë vendim gjykate”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se ata që kundërshtojnë ndërtimin e teatrit të ri janë po të njëjtët njerëz, të cilët janë dënuar për shpifje. Ai u shpreh se ka ardhur koha që t’i jepet fund politikës së bllokimit.

“Me personazhet në fjalë i kemi fituar të 10 nga 10 gjyqet për shpifje. Janë certifikuar si shpifës dhe mashtrues dhe t’i thuash sot Tiranës që kryetari i Bashkisë lë punët pa bërë sepse po pret që mashtruesi apo mashtruesja e radhës të bëjnë gjyqin e 20 apo 30, kjo është të fyesh inteligjencën e njerëzve. Votohemi që të bëjmë punë, jo që të rrimë duke pritur Godonë dhe duke pritur që marrëzia e këtyre njerëzve të kufizohet. Qartazi nuk ka ndodhur kaq vite, ndaj ne do të duhet të vazhdojmë përpara. Më rezulton që politika e bllokimit, pengesave, sharjeve e fyerjeve jo vetëm, që ka dalë nga moda, por nuk prodhon më as vota, as ndjekës. Do të duhet të bëjmë garë kush punon më shumë dhe jo kush pengon tjetrin”, shtoi Veliaj.

Veliaj komentoi dhe çështjen e pallatit Nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet, për të cilën tha se ka një vendim nga Instituti i Ndërtimit. Ai siguroi se banorët marrin bonos qiraje.

“Shkohet në gjykatë për ca gjëra për të cilat është marrë vendimi dhe gjykatësit i kërkohet që të vlerësojë gjëra që i ka vlerësuar Instituti i Ndërtimit dhe me të drejtë gjykata thotë: Unë nuk jam inxhinier ndërtimi, nëse Instituti i Ndërtimit e ka vlerësuar ndërtesën si të dëmshme, nuk mund të bëjmë politikë me jetën e njerëzve. Këto janë të njëjtët njerëz që shikojnë një fatkeqësi dhe mundohen si hiena të vënë kthetrat dhe dhëmbët, të shqyejnë një fatkeqësi. Kur nuk largohen në kohë thonë, ‘ah i vratë ju se s’u larguan në kohë’; kur largohen në kohë, thonë ‘pse po i largoni në kohë’. Unë besoj se detyra e shtetit është të mos influencohet nga histeria e ditës, por shtetarët seriozë të thonë gjithmonë të vërtetën. Nëse e vërteta është që kjo ndërtesë nuk mban më dhe nëse me fytyrën sociale që tregon Bashkia e Tiranës paguan një më një qiranë, ndërkohë një pjesë e madhe e pallatit, është tashmë tek shtëpitë e reja më të mëdha, më të bukura e shumë solide, atëherë politizimi i këtyre gjërave është pa sens”, deklaroi Veliaj./ KultPlus.com

o

Koncert në sheshin ‘Skënderbej’, Veliaj: Të dhurojmë sa më shumë dashuri

Në Vigjilje të Krishtlindjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua koncertit të madh festiv në “Sheshin Skënderbej”.

Veliaj tha se ashtu si këtë vit, ku shqiptarët kanë qenë të bashkuar, edhe vitin tjetër të jenë bashkë dhe të pamposhtur.

“Teksa po mbyllim këtë vit, 365 fletë teksa i kemi mbushur me ditët e mira, me ditët sfiduese. Kaluam një kohë shumë të vështirë me pandeminë, me tërmetin por ajo që zbuluam është që kur jemi bashkë hallet përgjysmohen, kur jemi bashkë gëzimi dyfishohet. Ndaj është shumë e rëndësishme teksa futemi në një vit të ri të vazhdojmë të jemi bashkë. Kur ne shqiptarët jemi bashkë jemi të pamposhtur, bëjmë gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Dhe nëse i japim kurajo, i japim gëzim, i japim inkurajim secilit prej nesh, secili prej nesh do të jetë një histori suksesi dhe secili prej nesh do jetë një guralecë i vogël në mozaikun e asaj që është Tirana Europiane e vitit 2023”, u shpreh Veliaj.

Më tej Veliaj tha se këtë javë do ketë çdo ditë aktivitete festive në “Sheshin Skënderbej”.

“Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitete këtu në sheshin “Skëndërbej”. Çdo ditë do të kemi nga një koncert dhe nga një event.

