46 vjet nga vdekja e Koliqit, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Letra e Koliqit në vitin 1948 kur u themelua në Palermo qendra e studimeve shqiptare

“Kuvend letrash me miqtë”, botuar  OMSCA-1 ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorë të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit.

Gazeta “Standard” i ka publikuar fillimisht këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi ku jepet letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolar që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958.

Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. “Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si Ernest Koliqi apo Karl Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.

Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së Mustafa Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata që patën fatin me pas letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”. Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës vjen atmosfera politike e migracionit, ku “nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof. Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”. Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”. Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballojë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hedhë e shpërnda pa plan e pa shtëpi”.

Më poshtë vazhdon letrat e Koliqit për Krujën…

Letërkëmbim Mustafa Merlika Kruja , Ernest Koliqi

(30 Prill 1948 – 10 Dhjetor1958)

Rapallo, 7.XII.1948

I dashtuni Mustafë

Letrën t’ânde shkrue me 20 tetuer e gjeta këtu në Rapallo, ku jam tash mâ se nji muej i kapërthyem vetëm me punë familjare. Sot n’orën 4 të mëngjesit më fali Zoti nji vajzuke.

Ime – shoqe âsht krejt mirë dhe puna vojti rregullisht. Isha në kujdes e disi tashti pak u qetësova.

E kuptoj fare mirë mallin t’onë për këto vise të bekueme, ku Ti kalove me familje vjet qi atëherë na dukeshin âmtije e pritjeje dhe sot kujtoj  se përbâjshin hisen e lumnís qi na ishte dhânë në kët botë. Kur kaloj ndonji herë nëpër Nervi Të kujtoj, sikurse nuk më hiqet mëndsh mikpritja e asaj kohe të zojës Caje dhe e jotja. Unë jam pak ma fatlum se shum shokë, por edhe mue bukurín e ditve të bukra qi këtu çuditënisht janë tue vazhdue, m’a terratisë kujtimi i vllaut qi kam në burg atje n’at ferr qi u bâ Shqipnija dhe dyshimi mos të zhduket herët a vonë edhe ai si shokët!

Në dorë të Zotit!

Për Bashkimin prap kam shkrue. Plasa tue bâ relacjone n’at dreq Ministrije (m’i lypin ata vetë), por punët ecin kadalë.

Djalit të Myftís ia mora visto-n, ashtu Koços e Këlcyrës. Kur po vijnë?

Mora tash tri ditë nji kartë prej Koços, por nuk kuptova mirë se ç’më thonte.

Jam krejt në terr për sa u përket punve të pulatikës së shqyptarhânes. Ismaili nuk më ka shkrue po bâhen 20 dit. Unë, si të thaçë, kam pasun telashe e iu kushtova në kohët e fundit vetëm çâshtjeve familjare. Prej Rome askush nuk më shkruen, ndoshta pse kanë pritë të dukem atje krye moji s’paku simbas zakonit. Por unë, salvo imprevisti, deri më 15 kallnduer s’due t’los vendit. Tashti u bâna dyfish babë e shtëpija më mban mâ tepër se përpara.

Javën e fundit të tetorit e kalova në Sicili, aty, si e din pse edhe Tý t’âsht dërgue thirrja, u mblodh nji Kuvend ndërkombëtar studimesh shqiptare. Suksesi qe i shkëlqyeshëm. Veçanërisht né Shqiptarvet të Shqipnís na kanë pritë me nji përzëmërsí të thekshme. Me 24 nanduer, si fryt i parë i kuvendit, u themelue në Palermo qëndra e studimeve shqiptare. Kryetar: Dr. Petrotta; Drejtues: prof. Riberzo; sekretar i përgjithshëm: Karl Gurakuqi. Kjo qëndër mund të ket zhvillime të pamëndueme. E përkrahë qeverija e Regjonit me mjete edhe financjare. Un kam pasë bisedime të gjata me Shkëlqesën Alessi; President i Regjionit (nji farë Mëkâmbsi). Kam folë gjatë edhe për Tý. Por mbi këtë, nji herë tjetër. Në kuvend shum kush ka pyetë për Tý.

Kaq për sot. Salih Efendiut dal-kadalë të gjitha deshiret do t’ia çoj në vend?! M’i bân nderimet e mija. Tý të përqafoj me mall.

Të fala prej të gjithëve të shtëpi,   

I yti Ernesti./ KultPlus.com

Malësori që nuk dinte as shkrim as lexim por, çdo muaj mblidhte 150 dollarë për botimin e ‘Shejzave’

-“…sepse atëherë ishte Ñue Vojvoda i Shalës, malsor i Shalës Dukagjinit, i cili nuk dinte shkrim-lexim, as gjuhen anglishte, lante pjata ne nji restorant, dhe çdo muej mblidhte nga 150 dollarë (nga xhepi i vet dhe miqet e tij), për botimin e “Shejzave”. Per këtë ka shkrue Koliqi, dhe Ñue Vojvoden e kam njofte mire. Ne ate kohe Ñue Vojvodës nuk i ndihej zani as nuk i baheshin fotografi .”

…Tue llogaritun nivelelin e inflacionit 150 dollare te vjetes 1950 sot vlejnë 1 mijë e 617 dollarë e 75 cent…ne muej i ka mbledhun Malsori Shaljan Ñue Vojvoda per me qitë revisten ma te mire shqipe qe asht dale mbas Luftes se Dyte Botnore…

Marrë nga profili i Ilir Seci./ KultPlus.com

La Croix 1943: Koliqi, ish ministri shqiptar i arsimit emërohet delegat i qeverisë së Tiranës pranë asaj të Romës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 10 Korrik 2020

“La Croix” ka botuar, të shtunën e 29 majit 1943, në ballinë, një shkrim në lidhje me marrëdheniet asokohe midis Shqipërisë dhe Italisë si dhe emërimin e Ernest Koliqit pranë qeverisë së Romës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Koliqi, ish-ministri shqiptar i arsimit publik i emëruar delegat i qeverisë së Tiranës në qeverinë e Romës, u nis për në Itali ku menjëherë do të marrë përsipër detyrat e tij të reja.

Institucioni i një delegacioni shqiptar në Romë dhe një delegacioni italian në Tiranë, duke mos modifikuar në asnjë mënyrë atributet e lejtnantit të mbretit, përfaqësues në Shqipëri i sovranit të Italisë, i cili, që nga bashkimi të dyjave kurorave, është gjithashtu kreu i shtetit shqiptar, shënon një evolucion në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Krijimi i një ushtrie të re, ekskluzivisht shqiptare, e shpallur këto ditë nga presidenti i Këshillit Shqiptar, vë në pah drejtimin e këtij evolucioni i cili, në frymën e drejtuesve të politikës italiane, duhet t’i lejojë Shqipërisë të sigurojë një ekzistencë në përputhje me traditat dhe interesat e saj brenda kuadrit të bashkimit të saj me Italinë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-croix-1943-ernest-koliqi-ish-ministri-shqiptar-i-arsimit-publik-eshte-emeruar-delegat-i-qeverise-se-tiranes-prane-asaj-te-romes/?fbclid=IwAR3_slqOlrca_zKS7Es5pUSdntCnhGivmhT-cgAskFZtzxZYRUd91bHn2kU

Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t’u përbaltë?

Nga Ndue Ukaj

Studiuesi Auron Tare ka publikuar këto ditë një shkrim i cili hapi shumë debat. Tare pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Pas publikimit të shkrimit, reagimi i parë ka ardhur nga Ardian Ndreca. Ai e cilëson Taren si megallomanan, ndërsa thekson se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë. Sipas tij, shkrimi i Tares nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

Ndërsa sot ka reaguar edhe shkrimtari Ndue Ukaj, i cili shtron pyetjen se kush është në radhë për tu përbaltur pas Koliqit dhe Camajt. Tutje ai ka shkruar që këta dy shkrimtarë, mori i kanë kaluar hijet e zeza të komunizmit shqiptarë.

Reagimi i plotë i Ndue Ukaj:

Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t’u përbaltë?

Dishepujt komunistë dhe një tufë shkretanësh të mbarsur me ide proletare, nuk ua falin kurrë dashurinë që kanë treguar për kombin, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, titanëve si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndaj, nga bataku ku janë katandisë, herë pas here tentojnë të hedhin ndonjë grusht baltë mbi ta. Sepse, këta shkretanë, përballë Koliqit e Camajt shohin trashëgiminë e tyre të egër dhe pa kurrfarë kontributi real në kulturën shqiptare. Vërtet, këta të shkretë, sa herë shohin portretet e këtyre dy shkrimtarëve dhe intelektualëve të përkorë e fisnikë, shohin damkat e mëdha të tyre, të paraardhësve të tyre të egër dhe të shkollës ku janë edukuar.

