Michel de Montaigne (1533-1592), filozof, shkrimtar dhe politikan francez. I njohur edhe si aforist, Montaigne pas tërheqjes nga jeta publike iu përkushtua studimit dhe shkrimit të Eseve të tij, të cilat patën një ndikim të jashtëzakonshëm në Francë dhe në mbarë botën.
IKJA NGA KËNAQËSITË ME ÇMIMIN E JETËS
(Libri I, XXXIII)
Kisha konstatuar se pjesa më e madhe e opinioneve antike bien në ujdi për këtë: se është koha për të vdekur kur të jetosh është më keq se sa më mirë; dhe se të ruajmë jetën tonë me turbillirën dhe dëmin tonë, është të shkojmë kundër ligjeve të natyrës, dhe siç thonë sentencart e vjetra:
«Ose jeto qetësisht ose vdis lumturisht»
«Është mirë të vdesësh kur jeta është për faqe të zezë»
«Është më mirë të mos jetosh se sa të jetosh i palumtur»
Por të shtyesh përçmimin e vdekjes deri në pikën sa të shërbehesh me të për t’iu shmangur ndereve, pasurive, madhështive dhe favoreve të tjera që i quajmë të fatit, sikurse arsyeja të mos kishte mjaftuehëm për të bërë për ta bindur që t’i braktisim, pa ia shtuar këtë mbingarkesë të re, nuk e kisha parë as të përshkruar as të praktikuar deri në momentin kur më ra në dorë ky pasazh i Senekës, në të cilin ai e këshillon Lucilin, personazh shumë i fuqishëm dhe me autoritet të lartë pranë perandorit, ta ndryshojë atë jetë kënaqësish dhe shkëlqimi dhe të braktisë atë ambicie mondane për një lloj jee vetmitare, të qetë dhe filozofike. Për çka, megjithatë, Lucili, nuk ishte krejt i bindur: «Jam i mendimit», i thotë tjetri, «se ti duhet ta braktisësh atëfarë jete, ose tamam vetë jetën; natyrisht të këshilloj të ndjekësh rrugën më të lehtë dhe të zgjidhësh në vend se të presësh atë që e ke bërë nyje keq, mjaft që, nëse nuk mund të zgjidhet ndryshe, ta thyesh. S’ka njeri aq frikacak që të mos preferojë më shumë të bjerë njëherë se sa të qëndrojë përherë në zgrip». E shoh këtë këshillë të përshtatshme për fortësinë stoike; po gjëja më e çuditshme është se ajo është marrë nga Epikuri, i cili, në lidhje me këtë, i shkruan Idomeneut gjëra pothuajse të njëjta.
Megjithatë më duket se kam gjetur disa pjesë të ngjashme mes autorëve tonë, por me maturinë e krishterë. Shën Ilari, ipshekv i Poitiersit dhe armik me nam i herezisë ariane, derisa ishte në Siri ishte informuar se Abra, bija e tij e vetme, të cilën ai e kishte lënë në vendin e tij me të ëmën, ishte kërkuar për grua nga zotërinjtë më të mëdhenj të vendit, duke qenë se ishte vashë e goxha e edukuar, e bukur, e pasur dhe në lulen e rinisë. Ai i shkroi asaj (siç e shohim) që të mos interesohej për të gjitha ato kënaqësi dhe avantazhe që i ofroheshin: se ai i kishte gjetur gjatë udhëtimit të tij një zgjedhje më të mirë dhe më të denjë, një burrë bukur më të pasur dhe më të fuqishëm, që do t’i dhuronte stoli me vlerë të paçmueshme. Plani i tij ishte ta bënte të humbiste shijen dhe zakonin e kënaqësive të botës, për ta lidhur të tërën me Zotin; por duke iu dukur se mjeti më i shpejtë dhe më i sigurt për ta arritur këtë qëllim ishte vdekja e bijës së tij, nuk reshti, me njete, lutje dhe urata, t’i kërkonte Zotit ta hiqte nga kjo botë dhe ta thërriste pranë vetes, siç edhe ndodhi; në të vërtetë, pak pas kthimit të tij ajo vdiq dhe ai shfaqi një gëzim të paparë. Ai duket se ua kalon të tjerëve, duke qenë se iu drejtua menjëherë atij mjeti, të cilin të tjerët e zgjedhin vetëm si ndihmës, për më tepër që bëhej fjalë për bijën e tij të vetme. Po s’dua ta lë jashtë fundin e kësaj historie, edhe pse s’lidhet me tekstin im. Gruaja e Shën Ilarit, duke e marrë vesh prej tij se si vdekja e bijës së tyre kishte ardhur sipas planit dhe dëshirës së tij, se si ajo ishte më me fat që e kishte lënë këtë botë se sa të kishte mbetur në të, qe kapluar nga një lehtësim i gjallë i bekimit të përjetshëm dhe hyjnor sa iu lut me këmbëngulje të pashoqe burrit të saj të bënte po aq për të. E meqë Zoti, në vijim të lutjeve të tyre të përbashkëta, e thirri pas pak pranë vetes, qe një vdekje e pranuar nga të dy me një gëzim të pamasë.
/Marrë nga: Michel de Montaigne, Saggi; Bompiani, 2012 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.
Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.
Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.
Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.
Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.
Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.
Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.
Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.
Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide” (Artikulli është botuar në 2015) – Në shqip nga bota.al/ KultPlus.com
Studiuesja dhe përkthyesja Meliza Krasniqi ka sjell librin e ri të titulluar “kritika dhe Letërsia”, shkruan KultPlus.
Në këtë libër, Krasniqi ka përmbledhur ese, kritika, analiza e studime të shkruara e të botuara gjatë periudhës 2007 – 2020, në revista e gazeta. Disa nga shkrimet janë rezultat i detyrave si studente e letërsisë. Në shtojcë gjenden dy shkrime që për objekt kanë një lëvizje dhe një disiplinë.
Sipas autores, titulli i këtij libri mund të duket krejt i thjeshtë, por në fakt nuk është i tillë. Ajo niset nga maksima e Zhenetit, i cili thotë: “Materialet e punës kritike në të vërtetë janë mbeturina të veprës njerëzore”.
“Jam motivuar ta shkruaj njërën me shkronja të vogla, kritikën, e tjetrën me të mëdha, Letërsinë, si shenjë e vetë natyrës së tyre. Dhe, konsideroj se kritika gjithmonë është shërbëtore e përunjur e Letërsisë, andaj edhe shkrimet kritike gjithmonë duhet të vijnë pas saj. Po ashtu, ky formulim ka edhe konotime të tjera që dalin në lexime të ndryshme”, shkruan autorja e cila tutje tregon se është kundër librave që bartin tituj të mëdhenj e të fryrë e që përbrenda nuk e arsyetojnë veten asnjëherë.