Por jo çdo gjë shkon perfekt dhe unë jam i ndërgjegjshëm për këtë, ka shumë njerëz që ka nevoja, ka shumë njerëz që janë me ndihmë ekonomike, ka shumë njerëz që janë persona me aftësi ndryshe, ka shumë njerëz që ndoshta janë të vetmuar. Sëmundja e 2022 e 2023 nuk është Covid-i, kemi gjetur një vaksinë për Covidi-in, sëmundja më e madhe sot e shekullit ku jetojmë është vetmija. Ndaj për të gjithë ata që ndihen të vetmuar mund të kenë fëmijët në emigracion, mund të kenë humbur një nga atë afërmit e tyre do të doja që i gjithë qyteti të dhuronte dashuri”, tha Veliaj./atsh/ KultPlus.com

Teatri i ri Kombëtar, Veliaj: Do jetë në tokën e vet, më i madhi e më i bukuri në rajon

 Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re të Teatrit të Ri, i cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit XXI. Njësoj si Stadiumi i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushte më të mira aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti ishin në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri, u shpreh se sot më shumë se kurrë na duhet të kapim kohën e humbur. Ai tha gjithashtu se teatri i ri do të ndërtohet në tokën e tij, me para publike dhe do të jetë shumë herë më i fortë dhe më i bukur. Në ceremoni ishin edhe aktorët e mëdhenj si Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.

“Sot jam mirënjohës për profesor Bertin, për Luizën, për Tanin, për Tinkën, për Luftarin dhe Kaçin, Altinin e shumë të tjerë, të cilët në fakt, kur e nisëm këtë debat, kishim opinione të ndryshme, por në demokraci ne biem dakord që të mos biem akord, ama sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, sepse vendosëm që të vinim mënjanë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këmbënguljen e Kryeministrit Rama, që të bëhet me paratë e buxhetit dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë”, u shpreh ai.

“Besimi, bashkëpunimi, dashuria, puna është ajo që na çon përpara”, tha Veliaj.

“Për mua është një dilemë shumë e madhe se si mund të ketë ende forca politike kundër Teatrit? Si mund të ketë forca politike kundër sheshit? Si mund të ketë forca politike kundër këndit të lodrave? I quaj forca politike se nuk janë as parti. Janë një konglomerat, një aliazh copëzash të partive të ndryshme, asnjë parti integrale nuk është e përfshirë në këtë histori, është vërtet për të ardhur keq. Të mendosh që shumë prej këtyre lëvizjeve politike filluan si dramë, vazhduan si tragjedi dhe përfundojnë sot si komedi. Filluan si dramë sepse ishte dramatik ndryshimi i sistemit, ishte dramatik ndryshimi, rënia e murit të Berlinit, hapja ndaj demokracisë; ishte tragjike pastaj, që shumë prej këtyre personazheve u shpallën non-grata, kurse sot nuk kalojnë dot përtej aeroportit të Rinasit apo portit të Durrësit. Është komedi kjo që ndodh sot, kur ato lëvizje që nisën si shpresë, nisën si dramë, kaluan këto tragjedi, sot në fakt janë kthyer në vepra shumë të lira komike. Një komedi e tillë Tirana nuk ia ka borxh dhe unë besoj që sot, më shumë se kurrë, na duhet të kapim kohën e humbur”, vijoi kreu i Bashkisë.

Ai tha po ashtu se, “sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve dhe arkitektëve. “Kemi sot një dakordësi që qyteti ka nevojë për një hapësirë të tillë, ashtu siç janë bërë hapësira fantastike Piramida, Pazari, Sheshi, Liqeni, Unaza e Vogël, Unaza e Madhe, Stadiumi Kombëtar dhe shumë vepra të tjera që e kanë rritur cilësinë e jetës dhe vlerën e pronës në qytetin e Tiranës.

Ai falënderoi arkitektin e famshëm danez, Bjarke Ingels për të cilin tha se sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe sot është identifikuar me Teatrin e Tiranës. “I japim një mirëseardhje shqiptare të gjithë çunave e gocave, që kanë ardhur nga Kopenhagen. Bjarke sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe siç e provoi, duke ardhur këtu sot, është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri se sa të bësh një stacion në Hënë, por më vjen mirë që një emër kaq i madh është identifikuar me një vepër që do jetë padyshim vepra më e bukur e artit dhe kulturës në gjithë gadishullin e Ballkanit”, nënvizoi Veliaj./ atsh/ KultPlus.com

Dua Lipa pasi mori nënshtetësinë shqiptare: Faleminderit, po ndihem shumë krenare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dhuruar nënshtetësinë shqiptare këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, përcjell KultPlus.

