Shkrimtari me origjinë arbëreshe, Ernesto Sabato për Gjergj Kastriot Skënderbeun

Ernesto Sabato, një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të famshëm të shekullit XX në librat e tij ka shkruar me ngazëllim dhe krenari edhe për një origjinë të tij me arbëreshët e italisë nga ana e familjes së nënës.

Ai e ka përmendur disa herë emrin e zulmshëm të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe  ka dhënë përcaktime  për natyrën dhe rolin e shqiptarëve në histori, për luftrat kundër pushtimit otoman.

Ernesto Sabato është një shkrimtar i jashtëzakonshëm nga Argjentina.

Ai së bashku me shkrimtarin po argjentinas Jorge Luis Borges mbahen si dy  gjenitë e letërsisë moderne të shekullit të tyre, si dy krijues me një imagjinatë të pakufishme  dhe me fuqi metaforike  dhe ironike të pashembullt.

Ernesto Sabato në rininë e tij qe një talent i shquar në fizikë.

Ai punonte me një ekip dijetarësh  këmbëngulës dhe që synonin të fitonin Çmimin Nobel.

Si talent  shkencor Ernesto Sabato mund të ishte bërë patjetër një shkencëtar dhe ndoshta mund ta fitonte  me zbulimet e tij në fizikë edhe Çmimin Nobel.

Befas ai në moshën 40 vjeçare u shkëput nga shkenca.

Ai e shpjegon këtë motiv largimi, për shkak të një krize shpirtërore.

Braktisja e shkencës bëri që ai  të merrej me letërsi.

Në një intervistë Ernesto Sabato thotë se braktisja e shkencës prej tij  qe ikja nga një botë simetrike, me ligje të përcaktuara dhe të amëshuar.

Kurse krijimtaria letrare, të gjitha zhanret e letërsisë, sipas Sabatos nuk janë gjë tjetër veçse universe asimetrike, me ligje të ndryshme të psikologjisë, emocioneve dhe përfytyrimeve.

Unë kam shkruar disa herë ese për Ernesto Sabaton.

Kam shkruar gjithashtu edhe për lidhjet që ai thotë për arbëreshët dhe Skënderbeun.

Këtë herë kam një subjekt shkrimor më të veçantë.

Në Tetor të vitit 1995 Ernesto Sabato ishte ftuar nga Fondacioni Velija, në Tiranë  për të ardhur  dhe për të marrë çmimin e madh që ky Fondacion i kishte akorduar  Ernesto Sabatos.

Ishin bërë të tërë përgatitjet dhe komunikimi  me letra me Ernesto Sabaton bëhej nga Mira Meksi, shkrimtare përkthyese dhe Drejtore e Fondacionit Velija.

Por ardhja e Ernesto Sabatos befas u shty.

Kish ndodhur një fatkeqësi e rëndë për të.

Djali i tij, i cili qe gjithashtu një personalitet publik, madje qe dhe Ministër i Arsimit në Argjentinë papritur vdes në një aksident automobilistik.

Ishte e paimagjinueshme, është gati e pabesueshme që shkrimtari i përbotshëm Ernesto Sabato, tashmë i moshuar të gjente forca shpirtërore por edhe fizike  për ta përballuar këtë gjëmë të llahtarëshme.

Më datën 27 Tetor 1995 Ernesto Sabato i shkruan një letër Mira Meksit dhe Fondacionit Velija.

Në arkivin tim shkruan Moikom Zeqo kam një kopje të letrës origjinale në spanjisht  të shkruar  dhe të nënshkruar nga Ernesto Sabato.

Për lexuesin po jap më poshtë përkthimin në shqip.

Mira Meksi

Fondacioni Velija                                  27 Tetor 1995

Mike e shtrenjtë dhe bujare: kam një lajm të keq, sepse mjekët që më kurojnë më kanë thënë se në këto momente nuk jam në gjendje të përballoj një udhëtim kaq të gjatë dhe të lodhshëm, ngase po kaloj një periudhë me tensione të tmerrshme nervore për shkak të vdekjes së birit tim në një aksident automobilistik, i cili ishte Ministër i Arsimit, një talent i madh, me vlera njerëzore dhe morale të jashtëzakonshme.

Kisha bërë gjithçka gati për këtë udhëtim kaq të bukur, sepse, siç e  dini, kam një stërgjysh shqiptar.

Kur Gjergj Kastrioti nuk pati më forca të luftonte kundër ushtrisë së tmerrshme otomane, dhe shkoi në Napoli për të hyrë në marrëveshje me mbretin burbon, arriti që mijëra e mijëra shqiptarë të pranoheshin të vendoseshin në jug të Italisë, në fshatra ku mund të ruanin gjuhën, zakonet dhe fenë e tyre. Stërgjyshërit e mi u vendosën në Santo Martino de Finita, në Kalabri.

Figura e Kastriotit, së pari në Turqi dhe më pas në atdheun e tij, përherë më ka krenuar, dhe në dhomën time të punës kam një portret të bukur të bërë në Venecia me emrin SKANDERBEG.

Nuk dua të mbyll sytë pa parë malet e Shqipërisë, dëshmitare të luftës së atij gjeniu luftëtar.

Mund të vij pasi të kaloj  dimri shqiptar, nga fundi i marsit  të vitit që vjen.

Pas disa ditësh do t’ju dërgoj datën e saktë.

Më dhemb shpirti për këtë që ndodhi, shpresoj të më kuptoni që në këtë periudhë, tensionet nervore që po  kaloj më pengojnë të vij, ashtu siç e kisha bërë në mendje deri përpara dy ditësh.

Ju dërgoj falënderime pa fund, e shtrenjta Mira Meksi, që bëtë kaq shumë, ndonëse jeni e sëmurë.

Dhe ju lutem t’i transmetoni mirënjohjen time të thellë zotit Vebi Velija dhe të gjithë atyre që kanë punuar për këtë Çmim, që kaq shumë më jep nder.

Ernesto Sabato

 Letra kuptohet menjëherë që është e një shkrimtari, thotë disa të vërteta substanciale.

Ernesto Sabato e thotë haptazi “e kam një stërgjysh shqiptar“.

Ai e di shumë mirë historinë e Gjergj Kastriotit kur shkoi me kalorësit e tij për të mbrojtur Mbretin e Napolit.

Këtë patjetër do ta ketë lexuar nga librat e pafund që u botuan në Europë, që patën si një matricë kryeveprën e Marin Barletit, për bëmat dhe lavditë e Gjergj Kastriotit.

Sabato e di gjithashtu të saktë historinë e arbëreshërve që u vendosën në Jug të Italisë,  “në fshatra, ku mund të ruanin gjuhën, zakonet dhe fenë e tyre“.

 Sabato rrëfen diçka për origjinën e tij, vetëkuptohet edhe nga narrativa familjare e trashëguar në kujtesë. Sabato saktëson “stërgjyshërit e mij u vendosën në Santo Martino de Finita, në Kalabri“.

Pastaj shpall edhe një të vërtetë intime dhe të brendëshme të jetës së tij. “Figura e Kastriotit …. përherë më ka krenuar dhe në dhomën time të punës kam një portret të bukur  të bërë në Venecia me emrin SKANDERBEG.

 Nuk dua të mbyll sytë pa parë malet e Shqipërisë, dëshmitare të luftës të atij gjeniu luftëtar“.

Në një farë mënyre kemi të bëjmë me një rrëfim publik, të vërtetë dhe përfundimtar.

Ernesto Sabato krenohet me origjinën shqiptare të tij.

Në këtë rrëfim të Sabatos ne  mund të bëjmë një persiatje dhe një paralele në deklaratën e famshme të Nënë Terezës e cila shpalli Urbi et orbi  “Jam me origjinë shqiptare“.

Kam shkruar disa ese dhe artikuj  për Ernesto Sabato. Ernesto Sabato  e ka njohur në leximet e tij veprën e poetit të madh frances Gijon Apoliner.

Dihet që Apolineri qe mik i ngushtë dhe admironte shumë Faik Konicën. Faik Konica qe një Mentor për Apolinerin.

Në një nga veprat e tij Apolineri  ka krijuar një personazh i quajtur Kanuri,- ku ka reflektuar tiparet e dy miqve të tij të shtrenjtë: Të Faik Konicës dhe të Pablo Pikasosë.

Duket qartë që Sabato e ka lexuar këtë vepër dhe e përmënd Kanurin, që është në fakt një personazh i dyfishtë. Pikërisht duke medituar për Kanurin  të cilit Apolineri i atribon një origjinë shqiptaro-spanjolle, Sabato  pasi flet për vetitë e larta dhe virtytet e shqiptarëve thotë njëkohësisht se “shqiptarët kanë një prirje për vetëvrasje”.

Këtë mendim  ai e nxjerr si një lloj sinteze  nga vepra e shkruar e Apolinerit, ku përshkruhet se sa pak e çmon shqiptari jetën e tij kur ndërmerr një aksion apo një veprim.

Natyrisht që në këtë pohim ka diçka të vërtetë kur marrim parasysh se si vriten shqiptarët nga grindjet dhe moskuptimet dhe marrëzitë e tyre të mëdha.

Por nuk duhet harruar që kuptimshmëria e kësaj shprehjeje nuk mund të apsolutizohet.

Nëse shqiptarët  vuajnë nganjëherë për mënd kjo nuk do të thotë që duhen klasifikuar në rrafshin e një stili vetëvrasjesh të pakuptimta dhe pa qëllim.

Prandaj si një kundërvënje madhështore ose si një lartësim të virtytit edhe vetë Ernesto Sabato e përmënd emrin Epokal të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Mbas disa kohësh  të shkrimit të kësaj letre Ernesto Sabato erdhi më në fund në Shqipëri.

Edhe unë qeshë i pranishëm në ceremoninë e  bukur të pritjes së Ernesto Sabatos në Tiranë.

Me këtë rast u takova dhe bisedova me të.