Koliqi e Camaj qëmoti i kanë tejkaluar hijet e zeza të komunizmit shqiptar dhe pjellës së tyre proletare, dhe dytë ndritin kulturën shqiptare, me rrezet e veprës së tyre plot dashuri, jetë, dije dhe estetikë të jashtëzakonshme. / KultPlus.com

Auron Tare pretendon se Camaj dhe Koliqi ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, nxit debat

Studiuesi Auron Tare ka publikuar një shkrim që pritet të hapë shumë debat. Tare pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

“Ftoj dashamirësit e historisë te lexojne nje punim i cili me ka kushtuar mjaft kohe per tu pregatitur. Kjo jo vetem per temen delikate qe trajton por edhe per hulumtimin e arkivave te shperndara ne disa vende. Dokumentacioni origjinal i arkivave verteton katerciperisht se Koliqi dhe Camaj ishin per nje kohe te gjate ne sherbim te inteligjences se huaj. Marrëdhëniet e tyre te komplikuara me sherbimet sekrete Italiane, amerikane, gjermane, UDB-s. Si duhen trajtuar keto figura ne driten e fakteve te reja? Duke mos dashur te zgjatem shpresoj se koha e harxhuar do ta justifikoje interesimin e lexuesve” shkruan ai.

Pas publikimit të shkrimit, reagimi i parë ka ardhur nga Ardian Ndreca. Ai e cilëson Taren si megallomanan, ndërsa thekson se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë. Sipas tij, shkrimi i Tares nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

“S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut. Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta. Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit! Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist.

Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit! Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë! Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit! As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56. Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë” shkruan Ndreca.

Postimi i Auron Tares: https://peizazhe.com/wp-content/uploads/2020/07/Mite-t%C3%AB-rreme-Auron-Tare.pdf

Ernest Koliqi, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Sot është ditëlindja e Ernest Koliqit, bashkëthemeluesit të tregimit modern shqiptar

Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940 në Tiranë, dhe me shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë. 

Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër, Ernest Koliqi, mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar, ndërkohë si Ministër Arsimi ka meritën për dërgimin e 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Koliqi i përkiste shkolle italiane të formimit letrar. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”. Ai ushtroi edhe profesionin e mësuesit dhe profesorit më shumë se tridhjetë vjet në Padovë dhe Romë të Italisë.

Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940 në Tiranë, dhe me shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë.

Me një veprimtari të shkurtër në politikë si Ministër i Arsimit, Koliqi iu përkushtua zgjerimit dhe përhapjes së shkollave shqipe në trevat shqiptare dhe botimeve të shumta në shqip. Veprat e tij më të njohura janë: “Kushtrimi i Skanderbegut”, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Pasqyrat e Narcizit”, “Kangjelat e Rilindjes”.

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-’41.

Koliqi  vdiq në Romë më 15 janar 1975. /KultPlus.com

Lutje e dëshprueme

Poezi e shkruar nga Ernest Koliqi.

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Ernest Koliqi, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Miku

Tregim nga Ernest Koliqi

Në pikë të zhegut,sekretari i krahinës ia behi në kale para kullës së Uc Lleshit e vikati prej së poshtmi:

-Zoti toger!O zoti toger!

Uc Lleshi doli në krye të shkallës tue përgjegjë:

-Ç‘asht zani?

Mandej,si njohu njeriun,mori me u ulë tue i bzajtë mikut:

-Hajde,byrum.

– Jo, jo, s’po rri-ia priti tjetri maje kalit — por kemi marrë një urdhën prej Shkodret e erdha me ta kallzue.Ka ike mbrâmë një gazetar prej andej, një asi shkollarësh që shkruejnë kundra qeverisë e duket se âsht nisë me kapërcye kufinin këndej kah ana jonë. Qeveria e kërkon këtë njeri. Duhet, pra, të vésh rojë gjithkah për mos me lânë me kalue kurrsesi.
Uc Lleshi u mêndue pak, e mandej bâni:

– More, a e dini mirë që s’ka dalë përtej deri tash?

– E si ka pasë me e kapë kufinin në një natë? Ai mbrâmë, thashë, ka dalë prej Shkodret e ditën, pa e pasë kryet çelikut, s’ka guxue sak me udhëtue!

– Atëherë veç ne fluturoftë për hava se në ectë për tokë, i gjallë kufinin këtej pari ai s’po ta kapërcen. Po ti ndalu e pije një kafe

– S’mundem, zoti toger: me pret krahinani. Do të dalim edhe na me e ndjeke të ikunin. Lamtumirë.

– Udhambarë; e m’i thuej krahinarit që mos te bari hiç kasavet për sa i përket punës seme këtu.
Dhe me dorë diftoi rrethin e kufinit te afërm.

***

Sa u nis sekretari i krahinarisë, Uci i tha Mirashit, të nipit:

– Shko shpejt e m’i mblidh gjendarmët e m’i ço këtu sa ma parë. Tue kalue kah prozhmi, lëshoi zâ Dodës edhe Nikollës e thueji të lanë punën e të ngasin të vetë. Hajt, shpejto.
Djaloshi fluturoi e Uci i lypi së shoqes uniformën, që vishte vetëm kur u thirrte në ndonjë shërbim si ky; për ndryshe hante atë gjysmë rroge në shtëpi si oficer rezervë e kqyrte punët e veta.
U vesh, mbathi opangat, ngjeshi armët, zdrypi poshtë në oborr me prite njerëzit.
Burrë i shkurtë, me shpatulla të gjana e të fuqishme,kâmbët pak si të lakueme,Uc Lleshi, me gjithë që flokët s’i kishte fort të thinjun, diftonte së paku pesdhetë vjet të plotë. Por vizat energjike të fytyrës së djegun prej diellit e sytë si xhixha diftonin edhe se, për shpejti e guxim, nuk ia linte dalë një të riut. Njeri me influence në atë pjesë të Malësisë ku banonte, kishte pasë prej qeverise grada e shpërblime për me përfshi forcën e madhe të tij, që përndryshe mund të ishte e dâmshme, në makinën e Shtetit. E nuk kishte qênë masë administrative e gabueme, kjo, për atë kohë, pse qyshse Uci veshi uniformën, s’guxonte komitë ma me u endë në ato ana edhe urdhënat e qeverisë u zbatonin ma se miri. S’kish nën komandë gjendarme të rregullt, por njerëz besnike që mblidhte në rasë te nevojës. Këta ishin gjendarmët e tij. Gjind që shkonin e u vritnin mbas tij, pa kurrfarë shpërblimi, veç për hatër që i kishin e për nderna të vogla që atij i takonte me u bâmë në shehër e në mal. Edhe ate ditë, porsa u vojt lajmi, ia mbërrinë fluturim në oborr të kullës, të armatosun ma së forti. Uci u diftoi çashtjen gjithsesi e mbaroi tue thânë:

– E kemi do punë, burra. Ka me na takue ndoshta me ndejë dy-tri net pa fjetë. Duhet me hapë mirë sy e veshë e mos me lânë as mizën me fluturue.

Kurrkush ma mirë se ai nuk i njihte shtigjet e ndryshme që qesin në kufi, pse kishte pasë shpesh here nevojë për to në rasa të kritikshme të mâparshme. Nga dy e dy i drejtoi njerëzit ndër vende ku i lypte nevoja dhe, si u nisën të gjithë, u tha të bijve, Dodës e Nikollës:

– Ngjeshni armët dhe ejani me mue. Ti, Marash, ri në shtëpi.

Dhe u ul me dy djemt teposhtë. Ecën pa folë. Doda e Nikolla, i pari shkurtalak si i ati dhe i dyti me një trup vigâni, nuk guxonin me çelë gojë pa qênë të pyetun. Uci e kishte zakon, udhës, të mêndonte shumë e të fliste pak. Të bijtë e dinin që çdo méndim i tet ishte për nder e lumni të konakut.

“Feja kishte me qênë me e hetue e me e zânë këtë dreq shkollarit. Kishem me e sjellë unë vete në Shkodër, me e dorezue atje edhe me thânë açik në hyqymet që i ka ardhë koha me më bâ kapidan. Në më daltë me e krye këtë shërbim si duhet, kam të drejtë me e çelë gojën…”

Këto mêndime e bane Uc Lleshin në qef. Punët i shkonin gjithmonë mbarë, prandej kur i ngulej mêndja në nje send ishte gati i sigurtë se, me pak sabër e marifet, do t’i dilke në krye. Ishte njeri me orë. Vetëm një gjâ nuk i eci deri në ato ditë e kjo, për tê, ishte plagë e pambyllun që ia brênt zêmrën ditë e natë. Vjetin para, shtëpia e Gjokë Vatës kishte vra të vllanë, të anë e Mirashit, e me gjithë të orvatunit e të ,përpjekunit e tij e të mashkujve të shpisë ende s’kish qênë i zoti me ia marrë gjakun. Por s’ishte çuditë: shtëpia Gjoke Vatës, e rivalit të përhershëm të Ucit në atë krahinë,ishte e fortë, edhe ajo me rreth të madh, e gjint e saj nuk mund të vriteshin udobisht.