Këtë veprim, presidenti i Shqipërisë e bëri një ditë para performancës së Lipës në Tiranë për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

E në anën tjetër, Dua Lipa ëstë ndjerë shumë  mirënjohëse për këtë nderim.

“Faleminderit presidentit Bajram Begaj dhe kryetarit Erion Veliaj për këtë nderim që më dhanë shtetësinë time shqiptare!! Faleminderit, po ndihem shume krenare’, ka shkruar Lipa në Instagram./ KultPlus.com

Veliaj uron 78-vjetorin e çlirimit të Tiranës: Vetëm bashkë mund të bëjmë më të mirën 

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar qytetarët për 78-vjetorin e çlirimit të Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj thekson se vetëm “bashkë mund të bëjmë më të mirën dhe të kalojmë çdo vështirësi”.

“Gëzuar 78-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Sot është dita kur nderojmë heronjtë që luftuan për çlirimin e qytetit , duke na dhënë një mesazh të vyer: se vetëm bashkë mund të bëjmë më të mirën dhe të kalojmë çdo vështirësi”, thekson Veliaj.

Edhe këtë vit, kryetari i bashkisë së Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve që për festat e nëntorit, të bëhen pjesë e festimeve duke iu bashkuar edhe ata nismës për vendosjen e simboleve kombëtare në banesat e tyre. / KultPlus.com

Festivali i filmit “PriFest” vjen në Tiranë, Veliaj: Prej Vjosës, edhe më afër me Prishtinën

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” (Prishtina International Film Festival) vjen në Tiranë, i cili do të zgjasë tre dite. Në natën e hapjes, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se një nga arsyet e mbajtjes së këtij festivali në Tiranë ishte për të kujtuar pikërisht themeluesen e tij, Vjosa Berishën, por njëkohësisht për të pasur edhe Prishtinën më afër.

“Një nga arsyet për të pasur një edicion festivali, ishte patjetër për të kujtuar Vjosën, shoqen time dhe tonën, një njeri që ka lëne gjurmë me art, me njerëzit që dashuroi dhe frymës që përçoi në komunitetin tonë. Ajo ka qenë, siç e ka pasur emrin, Vjosë. Pra një lumë i rrëmbyer, i destinuar që të marrë përpara gjithë pengesat. Besoj se është nga të rrallat herë kur një njeri i qëndron vërtetë emrit të vet. Jam shumë i lumtur që për nder të Vjosës, t’i bëjmë edhe një nder Kosovës. Kemi një mundësi që ta trajtojmë marrëdhënien dhe raportin special qe kemi me Prishtinën, me Kosovën, jo si një nga 52 javët e vitit, por të mundohemi që në çdo javë te kemi ne Tirane shijen e Kosovës,” u shpreh Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, bashkëshorti i Vjosa Berishës, themelueses së festivalit në Prishtinë, Fatos Berisha, u shpreh se kjo është hera e dytë që PriFest vjen në Tiranë. Ai theksoi se këtë herë ky festival rikthehet këtu për të kujtuar një anë të Vjosës, ndërsa foli edhe për filmat që ai do të sjellë për publikun.

“Më vjen mirë që jemi këtu si “PriFest”. Unë jam këtu shumë shpesh si shok i Albanit, por si “PriFest” është hera e dytë. Tani po vijmë për të festuar, po vijmë dhe për të kujtuar një anë të Vjosës, që e ka sjellë një pjesë të vogël të Prishtinës në Tiranë, ose një pjesë të vogël të festivalit të filmit të Prishtinës në Tiranë. Filmat që do të shikoni janë fituesit e edicionit të sivjetshëm, që e kemi pasur në shtator. Jam shumë i lumtur që këtu janë bashkë kineastë dhe miq nga Tirana, nga Prishtina, nga Kosova, nga Shqipëria. Festivali e ka këtë mision të krijojë miqësi të reja, por dhe të mbajmë ato të vjetrat. Një ndër miqtë e festivalit, por edhe të Vjosës, ka qenë dhe është Erion Veliaj, i cili mundësoi që sot ne të jemi këtu, jo vetëm sot, edhe nesër e pasnesër”, deklaroi Fatos Berisha.

