Në fillim të këtij muaji, gati e gjithë Amerika Qendrore dhe Florida u goditën nga stuhia tropikale Eta, që shkaktoi dëme të shumta materiale dhe të lënduar, si pasojë e përmbytjeve, erërave të forta dhe erozionit.
Rrëshqitjet e dheut kanë bërë që në bregun e plazhit Shën Agustin, në Floridën Veriore, të zbuloheshin mbetjet e një anije të vjetër.
Zbulimi u bë rastësisht, teksa nëpër dunat e rërës u vunë re disa lëndë drusore, të cilat i përkisnin një anije të vjetër, që sipas ekspertëve daton që nga vitet 1800. Një ekip studiuesish nga Programi Arkeologjik Detar, të cilët edhe më parë kanë identifikuar disa anije të mbytura në këtë zonë, nisën inspektimin dhe dokumentimin e kësaj gjetjeje.
Anëtarët e ekipit besojnë se lëndët drusore kanë të ngjarë t’i përkasin një anijeje tregtare amerikane, ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende.
“Gjithçka që kemi parë deri më tani i përshtatet kësaj hipoteze; dërrasa druri, lëndë druri, elemente hekuri. Këto duken mjaft të ngjashme me anijet e tjera të viteve 1800 që kemi zbuluar”, u shprehën ekspertët e kërkimit. \ A2news/ KultPlus.com