Ka nisur punën kopshti për fëmijë “Sunny Hill Kindergarten” në Tiranë.
Lajmin e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e cila gjatë verës që shkoi pati vizituar kryeqytetin shqiptar për të parë nga afër punimet për ndërtimin e këtij kopshti për fëmijë, me financim nga “Sunny Hill Fondation”.
Kopshti ka kapacitet për të strehuar 300 fëmijë.
“Një moment shumë krenues – “Sunny Hill Kindergarten” tani është hapur në Tiranë, Shqipëri, dhe ka kapacitet për 300 fëmijë. Faleminderit Erion Veliaj, Edi Rama dhe Bashkia e Tiranës. Zemra ime është e plotësuar”, ka shkruar Dua në Facebook.
Filmi i fundit i Daniel Craig në rolin e James Bond, pati mbrëmë premierën e tij edhe në kryeqytetin shqiptar.
Në një event të organizuar me detaje, që të fusnin në atmosferën e filmit më të famshëm britanik, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i ri i Britanisë se Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishin mikpritesit e veçante te të ftuarve VIP, te cilet u bene pjese te shfaqjes premiere.
Në fjalën e mbajtur në fillim të eventit, Veliaj tha se me premierën e këtij filmi nis edhe një “sprint” marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me 2 tërmetet, me pandeminë, por tani është koha që të rihapemi, është koha të festojmë, të njohim miqtë, të fillojmë nga e para dhe është koha të ringrihemi. Me këtë aktivitet të parë, jo vetëm bëjmë prezantimin e ambasadorit të ri britanik në Tiranë, por fillojmë edhe një stinë aktivitetesh, që vetëm fillimin e ka te filmi i sotëm”, nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se vitin tjetër ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, shumë prej te cilave do te jenë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe.
Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se kjo premierë filmi, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Britanisë.
“Po e nisim me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo jo vetëm në rangun e qeverive, por gjithashtu edhe bashkimin e njerëzve. Ndaj, do të shohim mënyrat për të ndërtuar marrëdhënie të përbashkëta më të forta dhe më të ngushta mes dy vendeve”, pohoi Smith.
Të gjithë të ftuarit u paraqitën në event me certifikatën e vaksinimit të Covid 19.
Filmi i “James Bond” “No time to die” pati premierën e tij botërore në Londër, 18 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar sepse u vonua nga pandemia. “No Time To Die” është dalja e pestë e aktorit britanik, Daniel Craig si 007. /atsh/ KultPlus.com
Këngëtari i famshëm me origjinë shqiptare, Ermal Meta në konferencën për shtyp një ditë para koncertit të tij në stadiumin “Air Albania” premtoi se nesër do mbajë koncertin më të mirë të jetës së tij.
“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3 që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi disa detaje sa i përket zhvillimit të koncertit nesër më 17 shtator.
“Ne do të hapim dyert e stadiumit duke qenë se do respektojmë edhe masat antikovid, edhe distancat, sigurisht edhe protokollin e sigurisë nga Federata. Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00 dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30-vjetorin e eksodit dhe këtij raporti ku ndoshta fabulën më të bukur por ndoshta dhe më unike e ka Ermali të kemi mundësi të prodhojmë një histori suksesi”, sqaroi Veliaj.
Më tej ai tha se, “do jetë hera e parë që ne bëjmë një koncert në stadiumin e ri, ndoshta dhe për të provuar atë multi funksionalitetin. Ky është një vend ku luhet futboll, po ky është një vend edhe ku kodohet edhe ne kemi qendrën TUMO, po këtu është një vend dhe ku bëhet muzikë dhe ne kemi disa medias dhe disa radio, po këtu ka edhe kompani të huaja. Ndërkohë që duam që të ketë edhe muzike edhe jetë kulturore për qytetin”.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Në këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar vërtet fytyrë, ka bërë hapa gjigante përpëra. Në këtë rrugëtim, Italia ka qenë përherë përkrah Shqipërisë. Jemi vende të veçanta, jemi vende mike, të lidhur nga historia, gjeografia, kultura, ekonomia, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të parët në renditjen e këtyre klasifikimeve”, nënvizoi ambasadori. / atsh / KultPlus.com
Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota do të udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.
Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjete sociale.
“Mural Fest Tirana vjen edhe këtë vit! Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale”, shkruan Veliaj.
Pjesë e Mural Fest priten të jenë artistë urbanë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj. Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, ku vepra shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.
