Kur Mbreti Zog riktheu eshtrat e Naim Frashërit në Shqipëri (FOTO)

Më 11 janar të vitit 1937, Ahmet Zogu, mbreti i atëhershëm i Shqipërisë dërgoi një komision në Stamboll për poetin kombëtar Naim Frashëri, pasi ky i fundit po pushonte në varrezat e Merdineveqoi (Stamboll), që nga viti 1900, shkruan KultPlus.

Arritja e eshtrave të Naim Frashërit dhe rivarrimi i tij në teqen bektashiane në periferi të Tiranës ishte një ceremoni e madhe, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe shumë qytetarë të kryeqytetit. / KultPlus.com

Edhe Vushtrria i kërkon eshtrat e Hasan Prishtinës

Institucione qendrore e lokale ia kanë mësyrë iniciativës për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë.

Por nisma e ditëve të fundit, i ndan në dysh edhe iniciatorët. Përderisa Kuvendi i Kosovës synon që mbetjet mortore të patriotit të rivarrosen në Prishtinë, Komuna e Vushtrrisë kërkon që ato t’i kthehen qytetit të lindjes.

Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. E kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë t’ua ketë dërguar një shkresë autoriteteve shqiptare për mbetjet mortore të ish-kryeministrit pesëditor të Shqipërisë, i varrosur në Kukës.

“Tue kënë se gjyshi i em, Haxhi Ali Berisha, para 150 vjetve ka ardhë në Vulçitirn nga katundi Polancë, prandej mbi-emni em duhet me kenë ‘Polanca’. Por mbasi qi u zgjodha deputet i Prishtinës e mbrapa, nëpër shkrime, fletore e tjera më quejshin Hasan Prishtina, për kët’ shkak po më vazhdon gjithnji ky mbi-emen”, kishte shkruar ai në përmbledhjen “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 2012”.

Prishtina i lindur më 1873 ishte vrarë me 13 gusht 1933 në Selanik, ndërsa ishte varrosur në Kukës. Ka qenë nëpunës, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër e kryeministër dhe deputet i shtetit shqiptar, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Stërnipi i Hasan Prishtinës kundër Kadri Veselit për zhvendosjen e eshtrave të patriotit shqiptar në Prishtinë

Pas kërkesës nga kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, për të marrë në Kosovë eshtrat e patriotit Hasan Prishtina, ka ardhur reagimi nga familjarë të tij.

Stërnipi i patriotit, Mehmet Prishtina deklaron se është kundër idesë së hedhur nga Veseli. Ai shprehet se eshtrat e Hasan Prishtinës nuk duhet të lëvizen nga aty ku prehen.

Në një reagim të botuar ditë më parë në revistën Flaka, Mehmet Prishtina thotë se Hasan Prishtina e ka vendin aty ku bashkohet kufiri dhe idetë e kombit shqiptar. Përkundër kërkesës për zhvarrosjen e eshtrave, stërnipi i Hasan Prishtinës thotë se autoritetet në Kosovë duhet të angazhohen që hapësira tek varri i tij në Kukës, të rregullohej e të ndërtohet edhe Muzeu i madh i Bashkimit Kombëtar, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë.

‘Ata duhet që bashkë me institucionet e shtetit shqiptarë, të kujdeseshin që në Vlorën e Pavarësisë krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e tjerëve patriot të vendoset edhe Hasan Prishtina në sheshin e flamurit, siç u vendos në Prishtinë e më vonë edhe në Shkup e Tiranë, dhe përfundimisht në qytetin shqiptar në Kukës të derdhet në bronz shtati i shenjtë e i shtrenjtë i Hasan Prishtinës, pasi aty afër e ka edhe varrin, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë’, shkruan në reagimin e tij, Mehmet Prishtina, ndërsa thekson se çdo nismë për t’ i lëvizur eshtrat, është vetëm thellim i ndarjes së shqiptarëve dhe mos respekt e mos nderim ndaj figurës dhe doktrinës së tij hasaniste.

Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, kreu i Kuvendit në Kosovë Kadri Veseli tha, pak ditë më parë, se eshtrat e tij duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi./ KultPlus.com