Kishin ecë ma se një orë nëpër teposhte të malit, kur Uc Lleshi u ndal dhe u tha të bijve:

– Ju të dyve po u ve rojë këtu, te Shtegu i Barijve. Jam i sigurtë se malësorët që e përciellin atë shkodranin, kanë me e keshillue me dalë nëpër këtë grykë. Asht si mënjane e mendojnë se e gjéjnë të lirshme. Ju, po patët se si, kapnie, në ardhtë ketu pari; përndryshej gjallë, mos e lêni me kalue…

E Uci u kthye, vetëm. lu ngjit prap malit, në një shej vêndi ndërroi rrugë e vojt me bâ kontroll një nga një rojet e vëmë nëpër shtigje, gjate kufinit.Kur mbërrini, lodhë e këputë, në oborr të kullës së vet, po errej.

***
Tue u ngjite nalt vêndoi me ngranë shpejt e shpejt, me pushue sa grima, me marrë Mirashin me vete e me dalë në roje gjithë natën. Mund e hetonin kund të arratisunin dhe, tue e ndjekë mjerisht, mund ta futnin si në kurthë në ndonjë shteg të zanun prej njerëzve të tij. E aty me e kape me dorë.

Në çardak, rrahi qerpikët, i çuditun. Kishte pa dritë në odën e miqve e dy pushkë varë në krraba. Në atë çast doli grueja prej odës së zjarrit e lajmueme nga zhurma e hapave për ardhje të tij.

– Kush âsht në odë te miqve? — e pyeti ai.

-Gjokë Vata…

– Kush? — përsëriti pyetjen me zâ të plasun.

– Gjokë Vata me një shkodran.

Uci u pré. Përqethje të ftofta ia mbuluen shtatin. Gjaksi i vllaut në shtëpi të tij? A ishte ândërr a zhgjândërr? Përmblodh krejt forcat e vullnetit dhe u shkund. Vari pushkën e vet bri tjerave dhe u mundue me u kthiellë në fytyrë. Hyni. Miqt po rrinin me Mirashin.

– Mbrâmja e mirë,burra, e mirë se u ka pru Zoti.

Ata u çuen ne kâmbë. Uci u mor grykë ma parë me Gjokë Vatën, që ish moshatar i tij, por ma i gjallë e me mustaqe që i shkonin dredha-dredha deri në veshë, e mandej me shkodranin. Ky dukej shumë i ri, ishte pak si i thinjun dhe i zbehtë në fytyrë, veshë allafranga. Ndêjen. Uci qiti kutinë e duhanit e u bâni cigare. Pyeti gjint e vet:

– A keni pru kafe?

– Kemi pi, kemi pi — tha Gjokë Vata.

– Bini edhe ka një tjetër — porositi Uci.

Për do kohë ngelën në heshtje. Ucit i pikonte gjak plaga që kish të pambyllme në zemër. Gjaksin, qe kërkoi kot një vjete rresht nëpër vetmitë e bjeshkëve për t’i ra pushkë lules së ballit, qe, e kishte përpara. E zakoni e detyronte me e prite e me bisedue me tê si me ma të shtrêjtin dashamirë, mbasi i kishte ra mik te shpia! Por idhnimin e përmbrendshëm mbas pak kohe e kapërceu kureshtja. Po pse, vallë, Gjoka bâni atë hap mjaft të vështirë edhe për të? Tue shikue shkodranin, Ucit diçka i shkoi nëpër mend si vetima, por s’desht me e përtypë gjatë atë mendim që e pezmatonte për së tepërmi. Ndau me iu shtrue se keqes që i kish takue, pa stërhollime të kota mêndjeje. Mbasi, qysh në te hyme, menjiherë kish vu re se miqt mbânin gjithnji të ngjeshun rrypat e fishekëve dhe armët e brezit, si u pi kafja e dytë, u soll prej tyne e tha:

– Lironiu, burra.

Gjokë Vata hoq alltinë me dorsë argjendi edhe rrypin ia dha Mirashit. Ashtu bâni edhe shkodrani.

– Mirash, bierna rakinë.

Në raki, të dy mallësoret rivala, biseduen mbi gjithfarë punësh tue u ndêjë larg, me hollesinë e zakonshme të tyne, çâshtjeve që mund ia prishnin qejfln, njânit ase tjetrit. Atij që i shifte të ndêjun kundroll shoiqishoqit, tue pi duhan e tue shpraze gota rakie, kurrë nuk mund t’ i shkonte mêndja që të nesërmen, me pasë për t’u ndeshe kund, ata dy burra do t’i mëshonin pushkë hekuri pa mëshirë njâni-tjetrit.
Shkodrani dukej ne kasavet; s’çelte gojë veçse me iu përgjegje urimeve që i bânin në pije. Uci e Gjoka kuvênduen mjaft, pa u shikue gati kurrë ndëër sy. Kah e vona, mbasi kishin rrokullue një numër bukur të madh gotassh, Gjokë Vata çoi të veten dhe iu solll shkodranit:

– Për të mirë, zotni, po ta fali edhe unë një gotë. Hiç s’ke pse rri në méndim tash qe gjinde ndorë Uc Llleshit

– Priç të mirë, Gjokë Vata, – ia priti ai tue u zgjue prej gjumit.- Po më kânda me ndigjue kuvêndin tuej, se sa për méndime më kanë lodhë vetëm deri sa mujta me mbrri te dera jote e në këtë shtëpi.

Uc Lleshi kuptoi e uli kryet. S’kishte ma pikë dyshimi: shkodrani qe i kish pru Gjokë Vata në derë s’ishte tjetër veç vetë gazetari i arratisun, njeriu për të cilin ai kishte dyndë të tânë gjinden e vet e zânë ane e kând shtigjet e kufinit. Méndime gjithhfarësh ia dogjen trutë si flaka e rrufesë.“I mêndshëm ky Gjoka, he shitofta Zâna! Mirë mjaft ka mujtë me e gjete mënyrën si me e shpëtue mikun shkodran edhe ndryshe. Por âsht i hollë! e ka mêndue se vêhej në rrezik me e ndjekë unë, jo ma vetëm si gjakës që e kam, por edhe si fajtor përpara qeverisë. E kishëm fikë me gjâ e me shtëpi! Por i ka dalë punës para…”.

Shqipnia ka zakone te çuditshme. Shtëpia e Uc Lleshit s’kishte njoftë kurrë kori. Kushdo që e kish mësy, kish qenë i sigurtë se gëzon proje deri në fikjen e në rrënimin e plotëë të saj. Nderi i shtëpisë e zakonet e véndit rrinin për Ucin përmbi çdo interesë, përmbi çdo urdhën qeverie e përmbi çdo ndiesi e arsye tjetër. Prandaj fshâni e tha me vete:

“E pat, kjo!” edhe tue u sjellë prej Gjokë Vatës, përgjegji:

– Çka kjoftë, lum Gjoka, e hajrit kjoftë… për këtë mik që as emnin s’po ia dij…

– Shefqet Kadia, – Ia priti vetë shkodrani, tue iu këputë fjalën përgjysëm.

– Kjofsh shëndosh!… Ndij, si qeshe tue thânë, çka kjoftë e hajrit, kjoftë për këtë zotni. Sa për mue, nuk do të kursehem me ia la borxhin që na kanë lânë të pamrët për mikun. Mandej, fundi le të dale ku të dalë!

Mbas këtyne fjalëve u shtrue sofra. Para se me kapë bukën mnë dorë, Gjokë Vata, mbasi kishte mbërri me e pruu bisedën atje ku i duhej, tha:

– Zoti të rritët oxhakun, Uc Lleshi.

Dhe, tue e shikue për të parën herë drejt ndër sy, vijoi:

– Ky zotnia kurrë ma ngusht se sot nuk na âsht gjete në jete të vet. Qeveria e kërkon e me bâ me e zânë… vaj hallti i tij! Ma ka mësy shtëpine e me ka ra nënë besë. Unë ta kam pru me ma marrë me ndore e me ma qite shëndosh andej kufiinit, pse e di mirë që, pa ndihmën tânde, kufinin, në këtë anën tonë, s’ka burrë qe e kalon.
Uci, me sa fliste Gjoka, e kish véndue punën e vet. Përgjegji, tue e përpjekë edhe ai shikimin me atë të rivalit:

– Unë, për këtë zotninë, do të bâj çka të më vijë për dore. Por një here po hamë e mandej do te méndojmë. Hangrën. Vonë e vonë mbas darke, i zoti i shtëpisë u ngrit tue thanë:

– Burra, erdh koha me e bâ një punë.

U çuen të gjithe, ngjeshën armët, u perfalën me gra e dolën. Gjoke Vata ia bâni te dera e oborrit:

– Të ardhëshim për të mirë, Uc Lleshi. Unë po çaj kah shtëpia. S’âsht nevoja të vij me juve. Zoti të rritë jetën për çka po i ban këtij zotnisë.