Festivali synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.
Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re. Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në Tiranë një pikë të ngrohtë pritëse të artit. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa, vizitoi ditën e djeshme Shqipërinë, ku u takua edhe me shumë figura të njohura politike, përcjell KultPlus.
Lipa vizitoi edhe ”Sunny Hill Kindergarten”, një qendër që do të hapet në shtator të këtij viti për 300 fëmijë, ndërkaq ishte e pranishme edhe në një konferencë për media.
Sot, Lipa ka publikuar disa fotografi të vizitës së djeshme, ku njëherit edhe ka falenderuar Shqipërinë për mikëpritjen e ngrohtë që ju bë asaj dhe familjes së saj.
”Mirënjohëse për mikëpritjen e mrekullueshme, faleminderit Edi Rama dhe Erion Veliaj”, ka shkruar Lipa në mbishkrimin e fotografive të publikuara. / KultPlus.com
Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, e cila ndodhet në Tiranë, u prit sot në një takim nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.
Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.
Edhe pak kohë më parë babai i këngëtares së famshme, Dukagjin Lipa, u takua me kryebashkiakun e Tiranës, pas të cilit Veliaj paralajmëroi një projekt të ri muzikor të Duas në kryeqytet vitin e ardhshëm, që përkon edhe me Tiranën Kryeqytetin Europian të Rinisë.
Gjatë ditës së sotme, Veliaj dhe këngëtarja Dua Lipa do të inspektojnë edhe punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në Tiranë, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.
Dua Lipa shoqërohej nga prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid. /atsh/ KultPlus.com
Një lajm i mirë jo vetëm për komunitetin e artistëve, por dhe për të gjithë qytetarët artdashës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bën të ditur se menjëherë pas ndërtimit të Teatrit Kombëtar, do të nisë puna dhe për Teatrin e ri të Metropolit.
Teksa uron drejtoreshën e re të Teatrit Metropol, kryebashkiaku Veliaj siguron se Tirana nuk ndalet dhe projekte të reja do të vijojnë.
“Faleminderit Jonida për 6 vite magjike të ringritjes së Teatrit të Metropolit – pa zhurmë e pa tam-tame, u kthye në energjinë e bukur të Tiranës sonë me punë e pasion! Suksese Armeles – koha të nisim dhe Teatrin e ri të Metropolit pas atij Kombëtar. Tirana nuk ndalet më”, shkruan Veliaj. / gazetamapo.al / KultPlus.com
Falemnderit Jonida per 6 vite magjike te ringritjes se Teatrit te Metropolit – pa zhurme e pa tam-tame, u kthye ne energjine e bukur te Tiranes sone me pune e pasion! ❤️🎭
Pas vizitës në Kosovë e në Maqedoninë Veriore, gjenerali i njohur Wesley Clark ka shkuar edhe në Shqipëri.
Sot, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një fotografi në rrjetin social Twitter, ku shihet bashkë në veturë me gjeneralin Clark.
“Është shumë mirë ta fillosh ditën duke biseduar me heroin, gjeneralin Clark, burrin që ishte në krye të operacionit të NATO-s për ta çliruar Kosovën”, shkroi në postim kryetari i Tiranës.
It’s so good to start the day catching up with local hero @GeneralClark – the man at the helm of the @NATO operation to liberate Kosovo 🇦🇱❤️🇺🇸❤️🇽🇰
— Erion Veliaj #EYC2022 🇪🇺🇦🇱 (@erionveliaj) July 9, 2021
Ndryshe, gjenerali Clark qëndroi ditë më parë në Kosovë, ku u prit me nderime të larta ushtarake nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë tjerë të lartë të vendit.
Gjatë vizitës, ai tha se është i lumtur që u kthye përsëri në Kosovë dhe se është i kënaqur që po sheh përparim dhe demokraci. / KultPlus.com
Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa, prindërit e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, janë takuar sot me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga i pari i Tiranës, përmes një fotografie të postuar në rrjetin social Facebook.
”Diçka po gatuhet në Tiranë me Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa – bëhuni gati #EuropeanYouthCapital2022”, ka shkruar Veliaj në Facebook.
Mirëpo, se për çfarë befasie bëhet fjalë, akoma nuk është bërë publike. / KultPlus.com
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj i ka dhuruar këngëtarit Gjon Muharremaj, “Kullën e Sahatit” si shenjë mirënjohje për suksesin e tij.
I njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, këngëtari me origjinë shqiptare Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në zyrën e tij këngëtarin të cilin e vlerësoi maksimalisht për arritjet, teksa i dhuroi “Kullën e Sahatit” një simbol për miqtë special.
“Të kam ndjekur që kur ke qenë fëmijë edhe je shembulli i dikujt që i ka arritur gjërat me punë, me punë, me punë, me punë, me punë, me përpjekje. Një familje që ka sakrifikuar shumë për të të rritur, ama ia ke shpërblyer. Edhe kur të pashë edhe ty edhe Anxhelën dhe thashë: Vetëm Shqiptaria mund të çoj dy përfaqësues.”, u shpreh Veliaj.
Duke iu referuar karrierës së Gjonit, Veliaj tha se është shembulli më i mirë se me shumë punë mund të arrihet gjithçka.
“Jam shumë krenar për ty edhe dua shumë që të jesh një shembull për djem e vajza të tjerë. Ti je shembulli që dikush duhet të punoj non-stop për ato 3 minuta në Eurovizion, 13 vjet për ato 3 minuta, kështu që të uroj shumë sukses. Shpresoj që do të kesh një kujtesë të kohës, ku ti punon dhe sakrifikon, por edhe të kilometrit zero ku i kemi rrënjët të gjithë. Kështu që ti ke gjysmën e rrënjëve të tua këtu në Tiranë, edhe mezi pres të vish e ta konsiderosh shtëpinë tënde”, vijoi Veliaj.
Gjoni falënderoi kryetarin Veliaj për dhuratën, ndërsa tha se ndihet krenar që gjysmën e origjinës së tij e ka nga Tirana, pasi nëna e tij është lindur e rritur pikërisht në kryeqytetin shqiptar.
“Faleminderit shumë për këtë dhuratë, dhe për këtë simbolikë shumë të bukur. Ndjehem shumë krenar që e kam gjysmën time nga Tirana dhe e përqafoj gjithë fisin tim që është këtu. Faleminderit shumë”, u shpreh këngëtari. /demokracia/ KultPlus.com
Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.
‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.
“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.
Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.
“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com
Gazeta më e njohur dhe më e vjetër e shtypit në Izrael, “Haaretz”, i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në shkrimin e tij, pasi ka vizituar kryeqytetin shqiptar, gazetari i mirënjohur Benny Ziffer e krahason Tiranën me Tel Avivin, duke theksuar transformimin e madh dhe të shpejtë që ka pësuar qyteti vitet e fundit, nën drejtimin e Veliajt.
Gazeta e cilëson Veliajn si një kryebashkiak karizmatik, ndërsa Tiranën si motër biologjike të Tel Avivit. Ajo veçon “ish-Bllokun” si një nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit, si dhe arkitekturën e Tiranës dhe sheshin “Skënderbej”.
Nga ana tjetër, shkrimi paraqet faktin e tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, si dhe projektet e mëdha, si Teatri i ri Kombëtar, që pritet të realizohen në Tiranë. /ata/ KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Rame Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Të jemi shumë mirënjohës! Është një dhuratë fantastike, shpirtërore, që frymëzon po aq. Të falenderoj dhe jam i sigurt që flas edhe në emër të kryetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit sepse besoj që, në kohë të tilla, kemi nevojë për inkurajim, forcë dhe optimizëm. Na bën shumë krenar”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai i dhuroi tenorit diskun e Tiranës 100 vite kryeqytet, një bashkëpunim me BBC, ku janë përfshirë këngët më të vjetra dhe më të dashura në një shekull. “Në bashkëpunim me BBC kemi mbledhur në një disk disa nga këngët më të vjetra të Tiranës. Meqë na dhurove një rikrijim muzikor për Pavarësinë, edhe ne po të dhurojmë një përmbledhje muzikore për Tiranën 100 vjet Kryeqytet i shqiptarëve”, shtoi Veliaj.
Tenori Lahaj falenderoi kryetarin e Bashkisë për mbështetjen dhe u shpreh se realizimin e kësaj vepre e ndjente si detyrim ndaj Tiranës, ku është formuar profesionalisht.