Nga ana tjetër, artisti Alban Nimani theksoi se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës po vazhdon në veçanti për shkak të mbështetjes së Bashkisë së Tiranës duke njoftuar një program shumë të mirë me filmat dhe artistët më të mirë. “Më vjen mirë shumë që po vazhdon bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Tiranës, sidomos në mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Sonte, nesër dhe pasnesër kemi një program shumë të mirë me filma, me kineastë, me artistë të Kosovës, Shqipërisë ku do të mblidhemi dhe të flasim që të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin”, tha ai.

Festivali i filmit PriFest u themelua nga Vjosa Berisha në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës si një nevojë për të promovuar imazhin e saj kulturor dhe artistik si shtet i pavarur. Edicioni i parë i tij u mbajt një vit më vonë, në vitin 2009. Vjosa Berisha u nda nga jeta në qershor të vitit të kaluar pas një beteje të vështirë me sëmundjen./atsh/ KultPlus.com

Jim Belushi po realizon dokumentar për Tiranën, Veliaj: Një dhuratë e çmuar për promovimin e kryeqytetit shqiptar

Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi ka ardhur për vizitë në Tiranë.

Ardhja e tij lidhet me një dokumentar që Belushi po e realizon për Tiranën dhe më pas do të shfaqet në një nga mediat kryesore në Amerikë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur sot në zyrën e tij aktorin e njohur duke e dhënë edhe lajmin e madh për realizimin e  dokumentarit.

Veliaj e konsideron këtë si një dhuratë të çmuar dhe promovim i kryeqytetit shqiptar.

“Shikoni kush na ka ardhur për vizitë! I madhi Jim Belushi po realizon një super dokumentar për Tiranën, që do të shfaqet në një nga mediat kryesore amerikane – një dhuratë e çmuar për promovimin e kryeqytetit shqiptar, të cilin e do shumë.

Faleminderit Jim!”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com

Xhim Belushi rikthehet në Tiranë, Veliaj: Më tregoi se pa një qytet të ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme

Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Xhim Belushi ndodhet në Tiranë. Ai po realizon një dokumentar, i cili do të transmetohet së shpejti në të gjitha mediat amerikane.

Lajmin e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili priti aktorin me famë ndërkombëtare dhe rrëfeu pak nga biseda me të në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Më pëlqeu shumë që Xhim Belushi më tregoi se ka parë një qytet që ka ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme. Më vjen mirë që po xhirohet për një mediat kryesore amerikane një dokumentar për të kemi treguar imazhin dhe historinë e Tiranës. Është një privilegj i madh që Belushi është në Tiranë dhe që dëshmon në vetë të parë një Tiranë të transformuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Shumë shpejt do të kemi një datë kur do shikojmë gjithë produksionin e Tiranës dhe të kemi një mundësi që t’u themi miqve në Amerikë të përditësohen me ndryshimet në Tiranë,” u shpreh Veliaj, në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak./tvklan.al/ KultPlus.com

Erion Veliaj zbulon detajet e teatrit të ri

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar më shumë detaje nga projekti për teatrin e ri, i cili do të jetë 3 herë më i madh se i vjetri dhe më modern.

Duke folur në ceremoninë për hapjen e garës ndërkombëtare, Veliaj theksoi se ndërtimi i kësaj vepre në tokën ku ishte, është një nevojë për t’u shërbyer të gjithëve dhe se nuk ka kohë për të humbur, pavarësisht bindjeve politike.

Ai nënvizoi edhe faktin që projekti parashikon një parkim nëntokësor, që sipas tij, është një mënyrë e mirë për të mbuluar kostot e projektit, siç ka ndodhur me parkimin te sheshi “Skënderbej”.

“Duam që në çdo projekt të ri, të përdorim nëntokën, por dua t’ju them se nga këto mbi 7000 metra nëntokë, një pjesë do jetë patjetër për parkim. Ajo që kemi vënë re në këto vite është se parkingu poshtë sheshit “Skënderbej” ka paguar koston e sheshit “Skënderbej”; pra, është edhe një burim të ardhurash, për të gjeneruar para që të mirëmbahet institucioni, të paguajë shërbimet e ndryshme që mund të duhen, internet, drita, ujë. Ndaj, parkingu është edhe një pjesë e kontributit për të fituar të ardhura në ditë kur s’ka shfaqje. Në pjesën tjetër të nëntokës do vendoset gjithë teknika, skenat rotative, sigurimi ndaj zjarrit, emergjencat, etj.”, tha Veliaj.