Uci ia ktheu:

– Kjosh me jetë dhe e mira të gjetet, por ti vetëm nuk po shkon. Mirash, përcille.

U përqafosen të gjithë. Gjokë Vata humbi në terr, i përciellun prej të birit të atij që kishte vra një vjet para.Nata ishte e freskët, plot me hyj e pa hânë. Agimi s’do te ishte larg. Shkodrani shkoi nëpër errësi, i udhëhequn prej Ucit që ndërronte hapat nëpër udhë tâne gurë me siguri të çuditëshme. Mbas një ore qe po i binin teposhtes sësë malit, u ndaluen ke një shteg i ngushtë. Hynë në një grykë prej kah shifej vetëm një rriske qiell e qëndisun me ar të hyjve. Diku, në një vend, Uci lëshoi një thirrje:

– Dodë! Nikolllë!

Prej territ, nga fundi i grykës, erdh përgjegja:

-Ç’asht zani?

– Unë jam: Uci; po ju, me kë jeni?

– Vetem jemi.

Dy djemt, si u afruen, hapën sytë tue pâ shkodranin, por nuk bânë zâ.Ulën kryet dhe u vunë mbas tet. Kur dolën nga gryka, që ishte mjaft e gjatë, qielli poo qartësohej prej lindjes .Përpara tyne rridhte nje prrue, me vargje te gjata shelqesh nëpër brigje. Ndriçimet e para të agimit nisën me u dridhë mbi ujë që gurgullonte. Uci tha:

– Tashti je i shpëtuem, lum zotnia. Përtej prronit âsht toka e huej. Kam mêndue se prej kësaj gryke do të dilnin kapidanë e shumë drue që këtu mbrêndë do të lâ ndoshta edhe togerllëkun. Por, ani, s’ka gajlle: pa besë e pa miq s’ka ç’ka na duhet as jeta në këto malet tona. Udhambarë!

– Paç të mbarë e Zoti të ruejte, Uc Lleshi, – bâni gazetari. – Këtë nder s’kam për ta harrue se t’ë jemë.

U përqafosen të gjithë, një nga një , me tê. Ai zdeshi këpucë e çorape e kapërceu prronin. /KultPlus.com

Amaneti i Ernest Koliqit

Nga: Frank Shkreli

Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja.  Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.  

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet.  Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë!  Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh.  Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”  Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar. 

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit.  Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.”   Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë  shumë më mirë se unë.  

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi.  Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare.  Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Dr. Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944.  Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor, 1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese.  Me këtë rast u hapën një numër bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor 1941”, në Prishtinë.  Këto shkolla, shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin  Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”.  Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”.  Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi.  Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar.  Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.

Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore  — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com

Ernest Koliqi, shkrimtar, poet, arsimtar dhe përkthyes

“As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”.

– Ernest KOLIQI (1903-1975)

Populli, me të drejt thotë: “Harresa, në disa raste, është më e vështirë se vdekja.” E kjo thënie popullore, vlen sidomos për historinë tonë, për shumë krijues që kanë flijuar jetën dhe punën për të mirën e popullit, për një ardhmëri të cilën me shekuj po e kërkojmë, dëshirojmë, presim, por e cila- në tërësi ende nuk po zbatohet.

ndër personalitetet rralla të kulturës kombëtare, që është harruara për një kohë të gjatë, pa dyshim është edhe prof. ErnestKoliqi, shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes, edukator i shumë brezave shqiptare në Atdhe dhe gjetiu. Në jetën dhe veprën e tij pasqyrohet fare mirë Golgota e popullit tonë; mishërohen vlerat e së kaluarës sonë të lashtë, hapen shtigjet e reja të ardhmërisë- sidomos nëpërmjet arsimit, kulturës dhe qytetërimit.

ErnestKoliqi, lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Që në fëmijërinë e hershme hetohej aftësia e tij mendimore, por Shqipëria ishte ende e varfër dhe e paorganizuar për shkollim sistematik dhe klasik. Mu për këto arsye, ai qe dërguar së shpejti në Brescia dhe në Bergamo të Italisë, në kolegjin e famshëm klasik “Arici”, ku me sukses kreu mësimet fillore për afro dhjetë vjet. Studimet e larta për gjuhë dhe letërsi, i kreu në Padovë.

Si fëmijë, e sprovoi vendin e huaj- mërgimin, si një lloj paralajmërimi dhe përgatitje për jetën e ardhshme. Në Shqipëri, u kthye në vitin 1921 dhe pas tre vjetësh rishtas kthehen në Itali. Punën në arsim e fillon në vitin 1930, së pari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës dhe më vonë në Liceun shtetëror në Shkodër.

Në vitin 1937 u emëruar lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Padovës, ndërsa pas dy viteve profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

Më 12 prill 1939 emërohet Ministër i Arsimit Shqiptar. Nga Shqipëria iku së pari në Dubrovnik, prej nga kaloi në Itali, në Romë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje (1975).

Përpos Italisë, prej vitit 1925 deri në vitin 1928 ka jetuar në Mal të Zi dhe në Bosnje, në Tuzëll, ku pati rast të mirë të njihte botën shqiptare të Malësisë së Madhe dhe atë boshnjake.

Ndikim të madh, vendimtar në jetën dhe formimin e tij njerëzor, kombëtar dhe krijues pati Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe Ernesti për një kohë ishte edhe sekretari i tij personal.

Në Brescia dhe Bergamo, më vonë në Padovë, sidomos në Romë, pati fat të njihte shumë personalitete të shquara të kulturës, traditës, krijimtarisë italiane dhe evropiane.

Këtu do ta përmendi njohjen, shoqërinë dhe miqësinë e tij me GiovanniBattista MONTINI-n, më vonë Papën Pali VI, që vazhdoi gjatë tërë jetës së tyre, botërisht u dëshmua në shumë raste, sidomos në vitin 1968, kur u kremtua 500 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe fetar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në vitin 1972, Papa Pali VI për Shqipërinë komuniste-ateiste botërisht ndër të tjera tha: “S’mund të heshtim mbi Kishën e Krishtit, e cila, është e detyruar jo vetëm në vuajtje në heshtje, por edhe në vdekje. Më lejoni ta hapi shpirtin tim kur mendoj rreth shkatërrimit të një popullit, teritorialisht të vogël, por të pasur me tradita të lavdishme qytetare dhe fetare, i afërt për ne, por i mbajtur larg nga barrierat, si të ishte në mes të nesh ndonjë oqean: Shqipëria…” (”Shejzat”, 9-12, 1972, f. 419).

Nga malli dhe dashuria për Atdhe dhe për Popull jetoi dhe krijoi në shumë drejtime për begatimin shpirtëroro-kulturor të popullit. Nga përvoja e jetës dhe shkollimit, në veçanti u angazhua gjithnjë për shkollimin në gjuhën shqipe, prej fillores, shkollave të mesme dhe të larta, si dhe për krijimin dhe zbatimin e plan-programeve shkollore, po ashtu edhe për përpilimin e teksteve, si p. sh. “Shkrimtarët Shqiptar”, pjesa I, II, Tiranë 1941 etj.

“Për t’i dhënë baza shkencore kulturës shqiptare me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, me programin e njësimit terminologjik të dishiplinës, me kongreset ndërkombëtare dhe botimin e serisë “Studime e Tekste”, me rritjen e studimeve dhe mbledhjen e trashëgimisë nëpërmjet “Visaret e Kombit”…” (GiuseppeGradiglione, në “Shejzat”, viti XIII, nr. 10-12, 1969, f. 6).

Për të arritur një gjë të tillë, lypet kultivimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe “me përpjekje të papreme, e pati fatin e bardhë me e zanunnji vend të posaçëm midis atyne burrave të vlefshëm, që i a dedikuen veten Kombit nëpërmjet gjuhës, qi asht shërbimi më kryesor qi i bahet kombit. Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht çfaqja e gjallnis e, ma ne fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë, s’ka komb” thotë Karl Gurakuqi për ErnestKoliqin në artikullin: “Nëpër vullajat e “Shejzave”, në (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 524).

Me shkrime dhe krijime letrare, ErnestKoliqi e begatoi letërsinë tonë si me përmbajtje, po ashtu edhe me fjalë, frazeologji, gjuhë tejet të pasur dhe të pastër.

Veprat kryesore të ErnestKoliqit janë: “Kushtrimi i Skenderbeut”, Tiranë, 1924; “Hija e Maleve”, Zarë, 1929; “Poetët e mëdhejt’Italisë” vëll. I, Tiranë, 1932; “Gjurmat e stinve”, Tiranë, 1933; “Tregtar flamujsh”, Tiranë, 1935; “Quattuor”, Iliria, 1935; “Poetët e medhenjt’Italisë, vëll. II, Tiranë, 1936; “Pasqyra e narçizit”, Bari, 1936; “Symfonia e Shqipeve”, 1936; “Epicapopolarealbanese”, Padovë, 1937; “Kangjelet e Rilindjes”, Romë, 1959; “Shija e bukës së mbrume”, Romë, 1960; “I tre maggiori poeti d’Albania”, Romë, 1961; “Evoluzionestoricadellaliricaalbanese”, Romë, 1962; “Antologjia dellaliricaalbanese”, Milano, 1963; “G. De Rada, sullavita e sull’opera di De Rada”, Romë, 1964; “L’umanesimo di Skanderbeg”, Palermo, 1969.