“E kisha shumë të rëndësishme të sillja një mesazh sadopak pozitiv. Shqipëria, Kosova, por gjithë trojet shqiptare, kanë një kulturë, një traditë vërtetë shumë të veçantë. Përveç kësaj, është edhe pjesa e turizmit, që është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në Tiranë, e shumëçka tjetër që kanë ndodhur vitet e fundit. Tiranës dhe Shqipërisë ia kam pasur për borxh sepse talenti im ka dalë në pah nga Shqipëria, Tirana, ose më mirë, nga Akademia e Arteve, aty ku unë kam ardhur dhe kërkuar ndihmën e parë. Kjo është më e pakta që mund të bëj”, u shpreh ai.
Në festën e flamurit, Lahaj ka vendosur të risjellë në një version ndryshe këngën e famshme shqiptare, “Për ty atdhe”. Ramë Lahaj e risolli këtë këngë bashkë me një klip, që pasqyron vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare. Tenori nga Istogu përmes një postimi në rrjete sociale, theksoi se kjo këngë ishte dhuratë për ta në këtë ditë feste kombëtare./tiranaal/KultPlus.com
Këngëtarja e njohur shqiptare, Rita Ora sonte do t’i bashkohet diskutimit në konferencën virtuale “Diaspora flet” me bashkëbisedues Erion Veliajn, shkruan KultPlus.
Në konferencën virtuale “Diaspora flet” do të bashkëbisedojnë sonte duke filluar nga ora 20:30 ylli shqiptar, Ora dhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, i cili e bëri të ditur këtë nëpërmjet rrjeteve të tij sociale.
“Surpriza jonë për të gjithë ju: @ritaora dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, @erionveliaj , sot në bashkëbisedim në përmbyllje të konferencës ‘Diaspora Flet 2020’. 🔥 E realizuar me shumë dashuri e përkushtim, ju ftojmë të na bashkoheni sot, prej 20:30 (CET)”, thuhet në njofitm.
Rita Ora ishte pritur në takim nga Erion Veliaj dy vite më parë në Tiranë, ku kishte ardhur për të mbajtur koncert.
Poashtu, dyshja kanë bashkëpunuar edhe për rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, meqë rast Rita shprehu gatishmërinë për t’ia ndërtuar shtëpinë një familje të prekur nga tërmeti./ KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dhuroi sot “Çelësin e Qytetit” boksierit shqiptar të saposhpallur kampion bote, Robin Krasniqi. Duke i shprehur vlerësimet më të larta dhe mirënjohjen e veçantë për titullin që bën sot krenar çdo shqiptar, Veliaj tha se suksesi i tij është shembulli i njerëzve që nuk dorëzohen.
“Jam shumë i lumtur që Robin Krasniqi, kampioni ynë i botës, i krejt shqiptarisë, na ka respektuar qytetin. Ti na ke bërë krenar! Historia jote më bëri shumë përshtypje, është historia e dikujt që nuk ka fituar me të parën dhe nuk i ka shkuar jeta fjollë, por që është rrëzuar, është ngritur, është rrëzuar, është ringritur dhe sot është kampion bote. Historia jote frymëzon djem dhe vajza të rinj, të cilët duhet të kuptojnë se, suksesi nuk vjen në ndeshjen e parë, suksesin nuk ta sjellë baba ose nëna me njohje, me pasuri, me parti ose me politikë, por vjen nga ata që përpiqen, përpiqen, përpiqen dhe nuk dorëzohen”, u shpreh Veliaj.
Vetë kampioni i botës, Krasniqi u shpreh mjaft i emocionuar për këtë vlerësim. “Dua t’ju falenderoj përzemërsisht! Jam shumë, shumë i lumtur që kthehem pas 21 vitesh. Dikur isha një emigrant. Jam shumë krenar dhe shumë i emocionuar që në kryeqytetin e Shqipërisë së madhe, në Tiranë, i biem dy tituj të botës dhe është një nder shumë i madh ta marr këtë Çelës. Kam shumë kujtime të mira nga Tirana, shoh sesa ka ndryshuar, por është një nder, një respekt, një krenari e madhe ta marr këtë çmim”, u shpreh ai.
Boksieri nga Juniku, Robin Krasniqi ka shkruar histori, duke u bërë shqiptari i parë i shpallur kampion i botës në boks në kategorinë gjysmë të rëndë, pasi mposhti gjermanin Dominic Boesel. Për Krasniqin ishte hera e tretë që luftoi për titull bote, në një nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist (WBC, WBA, WBO e IBF). Ai ka një bilanc prej 51 fitoresh dhe vetëm 6 humbjesh gjatë karrierës së tij në këtë sport. /atsh/ KultPlus.com
Aktori i njohur Çun Lajçi i ka kërkuar kryebashkiakut Erion Veliaj që të nisë sa më shpejt me themelet e teatrit të ri.
