Nga Jusuf Buxhovi
“Nuk është lehtë ta shpjegosh Esat Pashë Toptanin (1864-1920), njërin ndër personazhet më enigmatike të botës shqiptare”.
Kështu thotë autori Ilir Ikonomi në librin “Esat Pashë Toptani”, i cili qysh në fillim paralajmëron se qasja e tij ndaj kësaj figure historike, vlerësimi i së cilës edhe sot e gjithëditën është kontraverz dhe të shumtën me anatemën “e tradhtarit”, ka të bëjë me kohën në të cilën ka jetuar, duke shtuar se “askush nuk e ka monopolin e të vërtetës”. Mbështetja mbi këtë parim autorin pashmangshëm e ballafaqon me paragjykimet e shumta bardh-zi, të ngritura sa nga historiografia shqiptare me qasje ideologjike e sa nga mosnjohja, por edhe injorimi i burimeve meritore me të cilat do të mund të thyheshin stereotipet politike me të cilat Esat Pashë Toptani si ushtarak, politika dhe burrështetas i njohur dhe më me shumë ndikim i kohës së shtetndërtimit shqiptar, është dashtë të shihej vetëm si tradhtarë, paçka se ai ka marrë pjesë në një zhvillim historik tepër kompleks, kur shteti shqiptar ishte në formim e sipër, dhe se ky proces me shumë kurthe, me shumë lojëra, përfshinte aktorë të shumtë, që kryenin shërbime të ndryshme.
Natyrisht se ballafaqimi i Ikonomit me Toptanin, i parë në kohën në të cilën ka jetuar si dhe zhvillimet historike nëpër të cilat ka kaluar, në njërën anë nxjerr në pah një figurë historike të ushtarakut veprues me fuqi të madhe ushtarake mbas, të politikanit të pakapërcyeshëm dhe njëherësh të diplomatit aktiv ndër më komplekset me të cilin lidhet rrugëtimi i shtetit shqiptar me gjithë ato telashe dhe drama të mëdha që e kanë përcjellë nga shfaqja e deri te akti kur atij përfundimisht, në Konferencën e Paqes në Paris, do t’i njohet ekzistenca ndërkombëtare në përmasat që ia caktoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës. Ndërsa në tjetrën anë, nxjerr në pah shumësinë e faktorëve të tjerë, nga brenda dhe nga jashtë, që kanë ndikuar këtë zhvillim si dhe rolin e tyre në të, që kur shikohen mirë e mirë, Toptanin e kthejnë në një referencë të pazëvendësueshme të ushtarakut, të politikanit dhe të një diplomati, i cili, në skenën e madhe diplomatike dhe politike, ku çështja shqiptare bartej si një plaçkë për kusuritje midis fuqive të mëdha të kohës, shfaqej i pashmangshëm, qoftë kur ai ishte i nevojshëm (për dike) dhe duhej të shfrytëzohej, qoftë kur shihej i rrezikshëm (për dike) dhe duhej të eliminohej, siç do të ndodhë në të vërtetë edhe me vrasjen e tij në Paris. Shikuar nga këndvështrimi i dokumenteve relevante të kohës, shumë prej të cilave Ikonomi i shfrytëzon me objektivitetin e duhur, ndërsa disa prej tyre (Memorandumin Konferencës së Paqes, takimin me presidentin amerikan Uilson si dhe letrën dërguar atij dhe takimet e shumta me burrështetasit e fuqive të mëdha e të tjera të kësaj natyre), qëllimisht të anashkalaura ose të injoruara, i nxjerr në pah për herë të parë, Esat Pshë Toptani shfaqet një lojtar i pandalshëm, tepër i shkathtë, tepër i vendosur, i gatshëm për kompromise dhe lojëra ndër më të ndryshmet, ku në shumë raste duket se edhe fati i Shqipërisë pa marrë parasysh si do të dukej ajo dhe në duar të kujt binte, u nënshtrohet ambicieve të tij të shfrenuara për pushtet, paçka se e gjitha kalonte nëpër çmimin e një tragjike historike?