Prej vitesh unë kisha një libër të Ernesto Sabatos në spanjisht, që ma kishte dhuruar  një miku im, ish ambasador i Shqipërisë në Buenos Aires.

Me Sabaton bisedoja frengjisht.

E kisha librin me vehte dhe ia tregova.

Ai qeshi dhe më shkrojti një dedikim në këtë libër që e u ruaj si një dëshmi të rrallë.

Nga ky takim i papërsëritshëm më kam dhe një fotografi në ku kam dalë  në krahun e majtë të Ernesto Sabatos, ku është dhe Mira Meksi si dhe një përfaqësues i ambasadës së Argjentinës që ishte i pranishëm.

Është nder dhe kënaqësi të mendosh që një nga shkrimtarët më të mëdhenj botëror si Ernesto Sabato e lidh origjinën e tij  edhe me shqiptarët.

Disa nga librat kryesorë të Ernesto Sabatos janë përkthyer shumë mirë në gjuhën shqipe.

Por ai meriton  edhe një  vepër arti, një bust ose skulpturë në një nga sheshet, apo lulishtet e kryeqytetit shqiptar.

Kemi dhe një adresë të saktë hulumtimi për tërë studiuesit që merren me arbëreshet dhe kulturën e tyre.

Pikërisht në fshatin e Kalabrisë që quhet Santo Martino de Finita duhet parë nëse ka mbetur ndonjë gjurmë nga familja e stërgjyshërve të Ernesto Sabatos.

Ndoshta nuk do të ishte pa kuptim por tepër  e rëndësishme në rrafshin semantik që Komuna e këtij fshati arbëresh ta nderonte figurën e Ernesto Sabatos, duke emëruar ndonjë rrugë me emrin e tij ose duke vendos edhe ndonjë bust përkujtimor.

Nga Moikom Zeqo / Dita / KultPlus.com

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Borges

Fotografitë : Eduardo Forte/Juan José Pérez

Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.

Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht:

ELVI SIDHERI./ KultPlus.com

Shkrimtari arbëresh Ernesto Sabato: Nëna ime gjithmonë më fliste shqip

Familja e tijë kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë.Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.

Nga – Luan Rama

Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuaj një dhjetëvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij.

Në moshë të thyer, ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri.
Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, familja kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.

Unë u takova me Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiene dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse 85-vjeçar, ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetëm se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.

Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti.

Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë, ata kishin pasur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë.

Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, që kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh.

Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare.

Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.

Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.

Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij.

I ati ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas.

Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobel”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë.

Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare.

Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe ese, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare.

Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.

Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.

Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:

– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.

– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino.

Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito).

Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme.

Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.

– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?

– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.

Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.

– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?

– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.

– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.

– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë, unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër.

Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush: m’u duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për egon e veprave të tij.

– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti nëçastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?

– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje, më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë, kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…”.

Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe te ju.

– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?

– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova pesë vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys.

Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës, por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. franceze Humanité. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.

– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Europën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra, cila është vlera e demokracisë, sipas jush?

– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari, Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike.

E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht, shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar.

Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.

– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. A e keni njohur personalisht?

– Jo, atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam pasur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.

– Ju jeni një utopist?

– Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë, kjo që them ndoshta nuk shkon. Mund t’u duket si një ide e çmendur.

– Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra juaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për vetveten: “E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij: “Paqe!”… Përse ky epitaf?

– Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tre të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt, ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që të ndihmojnë të vobektit.

– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?

– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./KultPlus.com

Arti dhe shoqëria

Ese nga: Ernesto Sabato
Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu

Është fatalitet që arti të jetë i lidhur në ndonjëfarë mënyre me shoqërinë, sepse arti bëhet duke u nisur nga njeriu, ndërsa njeriu (edhe nëse është gjeni) nuk është i izoluar: ai jeton, mendon dhe ndjen në raport me rrethanat e tij.

Por kjo “në ndonjëfarë mënyre” nënkupton një lloj të caktuar vjege pafundësisht më komplekse dhe më të stërholluar se i famshmi “pasqyrim”. Sipas kësaj doktrine, e cila pretendon se është realiste, por tekefundit është fantastike, arti është pasqyrim i shoqërisë në të cilën shfaqet. Këta doktrinarë, të cilët e titullojnë veten marksistë, me sa duket nuk e kanë menduar se, nëqoftëse kjo teori do të ishte e drejtë, nuk do të mund të shpjegohej as vetë marksizmi: i përftuar nga intelektuali borgjez Karl Marks, i cili, sikurse edhe bashkëpunëtori i tij, industrialisti Engels, ka jetuar në një shoqëri tipike borgjeze, të dy trashëgimtarë (të vetëdijshëm dhe krenarë) të një kulture të madhe gjithashtu borgjeze, si do të mund ta shpiknin apo ta zbulonin teorinë e revolucionit proletar?

Një karikaturë e tillë duket se nuk mund të merret seriozisht. E megjithatë konsiderohet e vlefshme, përdoret për analizë, për të dhënë rekomandime, për të formuluar akuza çdo ditë. Vetë Lenini i thoshte Gorkit, në lidhje me Tolstoin, se “asnjëherë s’ishte përshkruar kaq thellë muzhiku gjersa doli ky kont”. Leksion që, megjithatë, duket se nuk i ka shërbyer as vetë Gorkit, që shpiku të famshmin realizëm socialist.

Pa dyshim, ekziston njëfarë lidhjeje ndërmjet artistit dhe rrethanave të tij dhe është e vetëkuptueshme se Prusti nuk mund të formohej në një tribu eskimezësh. Herë-herë, kjo lidhje është e thjeshtë, sikurse ajo që ekziston midis shfaqjes së klasës borgjeze dhe lulëzimit të përpjesëtimeve e të perspektivës në pikturë. Po shumicën e herëve lidhja është shumë më komplekse dhe, mbi të gjitha, kontradiktore, ngase artisti është përgjithësisht qenie kundërshtuese, antagonike, dhe ngase në një masë të konsiderueshme pikërisht ky mospëlqim i realitetit në të cilin i takon të jetojë e bën të krijojë një realitet tjetër në artin e tij; realitet që përputhet me të parin po aq pak sa ëndrra me zhgjëndrrën dhe për shkaqe të ngjashme. Njeriu nuk është objekt pasiv dhe, prandaj, nuk mund të kufizohet në pasqyrimin e botës: ai është qenie dialektike dhe (ashtu siç vërtetohet në rastin e ëndrrave) jo vetëm që nuk e pasqyron, po përballet me të dhe i kundërvihet. Dhe ky atribut i përgjithshëm i njeriut paraqitet me një mprehtësi të madhe histerike tek artisti, individ përgjithësisht anarkik dhe antisocial, ëndërrues dhe i papërshtatur.

Si t’i shpjegojmë përndryshe kaq shumë kontradikta? Mu në sallonet e shekullit XVIII, njerëz që i përkisnin pikërisht asaj shoqërie të stërholluar e dekadente, shkrimtarë të admiruar e të nderuar, krijojnë libra që përgatisin shkatërrimin e kësaj shoqërie. Madje as edhe në mënyrë koherente, me një fizionomi të vetme e të përcaktuar, po në lëvizje aq kontradiktore me njëra-tjetrën sa natyralizmi i Rusoit dhe racionalizmi shkencor i enciklopedistëve.

Pastaj ndodh Revolucioni, ndërsa arti që duhet ta përfaqësojë zyrtarisht është piktura reaksionare dhe neoklasike e Davidit, një art që do të përfundojë në mënyrë qesharake me helmetat e tij të famshme të zjarrfikësve. Art i sipërfaqshëm, sikurse çdo art konformist dhe zyrtar. Ndërsa artistët e mëdhenj dhe të vërtetë, si gjithmonë, do të kenë një krijimtari refraktare dhe heretike. Letërsia, sidomos letërsia, është në njëfarë mënyre e kundërta e shoqërisë: në epoka teokratike është shpeshherë antiklerikale, siç e tregojnë fabliaux në Mesjetë; dhe, anasjelltas, asnjëherë nuk lind një letërsi aq thellësisht fetare sa ajo e epokave laiciste. Kujtoni cilësinë e letërsisë katolike në Francën e Republikës së Tretë ose në Anglinë e sotme protestante.

Metju Arnoldi [Mattheë Arnold] ka vënë në dukje tashmë se në periudha konvencionalizmi dhe racionalizmi të thatë ngadhënjen tekefundit nevoja për pasion, për ndjenja të zjarrta e të larta; dhe anasjelltas. Ndërsa Erih Kaler [Erich Kahler] tregon se në historinë e njerëzimit, çdo herë që ndonjë parim çohet gjer në rrjedhojat e tij të mbrame, kthehet kundër vetes.

Nga ana tjetër, shoqëria funksionon si diçka shumë më e ndërlikuar se një shtresim klasash me karakter ekonomik. Gjithë duke pranuar se në një moment të dhënë ekzistojnë fisnikëria, borgjezia dhe proletariati, problemi i artit ndërlikohet pafundësisht si rrjedhojë e këtyre faktorëve:

Grupet vertikale. Teksa ithtarët e pasqyrimit marrin parasysh vetëm klasat horizontale, këto grupe kanë peshë të madhe në prodhimin, tipologjinë dhe tonalitetin e artit. Këto ndarje, që e përshkojnë shoqërinë nga maja në fund, qoftë si ndarje moshe, feje, seksi apo temperamenti, kanë një pasojë vendimtare mbi krijimet e holla të shpirtit njerëzor, që reagon jo vetëm në varësi të problemeve ekonomike, po edhe të shqetësimeve karakteristike për moshën apo seksin, të problemeve të fesë përkatëse apo të moralit përkatës, etj. Lalo dhe sociologë të tjerë kanë vënë në dukje se fëmijët, për shembull, janë përgjithësisht ruajtës të mirë për sa i takon artit. Ginjoli dhe marionetat janë vazhdimësi e personazheve të komedisë së vjetër italiane; fabulat dhe përrallat janë mbetje mitesh të lashta; lojërat e tyre janë shumë të moçme dhe të përbotshme (fëmija tibetian luan me të njëjtët guralecë dhe me të njëjtat rregulla si çunaku argjentinas që luante “intenti” në fëmijërinë time); instrumente të lashtë si zarbatana, hobeja apo shigjeta vazhdojnë ta ruajnë prestigjin e tyre krahas mitralozit; në fushën muzikore janë ruajtur instrumente arkaike, si tamburi apo rrakja.