Në një darkë miqësore të shtruar dje në mbrëmje siç thotë Lajçi nga “ai djaloshi që e don Tironën n’mënyrën e vet e hap kantiere pune pa fund”, u diskutua gjer vonë për kulturën, por dhe për shtëpinë e re të artistëve.
“Ata prap zbrazën dolli për mua, t’lumtun që m’kan t’hareshëm n’tela e n’varg. Çuni asht mojkomi i fundit i tha Altin Basha kryebashkiakut. Shifej se e kishte t’vetin, t’krahut e t’mendjes! Asht vazhda e Farukut, Bekimit, Abdurrahmanit. Por ky shkoi edhe ma përtej. U shkri n’poezi, n’prozë, u ba kangë n’lahutë! Pastaj folem për Tinkën e filmit “Tana”. Për Naim Frashërin, jo t’filmit, po t’teatrit, t’shfaqjes “Vitit 61”. Folem për Robert Ndrenikën, atë Bato Barmashin në “Moshën e Bardhë” t’marsit ’72! Folem për Arbanën që s’ndjehet mirë e për t’mëdhejt e teatrit, tani edhe pa teatrin. N’paq gjak arbëri n’dej, mos e zgjat po fillo me themelin e teatrit, se s’pushojnë gjamët e drrasave n’skenë, i thashë kryebashkiakut, që nuk e pata të qartë; shtroi darkë për mua apo për atë shitësin e librave me vathin e qenit n’vesh? Rri me popullin, se zyret t’vetmojnë. Shikoje vetën n’sytë e tyne, se bahesh i madhë e kthehesh n’thjeshtësi! Ndoshta m’ka kuptua se dashunisht i thashë si Leartit tim, e sytë i bani kokërr. Mbramë hija e Dervish Shaqës e kaloi Lanën dhe erdhi n’Hotel Tirana. – E kam vendin mes këtyne artistëve, o Erion Veliaj, se kangë e lot m’shkoi jeta. N’çufrrat për rreth Muzeut e dua edhe unë bustin tim! Unë ia kuptova mëllefin, ndaj ia dridha telat sharkisë e ai tha “E lash borë e gjeta dimën”! Unë veç e plotësova: Po mundohen do burra me ba verë, tue u takua n’Shkup e n’Shkodër! Për juve që jeni ba merak se a kam pasë me hangër mbramë, po iu them: Për kopilin me plisin e bardhë n’krye, që mbledhë rrugëve bastardë me kuferin e thyem, mbramë shtroi darkë i pari i Tiranës, ai djaloshi që e don Tironën n’mënyrën e vet e hap kantiere pune pa fund”, shkruan ndër të tjera Lajçi./ KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur Çun Lajçin.
Lajçi prej ditësh ndodhet në kryeqytetin shqiptar, duke promovuar librin e tij të fundit. Ndërkaq, mediet shqiptare raportojnë se përgjatë takimit me Veliajn u diskutun një mori temadh dhe çështjesh të lidhura me artin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare, përcjellë KultPlus.
Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare. “Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut. “Të falenderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, – kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije ike mi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falenderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”, u shpreh Lajçi.
Ndërkaq, Veliaj publikoi edhe një status në rrjetin social Facebook, ku tregoi se ndjehet shumë i lumtur për prezencën e Lajçit në Tiranë, duke iu referuar këtij të fundit si Çun Lajçi i madh.
‘Kulla e Sahatit për artistin Çun Lajçi – një vlerë e paçmuar!
Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive.🙌🙌🙌
Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë.🙏”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com
Mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, në Amfiteatrin e Tiranës do të mblidhen disa prej emrave më të mirë të muzikës popullore, për një koncert plot ritëm. Në skenë do të ngjiten artistët Gena, Fatmira Breçani, Irini Qirjako, Valbona Mema, Kozma Dushi, Liri Rasha dhe Vaske Curri. Pak orë para këtij koncerti, artistët u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv, por duke respektuar masat e distancimit për COVID-19.