“Nuk jam ithtare aq e madhe e librave me përmbledhje të teksteve që në fakt janë produkt i mbledhjes e sistemimit të teksteve të llojeve të ndryshme të destinuara për diçka tjetër, në kuptimin se janë shkruar për qëllime krejtësisht të tjera. As përkrahëse, madje jam kundër librave që bartin tituj të mëdhenj e të fryrë e që përbrenda nuk e arsyetojnë veten asnjëherë. Si rrjedhojë, kritika dhe Letërsia, është titull përfaqësues i përmbajtjes dhe i diskursit të përdorur këtu. Këto punime i kam shkruar e rishkruar, pastaj i kam strukturuar në tekste të zgjedhura në momente të ndryshme personale e profesionale”, shkruan Krasniqi.
Interpretimi, analiza, përshkrimi dhe komentimi sipas autores, nuk ndjek një lexim sistematik e as vlerësim e konstatim të ngjashëm: Me një fjalë, si justifikim, them se në periudha të caktuara të shkrimit provohet një përzgjedhje e formulimeve dhe e përfundimeve që në një kohë tjetër kapërcehen e pësojnë ndryshime.
Libri është i ndarë në katër pjesë, duke përfshirë autorë klasikë e modernë të letërsisë shqipe e të letërsisë botërore dhe pothuajse secilin tekst e shoqëron viti i shkrimit. Këtu, trajtohen, si shtojcë e veçantë, edhe Postmodernizmi e Retorika, dy fusha të ndryshme që fillimisht autorja i ka menduar t’i zgjeroj në pamje më të mëdha, në format libri. Retorika është rezultat i Kursit me të njëjtin emër, e që pas leximit të Retorikës së Aristotelit, duke u fokusuar në natyrën që kishte sjellë, traditën që përcjell dhe përballë dëshirës së njohjes së kësaj disiplinë, këtu del si variant kërkimi i ndërtuar mbi studime specifike. Postmodernizmi, në anën tjetër, është shkruar gjatë dhe atë në kohën kur diskutimet për të ishin ende të gjalla dhe ka për model ilustrimi romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos.
“Ndonëse në letërsinë botërore deri në vitin 1983, kur është botuar “Emri i trëndafilit”, numëroheshin rreth pesëdhjetë vepra postmoderne, kam bërë këtë përzgjedhje sepse konsiderohet arketip i romanit postmodern. Dhe, duke pasur parasysh faktin se letërsia postmoderne karakterizohet me përdorimin e një sërë teknikash, themi se letërsia postmoderne është vetëdije, nganjëherë trend, por jo rastësi. kritika dhe Letërsia paraqet një kërkim autorial të letërsisë së lexuar dhe rilexuar, shënjon ecjet në kohë të shkrimit dhe përfaqëson një diskurs dikur dhe sot”, shprehet autorja. / KultPlus.com
Dua Lipa, sot një këngëtare me famë botërore dhe fituese e çmimeve “Grammy” e madje e shumë çmimeve tjera, dikur ishte nxënëse e shkollës fillore në “Shkollën Jopublike Mileniumi i Tretë” ku edhe për herë të parë doli në skenë, përvec këngës, shkruante edhe ese të bukura, shkruan KultPlus.
Ani pse ajo ishte e lindur dhe e rritur në Angli, shkrimi i saj me një shqipe të kulluar, është dëshmi e fortë se pse ajo nuk heziton asnjëherë të përçojë mesazhe se është një vajzë kosovare.
Sa ishte nxënëse, një prej eseve të saj artistike ishte publikuar në përmbledhjen me tregime dhe ese “Paqja fillon me mua” njëmbëdhjetë vjet më parë pra më 2009. Siç edhe mund ta lexoni, ajo është një ese artistike, e shkruar me emocion të fortë për nënën e saj. Kujtojmë këtu se, Dua, ditë më parë nënës së saj i bëri një urim të veçantë për ditën e nënës “Urime dita e nënës për nënën time, Të dua, ne të duam – faleminderit për çdo gjë që bën për ne!!!!!”
Në vazhdim po ju sjellim një nga esetë e Duas të shkruar gjatë fëmijërisë së saj.
Përkëdheljet e nënës ma zbusin shpirtin
Nënë, ti që më dhe jetë, Ti që gjithmonë më përkrah, Ti që më do, Ti që më përkëdhel kur nuk jam e lumtur, Ti duhet të respektohesh, ndoshta ti nuk e di se sa shumë të dua, ndoshta, sepse jam tërë ditën në shkollë, ndoshta sepse jam më shumë në dhomën time se sa afër teje. Ndoshta, sepse ti kurrë nuk më ke pyetur? Të më kishe pyetur, nuk e kisha ditur se si të të përgjigjesha, se të dua aq shumë sa që as fjalët nuk më rrjedhin nga goja, por ato i kam thellë në zemër. Për mua vetëm një përkëdhelje e nënës më duhet për të ma zbutur shpirtin, e vetmja fjalë që mund të ta them është se të dua zemër, nëna ime, bota ime! / KultPlus.com
Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau
“Le të flasin njerëzit për vetën e tyre” ngaChristopher Bertram*
Përktheu: Bardhi Bakija
Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.
Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.
Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.
Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.
Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.
Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.
U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)
Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.
Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.
Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.
Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.
Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.
Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.
Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.
Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.
Përktheu: Bardhi Bakija
*Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks.
Artikulli origjinal në The Times Literary Supplement:
Dua Lipa, sot një këngëtare e njohura botërisht dhe fituese e çmimeve “Grammy” dhe shumë çmimeve tjera, dikur nxënëse e shkollës fillore në “Shkollën Jopublike Mileniumi i Tretë” ku edhe për herë të parë doli në skenë, përvec këngës, shkruante edhe ese të bukura, shkruan KultPlus.
Ani pse ajo ishte e lindur dhe e rritur në Angli, shkrimi i saj me një shqipe të kulluar, është dëshmi e fortë se pse ajo nuk heziton asnjëherë të përçojë mesazhe se është një vajzë kosovare.
Sa ishte nxënëse, një prej eseve të saj artistike ishte publikuar në përmbledhjen me tregime dhe ese “Paqja fillon me mua” njëmbëdhjetë vjet më parë pra më 2009. Siç edhe mund ta lexoni, ajo është një ese artistike, e shkruar me emocion të fortë për nënën e saj. Kujtojmë këtu se, Dua, ditë më parë nënës së saj i bëri një urim të veçantë për ditën e nënës “Urime dita e nënës për nënën time, Të dua, ne të duam – faleminderit për çdo gjë që bën për ne!!!!!”
Në vazhdim po ju sjellim një nga esetë e Duas të shkruar gjatë fëmijërisë së saj.