Edhe pleqtë, fshatarët dhe grupet fetare janë konservatorë, ndonëse për shkaqe të tjera; kjo është arsyeja pse priftërinjtë tanë vazhdojnë të vishen si në Mesjetë dhe shumica dërrmuese e kishave tona vazhdojnë të ndërtohen në stilin romanik ose gotik.

Ndërsa adoleshentët, të rinjtë dhe një lloj i caktuar të rriturish (neurotikët, inatçorët, të papërshtaturit, të shqetësuarit, të varfrit) janë revolucionarë.

Përveç grupeve konservatore dhe revolucionare, janë edhe përhapësit: njerëz të fesë, tregtarë, shtete kolonizatorë, sekte artistike, raca shtegtare si hebrenjtë. Kësisoj, në rastin e stilit gotik, përhapja e tij ka qenë vepër e ipeshkvinjve cistersianë dhe e studentëve të Universitetit të Parisit. Po kështu, muhamedanët e transformuan arkitekturën e Indisë duke i sjellë minarenë dhe kubenë bulbore. Si mund të shpjegohen këto objekte apo modalitete artistike duke u nisur vetëm nga realiteti ekonomik i një vendi? Në përgjithësi, ndikimi i fesë mbi artin është shumë më i fuqishëm se ai i çdo faktori tjetër social: ndalimi për të paraqitur hyjninë u hoqi myslimanëve mundësinë e një plastike si ajo e katolikëve, ndërsa nga ana tjetër nxiti arabeskën dhe arkitekturën; për shkaqe të ngjashme, në Holandë, piktori u hodh te peizazhi dhe te protreti i borgjezit; dhe, pas gjasash, për mendimin tim, ndalimi luteran i figurave, duke e çliruar artistin nga një pjesë e madhe e shqetësimeve të shprehjes, ka qenë shkaku ose një nga shkaqet e zhvillimit të spikatur të muzikës duke filluar nga Reforma.

Një tjetër ndërlikim që nuk ka të bëjë fare me klasat është ai i transfuzioneve kulturore, qoftë nëpërmjet pushtimeve apo luftërave, tregtisë apo emigrimit, qoftë, së fundi, nëpërmjet mbërritjes së një feje prestigjioze në një territor të ri. Krijime të panumërta, disa prej tyre me një rëndësi dhe fuqi të jashtëzakonshme, vijnë nga të tilla transfuzione: muzika zezake në Amerikë, me sintezën e saj të koraleve luterane, të këngëve skoceze apo irlandeze dhe të traditës së vjetër afrikane, përbën shembullin më domethënës. Në disa raste, kultura indigjene plagoset për vdekje, siç shihet në komunitete të pushtuara egërsisht nga kolonizimi i turpshëm evropian, me artikujt e tij të pazarit dhe pëlhurat e prodhuara masivisht në metropol. Po në përgjithësi ndodh hibridizimi dhe, ashtu sikurse evropianët hyjnë në Afrikë, edhe afrikanët hyjnë në Evropë dhe arti zezak depërton mprehtësisht në kulturën e pushtuesve.

Përveç ndikimeve që vijnë nga grupet vertikale, përveç faktorëve të temperamentit të çdo individi, që mund t’i hasim në çdo klasë të shoqërisë, në art ekziston edhe një forcë e brendshme që pouthajse nuk ka të bëjë me shoqërinë: veprimi i lodhjes dhe i trillit. Ashtu si modat e të veshurit, shumë nga risitë e artit vijnë nga shterja psikike, nga mërzitja, nga kënaqësia thjesht për t’iu kundërvënë brezit paraardhës apo armiqve të fuqishëm brenda vetë sferës së artit, thjesht nga ëndja për ndryshim. Dhe, për shkaqe të afërta me ato që e bëjnë një fëmijë të ndihet më i lidhur me gjyshin se me të atin (në saje të këtyre dy lloj mllefeve të njëpasnjëshme): Prusti nuk rrjedh nga Balzaku, po nga Sen-Simoni.

Së fundi, “koha artistike” nuk përkon me kohën astronomike, as me kohën sociale, as me kohën psikologjike, përveçse në raste shumë të jashtëzakonshme: odeja pindarike lindi si rrjedhojë e lojërave kombëtare, porse u zhduk edhe kur këto lojëra vazhduan të mbeteshin. Për më tepër, koha nuk është e njëjtë në artet e ndryshme, edhe nëse kanë lindur sinkronikisht dhe nga një shtysë e përbashkët: tempulli grek (qoftë për shkak të shpirtit konservator të feve, qoftë për shkaqe materiale dhe fizike) nuk ndryshoi në pothuajse njëmijë vjet; dhe, prandaj, gjurma e cikleve të mëdhenj në arkitekturë mund të ndiqet më lehtësisht se në pikturë apo në letërsi, ku lufta e brezave apo e shkollave është më e dukshme dhe më aktive.

Pra, është absurde të kërkosh paralelizma të qarta midis artit dhe organizimit shoqëror të kohës së tij. Edhe po të supozojmë se kushtet ekonomike apo klasore ndikojnë tek artisti, ky ndikim shpeshherë është me kah të kundërt dhe, veç asaj, te shpirti ushtrojnë ndikim të njëkohshëm tradita, veprat apo modalitetet e një kulture rivale, ose pushtuese, ose paradigmatike, temperamenti i krijuesit, mosha e tij, krizat e tij vetjake, feja e tij apo filozofia e tij, lodhja apo entuziazmi, mllefet e tij sektare. / KultPlus.com

Sabato: Nëna ime gjithmonë më fliste shqip

Ernesto Sabato është shkrimtar argjentinas me prejardhje arbëreshe. Ai ka lindur më 24 qershor të vitit 1911. Sot, KultPlus sjell një shkrim për shkrimtarin dhe eseistin argjentinas me prejardhje arbëreshe.

Familja e tij kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij. Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.

Nga Luan Rama

– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./ KultPlus.com

Sabato: Kërkimi i një jete humane duhet të fillojë nga edukimi

Nga Ernesto Sabato

Zoti ekziston, por nganjëherë flen, makthet e tij janë ekzistenca jonë. Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin.Jeta është kaq e shkurtë dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.

Mendoj se e vërteta është mirë në matematikë, në kimi , në filozofi. Jo në jetë. Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës…copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur…magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.

E admirueshme është që njeriu vazhdon të luftojë dhe të krijojë të bukurën në mes të një bote barbare dhe të egër. Çfarë maske vendosim apo çfarë maske ka me na mbetë kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq. Bota s’mund të bëjë asgjë kundër një njeriu që këndon në mjerim.

Unë shkruaj se përndryshe do kisha vdekur, për të gjetur ndjesinë e ekzistencës. E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit. / KultPlus.com

“Me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton”

Nga Ernesto Sabato

Dhe duke qenë se tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton ngaqë është bërë jo vetëm me mishin por edhe me shpirtin e tij , me guximin dhe frikërat e tij, me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë më se fundi në pjekurinë e tij ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyrë që i kemi gdhendur të gjithë ne dhe gjithsecili prej nesh në mishin e tij të gjallë ; politikanë apo artistë të kulluar, kodoshë apo baballarë te ndershëm, milionerë apo argatë, ateiste apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendikojmë virtytet e tij askush mos të jetë aq maskara sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij.

Sot janë bërë 10 vite nga vdekja e shkrimtarit argjentinas me prejardhje shqiptare, Ernesto Sábato.

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.

Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi Matilde Kusminsky Richter, që atëherë ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Të dy lanë familjet dhe studimet dhe filluan të jetojnë bashkë. Ernesto përdorte një emër konspirativ dhe ishte mjaft aktiv në parti. Në vitin 1933 ai u bë sekretar i Rinisë Komuniste, por po fillonte të zhgënjehej me partinë dhe kishte dyshime. Më 1934 ishte dërguar si delegat në Bruksel në Kongresin kundër fashizmit dhe luftës, prej aty duhej të udhëtonte për Moskë për një periudhë ‘spastrimi’. Në Bruksel Ernesto kuptoi natyrën e vërtetë të partisë komuniste dhe iku në Paris, ku jetoi i fshehur pasi partia po e kërkonte. Pa miq dhe pa para, ai fillon të shkruajë romanin e tij të parë.

Në vitin 1935 ai kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Matilde dhe djali i tyre, Jorge Federico shkojnë me të. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë. Më 1939 bursa iu transferua për Massachusetts Institute of Technology. Ai kthehet në Argjentinë dhe fillon të ligjërojë matematikë dhe fizikë në Universidad de La Plata. Ftohet t’i bashkohet revistës Jugu, ku takohet me Jorge Luis Borges dhe të dy bëhen miq. Më 1941 fillon të shkruajë për gazetën La Nacion.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës. Një studim për konceptet e botës dhe jetës moderne duke filluar nga Renesansa. Në vitin 1953 botohet libri Heterodoxia, që është definuar si fjalor i njeriut në krizë. Më 1955 bëhet drejtor i gazetës Mundo Argentino. Në këtë kohë Argjentina ishte në trazira politike. Më 1956 botohen dy librat më kontraverse të Sábatos: El otro rostro del Peronismo (Fytyra tjetër e peronizmit) dhe Torturas y Libertad de Prensa (Torturat dhe liria e shtypit).

