Shqiptarja e parlamentit kroat: E vështirë të futesha, po rritet bashkëpunimi

Rezidentët shqiptarë në Kroaci kanë fatin që të kenë zërin e tyre edhe në parlament. Deputetja Ermina Lekaj, është e zgjedhura e tyre në tempullin e demokracisë, ndërsa përfaqëson dhe komunitetet e tjera.

“Parlamenti kroat është shumë me rëndësi që shqiptarët ta kenë zërin e tyre. Është shumë e vështirë në fakt që të kandidosh e të futesh aty, pasi janë 5 komunitete që zgjedhin vetëm 1 deputet. Është fitore e madhe për të gjithë ne shqiptarët. Para se unë të vija, e zgjedhura e komuniteteve ishte një boshnjak”, thotë ajo.

Kur vjen fjala tek interesi i shqiptarëve, Lekaj nuk kufizohet vetëm te parlamenti kroat. Ajo viziton shpesh Tiranën, ku nuk mungojnë diskutimet me zyrtarët vendas për çështjet e interesit, e një prej tyre është dhe korridori blu, një prej projekteve të para të nxitura përmes procesit të Berlinit nëvendet e Ballkanit perendimor.

“Dje kemi ardhur nga Kroacia me makinë, e na janë dashur 12 orë udhëtim. Me korridorin Blu kjo rrugë do të shkurtohet ndjeshëm. E nuk i vjen në shërbim vetëm Kroacisë, por edhe Malit të Zi dhe Shqipërisë.”

E një ndër fushat ku Lekaj mendon se Shqipëria mund të marrë më shumë prej Kroacisë është ajo e turizmit.

“Kroacia ka një traditë për sa i përket turizmit. Do të ishte mirë që të shkëmbeheshin përvojat midis Kroacisë dhe Shqipërisë. Vendi ynë, Shqipëria mund të mësojë shumë prej Kroacisë. Kur të shkoj në Kroaci, menjëherë do të bëj një takim me drejtorin e zyrës së turizmit, për të pasur një shkëmbim eksperiencash mes palëve.”

Si një rritje të marrëdhënieve bilaterale, por dhe ekonomike, deputetja shqiptare sheh dhe investimet e bëra nga kompani shqiptare në Kroaci dhe të anasjelltën.

“Kohëve të fundit ka disa persona që kanë investuar në Kroaci, por edhe e anasjelltas. Ajo çka është më e rëndësishme është rritja e numrit të të rinjëve shqiptarë që punojnë në Kroaci.”

Bashkëpunimin mes palëve, zonja Lekaj e sheh gjithnjë e më të ngushtë, e për këtë si garanci jep punën e saj. Punë e cila ka ndikuar ndjeshëm në marrëdhëniet bilaterale dhe rritjen e angazhimit kroat për Shqipërinë./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Deputetja shqiptare sërish kandidate në Kuvendin e Republikës së Kroacisë

Komuniteti shqiptar në Kroaci mbështet kandidaturën e Ermina Lekaj Prlaskaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Znj. Prlaskaj, aktualisht deputete shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, ka dëshmuar përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm për përfaqësimin e interesave të komunitetit shqiptar në këtë shtet.

Zgjedhjet e datës 5 korrik për Parlamentin e Kroacisë janë një mundësi dhe shans i mirë jo vetëm për të dëshmuar dhe konfirmuar vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kroacisë për më shumë prosperitet në të gjitha fushat, por për të artikuluar njëkohësisht edhe zërin e komuniteteve të tjera që jetojnë në Kroaci.

Në mandatin e fundit në Kuvendin e Republikës së Kroacisë për herë të parë zëri i komunitetit shqiptar që jetojnë ne Kroaci në historine e vet është përfaqësuar me integritet, dinjitet të plotë, profesionalizëm të pashoq nga zonja, Ermina Lekaj Përlaskaj, e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka dëshmuar përkushtimin dhe angazhimin maksimal për të përfaqësuar denjësisht interesat e komunitetit shqiptar në Kroaci.

Mbështetja për zonjën Përlaskaj është më se e nevojshme për të fuqizuar komunitetin shqiptar dhe qytetarinë aktive të shqiptarëve në Kroaci, duke e bërë komunitetin shqiptar edhe më aktiv dhe më pjesëmarrës në përfaqësim dhe vendimmarrje në Republikën e Kroacisë. /albinfo/ KultPlus.com