Përkëdheljet e nënës ma zbusin shpirtin
Nënë, ti që më dhe jetë, Ti që gjithmonë më përkrah, Ti që më do, Ti që më përkëdhel kur nuk jam e lumtur, Ti duhet të respektohesh, ndoshta ti nuk e di se sa shumë të dua, ndoshta, sepse jam tërë ditën në shkollë, ndoshta sepse jam më shumë në dhomën time se sa afër teje. Ndoshta, sepse ti kurrë nuk më ke pyetur? Të më kishe pyetur, nuk e kisha ditur se si të të përgjigjesha, se të dua aq shumë sa që as fjalët nuk më rrjedhin nga goja, por ato i kam thellë në zemër. Për mua vetëm një përkëdhelje e nënës më duhet për të ma zbutur shpirtin, e vetmja fjalë që mund të ta them është se të dua zemër, nëna ime, bota ime! / KultPlus.com
Po t’drejtona ty pa e ditë kush je! Çka nëse ti çdoherë nis ditën si i dehun, pa i ndalë britmat asnjëherë, tregohesh egoist me gruan tënde, e tërheq zvarrë nëpër dhomë, dhe vetëm godet atë. Ajo do të vazhdojë me hesht se s’ka guxim me përballu ma shumë vujtje. Ka me u mbyll n’dhomë e me qajt n’za. Me facoletë ka me i fshi lotë, ama dhimbjen jo. A ke mendu se çdo goditje n’trupin e saj, është një thikë n’zemrën e fëmiëjve tu. Ata nuk mund të jenë të lumtur, e aq më pak kur shohin nënën e tyre n’atë gjendje. Ata s’kanë me pas andrra, se andrrat jau ke shu ti. Ty “babë” t’ka mbetë vetëm emri, se një baba nuk ua bën fëmijëve t’vetë këtë gja. Se fëmijët duhet me t’i bëjnë vet me t’dashtë, e jo të bëjnë gjëra që ata me urrejt ekzistencën tënde. E ti “femër” e dashur, mos lejo që tjerët me t’sundu, e fytyrës tënde t’ambël me i rrjedh lot. Ti duhesh me qenë e fortë, se je femër. Me u bë zonja e vetvetes, e prona e askujt. Nuk t’kisha thënë me duru, ata që t’bëjnë m’u ndi keq. Nuk është fund i jetës nëse ti i jep fund një martese. Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re. Çdo gjë që ka ndodhur, mirë apo keq, ishte thjesht një mësim për ty. Nuk ka më humbje kohe, për njerëz që s’dinë ç’është vlera e femrës. Mos e harro vetveten, e ëndrrat tua. Mos harro se ti je mrekulli, e mrekullitë asnjëherë nuk shuhen. Dhuna nuk nxit dashuri, por shkakton veç urrejtje. Përdorimi i dhunës për çfardo problemi, është një zgjidhje e varfër që e përdorin fëmijët e vegjël dhe kombet e mëdha. (David Friedman) /KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
Një grua është botë që meriton vendin e saj në shoqërinë njerëzore, duhet të ketë not të lartë për zhvillim të historisë njerëzore“ (Imam Arbër Berisha). Nocioni grua do të thotë shtyllë e familjes , fillesa e një krijimi të ri, po ashtu lindje e një shoqërie.
Një grua është nënë, një grua është femra më e fuqishme e planetit tokë, është krijimi i vet jetës. Mendimet për një grua janë të shumta dhe në aspekte të ndryshme. Por sa është vlerësuar mbetet në gjendjen e ndërgjegjes së secilit individ. Në shoqëri gruaja ka qenë e shtypur nga ana fetare po ashtu nga ajo shoqërore. Të drejtat e saj nuk llogariteshin.
Në keq interpretimin e fesë islame gruaja ishte trajtuar si robe në shtëpi të saj, në shoqëri bashkëkohore zëri i femrës nuk dëgjohej për to njerëzit ishin të shurdhër, në shoqëri shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej, por edhe ishte makinë pune. Këto probleme edhe pse jo të asimiluara, janë evituar në masë të madhe. Të drejtat e gruas në shoqëri u dëgjuan kur marshuan 15000 gra në rrugët e Nju-Jorkut më 8 Mars 1908, kurse në islam u dëgjuan pas shpalljes së islamizmit në Arabi.
Pozita e saj më së tepërmi varet nga evoluimi i njeriut por më tepër nga zhvillimi i shpirtit human, i cili evoluon dhe vazhdon të zhvillohet çdo ditë e më tepër . Tani të drejtat e grave ndoshta janë dokumentuar në të drejtat e njeriut por sa zbatohet në praktikë varet nga vendi ku jeton gruaja . Prezenca dhe pjesëmarrja e gruas në shoqëri kosovare shikohet qartë lëvizja dhe integrimi i saj por ka ende shumë vende të Kosovës që nuk vlerësohen për ato që janë. Për këtë problem duhet si grua të ngritesh dhe të kërkosh të drejtat e tua . Duhet të ngritesh në këmbë, të luftosh për vendin tënd. Një grua nuk është qenie e dobët . Një grua sjell ndryshim. Ajo nuk ngre zërin të bërtas apo të ankohet vetëm ngre zërin të dëgjojnë edhe ata që janë shurdhër. “Bëhu gruaja që të thonë ajo ishte grua dhe askush nuk mund të matej me të” “Ajo theu akullin dhe u ngrit në këmbë për të gjitha ne “. (Paulo Cohelho)
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
“Ajo çka po i bëjmë
mjedisit dhe pyjeve është një pasqyrë që tregon se çfarë po i bëjmë njëri-tjetrit”
nga Mahatma Ghand.
Por fatkeqësisht njeriu ende vazhdon ta ndot atë. Duke keqpërdorur
natyrën e pasur me pyje, gjelbërim, po bëjnë të mundur lirimin e gazrave të dëmshëm
për mjedisin. Ky lirim i pakontrollueshëm i gazrave po zhvillon procesin e
ngrohjes graduale të tokës të cilin mund ta përkufizojmë me termin ngrohjes
globale.
Si
fillim shkaktarët që po e bëjnë këtë dukuri të ndodh janë të shumë por fajtori
kryesor është faktori njeri. Sipas botapress.info njeriu me pangopshmërinë për
të konsumuar sa më shumë gjëra materiale shkakton ngrohjen globale. Pastaj si
shkaktar tjetër kemi dioksidin e karbonit ku sipas PNNK-se dioksidi i karbonit është
rritur 35% më shumë sesa në vitin 1750. Po ashtu shkaktarë mund t’i konsiderojmë
edhe veturat, termocentralet, djegiet e mbeturinave të ndryshme ku me lirimin e
gazrave të dëmshme për mjedis po krijojnë një shtresë si batanije e cila po mbështjell
tokën dhe ndryshe është e njohur si efekti sere.
