Presidentja Osmani me delegacion në Estoni për promovimin e kompanive kosovare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka udhëtuar për në Estoni me ftesë të autoriteteve shtetërore të Estonisë dhe të enjten nisë vizitën dy ditore në këtë shtet, përcjell KultPlus.

Gjatë qëndrimit dyditor, Presidentja Osmani do ta ketë takim me Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, Presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas. Kryeministren Kaja Kallas, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Presidentja Osmani, vizitën në Estoni e ka cilësuar mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit me shtetin i cili bart primatin në nivel global për E-qeverisje. Dita e dytë e vizitës, do t`i kushtohet agjendës transformuese digjitale me ç`rast do të bëhen vizita në e-Estonia Briefing Center dhe Telliskivi Creative City.

Me ftesë të Presidentes Osmani në delegacion do të jenë edhe përfaqësues të tri kompanive të fushës së inovacionit nga Kosova: Mërgim Cahani (Gjirafa), Jeta Zagraxha (UCK) dhe Uranik Begu (ICK).

Presidentja Osmani ka theksuar se vizita në Estoni do t`i hapë rrugë vendosjes së bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet bizneseve. Sipas zonjës Osmani, Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Estonisë nga fusha e teknologjisë informative, ekonomia mbrojtja, siguria, arsimi, shëndetësia, turizmi dhe shkëmbimi kulturor.

Republika e Estonisë e ka njohur Republikën e Kosovës më 21 shkurt të vitit 2008, ndërkaq marrëdhëniet diplomatike janë vendosur nga prilli i të njëjtit vit./ KultPlus.com

“Ishulli i koronës” në Estoni (FOTO)

Një ishull i Estonisë, i quajtur Saaremaa, ka marrë pseudonimin nga banorët lokalë si “ishulli i koronës”.

Kjo pasi është bërë vatër e nxehtë e koronavirusit dhe njerëzit janë urdhëruar të karantinohen.

Askush nuk mund të ikë apo të hyjë në ishull pa një leje. Ekspertët shprehen se numri i të sëmurëve bazuar me popullsinë është më i larti në Europë.

Ata llogarisin që gjysma e banorëve të jenë infektuar nga koronavirusi.

“Situata e infeksioneve me Covid-19 në Saaremaa dhe Kuressare është shumë serioze. Mund të kemi deri në 1 000 persona që do të kërkojnë hospitalizim deri më 20 Prill. Kemi nevojë për ndihmë”, tha doktori Edward Laane.

Saaremaa ka 33 mijë banorë. Një pjesë e të sëmurëve po dërgohen në Estoni për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas specialistëve shkak për përhapjen e koronavirusit janë bërë dy ndeshje volejbolli.

Skuadra lokale udhëtoi një muaj më parë në Milano, ku dyshohet se janë infektuar atje. Më pas, në ishull u zhvillua një ndeshje tjetër ku morën pjesë rreth 1 000 tifozë.

Këtu ka nisur edhe përhapja masive. Ekspertët dyshojnë se shkak për shpërndarjen masive të koronavirusit është bërë edhe një festival.

Në një vend, ku pothuajse gjysma e banorëve janë infektuar, bizneset mundohen që të mbijetojnë online. Supermarketet ua dërgojnë në shtëpi ushqimet personave që porosisin. /KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha në konkurrencë kryesore në Tallin të Estonisë

Filmi i gjatë artistik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Tallin të Estonisë, përcjellë KultPlus.

Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Jam i lumtur që po përfundon rrugëtimi i gjatë i prodhimit të këtij filmi dhe njëkohësisht shumë i gëzuar që do fillojmë rrugëtimin në festivale dhe kinema. Jam krenar që puna e të gjithë ekipës është vlerësuar me pjesëmarrje në konkurrencën kryesore në një festival të kategorisë A” u shpreh Fatos Berisha regjisori i filmit.

Në rrolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, dhe Velibor Topić. Ndërsa në rrolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, dhe me bashkëprodecentë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka, dhe Fatos Berisha.

Drejtor i fotografisë – Almir Ðikoli, montazher – Vladimir Pavlovski, dizajner i setit Arben Shala, kompozitor – Ognen Anastasovski, dhe kostumografe – Desantila Lika.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com

Me plis në Festivalin e Filmit të Estonisë (FOTO)

Mbrëmë u dha premiera botërore e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, në Estoni shkruan KultPlus.

Premiera botërore e këtij filmi është bërë në kuadër të festivalit “Tallin Black Nights Film Festival”, ku ky filmi është në konkurrim zyrtar në edicionin e 22-të.

Ndërsa ajo që ra në sy ishte kasta e aktorëve të cilët pas përfundimit të premierës së filmit u ngjitën në skenë me plis në kokë.

Pjesë e kastës së aktorëve janë: Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.

