Medalje për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare, Erkand Qerimaj fiton të argjendën

Shqipëria nuk ndalet në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, pasi ka siguruar medaljen e katër. Këtë herë është Erkand Qerimaj që ka arritur të fitojë medaljen e argjendë me shkëputje.

Peshëngritësi mori medaljen në stilin me shkëputje të peshave 73 kg, në një garë që nuk kaloi pa polemika, ku sërish u bënë protagonistë gjyqtarët, pasi peshëngritësi shqiptarë “dështoi” në dy provat e para me 148 kg, ndërsa prova e tretë rezultoi edhe e vërteta me peshën 149 kg.

Çuditërisht dy nga tre gjyqtarët e konsideruan fillimisht provën të pa rregullt. Kjo gjë solli protesta të forta nga Qerimaj, trajneri Sokol Bishanaku dhe presidenti i FSHP-së Elez Gjoza. Më pas në rishikim, gjyqtaria vendosi ta quante si provë të rregullt.

Ky rezultat i jepte momentalisht të artën shkodranit, por në provën e fundit italiani Mirko Zanni ngriti 150 kg, duke e marrë ai vendin e parë. Kjo ishte medalja e katërt për Shqipërinë në “Oran 2022”, pasi më parë kanë fituar medalje ari atletja Luiza Gega, mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa një bronzi e ka marrë mundësi Islam Dudaev. /KultPlus.com

Peshëngritësi Erkand Qerimaj siguron vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg në Lojërat Olimpike

Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj ka siguruar vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg për meshkuj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, përcjellë KultPlus.

Ai ka shkëlqyer në të treja provat në shkëputje ku më e mira ishte në 157 kg, ndërsa ka arritur të ngrejë 181 kg në shtytje, duke çuar në një total prej 338 kg në dygarësh.

Në përfundim të renditjes së përgjithshme në disiplinën 81 kg në peshëngritje për meshkuj, peshëngritësi Qerimaj zuri vendin e 9 nga 14 peshëngritës të kategorisë së tij në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Kampioni Erkand Qerimaj sot gjatë garës kishte edhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili shoqërohej nga presidenti i KOKSH, FidelYlli dhe sekretari përgjithshëm, Stavri Bello, shefi i misionit dhe anëtarë të tjerë të delegacionit Olimpik shqiptar. / KultPlus.com