Kurse
pasojat që po shkaktojmë me moskujdesin tone janë të shumta. Sipas
greencivil.mk janë 3 milion tonelata akull të humbura dhe 3 metra marramendëse
të rritjes së nivelit të ujit. Tutje kemi edhe vaticannews e cila paraqet si pasoja:
thatësinë, terrenet dhe bimët e privuara nga uji të cilat mund të marrin flakë
shumë lehtë. Kjo na bën të kuptojmë se jemi në rrezik për humbjen e mijëra hektarëve
tokë dhe asgjësimin e racave të ndryshme të kafshëve. Nëse bëhet djegia e shumë
hektarëve tokë aty mund të përfshihen edhe pyjet të cilat filtrojnë ajrin. Kjo bën
edhe ndotjen e tij dhe vë në rrezik jetën e mijëra njerëzve. Dhe si pasojë jo më
pak e rëndësishme sipas tvklan.al është se faktorët klimatik ndikojnë në rritjen
dhe përhapjen e baktereve, gjë që shkakton sëmundjet infektive dhe epidemitë e
shumta.
Pra si përfundim ngrohja globale është një problem shoqëror të cilin mund ta zgjidhim me vetëdijesimin e popullatës duke marr iniciativa të shumta sepse siç thotë Mahatma Ghand “Bëhu ti ai transformim që pret bota”.
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com
Keni dëgjuar për një ndryshim drastik fizik, psikik, apo emocional të fëmijës tuaj? Atëherë unë do të ju prezantojë me termin adoleshencë. Adoleshenca fillon me shfaqjen e pubertetit dhe ndërprerjen e rritjes se ndryshimeve në organet seksuale dhe karakteristikat si gjatësia, pesha, pjekuria e trurit. Në këtë fazë fëmijët ndeshen me disa emocione të cilat nuk i kanë takuar me parë, atëherë prindër bëhuni gati t’i kuptoni fëmijët tuaj. Unë mund t’ia dalë edhe vet, mos më trego mua, mos u përziej, janë vetëm disa fjalë që të rinjtë iu hasën prindërve te tyre. Iu duket sikur e tërë bota rrotullohet vetëm rreth tyre. Shfaqja e disa fluturave në stomak, të rrahurat e zemrës më të shpeshta, e gjithë vëmendja tek një person tjetër, këto janë shenjat e para që fëmija juaj po e simpatizon apo e dashuron dikën. Sipas një studimi të rinjtë kur janë në lidhje dashurie i gënjejnë prindërit e me disa justifikime të zakonshme si i lamë orët e mësimit për të shkuar në një ditëlindje, ose shkojnë në ekskursion por takohen me dashuritë e tyre. Prindërit e duhet te jenë shumë të vëmendshëm për të kuptuar se a janë në lidhje dashurie fëmijët e tyre duke i vërejtur se arrijnë gjithmonë në telefon, i eliminojnë aktivitetet për shkak të dashurisë, i reduktojnë miqtë e tyre, kanë shumë luhatje të humorit dhe qajnë shumë shpesh. Prindërit duhet të kuptojnë që fëmija i tyre po rritet dhe duhet të bëhen miku dhe shembulli më i mirë për ta sepse ne fund edhe prindërit e kanë kaluar po në këto faza. Një adoleshent thotë që takimet me të dashurën time janë shumë të shkurtra por ne bëjmë shumë gjëra. Është temë aktuale që adoleshentët më shumë lidhen jo pse duhen vetëm që djemtë dëshirojnë ta rrisin numrin e të dashurave dhe të bëjnë edhe marrëdhënie intime. Këto lidhje zgjasin 3 jave deri në 5 muaj, por duhet cekur se kemi lidhje shumë të forta dashurie të adoleshentëve që bëhet dashuria e parë dhe vetme e jetës. Adoleshenca është një periudhe në të cilën shfaqen disa eksperienca të reja, ku të rinjtë i provojnë ato. Termi droge dhe alkool janë shumë të popullarizuara, ata e provojnë drogën dhe alkoolin ndoshta që nuk janë të përmbushur në personalitetin e tyre. Droga po e rrënon shoqërinë, duke u bërë burim krimesh, duke na vrarë të rinjtë dhe të ardhmen tonë. Shpeshherë prindërit nuk bëhen të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset fëmijëve të tyre, shumë prindërve iu duket gjë normale kur fëmija i tyre konsumon alkool, dhe shumë shpejt ata kalojnë nga alkooli në drogë. Organizata Botërore e Shëndetësisë paraqet disa arsye bazë, pse adoleshentët mund të jepen pas drogave, ndihen të rritur dhe t’i marrin vet mendimet, duan t’i përshtaten shoqërisë, por rol kryesor ka edhe presioni i bashkë moshatareve, e bëjnë më të lehtë për të shkatërruar jetën e tij. Një i ri brazilian tha: prindërit e mi nuk flitnin asnjëherë për drogën, në shkollë mësuesit e përmendin drogën si një problem por jo të hynin në hollësia, pastaj i nxitur nga shokët ai e përdori drogën dhe kur deshi ta linte drogën ai u kërcënua nga shokët e tij. Po në anën tjetër pozitive mendoj që adoleshenca është mosha më e bukur sepse nisin hapat më të mëdha për një jetë të bukur, me ndihmën dhe mbështetjen e prindërve sepse miku më i mirë i një adoleshenti është prindi. Stina e adoleshencës ka shi, borë por edhe diell, ajo është e llojllojshme, mjafton ta gjejmë rrugën e duhur dhe të mos ndalim asnjëherë.
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
Më thuaj, si mund të jetosh në paqe kur vendi ynë është i mbushur përplot me njerëz që janë të ulur në qoshe të trotuareve duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë?
A mundet ndërgjegjja juaj të jetë e qetë kur një njeri i moshës tënde jeton në mjerim e i nëpërkëmbur nga jeta?
Kjo pjesë e shoqërisë çdo ditë e përjeton tmerrin më të madh që mund ta përjetojë një njeri, e këtë gjë ne nuk e dimë sepse nuk e kemi përjetuar. Pra varfëria është gjendje në të cilën mungon një sasi e caktuar jetike e pasurisë materiale e përveç kësaj mungon edhe pjesa më e rëndësishme që mund ta plotësojë një njeri siç është lumturia. Shkaqet që na sjellin deri tek kjo mungesë si shpirtërore ashtu edhe materiale janë të ndryshme si p.sh: padrejtësia e një sistemi social, papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik e shumë e shumë faktorë të tjerë…
Më së miri këtë varfëri që ka kapluar vendin tonë mund ta dëshmojnë statistikat në të cilat sipas AKS ( Agjencisë kosovare për statistika) në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitet 2012-2017 rezulton se 18% e popullsisë janë nën kufirin e varfërisë ndërsa 5.1% nën kufirin e varfërisë së skajshme. Por çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për ta zbutur varfërinë ndonëse nuk mund ta zhdukim tërësisht atë?