“Jemi super-entuziastë që sot në darkë, tek Amfiteatri, do të kemi ajkën e muzikës së mirë shqiptare, në një koncert fantastik të titulluar: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë’. Një shprehje e vjetër thotë: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, sepse Roma ishte qendra e Perandorisë, kurse sot qendra e Perandorisë për zemrat, mendjet dhe energjinë tonë pozitive është Tirana. Ndaj, sot në orën 20:00, me kushtin e ruajtjes së distancës sociale dhe mbajtjen e higjienës, ju presim tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës. Ata që s’kanë mundësi të vijnë, mund ta ndjekin ose në televizor, ose në rrjetet sociale. Kemi nevojë të ruajmë shëndetin fizik, por kemi nevojë të ruajmë edhe shëndetin mendor, të kujtojmë më shumë muzikën, artin, kulturën, këngët e vallet tona, edhe si një lloj terapie, por edhe si një mënyrë fantastike për të rikuperuar dhe dalë më i fortë si komb, si shoqëri, nga kjo sfidë”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se Tirana, pavarësisht se kaloi shumë sfida të vështira, di gjithmonë që të ngrihet shpejt dhe më e fortë. “Kemi kaluar shumë sfida këtë vit, në 100-vjetorin e Tiranës, duke filluar nga tërmetet tek pandemia, por unë besoj se ky qytet është i suksesshëm sepse ngrihet shpejt sa herë që rrëzohet. U rrëzuam në këto sfida që patëm, ka ardhur koha të ngrihemi”, tha Veliaj.
Dy këngëtaret e dashura për publikun Irini Qirjako dhe Fatmira Breçani vlerësuan rikthimin e jetës artistike në kryeqytet. “Ishte një mrekulli e domosdoshmëri, sidomos ne artistët dhe publiku, e ka dëshiruar dhe e dëshiron shumë sepse nga gjithë këto halle që kaluam, nga tërmeti te pandemia, ushqimi shpirtëror është gjëja më e çmuar për njeriun, aq më bukur në atë amfiteatër që është bërë i mrekullueshëm”, u shpreh Qirajko.
“Bëftë hajër kryetari Erion Veliaj, që na mblodhi dhe na hapi dritën jeshile! Sonte do kënaqemi me këngët më të zgjedhura e më të bukura nga të gjitha krahinat e Shqipërisë”, tha këngëtarja Fatmira Breçani.
Teksa e cilësoi një surprizë të bukur ftesën e kryebashkiakut Veliaj për koncertin, këngëtari i njohur i muzikës përmetare, Vaskë Curri, tha se duke respektuar masat e distancimit, shqiptarët do ta kalojnë edhe këtë sfidë. “Edhe unë u befasova, kur më tha se do të bëjmë një koncert të madh tek Amfiteatri. Ejani të gjithë tiranasit, se këtu ka edhe shumë përmetarë, edhe nga jugu e veriu, që t’ia marrim këngës së bashku. Vetëm mbani distancat, që ta mposhtim këtë sëmundje të poshtër”, tha ai. /KultPlus.com
”Sot ka qenë një ditë kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzakonisht e amortizuar. E filluam këtë diskutim, pra këtë round të fundit të diskutimeve të këtyre tre viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferimin e administratës së re në Bashkinë e Tiranës.
Kishim një projekt për Pazar të Ri, Bulevard të Ri, për një Breg të ri të Lumit, për një pjesë të re të Liqenit, për një Shesh të ri, një Kala të re dhe sigurisht, edhe për një Teatër të Ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit. Pati një diskutim shumë të gjatë. Kam qenë në 12 takime në hotelet kryesore të qendrës, ku jemi takuar non-stop edhe me ata që kanë qenë kundër gjithçkaje, që në fund fare ishin një pakicë, edhe me ata që kanë pasur kundërshtime mbi pjesë të ndryshme të proçesit. Fillimisht nuk u preferua një teatër që të kishte kullë sipër dhe ai ra si variant.
Qeveria dhe Bashkia u tërhoqën, bënë një hap pas; pastaj u kërkua që të kishte një mundësi për ta financuar duke u siguruar që nuk preket fare toka e teatrit, pavarësisht se një investim privat në tokë të Bashkisë do të ngushtohej. Bëmë prapë një hap pas, edhe qeveria edhe bashkia, që asnjë centimetër të mos i prekej Teatrit Kombëtar. Më pas kishte edhe një pjesë tjetër, që kërkonte që kjo të mos bëhej as nga privati, dhe kur artistët kërkuan më shumë sesa privati mund të ofronte, ne thamë do shkojmë me artistët. Nëse ata kërkojnë impiante, kërkojnë skena që rrotullohen dhe nën vete, që ndoshta kushtojnë më shumë se ç’mund të paguajë privati me plan biznesin e vet, atëherë do i themi jo privatit, do i themi po publikes, dhe do e financojmë vetë projektin e ri.
