Ne shqiptarët kemi plot qytete me status, por pak qytete me karakter, Gjakova shkëlqen mes kësaj pakice

Shkruan Ermal Hasimja

Ne shqiptarët kemi plot qytete me status, por pak qytete me karakter. Në 3-4 vitet e ardhshme GJAKOVA do të shkëlqejë mes kësaj pakice. Po e shkruaj tani që të mund të mburrem që ua thashë para se ta zbuloni vetë. Gjakova ka histori sa Gjirokastra, qytetari sa Korça, gatime sa Dibra, traditë sa Shkodra e mikpritje sa të gjitha bashkë. Ka Çarshinë me kafet, kullat e monumentet e kulturës, Krenën, Drinin e Erenikun, liqenin e Radoniqit me pamje magjepsëse, këngët qytetare që këndohen me raki përpara, samunat me suxhuk, Alpet në sfond, traditat e rregullat e veta, krenarinë e sakrificat për lirinë, vetëdijen e thellë shqiptare e shumëçka tjetër.

Mbi të gjitha ka njerëz punëtorë, të dashur e me humor.

Gjakova do të jetë dashuria e madhe e pjesës tjetër të jetës suaj. / KultPlus.com

I dashur prind, po ju plotësojmë ëndrrën për një fëmijë të shkëlqyer me nota pa u lodhur me librat

Nga Ermal Hasimja

I dashur prind

Lexova me vëmendje mesazhin tuaj me ankesat për notat e djalit. Siç e prisja, ju nuk keni ankesa për shkollën, por për notat. Për këtë arsye, vendosëm të ndërmarrim hapat e mëposhtëm për të rritur notat e djalit:

Çdo mëngjes para se të fillojë mësimi do shërbejmë djalit kafen e mëngjesit (me qumësht besoj) që të ndihet mirë psikologjikisht. Pampersat besoj se ia ndërroni vetë.

Tri herë në ditë mësuesi i matematikës do t’i recitojë disa vargje magjike nga një libër magjish egjiptiane, ndërsa mësuesja e gjuhës do këndojë yshtje kundër syrit të keq.

E udhëzuam mësuesen e fizikës që pasi të shpjegojë mësimin për gjithë klasën, të bëjë një shpjegim në version hip-hop ekluzivisht për djalin tuaj (meqë ndryshe nga nxënësit e tjerë që ka. për modele frymëzues shkencëtarë e sipërmarrës, djali juaj ka model Noizin dhe Stresin).

Meqë ju këmbëngulni se nuk duhet t’i lodhim fëmijët me shkencë mësuesja e kimisë tani e tutje do ta pyesë vetëm për efektet e Redbullit dhe patatinave mecjenëse kemi konstatuar se këto i njeh më mirë se lëndën.

Nëse këto masa nuk funksionojnë kemi vendosur që t’ju emërojmë Juve personalisht Kryevlerësues të djalit tuaj dhe t’u japim të drejtën e vënies së notave. Natyrisht vetëm për djalin tuaj, sepse prindërit e tjerë kanë qëlluar të përgjegjshëm.

Meqenëse po ju plotësojmë ëndrrën tuaj në sirtar për të patur një fëmijë të shkëlqyer me nota pa u lodhur me librat në këmbim ju kërkojmë një nder. Kur djali të mbarojë universitetin e të bëhet mjek, siç ëndërroni ju, ju lutemi të na njoftoni në cilin spital do t’i gjeni punë më mik. Thjesht ta dimë se njerëz jemi e na verbon shejtani sytë e na çon te ai spital dhe marrim më qafë veten a familjen. Faleminderit për bashkëpunimin./KultPlus.com