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1971 fillon të shkruajë për gazetën La Opinion. Në vitin 1973 boton romanin e tretë Abaddón, el exterminador (Abadon, engjëlli i shkatërrimit), një libër për vizionin apokaliptik të botës moderne dhe për triumfin e të keqës.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Libri Nunca Más (Kurrë më) në të cilin jepen dëshmitë e atyre që shpëtuan dhe të dëshmitarëve të zhdukjes dhe vrasjes së mëse njëzetmijë njerëzve, është botuar si rezultat i hulumtimit të këtyre tragjedive.

Organizata e Shteteve Amerikane (O. A. S.) i jep çmimin Gabriel Mistral, ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin Miguel de Cervantes. Dekorohet prapë nga Italia më 1985 me Urdhrin për Merita dhe më 1987 Fransoa Miteran, kryetar i Francës e dekoron me gradën Komandant i Legjionit të Nderit. Ka marrë gradën “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare. / KultPlus.com

Ernesto Sabato: Shprehjet nga të cilat ti, shkrimtar i ri, duhet të ikësh si nga murtaja

Nga Ernesto Sabato

Gëzimi mbretëronte në fytyrën e tij, dhimbja ishte e pikturuar në fytyrën e tij, skuqja ngjyroste faqet e tij, goja e tij ishte e këndshme, merrte frymë me ndershmëri. Pishtari i mosmarrëveshjes, zëri i nderit, hidra e anarkisë, Dielli i Progresit, fusha e hamendjeve, arsenali i ligjeve, peshorja e drejtësisë, agu i lirive, errësira e injorancës, shpata e Ligjit, tirania e pasioneve, Babilonia moderne, një Kullë e vërtetë Babeli, Albioni i pabesë, Ariu mos-kovit, xha Sami.

Të dyfishoni ngazëllimin tuaj, ta hapni zemrën, të ndjeni një lëmsh në fyt, t’i mbani flokët lidhur majë kokës, të aspironi me magjepsje, të ndillni përzemërsi, të mbillni pemë. Nëna natyrë, mbreti i yjeve, ylli i mbretit, hëna e argjendtë, petalet e kadifenjta, ngjyra e gjallë, kopshti i stolisur. Konflikti luftarak, karroca e Marsit, pozicioni i ri ndërkombëtar. Një eseist fin, një poet fin, një shpirt kulmor. / KultPlus.com

Arti dhe shoqëria

Ese nga: Ernesto Sabato
Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu

Është fatalitet që arti të jetë i lidhur në ndonjëfarë mënyre me shoqërinë, sepse arti bëhet duke u nisur nga njeriu, ndërsa njeriu (edhe nëse është gjeni) nuk është i izoluar: ai jeton, mendon dhe ndjen në raport me rrethanat e tij.

Por kjo “në ndonjëfarë mënyre” nënkupton një lloj të caktuar vjege pafundësisht më komplekse dhe më të stërholluar se i famshmi “pasqyrim”. Sipas kësaj doktrine, e cila pretendon se është realiste, por tekefundit është fantastike, arti është pasqyrim i shoqërisë në të cilën shfaqet. Këta doktrinarë, të cilët e titullojnë veten marksistë, me sa duket nuk e kanë menduar se, nëqoftëse kjo teori do të ishte e drejtë, nuk do të mund të shpjegohej as vetë marksizmi: i përftuar nga intelektuali borgjez Karl Marks, i cili, sikurse edhe bashkëpunëtori i tij, industrialisti Engels, ka jetuar në një shoqëri tipike borgjeze, të dy trashëgimtarë (të vetëdijshëm dhe krenarë) të një kulture të madhe gjithashtu borgjeze, si do të mund ta shpiknin apo ta zbulonin teorinë e revolucionit proletar?

Një karikaturë e tillë duket se nuk mund të merret seriozisht. E megjithatë konsiderohet e vlefshme, përdoret për analizë, për të dhënë rekomandime, për të formuluar akuza çdo ditë. Vetë Lenini i thoshte Gorkit, në lidhje me Tolstoin, se “asnjëherë s’ishte përshkruar kaq thellë muzhiku gjersa doli ky kont”. Leksion që, megjithatë, duket se nuk i ka shërbyer as vetë Gorkit, që shpiku të famshmin realizëm socialist.

Pa dyshim, ekziston njëfarë lidhjeje ndërmjet artistit dhe rrethanave të tij dhe është e vetëkuptueshme se Prusti nuk mund të formohej në një tribu eskimezësh. Herë-herë, kjo lidhje është e thjeshtë, sikurse ajo që ekziston midis shfaqjes së klasës borgjeze dhe lulëzimit të përpjesëtimeve e të perspektivës në pikturë. Po shumicën e herëve lidhja është shumë më komplekse dhe, mbi të gjitha, kontradiktore, ngase artisti është përgjithësisht qenie kundërshtuese, antagonike, dhe ngase në një masë të konsiderueshme pikërisht ky mospëlqim i realitetit në të cilin i takon të jetojë e bën të krijojë një realitet tjetër në artin e tij; realitet që përputhet me të parin po aq pak sa ëndrra me zhgjëndrrën dhe për shkaqe të ngjashme. Njeriu nuk është objekt pasiv dhe, prandaj, nuk mund të kufizohet në pasqyrimin e botës: ai është qenie dialektike dhe (ashtu siç vërtetohet në rastin e ëndrrave) jo vetëm që nuk e pasqyron, po përballet me të dhe i kundërvihet. Dhe ky atribut i përgjithshëm i njeriut paraqitet me një mprehtësi të madhe histerike tek artisti, individ përgjithësisht anarkik dhe antisocial, ëndërrues dhe i papërshtatur.

Si t’i shpjegojmë përndryshe kaq shumë kontradikta? Mu në sallonet e shekullit XVIII, njerëz që i përkisnin pikërisht asaj shoqërie të stërholluar e dekadente, shkrimtarë të admiruar e të nderuar, krijojnë libra që përgatisin shkatërrimin e kësaj shoqërie. Madje as edhe në mënyrë koherente, me një fizionomi të vetme e të përcaktuar, po në lëvizje aq kontradiktore me njëra-tjetrën sa natyralizmi i Rusoit dhe racionalizmi shkencor i enciklopedistëve.

Pastaj ndodh Revolucioni, ndërsa arti që duhet ta përfaqësojë zyrtarisht është piktura reaksionare dhe neoklasike e Davidit, një art që do të përfundojë në mënyrë qesharake me helmetat e tij të famshme të zjarrfikësve. Art i sipërfaqshëm, sikurse çdo art konformist dhe zyrtar. Ndërsa artistët e mëdhenj dhe të vërtetë, si gjithmonë, do të kenë një krijimtari refraktare dhe heretike. Letërsia, sidomos letërsia, është në njëfarë mënyre e kundërta e shoqërisë: në epoka teokratike është shpeshherë antiklerikale, siç e tregojnë fabliaux në Mesjetë; dhe, anasjelltas, asnjëherë nuk lind një letërsi aq thellësisht fetare sa ajo e epokave laiciste. Kujtoni cilësinë e letërsisë katolike në Francën e Republikës së Tretë ose në Anglinë e sotme protestante.

Metju Arnoldi [Mattheë Arnold] ka vënë në dukje tashmë se në periudha konvencionalizmi dhe racionalizmi të thatë ngadhënjen tekefundit nevoja për pasion, për ndjenja të zjarrta e të larta; dhe anasjelltas. Ndërsa Erih Kaler [Erich Kahler] tregon se në historinë e njerëzimit, çdo herë që ndonjë parim çohet gjer në rrjedhojat e tij të mbrame, kthehet kundër vetes.

Nga ana tjetër, shoqëria funksionon si diçka shumë më e ndërlikuar se një shtresim klasash me karakter ekonomik. Gjithë duke pranuar se në një moment të dhënë ekzistojnë fisnikëria, borgjezia dhe proletariati, problemi i artit ndërlikohet pafundësisht si rrjedhojë e këtyre faktorëve:

Grupet vertikale. Teksa ithtarët e pasqyrimit marrin parasysh vetëm klasat horizontale, këto grupe kanë peshë të madhe në prodhimin, tipologjinë dhe tonalitetin e artit. Këto ndarje, që e përshkojnë shoqërinë nga maja në fund, qoftë si ndarje moshe, feje, seksi apo temperamenti, kanë një pasojë vendimtare mbi krijimet e holla të shpirtit njerëzor, që reagon jo vetëm në varësi të problemeve ekonomike, po edhe të shqetësimeve karakteristike për moshën apo seksin, të problemeve të fesë përkatëse apo të moralit përkatës, etj. Lalo dhe sociologë të tjerë kanë vënë në dukje se fëmijët, për shembull, janë përgjithësisht ruajtës të mirë për sa i takon artit. Ginjoli dhe marionetat janë vazhdimësi e personazheve të komedisë së vjetër italiane; fabulat dhe përrallat janë mbetje mitesh të lashta; lojërat e tyre janë shumë të moçme dhe të përbotshme (fëmija tibetian luan me të njëjtët guralecë dhe me të njëjtat rregulla si çunaku argjentinas që luante “intenti” në fëmijërinë time); instrumente të lashtë si zarbatana, hobeja apo shigjeta vazhdojnë ta ruajnë prestigjin e tyre krahas mitralozit; në fushën muzikore janë ruajtur instrumente arkaike, si tamburi apo rrakja.

Edhe pleqtë, fshatarët dhe grupet fetare janë konservatorë, ndonëse për shkaqe të tjera; kjo është arsyeja pse priftërinjtë tanë vazhdojnë të vishen si në Mesjetë dhe shumica dërrmuese e kishave tona vazhdojnë të ndërtohen në stilin romanik ose gotik.

Ndërsa adoleshentët, të rinjtë dhe një lloj i caktuar të rriturish (neurotikët, inatçorët, të papërshtaturit, të shqetësuarit, të varfrit) janë revolucionarë.