Gjatë gjithë këtij procesi, këtyre 12 takimeve të hapura, por edhe qindra takime individuale që unë si kryetar bashkie kam bërë me pjesën më të madhe të komunitetit të artistëve, ne sigurisht kemi moderuar qëndrimet tona, por në një negociatë nuk mund të marrësh gjithçka. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet, edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat, edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrin. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucionet e rëndësishme dhe jo në periferi si Bregu i Lumit apo fshatrat e Tiranës, ku ne mund të kemi toka të lira.
Kjo është arsyeja pse sapo na u transferua prona, menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferohet, që kjo të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit. Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018, si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme, siç u pa nga rënia e lehtë që iu bë sot, me të prekurat e para. E verifikuan sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha: Kjo është një ndërtesë e rrezikshme.
E vërtetuam me Institutin e Monumentit të Kulturës, i cili tha: Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikisht këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumenteve të kulturës, duke e konsideruar diçka krejt të pavlerë. Pasi mbaruam gjithë këto diskutime, në momentin që u bëmë pronarët e parë të kësaj ndërtese, nëse diçka do i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, pa letra, pa dokumente, thjesht duke hyrë aty, duke bujtur gjatë ditëve të protestës këto 2.5 vjet, do të rrezikonte jetën, dhe përgjegjës do ishte pronari i asaj prone, që ka lejuar të tjerët të futen aty.
Në momentin që Instituti i Ndërtimit dha këtë mendim, njoftuam mbledhje të Këshillit Bashkiak, siç janë bërë të gjitha mbledhjet kolegjiale këto kohë, online, dhe morëm vendimin për të bërë këtë prishje, siç e ka rekomanduar Instituti i Ndërtimit. Pasi u verifikuam që jo vetëm ndërtesa nuk ishte e mbrojtur, siç pretendojnë disa, por ndërtesa s’kishte qenë kurrë në këtë listë dhe është insistuar sidomos për të mos e futur nga ata që e përdorën politikisht këtë betejë.
Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.
Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kollonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë. Na duhet një teatër modern. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt.
Dua t’ju them që nuk është kështu. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët. Ne mund te kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Detyra e bashkisë është që të vendosë mbi faktet, mbi institutet, mbi inxhinierët, mbi urbanistët, mbi arkitektët, mbi ligjet e këtij vendi, që thonë çfarë është apo nuk është monument kulture. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite. Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin sesi ne përçahemi.
Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Kemi qenë të mërzitur kur mbaroi këndi i lodrave, po sa shumë jemi gëzuar duke çuar fëmijët te ai kënd. Edhe atëherë u përfshinë OJF, por ja ku jemi sot. Ishin disa njerëz aktivistë shumë të mërzitur, kur ne liruam pjesën e dytë të Liqenit; atëherë Amnisty International u përfshi, një tjetër OJF e rëndësishme, por siç u kuptua, ishte vendimi i drejtë. Edhe romët morën shtëpitë e tyre dhe ne fituam pjesën e dytë të Liqenit.
Shihni Bulevardin e Ri, që do të jetë damari ri ekonomik i Tiranës, shihni sherrin që patëm për Pazarin e Ri, për sheshin Skënderbej, që në 1913, na u deshën 104 vjet për të mbaruar një shesh. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ne po punojmë momentalisht edhe te Kalaja e re, do të shtojmë edhe njëherë kaq Kalanë, një tjetër projekt i kontestuar. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një punë të madhe në Tiranë e të mos jetë e kontestuar, e debatuar, mos të jenë të përfshirë lloj-lloj politikanësh që na kanë përçarë këto 30 vite. Mendojnë vetëm çfarë votash do kapitalizojnë kur fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë, shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë dhe theremi dhe shajmë njëri-tjetrin.
Nuk shkon. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpunojmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë.
Ju dua shumë! Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë. Kemi marrë një vendim të drejtë miqtë e mi! Na priftë e mbara dhe mezi pres që ditët që kemi përpara t’i kalojmë duke bashkëpunuar, duke u përqafuar, duke u vllazëruar dhe jo duke u përçarë. Tirana është një shtëpi e madhe dhe ka vend për të gjithë.