Vështrimet kritike të ErnestKoliqit: Fishta interpreti i shpirtit shqiptar, në “Shkëndija”, 1940; Influenze orientali nellaletteraturaalbanese, Istitutoperl’Oriente, Roma, 1954; Kroje të reja në Parnaz shqiptare, vështrimi i parë sistematik kritik mbi letërsinë në Kosovë, në “Shejzat”, 1957, nr. 1, 4, 5; Dhjetëvjetori i së përkohshmes “Jeta e Re”, në “Shejzat”, 1959, nr. 11, 12; Ilrealismosocialista e la letteratura, Roma, 1960; Ventesimoanniversariodellascomparsa di P. G. Fishta, Roma, 1960; GiuseppeSchirò, poetadellafratellanza pan-albanese, në “Shejzat” 1963, nr. 1-2; Spiritoautoctono e influssistranierinellaletteraturaalbaese, në “Shejzat”, 1963, nr. 9-10-11-12; Considerazionisuicantierotici del popoloalbanese, Louvain, 1964; Albania, monografia, in Enciclopediadeipopolid’Europa, Milano, 1965; Faik Konica – profilocritico., në “Shejzat”, 1967, nr. 5-6-7-8.

Mbi jetën dhe krijimtarinë e ErnestKoliqit kanë shkruar ndër të tjerët: Cordiniano F., Petrotta G., Atë Gjergj Fishta, MannStuart, Shuteriq D., Gradiglione G., Quasimodo S., Guzzetta A., MartinCamaj, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë.

Veprimtaria letrare e ErnestKoliqit filloi herët, në Brescia, në vitin 1921, kurse së bashku me studentët tjerë themeloi fletushkën studentore “Noi” (Ne) dhe aty edhe botoi punimet e para letrare.

Një kapitull i veçantë në jetën e tij dhe krijimtarinë e tij është themelimi i “Shejzave” në vitin 1957 dhe udhëheqja deri në vdekje, Në numrin e parë, ai ndër të tjera shkruan kështu: “Po i hyj kësaj ndërmarrje të vështirë, por me shpresë dhe bindje, e simbas fjalës së urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse “së shpejti rreth emnit të ErnestKoliqit u radhitën fytyrat më të njoftuna në fushën e letrave në mërgim; i u banë kunorëmiqt anë-e-kand në botën e lirë, nuk e lanë vetëm, secili simbas mundësisë dhe fuqive të veta” (Karl Gurakuqi, “Shejzat”, 1966, 9-12, fq. 515).

“Shkalla e zotsis së tij në këtë degë veprimtarije asht provue e riprovue tash katërdhetëvjetë e këndej: e kemi prekë me dorë në revistën “Illyria”, faqet e së cilës zbukuroheshin në çdo numër prej shkrimeve të tija, në prozë e në poezi; i kemi konstatue në revistën “Shkëndija” themelue dhe mbajtun prej tij” (”Shejzat”, Po aty).

Nëpërmjet “Shejzave” ErnestKoliqi ka krijuar një rrjetë të madhe bashkëpunëtorësh në botë dhe ka kultivuar kështu gjuhën dhe letërsinë shqipe në mërgim, por të lirë nga prangat ideologjike komuniste. Ja vetëm disa emra që vite me radhë kanë shkruar në “Shejza”: Atë ZefValentini, PeterBartl; GinoBottiglione, FrancBabinger, AloisSchmaus, GeorgStadmuller, MartinCamaj, Nermi Vlora – Falaschi…

Ja si e përshkruan ErnestKoliqi gjendjen e popullit nën sundimin komunist, si dhe copëtimin e tokave dhe të popullit: “Pjesa intelektuale u përça në shumë pjesë të cilat këputen çdo pjekje njana me tjetrën. Disa shkrimtarë radhe së pari u zhduken n’atdhe tragjikisht, ase u detyruan të heshtin, tjerë u mërguan në katër kandet e botës.

Fatkeqësia ma e madhe e rracësshiqptareqindron në ndasitë qi ndodhjet historike shkaktuen në trup të saj. Këto dasi i pasqyron vetë zhvillimi i letërsis, e cila zuni fill e u mëkambn’ujdhesa të shkëputunanjana prej tjetrës në hapësi dhe të ndërpreme në botë…” (Hilushi, “Shejzat” 9-10, 1969, f. 307).

Këto njësi, apo si thotë E. Koliqi “këto tri pjesti a thyese të botës shiptare ecin letrarisht në drejtime qi nuk harmonizohen. Mun veprojnë pa dijtë aspak ase fort pak njana për tjetrën” (”Shejzat”, Po aty).

Për letërsinë që krijohet në Kosovë njëherë më tha: “Kosova është dhe do të jetë kopshti i historisë dhe i ardhmërisë shqiptare… Atje ka mjaft krijime të suksesshme letrare, deri diku nën ndikimin e letërsisë sllave, por më pak nën ndikimin e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Nëpërmjet “Shejzave” jam munduar t’i lidhi dy botat shqiptare, trashëgiminë e vëllazërve Arbëreshë të Italisë dhe krijimtarinë përparimtare të shkrimtarëve të Kosovës, e cila është një risi e këndshme, përtërise dhe mjaft premtuese…”.

Bota e ErnestKoliqit nuk ishte e mbyllur në kufij apo paragjykime, por ai jetoi dhe veproi gjithnjë për popullin Shqiptar, sepse “Shqipnija e vërtetë s’ka kufij gjeogragik, por shtrihet shpirtnisht nëpër mbarë botën në çdo vis ku gjallitënjiArbnuerqi nuk mohon vetit e veta autoktone” (”Shejzat”, Po aty, f. 310).

Ai, vërtet ishte vizionar i së ardhmes, sidomos nëpërmjet arsimit shqiptar. Si Ministër i Arsimit Shqiptar, ai dërgoi në Kosovë arsimtarët më të përgatitur dhe më të aftë për këtë mision të shenjtë, për arsimimin, ngritjen dhe qytetërimin e popullit të tij. Njëherë më rrëfeu këtë vendim me këto fjalë: “Shumëkush nuk e kuptonte përcaktimin dhe vendimin tim në Shqipëri; disa edhe më kundërshtuan dhe më sulmuan haptazi se po i shkapërderdhi intelektualët tanë. Mirëpo unë iu thashë: “Kosova është gjymtyra jonë e rrezikuar, prandaj atje duhet të veprojmë për përforcimin dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare…”.

Shpesh thoshte kështu: “Kush e njeh mirë dhe në thellësi popullin shqiptar, s’mund mos ta donë. Shembulli më i mirë i “shqiptarit të huazuar” është Atë Giuseppe (Zef) Valentini”.

Katedrën për gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë e lartësoi në nivelin e Institutit, me dekretin e kryetarit të Italisë, më 2 shtator 1957. Gjatë viteve akademike 1951-1969 aty diplomuan dhe doktoruan 58 albanologë shqiptarë, arbëreshë dhe të huaj (Lexo: GiuseppeGradilione, “Shejzat”, 10-12, 1969, f, 24-27).

ErnestKoliqi i lidhi mjaft frytshëm edhe katedrat tjera të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali dhe në botë, si dhe studiuesit dhe krijuesit tanë me albanologë të huaj.

Për të shkruan prof. Dr. HansJoachimKissling: “Shkrimtar dhe poet i pajis me zotësi të posaçme shprehëse qi diti ma se miri t’i përdorë me i ba të njoftun jo vetëm botës italiane, por edhe mbarë botës erudite, pasuninëshpirtnore të popullit shqiptar, mundësinë e tij dhe doket trashiguese…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 332).

Atë ZefValentini më tha për ErnestKoliqin: “Ai është ambasadori i denjë i kulturës dhe traditës shqiptare në Itali dhe në botë. Zoti i ka planet e veta me popullin shqiptar edhe në këto rrethana të vështira”.

Prof. MartinCamaj: “ErnestKoliqi është për mua mësues, mjeshtër i fjalës së shkruar, shqiptar i kulluar, njeri që diti t’i afrojë dhe miqasojë njerëzit në mes veti, sidomos shqiptarët e mërguar dhe të shkapërderdhur. Gjithmonë besonte në Zotin dhe në Popullin, në vlerat burimore shpirtërore dhe letrare”

Ndërsa ErnestKoliqi shkruan për MartinCamaj kështu: “Ardhja e MartinCamajt në Romë më trimëroi me hy edhe nji herë në valle të botimeve. Me bashkëpunimin e tij vëllaznuer dolën në dritë “Shejzat”…. Sillte me vete edhe dishka ma tepër: njomsin agimore të letërsis së Kosmetit… E ndiente veten si pjesëmarrës i ngusht në lëvizjen kulturore t’asaj krahine… Ajo frymë më rinoi e shkaktoi në muenji ringjallje fuqish…” (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 308-309).