Një ndër metodat më të mira për uljen e varfërisë është integrimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve në shoqërinë tonë, sensibilizimi i shoqërisë për t’iu japur shpresë me ndihmën tonë këtyre familjeve që njohin vetëm dëshpërim, lotë e frikë për të ardhmen.
Në vendin tonë shumica e këtyre personave janë të përbuzur e të fyer, e ne si shoqëri duhet ta parandalojmë këtë sepse një gjë e tillë mund të shpie deri tek vetëvrasja. Atëherë, pse ne të mos e bëjmë ndryshimin, të zhdukimin pabarazinë e t’i trajtojmë të gjithë njëjtë pavarësisht mjeteve monetare që ata posedojnë. Atëherë pse ne të mos bëjmë diçka që një fëmije t’i ndalen lotët e t’i kthehet buzëqeshja e humbur me vite, një nëne e një babai t’i ndalen dhimbjet që iu ushtrojnë trysni çdo mëngjes kur hapin sytë e çdo mbrëmje kur dëshirojnë të flenë mbi lagështirën që shkakton sëmundje.
Ejani, të gjithë së bashku të bëjmë një familje të frymoi lirshëm e pa frikë për të ardhmen, t’i ndihmojmë për realizimin e ëndërrave të tyre që është dëshira e madhe për një kulm mbi kokë e stomakun të mbushur plotë.
“Shumë persona flasin për të varfërit, por pak flasin me ta” – Nënë Tereza /KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.
Aktivitetet e mirëfillta me gjeneratat e reja konsiderohen të pakta në vendin tonë, por organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetje të Ambasadës Amerikanë në Kosovë, kanë bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt. Punëtoria “Pen For Culture” që për qëllim kishte fuqizimin, paqen, socializimin dhe punën ekipore nëpërmjet artit, po del të jetë një projekt me ndikim të madhe tek të rinjtë. Përveç kreativitetit të tyre, përmes kësaj punëtorie ata kanë arritur të nxisin mendimin kritik gjë që do të ju shpërbejë në shumë dimensione të jetës në të ardhmen, shkruan KultPlus.
Në këtë fazë
të dytë të projektit, “Pen For Culture” mblodhi dhjetë të rinj të moshës nga 13
deri në 18 vjeç të cilët kishin talent në të shkruar, ese.
Punëtoria u
mbajt për tre ditë radhazi në Resortin “Ujëvara e Drinit” në Radac, në një
ambient të mrekullueshëm ku të rinjtë e kishin në ‘’ndihmë’’ edhe natyrën për të
nxjerrë më të mirën nga vetja.
Nën mbikëqyrjen e profesoreshën universitare, Vjosa Sadriu – Hamiti, secili kishte përzgjedhur një temë që duhej trajtuar me patjetër e këto tema ata erdhën mbrëmë t’i shpalosin para familjarëve e publikut që po i priste në KultPlus Caffe Gallery.
Ndonëse ende të rinj, emocionet padyshim që ishin prezente te ta. Por shpejt ato i mbyten për të marrë guximin që të dalin para publikut e të shprehin përmes fjalës së shkruar: emocionet, shqetësimit e kërkesat e tyre që nuk janë të pakta në këtë moshë komplekse për njeriun.
Nën
moderimin e Arbër Selmanit, nisi kjo mbrëmje e cila shpalosi shumë emocione. Selmani
që në hapje dha një pasqyrë rreth këtij projekti e tutje ftoi organizatoren e këtij
projekti, Ardianë Pajazitin për një fjalë rasti.
Pajaziti, përshëndeti
të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë të rinjtë sfidues, që sipas saj
janë me fat që janë trajnuar në këtë zhanër nga një doktor shkence, siç është
Vjosa Sadriu – Hamiti.
“Në gjithë
këtë trajnim padyshim një rol të madh ka pasur edhe profesoresha Vjosa Sadriu –
Hamiti, e cila ka mësuar të rinjtë për formën e të shkruarit një ese, qasjen
kritike, si dhe transmetimin e emocioneve nga të rinjtë”.
Ndërsa
profesoresha Vjosa Sadriu Hamiti tha se është shumë e lumtur që ka pasur rastin
të mësojë nxënës kaq të talentuar të cilët vijnë nga komuna të ndryshme si dhe
falënderoi KultPlus-in për mundësinë dhe respektin. Ajo gjithashtu u shpreh se
këta nxënës tashmë e kanë një bazë se si duhet t’i qasen një eseu.
Teksa fjalë
nga më të mirat u thanë për këta të rijnë, aty vetëm sa po rritej doza e përgjegjësisë
dhe emocionet e daljes para publikut. Këtë emocion, e para e theu pjesëmarrësja
Lume Selmani e cila fillimisht para të pranishmëve u shpreh jashtëzakonisht falënderuese
për këtë mundësi që i është dhënë, duke potencuar që kjo ka qenë një punëtori ku
përveç që kanë marrë mësime, kanë krijuar shoqëri e tani po provojnë të
shpalosin emocionet, kërkesat e shqetësimet e tyre edhe para publikut.
Nën tingujt e kitarës së Endrit Rexhepit, esetë e pjesëmarrësve: Lumnije Selmani, Rigona Sefa, Lorik Spahiu, Getoar Gashi, Edit Cena, Zyhrije Salihu, Dritë Shala, Albina Osmani, Arlinda Hajdaraj dhe Flora Halimit, derdhën plot emocion.
Adoleshenca,
familja, varfëria, pabarazia gjinore, ngrohja globale, pozita e gruas në shoqëri
e minoritetet, ishin vetëm disa nga temat që u shpalosën në këtë mbrëmje.
E të rinjtë
mbetën me shpresë që kanë arritur të shpalosin shqetësimet e moshës së tyre
kritike, ndërsa prindërit e pranishëm u njoftuan me një botë tjetër të fëmijëve
e ndoshta edhe mësuan shumëçka nga ta.
Pas leximit
të të gjitha eseve, moderatori Selmani falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen,
të rinjve suksese dhe njoftoi se KultPlus nuk do të ndalet me angazhime të
tjera në të mirë dhe për kulturën e artin.