Përveç grupeve konservatore dhe revolucionare, janë edhe përhapësit: njerëz të fesë, tregtarë, shtete kolonizatorë, sekte artistike, raca shtegtare si hebrenjtë. Kësisoj, në rastin e stilit gotik, përhapja e tij ka qenë vepër e ipeshkvinjve cistersianë dhe e studentëve të Universitetit të Parisit. Po kështu, muhamedanët e transformuan arkitekturën e Indisë duke i sjellë minarenë dhe kubenë bulbore. Si mund të shpjegohen këto objekte apo modalitete artistike duke u nisur vetëm nga realiteti ekonomik i një vendi? Në përgjithësi, ndikimi i fesë mbi artin është shumë më i fuqishëm se ai i çdo faktori tjetër social: ndalimi për të paraqitur hyjninë u hoqi myslimanëve mundësinë e një plastike si ajo e katolikëve, ndërsa nga ana tjetër nxiti arabeskën dhe arkitekturën; për shkaqe të ngjashme, në Holandë, piktori u hodh te peizazhi dhe te protreti i borgjezit; dhe, pas gjasash, për mendimin tim, ndalimi luteran i figurave, duke e çliruar artistin nga një pjesë e madhe e shqetësimeve të shprehjes, ka qenë shkaku ose një nga shkaqet e zhvillimit të spikatur të muzikës duke filluar nga Reforma.

Një tjetër ndërlikim që nuk ka të bëjë fare me klasat është ai i transfuzioneve kulturore, qoftë nëpërmjet pushtimeve apo luftërave, tregtisë apo emigrimit, qoftë, së fundi, nëpërmjet mbërritjes së një feje prestigjioze në një territor të ri. Krijime të panumërta, disa prej tyre me një rëndësi dhe fuqi të jashtëzakonshme, vijnë nga të tilla transfuzione: muzika zezake në Amerikë, me sintezën e saj të koraleve luterane, të këngëve skoceze apo irlandeze dhe të traditës së vjetër afrikane, përbën shembullin më domethënës. Në disa raste, kultura indigjene plagoset për vdekje, siç shihet në komunitete të pushtuara egërsisht nga kolonizimi i turpshëm evropian, me artikujt e tij të pazarit dhe pëlhurat e prodhuara masivisht në metropol. Po në përgjithësi ndodh hibridizimi dhe, ashtu sikurse evropianët hyjnë në Afrikë, edhe afrikanët hyjnë në Evropë dhe arti zezak depërton mprehtësisht në kulturën e pushtuesve.

Përveç ndikimeve që vijnë nga grupet vertikale, përveç faktorëve të temperamentit të çdo individi, që mund t’i hasim në çdo klasë të shoqërisë, në art ekziston edhe një forcë e brendshme që pouthajse nuk ka të bëjë me shoqërinë: veprimi i lodhjes dhe i trillit. Ashtu si modat e të veshurit, shumë nga risitë e artit vijnë nga shterja psikike, nga mërzitja, nga kënaqësia thjesht për t’iu kundërvënë brezit paraardhës apo armiqve të fuqishëm brenda vetë sferës së artit, thjesht nga ëndja për ndryshim. Dhe, për shkaqe të afërta me ato që e bëjnë një fëmijë të ndihet më i lidhur me gjyshin se me të atin (në saje të këtyre dy lloj mllefeve të njëpasnjëshme): Prusti nuk rrjedh nga Balzaku, po nga Sen-Simoni.

Së fundi, “koha artistike” nuk përkon me kohën astronomike, as me kohën sociale, as me kohën psikologjike, përveçse në raste shumë të jashtëzakonshme: odeja pindarike lindi si rrjedhojë e lojërave kombëtare, porse u zhduk edhe kur këto lojëra vazhduan të mbeteshin. Për më tepër, koha nuk është e njëjtë në artet e ndryshme, edhe nëse kanë lindur sinkronikisht dhe nga një shtysë e përbashkët: tempulli grek (qoftë për shkak të shpirtit konservator të feve, qoftë për shkaqe materiale dhe fizike) nuk ndryshoi në pothuajse njëmijë vjet; dhe, prandaj, gjurma e cikleve të mëdhenj në arkitekturë mund të ndiqet më lehtësisht se në pikturë apo në letërsi, ku lufta e brezave apo e shkollave është më e dukshme dhe më aktive.

Pra, është absurde të kërkosh paralelizma të qarta midis artit dhe organizimit shoqëror të kohës së tij. Edhe po të supozojmë se kushtet ekonomike apo klasore ndikojnë tek artisti, ky ndikim shpeshherë është me kah të kundërt dhe, veç asaj, te shpirti ushtrojnë ndikim të njëkohshëm tradita, veprat apo modalitetet e një kulture rivale, ose pushtuese, ose paradigmatike, temperamenti i krijuesit, mosha e tij, krizat e tij vetjake, feja e tij apo filozofia e tij, lodhja apo entuziazmi, mllefet e tij sektare. /KultPlus.com

Sabato dhe rikthimi në tokën e stërgjyshërve: Nuk mund të rri në shtëpinë e Enver Hoxhës

Nga Flora Nikolla

Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas me origjinë shqiptare, mbërriti në Shqipëri në një ditë të mesit të prillit të vitit 1996. Rinasi, i vetmi aeroport ndërkombëtar në veriperëndim të kryeqytetit shqiptar, priste pasagjerët e tij. Sabato zbriti thjesht, me kapelën e tij, vendosur gjysmë mënjanë, me syze të errëta dhe një pardesy hedhur shkarazi në supet e tij prej shkrimtari.

Mbërriti në Shqipëri në një moshë kur vitet nuk premtojnë ndërmarrje të tilla që duan guxim dhe aventurë. Kishte mbërritur në Tiranë pasi kishte kaluar në Paris, ku ishte ambientuar me klimën e kontinentit plak për të qenë pas kësaj i pranishëm në një ceremoni që do t’i dorëzonte çmimin ndërkombëtar “Kadare’ .

”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar”, tha Sabato për ATSh-në, në atë ditë prilli.

Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barasvlershëm me Borgesin, Marquezin, Cortazarin, atë ditë me re grindavece nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në fakt, kishin kaluar disa muaj që ai kishte pohuar se do të vinte në Shqipëri për të marrë këtë çmim dhe që atëherë e kishte konsideruar këtë vizitë në Shqipëri si “një rikthim të lumtur tek stërgjyshërit e mi’.

“Unë e admiroj popullin shqiptar për qëndresën e tij në shekuj”, ishte shprehur njeriu i madh i letrave.

“Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot”, e pyetën. Bëhej fjalë për personazhe që e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që ai shkroi, si “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirës”.

Vështroi pak dhe tha: “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë, e së keqes, e ateizmit, e besimit, e bujarisë, e egoizmit, e mirësisë, e frikës dhe e trimërisë”.

I pyetur se çfarë e shtynte të shkruante, tha instinkti e jo arsyeja

“Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave dhe fabrikimit të aparateve. Shpirti i qenieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla”, tha ai.

Estet dhe filozof, kur ka shkruar shumë ese e kritikë mbi artin në përgjithësi dhe procesin krijues, Sabato tha se përpara personazheve të tij ndihej si përpara qenieve me mish dhe me kocka dhe se e gjitha ishte një shprehje paksa e vështirë për t’u shpjeguar.

Matilde Kusminsky Richter ishte gruaja e tij. Por, ka thënë se ka patur edhe dashuri tjera, si çdo qenia njerëzore.

“Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qenë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet tendenca natyrale e qenies njerëzore”.

Gjatë qëndrimit të tij disaditor në Shqipëri, Sabato, larg pranisë së gazetarëve, vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës ku u mësua të ishte shprehur se kishte patur një rast të njihej me historinë e stërgjyshërve të tij.

“Unë doja të vizitoja edhe Muzeun Historik të Krujë”, ishte shprehur Sabato, “sepse ruaj një respekt të veçante për Skënderbeun, por ja që mosha bëka të vetën”.

Në një konferencë për shtyp ai u tha gazetarëve se “gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kujtova shumë nënën time, e cila është me prejardhje shqiptare. E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje”.

“Kur mora vesh se po qëndroja në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkova menjëherë të më largonin që aty. Unë nuk mund të qëndroja në atë tmerr”, tha Sabato, i cili kishte kaluar momente të vështira gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. “Unë nuk kam ardhur në Shqipëri pikërisht prej kësaj diktature”, u shpreh ai.

Shumë vite më parë kishte qenë ‘politika’ e tij që e kishte distancuar nga një mik dhe njëherazi nga një emër i madh i letërsisë së Argjentinës dhe i botës, nga Borgesi.

“Unë gjithnjë kam qenë i veçantë për të bërë armiq”, kishte thënë atëherë Sabato, duke iu kundërvënë shkrimtarit të madh gjatë regjimit të Peronit.

Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Santos Lugares, provinca e Buenos Airesit, ne qershor të vitit 2011. Dy javë më parë kishte marrë një bronkit dhe në moshën e tij kjo ishte fatale. Autori i “Tuneli” (1948), “Heronj dhe varre” (1961) etj. do mbushte 100 vjet më 24 qershor. / KultPlus.com

Shkrimtari arbëresh Ernesto Sabato: Nëna ime gjithmonë më fliste shqip

Sot më 30 prill bëhen 9 vite nga vdekja e Ernesto Sábatos, andaj po botojmë një shkrim për shkrimtarin dhe eseistin argjentinas me prejardhje arbëreshe.

Familja e tij kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij. Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.

Nga Luan Rama

Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuaj një dhjetëvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij.

Në moshë të thyer, ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri.
Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, familja kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.

Unë u takova me Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiene dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse 85-vjeçar, ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetëm se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.

Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti.

Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë, ata kishin pasur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë.

Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, që kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh.

Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare.

Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.

Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.

Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij.

I ati ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas.

Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobel”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë.

Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare.

Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe ese, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare.

Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.

Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.

Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:

– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.

– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino.

Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito).

Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme.

Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.

– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?

– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.

Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.

– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?

– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.

– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.

– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë, unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër.

Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush: m’u duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për egon e veprave të tij.

– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti nëçastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?

– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje, më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë, kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…”.

Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe te ju.

– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?

– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova pesë vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys.

Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës, por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. franceze Humanité. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.

– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Europën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra, cila është vlera e demokracisë, sipas jush?

– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari, Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike.

E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht, shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar.

Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.

– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. A e keni njohur personalisht?

– Jo, atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam pasur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.

– Ju jeni një utopist?

– Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë, kjo që them ndoshta nuk shkon. Mund t’u duket si një ide e çmendur.

– Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra juaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për vetveten: “E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij: “Paqe!”… Përse ky epitaf?

– Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tre të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt, ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që të ndihmojnë të vobektit.

– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?

– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtarii dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

‘Ekzistonte një tunel i vetëm, i errët dhe vetmitar, tuneli nëpër të cilin kishte rrjedhur fëmijëria dhe rinia ime’

Fragment nga ”Tuneli”, romani i Ernesto Sabatos

Ekzistonte një tunel i vetëm, i errët dhe vetmitar , tuneli nëpër të cilin kishte rrjedhur fëmijëria dhe rinia ime, e gjithë jeta ime. Nga nje copëz e tejdukshme e murit prej guri, unë e kisha parë, këtë vajzë dhe kisha menduar se ajo vinte nga një tjetër tunel paralel me timin, ndërkohë që në të vërtetë, ajo i përkiste botës së madhe, botës pa kufinj, të atyre që nuk jetojnë nëpër tunele dhe ndoshta i qe afruar nga kërshëria njërës prej dritareve të mia të çuditshme dhe i kishte zënë syri spektaklin e vetmisë time pa shpëtim, ose e kishte tërhequr gjuha memece, çelesi i pikturës time.

Dhe atëherë ndërsa unë bëja përpara brenda tunelit tim, ajo jetonte jashtë, jetën e saj të natyrshme, jetën e rrëmujshme të njerëzve që jetojnë përjashta, atë jetën e çuditshme dhe absurde, ku ka vallëzime dhe festa, gëzim dhe mendjelehtësi.

Nganjëherë, qëllonte që kur unë kaloja përpara njërës prej dritareve të mia, ajo ishte duke më pritur, e pa goje, dhe plot ankth. Përse më priste? Përse më priste plot ankth dhe e pa gojë?

Ndonjëherë, qëllonte që ajo të mos vinte në orar dhe e harronte këtë qënie të mbyllur dhe atëherë unë me fytyrën e ngjeshur pas murit e përfytyroja atë në vende të paarritshme. / KultPlus.com

“Kërkoja kuptimin e ekzistencës, përndryshe do të isha i vdekur”

Kur në vitin 1996, Ernesto Sabato do të vizitonte Shqipërinë, shkrimtari argjentinas me origjinë nga arbëreshët e Italisë, do të shprehej më plot gojën: Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar.

Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barasvlefshëm me autorët e mëdhenj Borges, Marquez, Cortazar… atë ditë me re nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ernesto Sabato – shkencëtari, shkrimtari dhe eseisti i njohur argjentinas, i konsideruar në njëfarë mënyre si Dostojevski i romanit bashkëkohor në gjuhën spanjolle – lindi më 24 qershor 1911, në Rojas, një qytet i vogël në provincën e Buenos Aires. Më i vogli nga dhjetë fëmijët e një familjeje që kishte emigruar nga Italia në fund të shekullit XIX, trashëgoi emrin e një prej paraardhësve, vdekur që herët, gjë që në mendjen e tij, në sytë e prindërve, e bënte të ndihej si një zëvendësues.

Ai bën pjesë tek ajo gjeneratë intelektualësh ndërkombëtarë që kanë kaluar nëpër tragjeditë dhe utopitë e shekullit të kaluar. Doktor në fizikë, i specializuar në industrinë bërthamore – më saktë në laboratorin prestigjoz të Marie Curie – e braktisi shkencën, “neutraliteti moral” i së cilës e trondiste, për të gjetur kësisoj në letërsi mjetet verbale të shprehjes së vuajtjeve të njerëzve.

Ishte vetëm 13-vjeç kur hyri në liceun “La Plata”, ku nuk vonoi të lidhë miqësi me shokë të familjeve anarkiste.

I magjepsur nga romantizmi, nga Novalis (Georg Philipp Friedrich Freiherr von Hardenberg) tek François-Rene de Chateaubriand, nga Heinrich von Kleist tek Gerard de Nerval, për të cilën ruante në brendësi të shpirtit absoluten, ndjenjën e infinitit, do të arrinte drejt matematikës: “Kjo botë e objekteve të përjetshme dhe të pakorruptueshme”!

Për Sabaton, matematika dhe fizika rrjedhin nga ndjenja jonë estetike; ai i vendoste këto kuptime të shpirtit mes krijimeve supreme, të krahasueshme vetëm me muzikën

Iu kushtua me mish e me shpirt fizikës, sapo vuri këmbë në fakultet, rreth vitit 1930. Në të njëjtën kohë, aderoi në Partinë Komuniste e cila, pak vite më vonë, e dërgoi në një mision në Bruksel për të marrë pjesë në Kongresin kundër luftës dhe fashizmit që kryesoi Henri Barbusse.

Kishte planifikuar të shkonte në Moskë, por në platformën e stacionit mori trenin që shkonte drejt Parisit. Ishin pikërisht proceset e para staliniste, krimet e urdhëruara nga “Ati i vogël i popujve” për të vendosur fuqinë e tij, ato që i hapën sytë. I dëshpëruar e me besim të thyer, zbarkoi në kryeqytetin francez, ku e priste mjerimi i bohemisë studentore. Sapo u kthye në Argjentinë, iu akordua bursa e studimit për të punuar së bashku me fizikantët Irene dhe Frederic Joliot-Curie.

“Është e pabesueshme se deri në ç’pikë lakmia, zilia, pretendimi, fodullëku, makutëria dhe, në përgjithësi, i gjithë ky grup atributesh që përbëjnë gjendjen njerëzore, shkëlqejnë në fytyrë, në një qasje, në një vështrim”, shkruante Ernesto Sabato në librin “Tuneli”.

Në vitin 1979 merr titullin Kavalier i Legjionit të Nderit në Francë, ku romani “Engjëlli i errësirës” ishte vlerësuar si libri më i mirë i huaj. Në vitin 1984 merr gjithashtu çmimin “Cervantes”, vlerësimin më të lartë për letërsi në gjuhën spanjolle

Sabato la shkencën dhe iu drejtua letërsisë, në kohën e surealistëve parizianë, në vitet tridhjetë, sepse – siç shprehet autori: “Kërkoja kuptimin e ekzistencës, përndryshe do të isha i vdekur”.

Universi romanesk i Sabatos shënohet nga tensioni midis të keqes dhe të mirës, në sfondin nostalgjik të Buenos Airesit, në kurbë zbritjeje të kufijve të ferrit, që e shtyn lexuesin në një varavingo pasionante midis apologjive dhe kundërshtimeve.

“Nisemi drejt viseve të largëta, kërkojmë natyrën, jemi të etur për njohjen e njerëzve, shpikim qenie imagjinare, kërkojmë Zotin. Dhe pastaj e kuptojmë se fantazma që ndjekim nuk është tjetër veçse vetja jonë”, shkruante personi që e cilësonte veten herë si një “anarkist i krishterë”, herë si një “ateist”.

Mjetet shprehëse të tij po ndryshonin, por kurrsesi çështja midis realizmit dhe metafizikës. Në fund të jetës, kohë pasi kishte humbur bashkëshorten, dashurinë e tij të përjetshme, si dhe djalin, ngushëllimin për pesimizmin e gjeti në rrugën e besimit./ Insjaderi/ KultPlus.com

Ernesto Sabato dhe historitë shqiptare që la në libra

Nga: Julia Constelna 
Përktheu: Bajram Karabolli

Kalabria

Biografinë e Ernesto Sabatos duhet ta fillojmë nga Kalabria, prej nga erdhën (në Argjentinë) prindërit e tij, aty nga fundi i shekullit XIX. Si shumë të tjerë të ardhur rishtas, nga ai rajon, edhe ata u futën në jetën e një vendi i cili u ofronte njerëzve me vullnet të mirë mundësi të mëdha pune.

Udhëtimi i parë i Françesko Sabatos, babait të Ernestos, qe nxitur nga i vëllai i vet më i madh, Pedroja. Me të mbërritur, ai filloi punë në shtrimin e rrugëve me kalldrëm dhe në veprat e rrjetit të tubacioneve për të frenuar përrenjtë që përmbytnin qytetin e Buenos Airesit. Ishte pjesëtar i një ndërmarrjeje të vogël familjare e cila punonte për llogari të të tretëve.

“Të afërmit e vet e shfrytëzonin aq shumë, sa u prish me ta dhe nuk i zinte më në gojë”, tregon Ernestoja. “Im at ishte një burrë me taban dhe i fjalës. Nuk dinte ta dridhte kurrë”.

Në fund të shekullit XIX ishte tepër i shpeshtë ai tranzit fshatarësh e argatësh që mbërrinin në Rio de la Plata për të punuar dhe për të bërë para, me të cilat do të ndihmonin, pastaj, ekonomikisht familjarët e tyre që ndodheshin në Itali. Të tjerë shpresonin të arrinin të blinin një banesë të thjeshtë, duke përmirësuar kështu jetën e tyre të vështirë.

Françesko Sabatoja mbërriti në Buenos Aires në bordin e anijes Italie, si pasagjer i klasës së tretë. Sigurisht do të ketë ndarë me udhëtarë të tjerë atë mbresë të zakonshme që provonin të gjithë ata që kapërcenin Atlantikun atëherë. Dukja në horizont e Shkëmbit të Gjibraltarit ishte pragu që tregonte hyrjen e një bote tjetër. Për ata që linin Evropën në atë kohë, ai katana i errët ishte fundi i universit të njohur prej tyre. Me të kapërcyer atë masë gjigande stralli përballë Spanjës, do t’u duhej, për javë të tëra, të përballeshin me oqeanin para se t’u zinte këmba në terra incognita. Tej horizontit të pafund i priste Bota e Re, pothuaj e pakapshme, bashkë me ëndrrat e tyre dhe frikën e tyre për të papriturat.