Por, gjithnjë në përputhje me dokumentet që trajton Ikonomi si dhe qasjen ndaj tyre siç thotë “ku nuk ka tradhtarë dhe heronj”, sidomos të atyre që mund të merren “si kapitale” (Memorandumi Konferencës së Paqes, ku kërkohej të rikthehen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe takimi me presidentin amerikan Uilson në Paris, ku kërkohej që shteti shqiptar, për t’u nxjerrë nga kthetrat e traktateve të fshehta siç ishte ai i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshja Itali-Greqi për ndarje në Shqipërisë në dy pjesë, duhej të kthehej nën adiminstrimin e fuqive të mëdha, në të cilën fjalën kryesore do ta kenë SHBA-të ), del një Esat Pashë Toptan ndryshe nga hipotekat e rënda “të tradhtarit”, me të cilat kuturu e ka ngarkuar historiografia ideologjike dhe në përgjithësi politika shqiptare e kohës. Ndonëse Ikonomi i ka kushtuar rëndësi të madhe raporteve të Toptanit me Italinë, Serbinë më vonë me mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, atyre me Francën, po edhe me Greqinë dhe faktorët tjerë të lidhur për fatin e saj në ato rrethana), duke u përpjekur që ambiciet e tij politike dhe ato për pushtet t’i fokusojë te përcaktimi që ai midis Italisë dhe Beogradit të zgjedh këtë të fundit “si mbrojtës të Shqipërisë”, gjë që, si do të shihet, ky përcaktim do të jetë vendimtar që ai të eliminohet edhe fizikisht në Paris madje me hipotekën e tradhtisë, megjithatë fundi i tij tragjik, më tepër shihte si pasojë që nga skena politike shqiptare të përjashtohet njëri nga lojtarët kyç, më të zhdërvjelltë dhe më me ndikim në vend, nga frika se ai herdo-kurdo mund të dëmtonte planet italiane në Shqipëri dhe rajon duke futur në lojë kartën e Beogradit. Por, edhe përkundër kësaj, karta e ndikimit të Beogradit në politikën shqiptare nuk do të eliminohet. Si do të shihet, me rastin e Ahmet Zogut e deri te Enver Hoxha, politika shqiptare jo vetëm që nuk do të lirohet prej saj, por ajo do t’ua përcaktojë kahun zhvillimeve tragjike nëpër të cilat do të kalojë shteti shqiptar por edhe shqiptarët në përgjithësi për thuaja një shekull…
Kështu, Esat Pashë Toptani, pasi që kishte parë se në ato rrethana të kusuritje midis faktorëve të jashtëm, në mos të shpërbëhej fare, Shqipëria doemos duhej të kalonte nëpër tutelën e huaj dhe se kjo mund t’i kthehej në kob, sigurisht se si politikan dhe njeri që kishte marrë pjesë në të gjitha zhvillimet që kishte kaluar shteti shqiptar nga shpallja dhe përfshirja në luftën e madhe botërore, në përvojën e atij që nëpër të gjitha kapërcyellit në njëfarë mase ia kishte ruajtur qenien qoftë edhe duke e kthyer në një plaçkë të vetën, kishte bindjen se për t’u ruajtur fare disi, fati i Shqipërisë dhe Shqiptarëve duhej të lidhej me Beogradin, çështje këtë që asnjëherë nuk e mohoi dhe as nuk e fshehu, por njëherësh ai mbetet si pararendës i politikës shqiptare në vazhdim, e cila, praktikisht, në të gjitha fazat e mëtutjeshme të rrugëtimit të shtetit shqiptar, nga ato monarkike dhe ideologjike, Beogradin e pati si referencë dhe mento madje.
Ndaj, libri i Ikonomit, mund të duket paksa “ndryshe”, jo pse Toptanit ia heq hipotekën e “njeriut të Beogradit”, të kthyer në kredo politike “të shpëtimit të Shqipërisë”, gjë që kjo si fakt politik nuk do të lejohej assesi nga italianët dhe aleatët e tyre, të cilët objektivisht qëndrojnë pas atentatit në Paris, por pse atë e kthen në pararendës të politikanëve shqiptarë (nga Zogu e deri te Enver Hoxha), që nuk do të vonojë dhe praktikisht shtetin shqiptar e kthyen nën tutelën e Beogradit pa u anatemuar “për tradhtarë”!
Si i tillë, libri i Ikonomit, është i veçantë dhe meriton vëmendje.
O Ilir Ikonomi: “Esat Pashë Toptani – njeriu, lufta, pushteti”. Botoi UETPress, Tiranë, 2016. Faqe 551.