Poezi nga Ermira Alia
Frymë nën frymë
Tok i pianos çel një urë
si magji.
Dorë mbi dorë në tast përket,
frymë nën frymë vjen ti.
Unë me gishta nuk të cek,
por të ndiej.
Nuk të shoh dot ty me sy,
por aq pranë më qesh.
Hyjni prej lart,
fortunë a fllad,
rishfaqesh s’di se si.
Më bën me krahë kur ti më rrok n’ajri.
E bashkë rrëmojmë ndër tinguj,
kërkojmë një simfoni,
një masë vë unë e at’ e këndon ti
Ashk’ i qiellit thellë tek unë
të përcjell
edhe ngeja të jep shenjë,
para meje del.
Kot që thonë se ka dy jetë.
Nuk e dinë.
Se ka jetë, edhe nën jetë,
janë si rrënjë me frymë.
Shajni prej lart,
fortunë a fllad,
rishfaqesh s’di se si.
Më bën me krahë kur ti më rrok n’ajri.
E bashkë kërkojmë ndër tinguj,
fillojmë një simfoni
një masë vë unë e at’ e këndon ti.
Unë me gishta nuk të cek,
por të ndiej.
Nuk të shoh unë dot me sy,
por aq pranë më qesh.
Tok i pianos çel një urë
si magji,
dorë mbi dorë në tast përket,
frymë nën frymë vjen ti…/ KultPlus.com
–Poezia e shkruar nga Ermira Alia, fituese e çmimit të tretë në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com