Disa bij emigrantësh, midis tyre edhe Ernesto Sabatoja, kanë lënë përshkrime prekëse për pasigurinë dhe vetminë e madhe të atyre ikjeve. Ato shënime na kanë bërë të imagjinojmë vuajtjen, copëtimin e zemrës, të atyre që ndaheshin për jetë nga njerëzit dhe vendi i tyre. Do të mbeteshin shkret, pa gëzimet, pa dhimbjet që patën në jetë. Në ato çaste lamtumire, në sytë e prindit mbetej e ngrirë fytyra pikëlluese e birit që e shihte për të fundit herë, mbetej melankolia e gruas së mjerë që nuk do të ishte kurrë më nën mbrojtjen e tij të ëndërruar. Dhe në mendjen e atyre që përcillnin ngelej shtangia nga frika e njeriut të përvuajtur që ikte larg për t’u ndeshur me njerëz të panjohur, me fjalë të pakuptueshme, me një faqe të pafund historie, ende të pashkruar, histori e cila, sa të mbërrinte, do të fillonte me emrin e tij të ndryshuar.

Një shprehje thotë se meksikanët rrjedhin prej actekëve, peruanët prej inkëve dhe argjentinasit prej anijeve.

“Këtu (Argjentinë) nuk pati qytetërime të lashta indigjenësh, si në Peru apo në Meksikë”, pohon Sabatoja. “Argjentina qe ngritur mbi pampën, një metaforë asgjëje. Shikoni këtë qytet: këtu mbërritën miliona emigrantë në pak dekada. Qyteti i kaloi dyqind mijë banorë në fund të shekullit XIX, kësaj monstre të kohës. Askush nuk mund të jetojë pa atdhe, pa një tokë në të cilën të ngulet, të cilën e dashuron. Emigrantët kishin nevojë urgjente për atdhe, për atë gjë solide, të ngjitur për shpirti, pas të cilës do të lidheshin fort. Dhe, në atë perëndim të shekullit XIX, mbërritën në këto dhera tërë baltë turma njerëzish të këputur nga varfëria, prej fshatrave italiane, spanjolle, polake, ruse, gjermane, libaneze… Vinin me guximin që të jep shpresa. Shumica gjeti një tjetër lloj mjerimi, mjerimin e zi të vetmisë. Kishin lënë nënat, të dashurat, vëllezërit. Si të mos lindte tangoja e famshme për këtë shkak”?

Midis shkronjave dhe gjakut

Në një fragment nga “Apologji dhe refuzim” Sabatoja jep mendimet e veta mbi atdheun:

“I mbështetur tek muri i Kostaneras, me shpinë nga lumi i madh pranë, në ndonjë buzëmbrëmje vere, rri e kundroj siluetën e këtij përbindëshi të frikshëm, këtij Buenos Airesi të shqetësuar dhe gjigand, të butë dhe të ashpër, të urryer dhe të dashur. Dhe, duke e parë pyes veten se çfarë jemi, çfarë ndodh me ne, ku shkojmë. Pyetje që bëhen edhe më të ankthshme këto ditë që bien gjethe e rizojnë shira të ftohtë. Dhe në këtë mërzi shiu, ne të gjithë jemi të trembur, zemrat tona nuk rrahin me të njëjtin ritëm, ndryshe nga ç’ndodh me një komb që lufton për lirinë e vet, që vuan brengën e vet kolektive apo jeton lavdinë e vet të zakonshme. Dhe atëherë e pyes përsëri veten për kuptimin e ekzistencës sonë, për fatet e të gjithëve ne që jetojmë dhe vuajmë këtu. Sepse, edhe pse në çdo cep të Tokës jeta është misteriozisht kontradiktore, të duket se këtu kjo gjë dëshirohet e kërkohet ethshëm, ndoshta nga cilësia e emigracionit dhe larmisë që na karakterizon. Dhe tashmë duket se askush nuk do të dijë se cila është e vërteta dhe mbi ç’parime duhet ta ndërtojmë atdheun tonë”.

Në shkurt të 1980, gazeta La Vanguardia e Barcelonës i paraqiti Sabatos “Pyetësorin Proust”, bazuar në pyetjet e autorit të “Në kërkim të kohës së humbur”, për t’u përgjigjur me shkrim në një album. Pyetjes se ku dëshironte të jetonte, ky bir emigrantësh kalabrezë iu përgjigj:

Aty ku jetoj, në tokën time. Ashtu siç është, e pafatë, me të meta, është imja. Sepse, aty kam lindur, aty kam qenë fëmijë, aty kam pasur iluzione, aty kam pasur ëndrra për të ndryshuar botën, aty kam dashur, aty kam vuajtur. Sepse, ajo tokë na mëkoi jo vetëm gëzimet dhe virtytet e saj, por, mbi të gjitha, edhe brengat e pasiguritë e saj.

Ajo lidhje u këput për Françeskon dhe Xhiovaninan para se të agonte shekulli i XX. Dhe mbrapa mbetën ëndrrat që patën, dëshirat për të ndryshuar botën dhe lidhjet e forta familjare. Mbase, me duart e tyre punëtore nuk e kishin prekur dot kurrë lumturinë e vërtetë, mbase, atje në Kalabri, lumturia për ta qe vetëm e ashpër, e vrazhdë dhe tepër e shkurtër, por pikërisht atje mësuan ç’ishte drita, aroma, shija, tingujt dhe tërë misteret e fëmijërisë.

Françesko Sabatoja kishte lindur në brigjet e detit Tirren, ndërsa e shoqja, Xhiovana Ferraro, në San Martino di Finita, një fshat në Apenine, në rajonin Paola, ku katërqind vjet më parë qe strehuar si refugjat një komunitet shqiptar, i cili kishte ruajtur me xhelozi gjuhën dhe zakonet e veta.

Edhe sot e kësaj dite, banorët e atyre krahinave janë aq shqiptarë sa ç’janë edhe italianë. Ernesto Toçi, stërgjyshja e të cilit ishte kushërira e parë e gjyshes nga nëna e Ernesto Sabatos, është një nga mbrojtësit më të mirë të rrënjëve kulturore të komunitetit shqiptar. Për të treguar forcën shpirtërore të atij populli vital, ai tregon historinë e një profesori shqiptar të lindur në Kalabri, fëmijët e të cilit flisnin shumë mirë shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht. Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë (shekullit XX) profesori jetonte në Paris ku jepte kurse të gjuhës dhe letërsisë italiane. Një mbrëmje, kur u kthye nga universiteti, dëgjoi që bijtë e tij bisedonin frëngjisht me njëri-tjetrin. Atëherë, mblodhi familjen dhe duke treguar derën e shtëpisë tha:

“Kjo derë mbyllet jo vetëm për të mos hyrë qentë dhe furtunat, por edhe për të mos dalë prej këtej ajo çka na përket vetëm neve. Nën këtë çati do të flitet vetëm gjuha jonë shqipe. Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë”.

Profesor Toçi ka hulumtuar historitë e disa banorëve të San Martino di Finita-s, midis tyre edhe të Ferrarëve, paraardhësve të nënës së Ernesto Sabatos, dhe sot përpiqet të rimëkëmbë artezaninë që po zhduket.

“Kam organizuar kurse për të përhapur teknikën e hershme të tjerrjes”, tregon Toçi pa e fshehur krenarinë e vet. “Disa shtresa të pajës së nuses stërgjyshërit tanë i bënin duke tjerrë fije gjineshtre, bimë e egër që rritet në krahinën tonë. Tani, kjo zotësi ka humbur. Po ashtu është zhdukur krimbi i mëndafshit: filli i mëndafshit që prodhohej këtu eksportohej në qytetet e lulëzuara të Lukës, Venecias dhe Firences”.

Ka mundësi që edhe Xhiovana Ferraro të ketë endur ndonjë çull me fije gjineshtre në pajën e saj. Kjo grua fine, e fliste në mënyrë të përsosur shqipen, të vetmen gjuhë që kishte mësuar në fshat qysh në fëmijëri. Por në Argjentinë, ku duhet të quhej jo Xhiovana po Huana (Juana), me kohë nuk e foli dot më. I ati i Sabatos, përkundrazi, ishte një fshatar i kalabrez, i varfër nga ekonomia dhe edukimi, që nuk dinte gjë për paraardhësit dhe origjinën e tij çifute.

Në një intervistë të botuar në një revistë në Kalabri, para tridhjetë vjetësh, Sabatoja thotë:

“Jam tepër krenar për çfarë unë kam prej shqiptari. Gjithmonë më është dukur e habitshme që një bir italiani, si unë, të ketë të tillë vetëdije për vdekjen”.

Tek “Engjëlli i skëterrës” (Abaddón, el exterminador), romani i tretë i tij, Sabatoja tregon se, kur ai vetë ndodhej në Paris, kërkonte një gramatikë të shqipes. Shpesh për të përligjur temperamentin e vet, Sabatoja përmend fjalët e Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) për popullin shqiptar:

“Energji mbinjerëzore dhe prirje për vetëvrasje. Duket gjë e papajtueshme? Sipas meje, kjo është karakteristikë race”.

Inat i vjetër

Thuhet se fisi nga nëna i donja Huanës, rrjedhur nga një degë e të famshmes familje Kavalkanti, kur martoi gjyshen e Sabatos, i dha një goxha pajë, të cilën burri i saj shqiptar e shleu në pak kohë.

“Kishte qenë një burrë gazmor, i dhënë pas verës dhe femrave”, thotë për të Sabatoja. “Ime më thoshte se ia kishte nxirë jetën gjyshes time, gjë për të cilën nëna ime kurrë nuk e fali”.