Për sa i përket hapësirës së sallave të Teatrit të ri Kombëtar, kryebashkiaku tha se i është qëndruar projektit origjinal.

“I kemi qëndruar projektit origjinal si një fjongo ose perde e kapur, e kthyer horizontalisht. Hapësira më e madhe është salla kryesore, ku teatri mund të akomodojë në mënyrë simultane, pra në skena të ndryshme, 1514 vetë; kjo është disa herë më shumë se ç’akomodonte shtëpia prej tallashi që trashëguam. Nga këto 1514 ulëse, 629 vende janë vetëm auditori kryesor, ai që quhet salla ikonike apo salla e madhe. Kemi edhe një black box me 250 vende, në formën e një shkallare. Kemi edhe një skenë të ndërmjetme, për ata që duan të vënë vepra të këtyre kapaciteteve dhe kemi pastaj një skenë në tarracë të hapur. Vendosëm që në fillim fare që ne të kemi edhe një skenë me 500 vende, që është komplet në tarracë, me shërbimet dhe lehtësirat e nevojshme. Pastaj, janë zonat e pushimit dhe ato teknologjike. Ne duam që të jetë një ndërtesë si stadiumi, që jetohet 24/7”, deklaroi kreu i bashkisë së Tiranës./ atsh/ KultPlus.com

Rita Ora: Do të vazhdoj ta bëj të njohur vendlindjen time sa të jem gjallë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mirëpritur në takim Rita Orën, një ditë përpara koncertit të madh që kjo e fundit do të mbajë në kryeqytetin e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Duke i uruar mirëseardhje dhe duke folur për sukseset e saja nëpër botë, Veliaj i ka dhuruar edhe një punim të bërë me filigran.

“Një nga kostumet tradicionale të tuat, është kartolina e mikpritjes te dera e bashkisë, prandaj, ne kemi përgatitur një dhuratë për ty. Verzioni i qëndisur me filigran i kostumit tuaj tradicional”, thotë Veliaj.

E befasuar dhe e gëzuar nga kjo dhuratë, Ora, falënderoi Veliajn, duke thënë se ndjehet shumë krenar prej vendlindjes së saj dhe do ta promovojë atë derisa të jetë gjallë.

“Unë dua vetëm të sjell inspirim dhe kënaqësi kur vij këtu dhe gjithmonë kam dhënë maksimumin që të jem e sinqertë. Që kur kam filluar karrierën kam qenë gjithmonë vetja ime, duke bërë shaka të mia dhe duke treguar veten time. Pa marrë parasysh kush jeni, djalë apo vajzë, nëse jeni krenar me vendin nga jeni, kjo është gjithçka që mund të bësh, si dhe të bësh të njohur vendlindjen tënde. Unë kam besuar gjithnjë këtë gjë, njësoj sikurse kanë bërë edhe prindërit e mi. Këtë gjë do ta vazhdoj ta bëjë derisa të jem gjallë. Ne kemi një rresht plot me me vajza dhe mendoj që kjo do të sjellë shumë inspirim sepse doja të dilte në pah puna jonë dhe e ekipit tuaj. Duam të tregojmë miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të tregojmë mbështetje për komunitetin tonë”, tha Rita Ora, duke shfaqur entuziazmin e saj për të ngjitur në skenë e për të performuar në Shqipëri.

Ndërkaq, koncerti do të fillojë nesër mbrëma në sheshin “Skënderbej”. /KultPlus.com

Rita Ora gatuan pite në Tiranë (VIDEO)

Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore ka vizituar sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave, shkruan KultPlus.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Ora.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke thënë se është mirënjohës të gjithë atyre që punojnë me fëmijët dhe familjet në nevojë, që u shërbejnë çdo ditë me përkushtim.

“Më vjen mirë që Rita ishte sot këtu, si Ambasadore e UNICEF-it, për të inkurajuar çdo punonjës social dhe punën e mirë që bëjnë qendrat tona sociale”, ka shkruar Veliaj.

Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme të fëmijëve. Po ashtu, nuk mungoi pjesa kur edhe vetë Ora gatuan pite.

Çdo fëmije duhet t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin. Kjo është ajo që ofrohet në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore. / KultPlus.com