Parimi i tij themelor ishte shkollimi, arsimimi, komunikimi i popullit shqiptar me botën dhe i botës me ne. Për këtë shpesh e përsëriste këtë porosi: “Pa dituri s’ka as ardhmëri”.

ErnestKolqi u dallua edhe si përkthyes shumë i suksesshëm dhe i talentuar. Ja vlerësimi i Atë CornelioCapizzit, profesor i letërsisë bizantine në Universitetin e Kolnit dhe në Istitutin Oriental në Romë: “Prof. ErnesKoliqi dëshmon njohurinë shembullore të gjuhës poetike italiane, në çdo fshehtësi semantike, tërësinë e fuqisë plastike dhe paraqitëse…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 335).

Më përthimet e tija të shkëlqyeshme nga shqipja në italishte dhe anasjelltas afron dhe begaton dukshëm dy gjuhë, kultura dhe popuj.

Dr. ĐuroKokša, Rektori i Kolegjit të “Shën Jeronimit” në Romë, më vonë ipeshkëv ndihmës në Zagreb, thoshte: “Ju shqiptarët keni fat të madh me prof. ErnestKoliqin si përfaqësues i denjë i popullit tuaj në Qytetin e Amshuar. Erudit i vërtetë, njeri i kulturës dhe krijimtarisë, mik i të gjithë popujve”.

Prof. ErnestKoliqi ishte shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes e mbi të gjitha njeri i ngrohtë, zëri i kulturës dhe popullit shqiptar në kohën e “shkretëtirës” dhe rrënimit të pashoq në Shqipëri- urë afrimi, frymëzues për shumë krijues të ri shqiptarë nga Kosova, Italia dhe diaspora.

Duke folur njëherë për dashurinë për popull dhe atdhe, ai më tha: “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut”.

Zemra e tij u ndal së rrahuri, pas shumë mundimeve dhe mallit për vendlindje, por jo edhe dashuria, e cila vazhdon përmes veprave. Pati një jetë shumë të mundimshme, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mjaft të frytshme. Vuajtja, malli, vetmia, bota e huaj nuk ishin për të shkas dëshpërimi, mbylljeje, hutie, dezorientimi, por frymëzim krijimi, pune, dashurie.

Në një bisedë më pati thënë: “Të nderoj dhe të dua shumë për dy arsye, se je meshtar i Jezu Krishtit dhe i Kishës Katolike. Edhe unë e kam pasur një vëlla meshtar, Don Mikelin, të cilin të “patenzonët” ma vranë…(Prof. ErnestKoliqi nuk e dinte se Don Mikeli ishte gjallë dhe se një ditë do të dilte nga burgu dhe do të emërohej kardinal i Kishës Katolike, vr. ime). Arsyeja e dytë pse të dua është, sepse merresh me çështjen e gruas shqiptare, temë gati e paprekur, por shumë e rëndësishme për ne, sidomos me jetën dhe veprën e Nënës Tereze”.

Jetoi dhe vdiq me “sy të çelur”, me mall në zemër, me shpirt të tronditur. Njëherë më tha: “Ne dhe të huaj gjeta Shqipërinë e vogël, ndër Arbëreshët. Në rininë intelektuale, përparimtare kosovare gjeta shpresën e re për ditë më të mira për popullin tonë”. /Don Lush Gjergji /KultPlus.com

Në vitin 1941, Koliqi u bë ministër i arsimit në qeverinë shqiptare

Si sot, 45 vjet më parë vdiq Ernest Koliqi, shkrimtari i njohur shkodran.

Në vitin 1941, Koliqi u bë ministër arsimi në qeverinë shqiptare të mbështetur nga italianët dhe vendimi i tij i parë ishte dërgimi i mbi 200 mësuesve në Kosovë për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit total, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve brutale osmane dhe serbe.

Me mijëra tekste në gjuhën shqipe u ngarkuan në kamionë dhe u nisën në drejtim të Kosovës. Brenda një viti u hapën 173 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta.

Për herë të parë në histori fëmijët e Kosovës morrën në duart e tyre librin e abetares. Shqipja e shkruar dhe e lexuar, pas shekujve të ndalimit me dekrete shtetërore, kishte mbijetuar edhe në Kosovë.

Edhe diçka: nga ajo kohë kanë kaluar 79 vjet, por asnjëherë, as në Tiranë, e as në Prishtinë, nuk kemi pasur një ministër arsimi që i përafrohet nivelit intelektual e kulturor të cilin e kishte Ernest Koliqi, shkruan filozofi Blerim Latifi në rrjetin social në facebook. /KultPlus.com

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./KultPlus.com

Ernest Koliqi shkrimtar, poet, arsimtar dhe përkthyes

“As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”.

– Ernest KOLIQI (1903-1975)

Populli, me të drejt thotë: “Harresa, në disa raste, është më e vështirë se vdekja.” E kjo thënie popullore, vlen sidomos për historinë tonë, për shumë krijues që kanë flijuar jetën dhe punën për të mirën e popullit, për një ardhmëri të cilën me shekuj po e kërkojmë, dëshirojmë, presim, por e cila- në tërësi ende nuk po zbatohet.

ndër personalitetet rralla të kulturës kombëtare, që është harruara për një kohë të gjatë, pa dyshim është edhe prof. ErnestKoliqi, shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes, edukator i shumë brezave shqiptare në Atdhe dhe gjetiu. Në jetën dhe veprën e tij pasqyrohet fare mirë Golgota e popullit tonë; mishërohen vlerat e së kaluarës sonë të lashtë, hapen shtigjet e reja të ardhmërisë- sidomos nëpërmjet arsimit, kulturës dhe qytetërimit.

ErnestKoliqi, lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Që në fëmijërinë e hershme hetohej aftësia e tij mendimore, por Shqipëria ishte ende e varfër dhe e paorganizuar për shkollim sistematik dhe klasik. Mu për këto arsye, ai qe dërguar së shpejti në Brescia dhe në Bergamo të Italisë, në kolegjin e famshëm klasik “Arici”, ku me sukses kreu mësimet fillore për afro dhjetë vjet. Studimet e larta për gjuhë dhe letërsi, i kreu në Padovë.

Si fëmijë, e sprovoi vendin e huaj- mërgimin, si një lloj paralajmërimi dhe përgatitje për jetën e ardhshme. Në Shqipëri, u kthye në vitin 1921 dhe pas tre vjetësh rishtas kthehen në Itali. Punën në arsim e fillon në vitin 1930, së pari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës dhe më vonë në Liceun shtetëror në Shkodër.

Në vitin 1937 u emëruar lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Padovës, ndërsa pas dy viteve profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

Më 12 prill 1939 emërohet Ministër i Arsimit Shqiptar. Nga Shqipëria iku së pari në Dubrovnik, prej nga kaloi në Itali, në Romë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje (1975).

Përpos Italisë, prej vitit 1925 deri në vitin 1928 ka jetuar në Mal të Zi dhe në Bosnje, në Tuzëll, ku pati rast të mirë të njihte botën shqiptare të Malësisë së Madhe dhe atë boshnjake.

Ndikim të madh, vendimtar në jetën dhe formimin e tij njerëzor, kombëtar dhe krijues pati Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe Ernesti për një kohë ishte edhe sekretari i tij personal.

Në Brescia dhe Bergamo, më vonë në Padovë, sidomos në Romë, pati fat të njihte shumë personalitete të shquara të kulturës, traditës, krijimtarisë italiane dhe evropiane.

Këtu do ta përmendi njohjen, shoqërinë dhe miqësinë e tij me GiovanniBattista MONTINI-n, më vonë Papën Pali VI, që vazhdoi gjatë tërë jetës së tyre, botërisht u dëshmua në shumë raste, sidomos në vitin 1968, kur u kremtua 500 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe fetar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në vitin 1972, Papa Pali VI për Shqipërinë komuniste-ateiste botërisht ndër të tjera tha: “S’mund të heshtim mbi Kishën e Krishtit, e cila, është e detyruar jo vetëm në vuajtje në heshtje, por edhe në vdekje. Më lejoni ta hapi shpirtin tim kur mendoj rreth shkatërrimit të një popullit, teritorialisht të vogël, por të pasur me tradita të lavdishme qytetare dhe fetare, i afërt për ne, por i mbajtur larg nga barrierat, si të ishte në mes të nesh ndonjë oqean: Shqipëria…” (”Shejzat”, 9-12, 1972, f. 419).