Për donja Huanën, nëna e saj kishte qenë një grua model dhe ajo gjithmonë e kishte qortuar stërgjyshen e Sabatos, pse nuk u kishte bërë ballë presioneve të një xhaxhai të vet. Ky prift ishte kujdestar i fëmijëve të Markezit të San Martinos dhe, me sa duket, kishte ushtruar influencën e vet për t’u bërë ajo martesë.

Nga madhështia kavalkante kishte ngelur vetëm një unazë me inicialet MS që Maria Sanmarko, stërgjyshja e Ernestos, e martuar me Kavalkantin, e mbajti derisa vdiq. Donja Huana ia dha këtë unazë të çmuar Matildës, gruas së Sabatos, sepse inicialet e kësaj, çuditërisht, përputheshin me ato të unazës. Kjo e fundit e ruan edhe sot e kësaj dite këtë unazë dhe ka vendosur t’ia lërë si trashëgim të mbesës, Marina Sabato, vajza e madhe e Horhes (bir i Sabatos).

“Gjyshja ime vdiq kur ime më ishte tetë vjeçe”, thotë Sabatoja. “Mbase për këtë e mori shumë zët të atin. Ishte një inat që në një farë mënyre e hodhi edhe mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne, fëmijëve, si pa dashje, na mësoi ca fjalë nga gjuha e fëmijërisë së saj. Unë di për shembull se bukë do të thotë pan, verë do të thotë vino, bir – hijo etj. Më vjen keq që nuk e mësova dot këtë gjuhë, sepse shqiptarët dhe historia e tyre në Itali më kanë magjepsur”.

Shqiptarët nuk vinin me qëllim pushtimi dhe qëndruan përfundimisht. Sabatoja dyshon se Ferraro, mbiemri i tij nga nëna, nuk ishte origjinal.

“Shumë shqiptarë qenë të detyruar të merrnin mbiemra italianë. Emri origjinal i familjes së nënës time është Papic”.

Toçi, përkundrazi, ka tjetër mendim.

“Papic, të cilin ne e shkruajmë Päpic, nuk është mbiemër shqiptar”, thotë ai. “Këtu është fjala për një farë nofke përçmuese që, në të vërtetë, është një mënyrë me të cilën akoma është zakon ta quajnë një degë të Ferrarëve, degë që nuk është ajo e familjes së nënës së Ernesto Sabatos. Kjo nofkë ka ekzistuar këtu e tre breza, por aktualisht ka filluar të humbasë. Nofkat trashëgohen, mbi të gjitha, kur bazohen mbi karakteristikat e pamjes fizike apo mbi zanatin e atyre që u përkasin”.

Shekuj më parë, në Apeninet kalabreze ngriheshin katunde ku strehoheshin grupe njerëzish fatkeq e të përndjekur. Vendoseshin në maja, pothuaj, të papushtueshme për t’u mbrojtur prej banditëve të cilët kontrollonin një brez të gjerë pyjesh.

Në bregdet nguleshin çifutët si Sabatot, origjina hebraike e të cilëve humbet në mjegullat e kohës. Ata mund të jenë edhe pjesë e kolonëve që erdhën nga Palestina gjatë Perandorisë Romake. Prej tyre, ata që u bënë besnikë të Kishës Valdense, më vonë, u vendosën pranë këtyre majave. Një komunitet i ardhur nga veriu u vendos në shër;bim të një baroni të krahinës dhe themeloi më 1315 Guardia Piemonteze, fshat i cili me vite u fortifikua duke u rrethuar me mure.

Banorëve të kësaj qendre të fortifikuar, më 3 qershor 1561, Markés de Spineli, zot i Fuskaldos, u ngriti një kurth dhe i masakroi. Ai e bëri këtë nga dëshira e ethshme që kishte për të përmirësuar marrëdhëniet dhe tregtitë e veta me klerin e Romës. Kjo ndodhi në momentin kur valdensët – të cilët deri atëherë ishin besnikë të një kulti të thjeshtë dhe pothuaj të fshehtë -, nëpërmjet predikatorëve, qenë njohur me mësimet e Luterit dhe qenë nxitur prej tyre. Atëherë, edhe ata vendosën të hiqnin dorë nga feja e tyre e veçuar dhe të deklaronin pranimin e Kishës Valdense. Edhe sot e kësaj dite, kush viziton atë zonë është i ftuar të nderojë viktimat e asaj pusie në portën e murit rrethues të qytezës, që njihet si Porta e Gjakut.

Huana Ferraro në rrëfimet e saj, të cilat ia mori e reja Matildë dhe i hodhi në ditarin e vet, kujtonte bashkëfshatarët e saj të Guardia Piemontezes dhe zakonet e tyre interesante.

“Ditën zbrisnin poshtë për të punuar arat dhe për të mbledhur gështenja”, tregon Matilda. “Por, me t’u errur ktheheshin në fshat dhe mbyllnin portën e murit. Në kujtimet e donja Huanës kishte fjalë të pakuptueshme, sigurisht, qenë shprehje idiomatike të ndonjë dialekti të Piemontes që u ruajtën shekuj pas mërgimit”.

Fuskladoja, ku lindi i ati i Sabatos, është fshati i parë në jug të Guardia Piemontezes, nja njëqind e nëntëdhjetë metra mbi nivelin e detit. Nga sheshi qendror, i rrethuar prej një shkalle të madhe dhe një parmaku me gurë të latuar, mund të shikosh detin. Fshati mbështetet në një brinjë mali. Atje, jo vetëm duket se është e mundur, por edhe e lehtë, bile e këndshme, të shkosh për të gjetur rrënjët e familjes Sabato. Paragjykimet e përhapura për praninë e mafies dhe egërsinë e vendit zhbëhen përpara ngrohtësisë së banorëve dhe bukurisë së peizazhit.

Sot 8 vite më parë ndërroi jetë Ernesto Sabato

Jeta ime më duket sikur po përfundon si ‘Tuneli’, me qelqnaja dhe tunele paralele, ku gjithçka është përfundimisht e pamundur. Sa e çuditshme, sa e tmerrshme është që, me t’u afruar vdekja, kthehen këto metafora të trishta!
Elvira më flet për Krishtin. Marr kurajë nga ideja e saj fetare për jetën, dhe nga dhimbja.

Mbi tryezën time të punës vendosa një fotografi të Horhes dhe tani po e shikoj, e shikoj me mallin e një përqafimi që më këput shpirtin. Sa do të doja që koha të kthehej pas. Po kur do të më hiqet kjo peshë e rëndë që po ma shtyp gjoksin?

Mendimi po më hedh në fund të greminës. Ku kanë shkuar fjalët tani? Do të jepja gjithë librat e mi – sa të varfër, sa qesharakë, sa të përkohshëm, sa të pavlefshëm, sa kot në këtë humbje – gjithë prestigjin tim, atë prestigj që aq shumë e vë midis thonjëzave, do të jepja gjithë përnderimet dhe dekoratat, vetëm që të kisha edhe një herë Horhiton pranë.

-Duke ecur nëpër këtë shtëpi, në të cilën dikur ishim shumë, ndërsa sot endem vetëm e i mbaruar, ndalem para portretit tënd, i shtrenjti Horhito. Këtë e kishte bërë Silvina Okampo, poete e madhe, autore tregimesh të paharruara dhe piktore, dikur në ato kohë kur qëndronim shumë pranë me të. Po kjo ka kohë, shumë kohë. 
I shikoj më nge, një nga një, tiparet e këtij fëmije dhjetë vjeç, të cilin unë e mbaja për dore, duke menduar se gjithnjë do të ishte pranë meje. Dhe pastaj, me fytyrë të vrenjtur e përmes lotëve, largohem duke sjellë ndër mend, plot mall, atë kohë tashmë të largët, por aq të shenjtë.

(Ernesto Sabato -fragment kushtuar të birit Horge Frederiko Sabato) 

Përkthyer nga Bajram Karabolli. / KultPlus.com

Shqipëria në vitin 1996, kujtuar nga Ernesto Sabato

Së bashku me Borgesin dhe Markezin, Ernesto Sabato konsiderohet si njëri ndër tre shkrimtarët më të shquar hispanik të gjysmës së dytë të shekullit XX.

I lindur më 1911 në Rohas afër Buenos Airesit, Ernesto Sabato vendosi t’i përkushtohej letërsisë dhe pikturës. Gjatë jetës së tij, ai vizitoi dy herë Shqipërinë, vendin e origjinës së nënës së tij shqiptare.

Ja si e kujtonte Sabato vizitën e tij në Shqipëri më 1996, në librin e tij me kujtime, “Përpara fundit: rrëfim për një shekull”:

“U ktheva nga Shqipëria, ku mora Çmimin Kadare. Isha i shkatërruar, po, megjithatë, mblodha forcat dhe shkova, për të mos e zhgënjyer këtë Vend të varfër. Në Tiranë m’u bënë një nga vlerësimet më emocionuese të jetës sime. Organizuan këngë e vallëzime me rastin e dhënies së çmimit. Një poet më ofroi një vazo plot me dhe të mbledhur nga toka e lindjes së sime mëje. Ditën tjetër na përshëndetën me muzikë e lule; ishte kaq emocionuese, saqë u ndjeva keq nëpër korridoret e aeroportit të Vjenës”, ka shkruar ai.

“Sërish në shtëpi, mendoj për sa pashë në tokën e disa të parëve të mi: një popull, që ka vuajtur vite nënshtrimi. Në vetminë e dhomës, pyeta veten se cili Zot mund të fshihet pas vuajtjes. Gjatë udhëtimit në Shqipëri, njoha një djalë me emrin Valter, i cili kishte braktisur shtëpinë në rrethinën e Tukumanit për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve në bashkësinë fetare të Terezës së Kalkutës. E kujtoj me emocion të gjallë. Sa herë dëgjoj lajmet e tmerrshme të ardhura prej atij Vendi kaq të mistershëm, them me vete: ku do të jetë vallë, a do të mund t’i lexojë ndonjëherë këto fjalë mirënjohjeje për heroizmin e tij fisnik”./ KultPlus.com