Ju falenderoj të gjithëve nga zemra dhe pavarësisht si i kemi opinionet, kemi shumë rrugë për të bërë që Tirana të shkëlqejë akoma më shumë.”- tha Veliaj. / KultPlus.com
Figura e ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, është nderuar edhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Kopshti më i ri me pemë në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, do të mbajë emrin e Pagarushës, e cila javën e kaluar u nda nga jeta.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur disa nga miqtë e këngëtares së ndjerë për të mbjellur pemët dhe për të nderuar figurën e këngëtares.
‘Kopshti “Nexhmije Pagarusha” te Parku i Liqenit. Nuk ka kënaqësi më të madhe se t’i kushtosh një kopsht me 100 pemë artistes së madhe kosovare, e këto pemë t’i mbjellësh së bashku me kolegët e saj artistë.Sot përmbushëm edhe një amanet të sajin, se pemët i donte kaq shumë.’, ka shkruar Veliaj në Facebook. / KultPlus.com
Për ndarjen nga jeta të këngëtares shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka reaguar edhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkruan KultPlus.
Ai është shprehur krenar që dy vite më parë, qyteti i Tiranës e nderoi figurën e Nexhmijes me ‘Çelësin e Qytetit të Tiranës’
”Ikja e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për këngën shqiptare! Krenar që, dy vjet më parë, nderuam me Çelësin e Qytetit të Tiranës një artiste të jashtëzakonshme që i dha kaq shumë muzikës tonë. U prehsh në paqe!”, është shprehur tutje Veliaj. / KultPlus.com
Përmes një atmosfere fantastike plot muzikë dhe ngjyra, qindra të rinj të Tiranës u mblodhën në prezantimin e logos fituese te Tiranës për 100-vjetorin e saj si kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, përmes rrjetit social “Facebook” tha se ky është një moment fantastik dhe është momenti për të reflektuar e ëndërruar për Tiranën e 100 vjetëve të ardhshme dhe se në votimin online morën pjesë mbi 35.000 votues, ku fitues me pak vota diferencë u përzgjodh “Karrota” nga Kosova.
“Ky është një moment fantastik jo vetëm për të reflektuar, por edhe për të ëndërruar, çfarë Tirane do të projektojmë në 100 vitet e tjera, çfarë teatri do të kemi në 100 vitet e tjera, çfarë rruge do të kemi në 100 vitet e tjera, në cilat bulevarde do të ecim në 100 vitet e tjera, çfarë do të bëjmë për fëmijët në 100 vitet e tjera”.
“Mbi 35K votues morën pjesë në votimin online për logon e 100-vjetorit të Tiranës Kryeqytet! Fitues me pak diferencë është Karrota nga Kosova! 🇽🇰🇦🇱 #Tirana100 Urime! Ndërkohe, 3 finalistët e tjerë do të jenë pjesë e aktiviteteve të këtij viti!”, shkroi Veliaj. KultPlus.com
Gjashtë pjesëtarët e familjes Sala jetojnë në fshatin Pinar të Tiranës, ku banesa e tyre u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.
Këngëtarja me famë botërore, me origjinë shqiptare, Rita Ora ka mbajtur fjalën e dhënë pak ditë më parë për rindërtimin e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti falë kontributit të saj personal.
Pak ditë më parë, Rita Ora shkruante në një postim në Instagram se do të rindërtonte shtëpinë e familjes Sala dhe se viti i ri do të gjente me shtëpi të re.
Ndërkohë sot, Rita ka postuar një foto të Veliaj teksa takon falimjarët Sala. “Rita Ora e mbajti fjalën menjëherë. Faleminderit gocë”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një njoftimi në Facebook ka përgëzuar nxënësit nga Shqipëria që kanë fituar medalje në një garë ndërkombëtare në Moskë, shkruan KultPlus.com
“Ju kujtohet grupi i nxënësve të Tiranës që Bashkia i mbështeti për Olimpiadën e Metropoleve nga e gjithë bota në Moskë?
Fituan 2 medalje bronzi!
Deni Mastori në Kimi dhe Arkid Kaleci në Informatikë. Provë se kush është i mirë dhe punëtor, herët a vonë ia del me sukses! BRAVO”, ka shkruar Veliaj në Facebook.