KultPlus, sjellë fotografi nga ky moment./ KultPlus.com

Matoshi: Do të luaj në një film gjigant (FOTO)

Adriana Matoshi është një prej aktoreve që është duke u piketuar më së shumti prej regjisorëve kosovarë, dhe gjithnjë duke ia besuar rolet kryesore. Filmat “T’padashtun”, me regji të Edon Rizvanollit dhe “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit janë dy filmat e fundit që do të rrugëtojnë nëpër botë, që imazhi kryesor i këtyre filmave është vetë Matoshi. Në një intervistë për KultPlus, vetë Adriana Matoshi ka treguar për ndjesinë e lajmeve të fundit, ku “T’padashtun”, tashmë është propozuar nga Kosova për çmimin prestigjioz Oscar, sikurse “Martesa”, që do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, në Estoni. Ajo ka treguar se për realizim të roleve jep shpirtin, sikurse që është shprehur të jetë e kënaqur pasi që, deri më tashti ka punuar më regjisorët më të njohur të vendit. Poashtu, Adriana Matoshi ka folur edhe për filmin e radhës që do të xhirohet në pranverë, sipas të cilës, do të jetë një film gjigant.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “T’padashtun”, është filmi që po synon Oscarin për këtë vit, dhe pikërisht në këtë film luani rolin kryesor, si e pritët lajmin?
Adriana Matoshi:
Si proces i punës nuk ka qenë i gjatë, as një muaj xhirim. Ka qenë një proces mjaftë i vështirë, por që kemi dhënë maksimumin. Po është e çuditshme që gjatë procesit të punës nuk mendoj gjëra të mëdha, ajo çfarë mendoj përgjatë xhirimeve është si të realizohen skenat, si të jenë të besueshme, por asnjëherë për suksesin. Në realizim të rolit të “T’padashtun”, sfidë ka qenë si me i dhënë shpirtë karakterit tim, dhe mendoj që ia kam dalë. Kur e mora lajmin që Kosova e ka selektuar po këtë film për Oscar, natyrisht është një ndjenjë që të bën të ndihesh krenare, por që jep edhe motiv për punën e së ardhmes. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që filmi ka me u pa prej shumë profesionistëve, dhe me prezantimin e këtij filmi, producentë, regjisorë, njerëz të filmit do të njoftohen për së afërmi edhe me vuajtjet e popullit shqiptar, me dhunimet që kanë bërë serbët në gratë e Kosovës dhe me shumë ndjesi të tjera. Po uroj që ky film të kthej vëmendjen ka Kosova, e sa i përket asaj se a do të nominohemi apo jo, është herët të paragjykojmë.

KultPlus: Përpos filmit “T’padashtun”, që po synon Oscarin, këto ditë sa është bërë e ditur se edhe filmi “Martesa”, do të ketë premierën botërore në një prej festivaleve të rëndësishme në botë, poashtu keni rol kryesor në këtë film, e pritje edhe këtë lajm kaq të rëndësishëm për karrierën tuja?
Adriana Matoshi:
E sa i përket filmit “Martesa”, është një proces shumë i gjatë, ndoshta pesë vjet. Bëhet fjalë për një trekëndësh dashurie, por që prekë edhe temën e luftës. Kemi bërë një punë shumë të mirë. Është temë pak tabu sa i përket asaj që e kemi trajtuar në film, por e di që është një film jashtëzakonisht i mirë. Premierën botërore e kemi në një festival të kategorisë A, pikërisht më 28 nëntor, në festën e flamurit ne do të jemi në Estoni, do të shohim më pas se çfarë po na pret. E më pas, ky film do të jepet edhe Cineplexx në Prishtinë, përgjatë muajit dhjetor.

KultPlus: Filmat mund të jenë edhe të suksesshëm, por ndodhë që aktori të mos jetë i kënaqur me rolet, me temën, personalisht sa je e plotësuar me këto dy role?
Adriana Matoshi:
Jam shumë e kënaqur, në të dy filmat rolet e mia flasin shumë, kam pas hapësirë të mjaftueshme që të tregoj veten në anën dramatike, dhe mendoj se dallojnë goxha prej filmave të tjerë. Jam e kënaqur me punën që e bëj, falë talentit por edhe punës, sepse nuk e kursej veten në asnjë moment. Kam pas fatin të bashkëpunoj me regjisorët më të mirë të vendit edhe ata më ngritën në nivelin më të lartë.

KultPlus: Pasi jemi te këta dy filmat e fundit, do të veçoje ndonjërin rol pak më shumë?
Adriana Matoshi:
Kur kemi xhiruar filmin “Martesa”, kjo ka ndodhë para dy viteve, pas tre dite menjëherë kanë filluar xhirimet te “T’padashtun”, më është dashur që nga një rol të kaloj në rolin tjetër dhe kjo ka qenë shumë sfiduese për mua. Prej një karakteri shumë të dashur që e kam pas te filmi “Martesa”, me një temë të dashurisë, më është dashtë të kaloj në një dramë të thellë psikologjike, në një grua që e rritë një djalë që e ka lindë si pasojë e dhunimit nga ana e serbëve. Por të dy rolet kanë specifikat e veta, dhe për të dy rolet kam dhënë shpirtin tim, kështu është e vështirë ti ndaj.

