Nata e mbrëmshme në Cineplexx në Prishtinë ishte rezervuar për shfaqjen e komedisë “I Love Tropoja”, film ky që producenti Ermal Mamaqi e solli jo shumë kohë pas suksesit të jashtëzakonshëm me filmin paraprak “2 Gisht Mjaltë”, shkruan KultPlus.
Me bindjen që
edhe ky film do t’i thyejë të gjitha rekordet e shitjes së biletave, Mamaqi mbrëmë
bashkë me disa nga aktorët e filmit erdhën në Prishtinë për të prezantuar punën
e tij në një gala premierë e cila ishte organizuar për të ftuarit special dhe
mediat.
Para
shfaqjes së filmit, atëherë kur të gjithë zunë vendet e tyre dhe salla ishte e
stërmbushur, Mamaqi bashkë me aktorët e filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhia,
Julian Deda, Marjana Kondi, Irgen Çela, etj hynë në sallë për një përshëndetje
me të pranishmit.
I pari e mori
fjalën Mamaqi i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tutje
foli pak rreth filmit.
“Kjo histori
flet për një djalë, për frikën e tij që ka nga tropojanët, dhe misioni që ka ky
film është që të thyejë paragjykimet për Tropojën, duke treguar që tropojanët
janë njerëz të traditës, besës, zakonit, që e respektojnë familjen dhe në të njëjtën
kohë ky është një marketing shumë i mirë për Tropojën, Valbonën”, ka thënë
Mamaqi.
Sipas
Mamaqit, ky film është krijuar me një buxhet prej 700.000 Euro dhe është
xhiruar me kamerat me lense speciale që janë përdorur në xhirimet e filmit Fast
& Furious 8.
Edhe aktorët
tjerë të filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhiu, përshëndetën publikun me shpresën
që filmi do të ju pëlqejë.
Aktorët dolën
jashtë sallën për të lënë një qetësi absolute në sallë ku filmi nisi të shfaqet.
Filmi
trajtonte problematikat dhe situatat dramatike që ndodhin në një qytet në veri
të Shqipërisë, Tropojë. Përshkrimi me nota tepër komike, nga njëra anë e bënte
publikun të qeshte gjatë gjithë kohës, por nga ana tjetër filmi kishte synim të
vë në dukje fenomene të ndryshme përmes një mesazhi edukativ.
Një djalë me
ambicie të mëdha për jetën, shpreson që së shpejti do të vendoset në pozicionin
që meriton në kompaninë ku ai punon, por çuditërisht ndodh e kundërta. Djali e
gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet verior, në Tropojë
(në qytetin e Marko Hoxhës në filmin “Taken”), ku duket se shpresa ka vdekur
bashkë me botën në mendjen e tij.
Gjate
kalimit të kohës ai kupton se jeta në qytetin e largët nuk ishte aspak ashtu si
e kishte menduar. Njerëzit nuk janë të egër dhe nuk ka rreziqe që i kanosin
jetën, madje ashtu papritur ai gjen dashurinë e jetës së tij.
Në fund të
fundit, zakonet janë zakone dhe mentaliteti provincial hera herës bëhet pengesë
për çiftin. Por në fund, dashuria e dy të rinjve bëhet më e fortë se secili
zakon.
Kjo është komedia “I Love Tropoja”, i cili mbrëmë është shfaqur në dhjetë termine në Cineplexx, filmi tutje do të vazhdojë të shfaqet në orare të ndryshme për të gjithë të interesuarit. / KultPlus.com
Në Pallatin e Kongreseve mbrëmë u shfaq premiera e filmit “I Love Tropoja”, me regji të Ermal Mamaqit. Në premierë ishin të pranishëm mijëra adhurues të filmit, familjarë, kolegë dhe miq të Mamaqit dhe kastit të filmit.
Pas shumë duartrokitjeve, në premierë pati edhe incident. Disa të rinj kanë hedhur disa fletushka në shenjë proteste kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili është pjesë e filmit. Në disa fletushka shkruhej “Shqipëria digjet, Rama krihet”, ndërsa në disa të tjera janë foto të familjeve të prekura nga tërmeti që jetojnë në çadër, si dhe të Ramës me flokë të gjata, sipas rolit të dajës në filmin ‘I Love Tropoja’.
Përveç kësaj, filmi i Mamaqit ka marrë kritika të ashpra në rrjetet sociale nga shumë qytetarë nga Tropoja, të cilët thonë se janë ndjerë të ofenduar me pjesë ku për të nderuar mikun e tyre, tropojanët i vendosin vajzat e shtëpisë për të fjetur me të. Në llogarinë Tropoja në Facebook, qytetarët kanë publikuar këtë reagim, duke paralajmëruar protesta.
Kujtojmë se pjesë e filmit “I Love Tropoja”, përkrah Mamaqit luajnë Arjola Demiri, Enca Haxhia, Mariana Kondi, Bruno Shllaku e shumë të tjerë./21Media / KultPlus.com