Në fund, nën tingujt e muzikës së artistit Endrit Rexhepi, të rinjtë u argëtuan me muzikë e vallëzim, duke u shoqëruar me pije e ushqim. /KultPlus.com
Kohën ia fala bukurisë sate, shtatit tënd të njomë e fytyrës plot urrejtje ndaj mplakjes. Ia fala me të dyja duart nga mëshira e fatit, me këmbë e me kokë; ia fala me respekt, me dashuri të vulosur, me gjuhë, me gjak të përzier me lot. Hej moj, unë ta fala me shpirt shpirtin tim! A i mjafton Hënës drita e diellit? Them se po, por ty asgjë s’të mjafton. S’i mjafton dot shpirtit një shpirt i pashpirt. Bie shi. Hëna nuk fshihet dot nga e qara e qiellit. Në dritaren time rrëshqasin pikat e tij, por në to s’gjen ngushëllim ai që e do diellin. Duhet ta presësh mëngjesin që të lindë e bashkë me të të lindin ëndrrat e reja. Duhet ta presësh mbrë-mjen që të përfundojnë vuajtjet. Në shiun e pranverës gjen lot, shi dhe lot, diell dhe lot, dashuri dhe lot, urrejtje dhe lot. Pranvera është stinë e lotëve. Lumë ti që naze fatit tënd i bën! Stinë e dashurive. Stinë e vuajtjeve të mëdha. Në barkun e thatë lëvizin fluturat e dashurisë, ato fluturat e rreme të adoleshentëve. Sipër barkut, aty te zemra, ka dhimbje që s’mbyllet me asnjë çelës, se aty ndihen dashuritë e mëdha, o njeri! Prandaj, ji në rru-gën e atyre që nuk shesin kënd për pak groshë e nuk qajnë për pak lëndim. Aty dallohen njerëzit e dashu-rive të mëdha. Po, eja, se unë nuk do t’i hap vetëm krahët për ty. Do ta hap kalanë e zemrës, që të shëtitësh nëpër obo-rrin e saj e të dalësh pak nga oborri i mbyllur i zemrës tënde. Po, largohu, se nuk të ndjekë dot trupi im i dërr-muar. Nuk të ndjekë askush përveç hijes sate që bart kujtime të paharruara mbi supe. Mos harro, sado që netët janë të gjata, mëngjesin do ta presim sërish për t’i harruar ndodhitë. Sado që vitet janë të rënda, do të mbesin veç kujtime të kalu-ara. Sado që jeta të zgjasë, në varr shkruhen vetëm data dhe kujtime. Nëse jo, do të mbetesh vetëm kujtim, Juventilja ime. Këtu isha gjithmonë në afërsi, ndonëse fshehur pas teje, vogëlimë, prapa madhështisë sate, prapa peran-dorisë së kryeneçësisë sate, prapa mllefit e i shtangur e pafaj prapa shpirtit tënd, atje prapa teje. Ndoshta kalimthi trupat tanë priten e hijet e tyre përshëndeten. Apo, ndoshta, zemrat tona shikojnë njëra-tjetrën, ndo-nëse përbrenda janë të shthurura. Të kam thënë që sado që netët janë të gjata, mëngjesin do ta presim së-rish për t’i harruar. Këtu, këmbadoras, i mbuluar me një batanije turpi, zbrazem çdo ditë i tëri me irritim dhe nxitimthi ik nga vetvetja. /KultPlus.com
Krijimtaria e Marsel Prustit përfshin një seri romanesh ose një shtatologji, nëse mund ta quaj kështu.
Rreth 2600 faqe krijim që fillon me fjalën ‘longtemps’ (kohë e gjatë) e mbaron me fjalën ‘temps’ (kohë), e që Prusti do ta titullonte «Në kërkim të kohës së humbur» (À la recherche du temps perdu ). Përvojat personale të njohjes e të leximit të veprës së shkrimtarit të shquar francez janë të ndryshme.
Unë mora për herë të parë në dorë « Dashuria e Suanit » (Du côté de chez Swann). Fillova ta lexoj me endje dhe me një nerv disi të pashpjeguar. Fakti që thuhej e shkruhej gjithandej se çdo krijim i tij është kryevepër më kishte ndikuar pritshmërinë e leximit. Kështu që në faqet e para kisha një habi, por edhe një lloj « zhgënjimi ». Ose unë nuk po e kuptoja atë që lexoja, qortoja veten. Dhe i rikthehesha përsëri nga fillimi. Përpiqesha të gjeja figurat ose diçka « wow effect », por më kot. Nuk po më ngjiste. Më krijonte një nervozizëm. Vendosa ta lija ca ditë leximin për të zgjedhur një moment më të qetë.
Të rikujtoja çfarë kisha lexuar. E rimerrja ditën në vijim për ta lexuar ‘shtruar’, e çliruar nga pritshmëria e përsosmërisë, të ngjitesha me kuptimin e shkronjave dhe ashtu leximi sikur filloi të ecë si një tren në shinat e tij, teksa jashtë bie shi dhe të gëzon e të kënaq ndjesia se je i mbrojtur brenda, duke soditur në mënyrë romantike rrëkezat e ujit që përplasen pa zhurmë në xham.
Mund ta krahasoj këtë lexim me kënaqësinë që të jep një pikturë e bukur apo një foto që të kujton një dashuri të hershme. Përvuajtja e Suanit për gruan që donte filloi të më prekë shpirtin. Ja, kjo mund të jetë, mendoja shpesh, kur shkëputesha pakëz nga shkëlqimi i shkronjave apo kur mbaja shënim fjalë të reja në frëngjisht, të cilat leksiku im i kufizuar nuk i integronte dot në kuptimin e frazave të gjata. Nuk ishin vetëm fjalët e reja që shkaktonin moskuptimin e menjëhershëm të një fjalie të gjatë, tipike prustiane, por ishte edhe arti i ndërtimit të frazave me togëzime të zhdrejta që të impononin ose një përqëndrim stoik ose nervozizëm dhe braktisje të leximit.
Në vëllimin e IV “Sodome et Gomorrhe” do të gjejmë një mjeshtëri të stilit analitik dhe mbase nga më të përsosurat në letërsinë botërore, përveç ushtrimeve të stilit, romaneve në një fjali…, do të gjejmë aty fjalinë më të gjatë që përmban 847 fjalë. Temat aq të larmishme, narratori në vetën e parë, kompleksiteti i formës strukturore të fjalisë e detyron lexuesin të transformohet në “punëtor mendjeje dhe durimi”. Nuk di pse më dukej sikur ndjeshmëria, me të cilën Prusti përshkruan botën e brendshme të personazheve, vinte nga një ndjeshmëri e hollë gruaje. Mos ndoshta ngaqë ai ishte homoseksual?