Nga malli dhe dashuria për Atdhe dhe për Popull jetoi dhe krijoi në shumë drejtime për begatimin shpirtëroro-kulturor të popullit. Nga përvoja e jetës dhe shkollimit, në veçanti u angazhua gjithnjë për shkollimin në gjuhën shqipe, prej fillores, shkollave të mesme dhe të larta, si dhe për krijimin dhe zbatimin e plan-programeve shkollore, po ashtu edhe për përpilimin e teksteve, si p. sh. “Shkrimtarët Shqiptar”, pjesa I, II, Tiranë 1941 etj.

“Për t’i dhënë baza shkencore kulturës shqiptare me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, me programin e njësimit terminologjik të dishiplinës, me kongreset ndërkombëtare dhe botimin e serisë “Studime e Tekste”, me rritjen e studimeve dhe mbledhjen e trashëgimisë nëpërmjet “Visaret e Kombit”…” (GiuseppeGradiglione, në “Shejzat”, viti XIII, nr. 10-12, 1969, f. 6).

Për të arritur një gjë të tillë, lypet kultivimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe “me përpjekje të papreme, e pati fatin e bardhë me e zanunnji vend të posaçëm midis atyne burrave të vlefshëm, që i a dedikuen veten Kombit nëpërmjet gjuhës, qi asht shërbimi më kryesor qi i bahet kombit. Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht çfaqja e gjallnis e, ma ne fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë, s’ka komb” thotë Karl Gurakuqi për ErnestKoliqin në artikullin: “Nëpër vullajat e “Shejzave”, në (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 524).

Me shkrime dhe krijime letrare, ErnestKoliqi e begatoi letërsinë tonë si me përmbajtje, po ashtu edhe me fjalë, frazeologji, gjuhë tejet të pasur dhe të pastër.

Veprat kryesore të ErnestKoliqit janë: “Kushtrimi i Skenderbeut”, Tiranë, 1924; “Hija e Maleve”, Zarë, 1929; “Poetët e mëdhejt’Italisë” vëll. I, Tiranë, 1932; “Gjurmat e stinve”, Tiranë, 1933; “Tregtar flamujsh”, Tiranë, 1935; “Quattuor”, Iliria, 1935; “Poetët e medhenjt’Italisë, vëll. II, Tiranë, 1936; “Pasqyra e narçizit”, Bari, 1936; “Symfonia e Shqipeve”, 1936; “Epicapopolarealbanese”, Padovë, 1937; “Kangjelet e Rilindjes”, Romë, 1959; “Shija e bukës së mbrume”, Romë, 1960; “I tre maggiori poeti d’Albania”, Romë, 1961; “Evoluzionestoricadellaliricaalbanese”, Romë, 1962; “Antologjia dellaliricaalbanese”, Milano, 1963; “G. De Rada, sullavita e sull’opera di De Rada”, Romë, 1964; “L’umanesimo di Skanderbeg”, Palermo, 1969.

Vështrimet kritike të ErnestKoliqit: Fishta interpreti i shpirtit shqiptar, në “Shkëndija”, 1940; Influenze orientali nellaletteraturaalbanese, Istitutoperl’Oriente, Roma, 1954; Kroje të reja në Parnaz shqiptare, vështrimi i parë sistematik kritik mbi letërsinë në Kosovë, në “Shejzat”, 1957, nr. 1, 4, 5; Dhjetëvjetori i së përkohshmes “Jeta e Re”, në “Shejzat”, 1959, nr. 11, 12; Ilrealismosocialista e la letteratura, Roma, 1960; Ventesimoanniversariodellascomparsa di P. G. Fishta, Roma, 1960; GiuseppeSchirò, poetadellafratellanza pan-albanese, në “Shejzat” 1963, nr. 1-2; Spiritoautoctono e influssistranierinellaletteraturaalbaese, në “Shejzat”, 1963, nr. 9-10-11-12; Considerazionisuicantierotici del popoloalbanese, Louvain, 1964; Albania, monografia, in Enciclopediadeipopolid’Europa, Milano, 1965; Faik Konica – profilocritico., në “Shejzat”, 1967, nr. 5-6-7-8.

Mbi jetën dhe krijimtarinë e ErnestKoliqit kanë shkruar ndër të tjerët: Cordiniano F., Petrotta G., Atë Gjergj Fishta, MannStuart, Shuteriq D., Gradiglione G., Quasimodo S., Guzzetta A., MartinCamaj, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë.

Veprimtaria letrare e ErnestKoliqit filloi herët, në Brescia, në vitin 1921, kurse së bashku me studentët tjerë themeloi fletushkën studentore “Noi” (Ne) dhe aty edhe botoi punimet e para letrare.

Një kapitull i veçantë në jetën e tij dhe krijimtarinë e tij është themelimi i “Shejzave” në vitin 1957 dhe udhëheqja deri në vdekje, Në numrin e parë, ai ndër të tjera shkruan kështu: “Po i hyj kësaj ndërmarrje të vështirë, por me shpresë dhe bindje, e simbas fjalës së urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse “së shpejti rreth emnit të ErnestKoliqit u radhitën fytyrat më të njoftuna në fushën e letrave në mërgim; i u banë kunorëmiqt anë-e-kand në botën e lirë, nuk e lanë vetëm, secili simbas mundësisë dhe fuqive të veta” (Karl Gurakuqi, “Shejzat”, 1966, 9-12, fq. 515).

“Shkalla e zotsis së tij në këtë degë veprimtarije asht provue e riprovue tash katërdhetëvjetë e këndej: e kemi prekë me dorë në revistën “Illyria”, faqet e së cilës zbukuroheshin në çdo numër prej shkrimeve të tija, në prozë e në poezi; i kemi konstatue në revistën “Shkëndija” themelue dhe mbajtun prej tij” (”Shejzat”, Po aty).

Nëpërmjet “Shejzave” ErnestKoliqi ka krijuar një rrjetë të madhe bashkëpunëtorësh në botë dhe ka kultivuar kështu gjuhën dhe letërsinë shqipe në mërgim, por të lirë nga prangat ideologjike komuniste. Ja vetëm disa emra që vite me radhë kanë shkruar në “Shejza”: Atë ZefValentini, PeterBartl; GinoBottiglione, FrancBabinger, AloisSchmaus, GeorgStadmuller, MartinCamaj, Nermi Vlora – Falaschi…

Ja si e përshkruan ErnestKoliqi gjendjen e popullit nën sundimin komunist, si dhe copëtimin e tokave dhe të popullit: “Pjesa intelektuale u përça në shumë pjesë të cilat këputen çdo pjekje njana me tjetrën. Disa shkrimtarë radhe së pari u zhduken n’atdhe tragjikisht, ase u detyruan të heshtin, tjerë u mërguan në katër kandet e botës.

Fatkeqësia ma e madhe e rracësshiqptareqindron në ndasitë qi ndodhjet historike shkaktuen në trup të saj. Këto dasi i pasqyron vetë zhvillimi i letërsis, e cila zuni fill e u mëkambn’ujdhesa të shkëputunanjana prej tjetrës në hapësi dhe të ndërpreme në botë…” (Hilushi, “Shejzat” 9-10, 1969, f. 307).

Këto njësi, apo si thotë E. Koliqi “këto tri pjesti a thyese të botës shiptare ecin letrarisht në drejtime qi nuk harmonizohen. Mun veprojnë pa dijtë aspak ase fort pak njana për tjetrën” (”Shejzat”, Po aty).

Për letërsinë që krijohet në Kosovë njëherë më tha: “Kosova është dhe do të jetë kopshti i historisë dhe i ardhmërisë shqiptare… Atje ka mjaft krijime të suksesshme letrare, deri diku nën ndikimin e letërsisë sllave, por më pak nën ndikimin e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Nëpërmjet “Shejzave” jam munduar t’i lidhi dy botat shqiptare, trashëgiminë e vëllazërve Arbëreshë të Italisë dhe krijimtarinë përparimtare të shkrimtarëve të Kosovës, e cila është një risi e këndshme, përtërise dhe mjaft premtuese…”.

Bota e ErnestKoliqit nuk ishte e mbyllur në kufij apo paragjykime, por ai jetoi dhe veproi gjithnjë për popullin Shqiptar, sepse “Shqipnija e vërtetë s’ka kufij gjeogragik, por shtrihet shpirtnisht nëpër mbarë botën në çdo vis ku gjallitënjiArbnuerqi nuk mohon vetit e veta autoktone” (”Shejzat”, Po aty, f. 310).

Ai, vërtet ishte vizionar i së ardhmes, sidomos nëpërmjet arsimit shqiptar. Si Ministër i Arsimit Shqiptar, ai dërgoi në Kosovë arsimtarët më të përgatitur dhe më të aftë për këtë mision të shenjtë, për arsimimin, ngritjen dhe qytetërimin e popullit të tij. Njëherë më rrëfeu këtë vendim me këto fjalë: “Shumëkush nuk e kuptonte përcaktimin dhe vendimin tim në Shqipëri; disa edhe më kundërshtuan dhe më sulmuan haptazi se po i shkapërderdhi intelektualët tanë. Mirëpo unë iu thashë: “Kosova është gjymtyra jonë e rrezikuar, prandaj atje duhet të veprojmë për përforcimin dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare…”.

