Era Berisha
Galeritë kanë një rol tejet të rëndësishëm në industrinë e artit. Duke qenë një lidhje ndërmjetësuese mes artdashësve, koleksionistëve, talenteve të reja dhe artistëve më të mirë të kohës, galeritë janë hapësira ekspozuese që krijohen për të shitur vepra arti. Ka shumë galeri që punojnë me një portofol të llojllojshëm artistësh. Me një fjalë, përfaqësojnë, mbështesin dhe promovojnë veprat e artit të një artisti/e. Të njëjtën gjë synon ta arrijë edhe Galeria Qahili, e cila më 16 dhjetor të këtij viti ka bërë edhe rihapjen e saj, shkruan KultPlus.
E hapur më 6 maj të vitit 2013, Galeria Qahili është ndërtuar me një vetiniciativë dhe me mbështetjen familjare që është hasur mes njëri-tjetrit. Për këtë rrugëtim mjaft interesant, dëshmitarë janë shumë njerëz që janë pjesë e ekipit, të cilët padyshim që kanë ndihmuar në zhvillimin e galerisë.
Në fakt, Galeria Qahili nuk ka qenë e mbyllur me plot kuptimin e fjalës por gjendej në rinovim. Rinovimi kishte filluar duke pasur në mendje që procesi do të zgjasë vetëm për një muaj, mirëpo kishte kaluar më shumë kohë se që ishte planifikuar në të vërtetë. Në anën tjetër, ka kohë të gjatë që nuk është organizuar asnjë aktivitet në galeri, dhe kësisoj për këtë arsye, për pronarët e saj, kjo situatë u shndërrua në një rikthim që luajti rol të madh në rihapjen e galerisë.
Rihapja e Galerisë Qahili është përcjellë edhe me hapjen e ekspozitës personale të artistit Eshref Qahili, nën emërtimin “Muzeu i Fëmijërisë” si dhe promovimin e monografisë me po këtë emër. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar vepra të Qahilit të cilat nuk janë ekspozuar më parë dhe të gjitha ato padyshim që reflektojnë në zhvillimin e krijimtarisë së tij artistike përgjatë katër dekadave.
“Është një diskutim brenda artit. Është një diskutim me artin dhe kujtimet që ju çojnë përkohësisht në sferën e revistave. Kur e di historinë që qëndron pas veprave, gjithçka rezulton të jetë e pakomplikuar. Nuk ka të bëjë me frikën, por me gjetjen e frymëzimit dhe motivimit që u ndërtuan krahas me shpresën” – pjesë nga monografia, “Muzeu i Fëmijërisë”.
Galeria Qahili ekziston për të krijuar, ruajtur dhe promovuar artin; për të edukuar dhe angazhuar publikun përmes fushave të artit. Misioni i saj mbështetë lirinë artistike dhe ngritjen e marrëdhënies unike midis prodhimit dhe konsumit të artit. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo të gjitha galeritë janë të njëjta. Shumica e tyre punojnë sipas një metode dhe organizmi të ngjashëm, por edhe ekzistojnë lloje të ndryshme galerish arti që i kthehen rrugëtimit kundrejt procedurave tjera të veçanta në formën e vetë.
Në një intervistë për KultPlus, artisti Eshref Qahili ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë rihapje të galerisë që përkoi me hapjen e ekspozitës “Muzeu i fëmijërisë”.
“’Muzeu i fëmijërisë’ është një ekspozitë personale e imja. Ishte ideja e Nites (vajza e Eshref Qahilit, njëkohësisht udhëheqësja e galerisë) që galeria të hapet me pikërisht këto punime, punime që nuk janë ekspozuar më herët, e që janë ndër ciklet e fundit që i kam punuar. Punimet trajtojnë një periudhë të jetës sime që nga vitet e 90-ta e deri më tani”, thotë Qahili.
Sipas tij, ai ndjehet çdoherë i entuziazmuar kur e ekspozon punën e tij. Sa herë që ai ekspozon, për të është sikurse ekspozimi për herë të parë në jetë.
“Gjatë tërë këtyre viteve unë kam reflektuar në përvojën time, në gjërat që i kam përjetuar por gjithashtu gjërat që populli ynë i ka përjetuar. Është një proces mjaft interesant, pasi që nëse kthehesh prapa në kohë dhe e shikon punën tënde, atëherë e kupton se si je zhvilluar e krijuar si artist”, shpalos tutje ai.
Promovimi i monografisë me po të njëjtin emër sikurse ekspozita, konsiderohet të jetë diçka jo klasike.
“Promovimi i librit nuk ishte diçka klasike por ishte një qasje tjetër. Megjithatë, ishte e rëndësishme që këto të bëhen në të njëjtën kohë, pasi që ideja e Nites ishte që të tregohet procesi im si artist, si dhe aktivitet e larmishme që priten të organizohen dhe mbahen në galeri”, tregon Qahili.
Për fund, për planet e ardhshme të galerisë, ai ka thënë se tashmë është krijuar një plan i detajuar. Pra, do të ketë ekspozita, diskutime, programe të edukimit e shumë aktivitete të tjera që priten të shpalosen më konkretisht përgjatë një programi të caktuar.
Kujtojmë që ekspozita personale e artistit Eshref Qahili, “Muzeu i Fëmijërisë” do të qëndrojë e hapur deri më 16 janar. Përgjatë kësaj periudhe do të organizohen aktivitete të tjera përcjellëse për të cilat do të njoftoheni përkatësisht. / KultPlus.com