Një butësi humane, një çiltërsi fëminore, një botë e pasur, një sinqeritet origjinal, që do e quaja një “hyrje nën lëkurë” të çdo personazhi. Në pozicionin e lexuesit të krijohet përshtypja se nuk ke më pritshmëri se çfarë do të ndodhë me personazhin, sepse ‘intriga’ shkrihet me një kolorit të ri të papriturash me botën e personazheve: me botën shpirtërore; me atë çfarë ndiejnë, mendojnë e parashikojnë ata se do të ndodhë. Segmenti kohor po ashtu të shkrihet; nuk të intereson më të dish ; kur, në çvend, në çfarë rruge jetojnë personazhet, pasi koha kthehet në një nocion relativ dhe vendi të shndrrohet në rrugën ku ti si lexues, kudo në botë, je duke lexuar me librin e Prustit në dorë. Ai kthehet në një një mozaik universal. Narracioni është një “chemin innconu” : një rrugëtim i panjohur. Ai të merr për dore dhe të shëtit në një kopsht pafund e lakuriq.
Fragmentet e kohës kryqëzohen, por ngelen aktuale, meqë dashuria është e pavdekshme në çdo kohë. Kur lexon Prustin, të duket sikur shikon një album me ‘souvenirs’, me kujtime sensuale, që flasin për jetën tonë në kuptimin e brendshëm; thellësisht të brendshëm, të ndjenjave humane. Ndonëse arma e tij më e fortë në teknikën e tij është ‘fraza’, ai të tërheq si një kalë i bardhë drejt një galopimi në çdo kohë. Ai të detyron, të stërmundon të koncentrohesh, të ndiesh, të kuptosh, të çlirohesh nga skemat gjykuese për tjetrin. Dhe një gjë është më se e sigurt : ai të edukon edhe të duash më bukur, edhe të ndërtosh vizionin me ‘ouverture d’esprit’. Të ndiesh thellë qenien njerëzore me gjithë dritëhijet e saj. Po ashtu, Prusti theu tabutë e të menduarit ndryshe, e të dashuruarit ‘ndryshe’; ai trajtoi me një natyrshmëri dhe origjinalitet fenomenin e dashurisë ’inter-gender’; bi-seksualizmin, homoseksualizmin…dashuritë e fshehta, të jetuara në errësirën e mentalitetit të shoqërisë perëndimore që ndryshonte.
Personazhet e Prustit hapin dritaret e të ardhmes dhe i paraprijnë asaj. “Proust, c’est moi lorsque je lis “À l’ombre des jeunes filles en fleurs”, do të shprehej Margarite Duras (Prusti jam unë, kur lexoj Prustin ). Të njëjtën gjë thotë edhe Borges për Shekspirin : « Shekspiri nuk ekziston ; ai jam unë, kur lexoj Makbethin, Hamletin, Otello…: Shekspiri është i shkrirë me lexuesin e tij.» Mund të themi se Prusti të krijon një personazh të ri në vetvete që të çon drejt vetënjohjes. Po, ai të ndihmon të njohësh vetveten. Ai shkrin në botën shpirtërore të personazheve edhe atë të mendimit. Personazhet të kujtojnë thënien e famshme të Dekartit : “Cogito ergo sum” (Mendoj, pra ekzistoj)», Sokratin e lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore me «Njih vetveten. Unë di një gjë që nuk di asgjë!», zgjidhjen e Kamysë ndaj problemit filozofik si të njohësh dhe të përqafosh absurditetin e jetës, ekzistencializmin e Sartrit me « Ekzistenca e tjetrit e dezintegron ekzistencën time! Ferri janë të tjerët… » apo “L’existence précède l’essence“ (Ekzistenca i paraprin thelbit : esencës). Po ashtu këndvështrimi neutral i narratorit me zhveshjen e njeriut nga dogmat morale : imoralitetin dhe ‘vdekjen e zotit’ : ateizmin e Niçes. Ndërkohë personazhet nuk ‘filozofojnë’ në mënyrë aktive, ata shpalosen « nën lëkurë » të trupit dhe unit të tyre. Lakuriq. Lexuesi (sja) ; unë si e tillë ; në zbulim të jetës së Prustit u familjarizova me Selesten ; një imazh gruaje (jashtë veprës) që më shumë se një shërbëtore në shtëpinë e Prustit, ajo e shoqëroi me humanizëm e përkushtim atë deri në frymëmarrjen e fundit më 18 nëntor 1922. Ajo e përshkruan shkrimtarin si një fëmijë në një botë aq të lumtur e të dhimbshme. Një mëngjes Prusti do i thoshte tërë dashuri familjare, si një fëmijë i lumtur që kishte parë një ëndërr të bukur : « Seleste, këtë natë ka ndodhur diçka e mrekullueshme, sa madhështore aq dhe e papërshkrueshme. Këtë natë shkrova mbi letër fjalën : ‘fund’. Tani le të vdes. »
Lumturia e tij fëminore ishte konfirmimi që jetoi për të shkruar dhe, më në fund, mund të shkonte i qetë dhe i mbushur nga një ndjenjë lumturie « nihiliste » për ekzistencën e tij si individ. Ai jetoi vetëm për të shkruar. Ai punoi e krijoi me bukurinë dhe shpejtësinë e dritës. Sot lexuesi nën mesataren njeh « Pyetësorin e Prustit » ; ai i mesatares njeh relativisht vetveten duke lexuar Prustin, ndërsa lexuesi cilësor që lexon Prustin tejkalon vetveten dhe i lind dëshira ta rilexojë e të shkruajë. Po, leximi i veprës së Prustit kultivon kulturën e të shkruarit, artin e fjalës, teknikat e frazës dhe shpirtit të fjalëve. Vepra e Prustit duhet të jetë në bibliotekat e dashamirësve të librit si një gjë tepër e çmuar, si një flakë e ndezur në dhomën e errësirës që na kujton Wirginia Woolf në vetminë e dhomës së saj dhe fjalët që ajo thoshte për të : « E dua vetminë në dhomën time për të lënë aty në paqe atë çfarë kam brenda meje.» Falë kësaj lloj letërsie hyhet lehtas në universin e shpirtit e lexohet aty edhe ana e errët që përditë e fshehim me maska; e duke e pranuar sa e errët është hija jonë ; aq më shumë bie dritë mbi anën e mirë të të qenit si njeri me « trup që punon » e ndërgjegje që na dallon nga të qenit kafshë josociale.
Falë çfarë Prusti të lë të kuptosh, të lind edhe dëshira të udhëtosh. Të bësh udhëtimin më të gjatë: atë rreth e rreth e brenda vetes, sikurse vetë Prusti e quante: «On aime toujours un peu à sortir de soi, à voyager, quand on lit.» « Kur lexojmë, na pëlqen gjithmonë të dalim pak nga vetja e të udhëtojmë.»/KultPlus.com
Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau
Përktheu: Bardhi Bakija
Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.
Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.
Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.
Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.
Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.
Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.
U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)
Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.
Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.
Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.
Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.
Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.
Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.
Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.
Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.
Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks. /KultPlus.com
OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë hapë thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.
Në këtë
thirrje të hapur kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13
deri 18 vjeç, të cilët kanë talent në të shkruar, ese.