Shpesh thoshte kështu: “Kush e njeh mirë dhe në thellësi popullin shqiptar, s’mund mos ta donë. Shembulli më i mirë i “shqiptarit të huazuar” është Atë Giuseppe (Zef) Valentini”.

Katedrën për gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë e lartësoi në nivelin e Institutit, me dekretin e kryetarit të Italisë, më 2 shtator 1957. Gjatë viteve akademike 1951-1969 aty diplomuan dhe doktoruan 58 albanologë shqiptarë, arbëreshë dhe të huaj (Lexo: GiuseppeGradilione, “Shejzat”, 10-12, 1969, f, 24-27).

ErnestKoliqi i lidhi mjaft frytshëm edhe katedrat tjera të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali dhe në botë, si dhe studiuesit dhe krijuesit tanë me albanologë të huaj.

Për të shkruan prof. Dr. HansJoachimKissling: “Shkrimtar dhe poet i pajis me zotësi të posaçme shprehëse qi diti ma se miri t’i përdorë me i ba të njoftun jo vetëm botës italiane, por edhe mbarë botës erudite, pasuninëshpirtnore të popullit shqiptar, mundësinë e tij dhe doket trashiguese…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 332).

Atë ZefValentini më tha për ErnestKoliqin: “Ai është ambasadori i denjë i kulturës dhe traditës shqiptare në Itali dhe në botë. Zoti i ka planet e veta me popullin shqiptar edhe në këto rrethana të vështira”.

Prof. MartinCamaj: “ErnestKoliqi është për mua mësues, mjeshtër i fjalës së shkruar, shqiptar i kulluar, njeri që diti t’i afrojë dhe miqasojë njerëzit në mes veti, sidomos shqiptarët e mërguar dhe të shkapërderdhur. Gjithmonë besonte në Zotin dhe në Popullin, në vlerat burimore shpirtërore dhe letrare”

Ndërsa ErnestKoliqi shkruan për MartinCamaj kështu: “Ardhja e MartinCamajt në Romë më trimëroi me hy edhe nji herë në valle të botimeve. Me bashkëpunimin e tij vëllaznuer dolën në dritë “Shejzat”…. Sillte me vete edhe dishka ma tepër: njomsin agimore të letërsis së Kosmetit… E ndiente veten si pjesëmarrës i ngusht në lëvizjen kulturore t’asaj krahine… Ajo frymë më rinoi e shkaktoi në muenji ringjallje fuqish…” (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 308-309).

Parimi i tij themelor ishte shkollimi, arsimimi, komunikimi i popullit shqiptar me botën dhe i botës me ne. Për këtë shpesh e përsëriste këtë porosi: “Pa dituri s’ka as ardhmëri”.

ErnestKolqi u dallua edhe si përkthyes shumë i suksesshëm dhe i talentuar. Ja vlerësimi i Atë CornelioCapizzit, profesor i letërsisë bizantine në Universitetin e Kolnit dhe në Istitutin Oriental në Romë: “Prof. ErnesKoliqi dëshmon njohurinë shembullore të gjuhës poetike italiane, në çdo fshehtësi semantike, tërësinë e fuqisë plastike dhe paraqitëse…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 335).

Më përthimet e tija të shkëlqyeshme nga shqipja në italishte dhe anasjelltas afron dhe begaton dukshëm dy gjuhë, kultura dhe popuj.

Dr. ĐuroKokša, Rektori i Kolegjit të “Shën Jeronimit” në Romë, më vonë ipeshkëv ndihmës në Zagreb, thoshte: “Ju shqiptarët keni fat të madh me prof. ErnestKoliqin si përfaqësues i denjë i popullit tuaj në Qytetin e Amshuar. Erudit i vërtetë, njeri i kulturës dhe krijimtarisë, mik i të gjithë popujve”.

Prof. ErnestKoliqi ishte shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes e mbi të gjitha njeri i ngrohtë, zëri i kulturës dhe popullit shqiptar në kohën e “shkretëtirës” dhe rrënimit të pashoq në Shqipëri- urë afrimi, frymëzues për shumë krijues të ri shqiptarë nga Kosova, Italia dhe diaspora.

Duke folur njëherë për dashurinë për popull dhe atdhe, ai më tha: “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut”.

Zemra e tij u ndal së rrahuri, pas shumë mundimeve dhe mallit për vendlindje, por jo edhe dashuria, e cila vazhdon përmes veprave. Pati një jetë shumë të mundimshme, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mjaft të frytshme. Vuajtja, malli, vetmia, bota e huaj nuk ishin për të shkas dëshpërimi, mbylljeje, hutie, dezorientimi, por frymëzim krijimi, pune, dashurie.

Në një bisedë më pati thënë: “Të nderoj dhe të dua shumë për dy arsye, se je meshtar i Jezu Krishtit dhe i Kishës Katolike. Edhe unë e kam pasur një vëlla meshtar, Don Mikelin, të cilin të “patenzonët” ma vranë…(Prof. ErnestKoliqi nuk e dinte se Don Mikeli ishte gjallë dhe se një ditë do të dilte nga burgu dhe do të emërohej kardinal i Kishës Katolike, vr. ime). Arsyeja e dytë pse të dua është, sepse merresh me çështjen e gruas shqiptare, temë gati e paprekur, por shumë e rëndësishme për ne, sidomos me jetën dhe veprën e Nënës Tereze”.

Jetoi dhe vdiq me “sy të çelur”, me mall në zemër, me shpirt të tronditur. Njëherë më tha: “Ne dhe të huaj gjeta Shqipërinë e vogël, ndër Arbëreshët. Në rininë intelektuale, përparimtare kosovare gjeta shpresën e re për ditë më të mira për popullin tonë”.

Dr. Don Lush GJERGJI, ErnestKoliqi shkrimtar, poet, arsimtar dhe përkthyes, Tribuna shkencore kushtuar 90 – vjetorit të lindjes së Prof. ErnestKoliqi-t, 26 maj 1993, IstitutinAlbanalogjik në Prishtinë.

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Është publikuar një fotografi e rrallë dhe e papublikuar më herët në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, ka publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.
Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

‘Çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet’

Disa mendime nga Ernest Koliqi për shqiptarët që merren përditë me politikë! Mendime aktuale…

Fjalë e foli…

Shqiptarve, përgjithësisht, u pelqen politika. Jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizató e shlyej situata… Naltësó e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpí të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ká në xhep të vertetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë mërzí, hajdedeh!; porsé mjerisht ndodhë shpesh qi aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit qi pengon nisma të dobishme. Fjalë e foli… Dikush hjedh në pije a n’inad e sipër nji mendim të përcipët, nji gjikim të shtrêmbët, nji trillim pá themel: fjala ecë, shtohet e lacarohet dhe hyn në grumbullin e legjendave, qi ndër né zêvendesojnë historín, d.m.th. vargun e ngjarjeve të dokumentueme. Kur nji legjendë krijohet, s’ká dokument qi e përgënjeshtron. Fjalë e foli…

Dhe kështu ecim, politikisht, në nji tymnajë thânethashash pa krye dhe pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale. E kënaqet sepse në kët Shqipní, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njehë veten të parë, âsht vetë Alí e vetë Kadí, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesí me vleftën e tij morale e intelektuale.

(Ernest Koliqi, Shêjzat, 1972, nr. 5-8, f. 147).

Rikthehet revista “Shejzat” të cilën e themeloi Ernest Koliqi

Ishte viti 1957 kur revista albanologjike “Shejzat” pa drite u botua për herë të parë, nën themelimin e Ernest Koliqit. Një periodik që u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilit u botua në vitin 1978.

Sot, pas 6 dekadash nga themelimi i kësaj reviste, studiues e albanologe i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë dhe duke iu drejtuar arkivave si dritare të reja të së shkuarës sonë për të gjetur të vërtetën.

Mbi këtë bazë u çel këtë të premte konferenca shkencore “Drita e Arkivave-drite mbi arkivat”, në Ministrinë e Europës dhe të Punëve të Jashtme.

“Përkufizimi ‘Drita e arkivave-drite për arkivat’ na flet mjaft bukur për atë dritë që na lejon të zhvillojmë mendimin tonë, leximin tonë mbi historinë dhe dokumentet”, u shpreh Persida Asllani, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare.

“Shejzat janë trashëgimia e vyer që kanë studimet albanologjike. Është një kënaqësi që po i kthejmë studimet nga arkivat. Konferencat zakonisht janë historike dhe nuk e shohin arkivën si një profesion”, tha Ardit Bido, Drejtor i Arkivit Qendror

Kumtesat e albanologeve, arkivuesve, akademikeve e historianeve te shquar sjellin risinë e kësaj konference, pasi shkrimet e tyre janë të botuara pa pritur mbylljen e punimeve të konferencës në periodikun: ”Shejzat korrik-dhjetor 2017”./ KultPlus.com