U mbajt takimi letrar Esad Mekuli, “Në kujtim të albanologut Robert Elsie”

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka organizuar takimin letrar “Esad Mekuli”, ku kësaj radhe u mbajt sesion letrar “Në kujtim të albanologut Robert Elsie”.

Me këtë rast, u tha se vdekja e albanologut të njohur amerikan, Robert Elsie është një humbje e madhe për shqiptarët dhe albanologjinë, shkruan rtv21./ KultPlus.com

Esad Mekuli në vitin 1983: Në Kosovë dominon kombësia shqiptare

Esad Mekuli, një prej poetëve më të mirë që kanë njohur shqiptarët, në vitin 1983, pra 34 vjet më parë, në një intervistë tha diçka të vërtetë, por edhe të rrezikshme për atë kohë.

“Kosova është një krahinë që përbëhet prej shumë nacionaliteteve, ku dominon KOMBËSIA Shqiptare” – tha mes tjerash Mekuli në këtë intervistë, derisa po punonte si redaktor në gazetën shqipe ‘Rilindja’ por edhe tek revista letrare ‘Jeta e Re’.

Ai tregon në këtë intervistë se megjithatë redaksia gjithmonë ka qenë e interesuar të përfshijë edhe malazezët, serbët, turqit, romët, por edhe ajo vetë si e tillë ishte e papërvojë në këtë aspekt dhe në numrat që do të vinin do të kishte më shumë përfshirje, shkruan KultPlus.

Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive letrare.

Deklaratat e tij asokohe përbënin një thumbim në debatin e nacionaliteteve, kur shqiptarët dhe kosovarët kishin pak të drejta në vendet ku jetonin.

Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993. / KultPlus.com

Esad Mekuli i shkruan femrës, në vitin 1949

PERDJA E ROBNISË –
Poezi e shkruar nga Esad Mekuli

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.
Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!
Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949

BKK pasurohet me bibliotekën e re “Esad Mekuli”, sjellë gjërat më të vlefshme të shkrimtarit të madh (FOTO)

Në këndin e bibliotekave personale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot është bërë hapja e Bibliotekës së Esad Mekulit.

Gili Hoxhaj

Në kuadër të kësaj biblioteke janë të përfshirë librat e tij të blerë, librat që janë redaktuar nga ky autor, gazetat, revistat. Po ashtu në këtë bibliotekë zë vend edhe makina e tij e shkrimit, kapela, syzet, tavolina e punës, lapsat… Në një kënd të BKK-së është i vendosur edhe shtrati i Esad Mekulit, po ashtu dhe vitrinat origjinale të bibliotekës së tij.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës tregoi për KultPlus, se hapja e kësaj biblioteke të pasur në BKK vije pas një punë të gjatë dhe intensive.

“Familja e Esad Mekulit, ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bibliotekën e Esad Mekulit, dhe kësisoj ne e kemi krijuar një hapësirë për të që të duket tamam si biblioteka që ai e ka pasur në shtëpi. Ne kemi angazhuar njerëzit kompetent që të merren me këtë punë dhe pas një pune goxha të gjatë dhe intensive, sot edhe arritëm ta sjellim brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bibliotekën e Esad Mekulit, e cila është shumë e pasur”, ka thënë Gajraku për KultPlus.

Ai poashtu shtoi për KultPlus, se kjo bibliotekë do të jetë e përhershme ndërsa do ta pasuroj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pasi që, sjellë shumë gjëra të vlefshme nga jeta dhe veprimtaria e tij Esat Mekulit.

“Kjo bibliotekë do të jetë e përhershme në institucionin tonë dhe të gjithë të interesuarit mund t’i shohin nga afër shumë gjëra të papara deri më tash të shkrimtarit Mekuli. Po ashtu kemi shumë dorëshkrime ekskluzive që asnjëherë nuk janë publikuar dhe mund të them se është një ambient shumë i këndshëm që na e ka pasuruar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, shtoi tutje Gajraku.
Tash e tutje kjo bibliotekë do të jetë në dispozicionin e artdashësve të Esad Mekulit dhe jo vetëm./ KultPlus.com

Popullit Tim

Poezi nga Esad Mekuli

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com

Gjykimi

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli.

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…

Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…

Si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…)