KultPlus: Të dy filmat kanë temë të ndjeshme, sa hezitoni për role të tilla?
Adriana Matoshi:
Fillimisht kur unë e lexoj skenarin e shoh nëse mundem të jap apo prej vetës. Ka pas rast kur një regjisor më ka ofruar një rol për një film, pasi regjisori më ka parë për atë rol, por pasi kam lexuar skenarin unë e kam parë vetën që nuk jam për atë rol dhe e kam refuzuar. Sepse, kam parë që nuk më ka shkuar ai rol, nuk kam qejf të realizoj një rol që nuk ma do shpirti.

KultPlus: Ju jeni një ndër aktoret që keni marrë shumë role kryesore në filmat e fundit që janë realizuar në Kosovë, qoftë këta që tashmë po prezantohen, por edhe filma që janë në proces e sipër, si po arrin ti bindësh regjisorët se ju jeni e duhura?
Adriana Matoshi:
Fillimisht unë kam luajtur në një film të shkurtë te Blerta Zeqiri, dhe ai film ka qenë një vulë që kam arritë të japë më të mirën në atë film. Pastaj edhe më thonë që jam tepër e natyrshme, nuk aktroj, që kjo është shumë e rëndësishme për një aktor të filmit. Nuk rrej për atë çfarë bëj. Nëse ndalemi në jetën tonë, ne si njerëz çdo ditë e bëjmë nga një film, si persona që jetojmë përditshmërinë, dhe pikërisht ky film i duhet vetë filmit. Mua më kanë thënë shumë se më do kamera dhe nuk rrej në kamerë. Por unë jam edhe prej atyre aktoreve që nuk hezitoj të shkoj në audicione.
Kam dëgjuar shumë shpesh që disa aktorë që e vlerësojnë vetën nuk dëshirojnë të jenë pjesë e audicioneve, me idenë e tyre se janë të famshëm, unë nuk mendoj ashtu, audicionet bëhen për aktorë dhe duhet të respektohen nga aktorët.
Pastaj, unë mendoj që kam të gjitha predispozitat që janë favor për një aktore, unë jam nënë, i di ndjenjat e një fëmiu, dhe përvoja e të qenit nënë natyrisht është edhe një pasuri që mund të gërshetohet për mrekulli me profesionin e një aktoreje, por është edhe tjetra se mua jeta më ka sprovuar shumë, dhe krejt këto përvoja natyrisht që mund të ndikojnë edhe në pjesën emotive, kjo përvojë jetësore më ka shërbyer që karakteret e mia të ndërtohen natyrshëm, si në lot, por edhe në gëzime. Dhe pikërisht si rezultat i punës sime, unë në pranverën e vitit të ardhshëm do të jem pjesë e një filmi gjigant, lirisht mund ta quaj ashtu.

KultPlus: Në anën tjetër, gjithë ky sukses nëpër filma të ndryshëm ju i shtuat angazhimeve tuaja edhe me rolin tuaj në serialin “O sa mirë”, pse tu desht seriali?
Adriana Matoshi:
Isha në një periudhë kur kisha nevojë të bëj dicka tjetër, të dalë pak prej roleve të rënda. Seriali më ka ndihmuar që të më njeh edhe një pjesë tjetër e popullit që nuk kanë mundësi me i pa filmat e mi, sepse ata filma jepen kryesisht nëpër festivale. Shfaqjet që i kam pas për dhjetë vjet nëpër teatro, është një pjesë shumë e vogël që i përcjellë, dhe pikërisht ky serial më ka bërë që të prekë një pjesë tjetër të audiencës. Në serial jam tepër e kënaqur, sepse audienca po ma kthen punën time me dashuri, e për me të dashtë sot dikush është goxha problem, dhe jam shumë e lumtur kur shoh reagimin e tyre kur më takojnë.

KultPlus: Dhe për fund, duke pasë parasysh se filmat në të cilët keni luajtur do të prezantohen në shumë shtete, sa beson që po këto role mund të sjellin ndonjë rol të madh në ndonjë projekt të huaj?
Adriana Matoshi:
Jetës kurrë nuk i dihet, pas filmit Babai kam pasë raste që të huajt veç më kanë piketuar, kurse në filmat e ardhshëm jam fytyrë kyçe dhe kam pas hapësirë që të tregoj vetën.
Unë nuk e parashoh të ardhmen time, por unë besoj në punën time, por nëse ndodhë ndonjë mrekulli me qenë pjesë e një filmit huaj, unë e di sigurt që nuk kam me i zhgënjyer. Unë kur jam në rol, harroj që jam edhe nënë, definitivisht harroj, falë mamit tim që është kujdes për fëmijët e mi. Nëse luaj në një film të huaj nuk kam me zhgënjyer as vetën, as familjen e as popullin e Kosovës./KultPlus.com