ProPlus në
këtë fazë të projektit fton të rinjtë që kanë talent në të shkruar që të jenë
pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë
njohuri bazë të gjuhës angleze.
Afati për
aplikimin është deri më 31 dhjetor, dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin
me të dhënat e tyre në [email protected],
gjithashtu këtij aplikimi duhet të ja bashkëngjitin edhe një ese të shkurtër përmes
së cilës do të vlerësohen. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.
Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com
E dashur, Liza! Kjo letër nuk do të mbërrijë te ti nëse, fillimisht, s’i kam dhënë fund karrierës sime tokësore, për të filluar një pavdekësi të lumtur. As që do të mundohem ta shpjegoj dhimbjen që ndjej, se vet ideja e largimit dhe e ekspozimit ndaj një ankthi që e di që do ta ndjesh, do të ma thyente edhe më shumë zemrën. Prandaj ngushëllohu me fjalët e mia të fundit. Unë do të ushqehem me idenë se mund të jemi bashkë në një kohë dhe një botë tjetër.
Liza, shpresoj shumë që kur të kem vdekur njerëzit të
thonë “Gabimet e saj janë të pafalshme, por librat e saj janë lexuar”. Sepse
kjo është e gjitha që do një shkrimtar, që veprat e tij të lexohen. Të besohet
apo jo, disa herë e kam imagjinuar vetën teksa laurohem me çmimin Nobel, ndonëse
nuk jam aq naïve sa të mendoj që një gjë e tillë do të ndodhë ndonjëherë. Ata
thërrasin emrin tim, më ftojnë në skenë dhe në fund mbreti ma dorëzon çmimin. Në
fakt, e vërteta është që shumë pak njerëz i kanë lexuar historitë e mia. Po get
Lizë që gjithçka do të mbetet mes nesh.
Në një nga shfaqjet e mia të preferuara teatrale
thuhet “Ne nuk kemi kontroll mbi atë se kush jeton, kush vdesh dhe kush e
tregon histroinë tonë.” Kurse për mua kjo nuk ka aspak vlerë pasi që
pavarësisht mohimeve, të gjitha historitë që kam shkruar flasin drejtpërdrejt
për mua. Sepse ju e dini që fjalët nuk kanë fuqi t’na hipnotizojnë pa e mbartur
me vete peshën e hidhur të realitetit.
Vetëm përmes personazheve më të urryera kam arritur ta
lëshoj zërin tim të vërtetë. Ndoshta kjo është e vërtetë për të gjithë
shkrimtarët, ja pse unë e gjej Tolstoin më shumë te Anatoli se sa te Natasha,
te Ana apo te Vronski.
I shkreti ai që do të duhet t’i lexojë e t’i studiojë të gjitha shkrimet e mia, të mirat e të këqijat. Ndoshta ai do të jetë i vetmi që do të mund të kuptojë gjithçka që unë them përmes personazheve. Në dorëshkrime do të gjejë fjalë të shkruara në shpejtësinë e dritës, fjalë që mezi lexohen dhe do ta kuptojë që kurrë nuk mund të rrija shumë gjatë në një vend. Kurse lapsuzet dhe gabimet e padashura drejtshkrimore do t’i tregojnë për disleksinë time.
Në një ese të George Orwell, me po të njëjtin titull, ai
thotë “Kur ulem të shkruaj një libër, nuk i them vetes ‘Po shkruaj një vepër
arti’. Shkruaj sepse ka një gënjeshtër që dua ta zbuloj, disa fakte të cilat
dua t’i vë në dritë dhe shqetësimi kryesor është të gjej një audiencë sa më të
madhe” që do të thotë se e konsideronte të shkruarën si mjet për të arritur
ndonjë qëllim.
Kurse unë s’mendoj që letërsia bën që të ndryshohet bota.
Po deshe ta ndryshosh botën hyri politikës. Kam përshtypjen që njerëzit që veç
kritikojnë, pa bërë asgjë tjetër, janë tepër të cekët për të qenë filozofë e
tepër dembelë e të pazgjuar për t’u marrë me politikë.
Tek e fundit luftërat janë vetëm si një buton për ta
rifilluar lojën. Vetëm luftërat, (luftërat: në kuptimin më të gjerë të fjalës)
kanë mundësi ta çiltërsojnë dhe ta nxjerrin në pah humanitetin dhe dëshirën e
njerëzve për ta përmirësuar vetveten.
Shumë shpesh na bëjnë këtë pyetje, sidomos neve
shkrimtarëve: Pse shkruani?
Rishtas edhe unë vendosa t’ia bëj këtë pyetje një
mikut tim.
“Pse shkruan” i them.
“Me laps, sigurisht” m’u përgjigj ajo.
“Jo me çka, por pse” insistoj unë.
“Që ta përdor lapsin” m’u përgjigj dhe e kuptova që nuk
do të merrja një përgjigje pasi, nganjëherë, jo që s’duam të përgjigjemi, por
s’kemi një të tillë.
Kur e kanë pyetur Charles Pierre Baudelaire, ai u
kishte dhënë përgjigjen perfekte, “Që t’i paguaj faturat”. Pastaj e pyesin se cila
do të ishte puna ideale, ai thotë “bujk, s’dua të bëj para duke përdorur
tragjeditë dhe ppasiguritë e mia, ato janë veç të miat, dua ta fitoj para me
nder”
Mbase ai ishte i vetmi që e kuptonte se e shkruara
është një punë dërrmuese e cila të shterron mendërisht e emocionalisht dhe di
të bëhet e mërzitshme kur nuk arrin t’i gjesh fjalët e duhura. Shumë shpesh të
ndodh të rrish krejt e vetme duke pritur për një frymezim hyjnor, dhe sapo të
vjen ideja të kujtohet mallkimi që i ke vënë vetes duke provuar të shkruarsh në
pentametër jambik.
Lizë, a do të të trgoj cili është tingulli më i trishtueshëm?
Është ecja e lirë në një bibliotekë të thatë ku nuk shqetësohesh që po e pengon
dikë. Zhurma që bën një libër që s’është hapur e lexuar asnjëherë dhe britma e
një fëmije që më shumë do të preferonte
të blinte një karamel se sa një libër. Kjo është mënyra se si përfundon bota,
jo me zhurmë por me psherëtimë
E vërteta është se mua më duhet t’iu gjej një shtëpi
personazheve që jetojnë në kokën time. Gjithsesi Liza, duket sikur s’ka rëndësi.
Të paktën të kam ty e mund të flasin bashkë herë pas herë. Kështu që ti vazhdo
të luash rolin e Lizës kurse unë do të jem kapuç-bërsi i çmendur. Sepse s’ka
rëndësi ku jetojmë, të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, jetojmë.