Objekti i gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj – kërcënim për mirëqenien dhe jetën e fëmijëve

Organizata ETEA është duke i përcjellur me shqetësim raportet mediatike mbi gjendjen e rëndë të objektit të gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj. Për më gjatë se një vit, të tilla raporte përsëriten në mediat e Kosovës pothuajse çdo muaj dhe asnjë prej tyre nuk përbën informacion për angazhim të institucioneve krahas urgjencës për ndërhyrje që ka objekti në fjalë. Përkundrazi, raportet e mediave tregojnë se gjendja dukshëm po përkeqësohet dhe rrezikshmëria për nxënësit/et e kësaj shkolle po rritet me kalimin e kohës!

Çdo fëmijë ka të drejtë të arsimohet në një mjedis të sigurt, të pastër dhe të favorshëm. Fatkeqësisht, kushtet në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” nuk plotësojnë as për së afërmi këto të drejta elementare.

Kjo nuk përbën vetëm një çështje të një objekti shkollor të mirëmbajtur keq. Gjendja aktuale e këtij objekti, të ashtquajtur shkollor, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për mirëqenien dhe jetën e mbi 1300 nxënësve/eve! ETEA konsideron se kjo çështje përbën urgjencë nacionale.

Si rrjedhojë e gjendjes kritike, ankesat e deritanishme të mësimdhënësve/eve, psikologëve/eve dhe stafit administrativ të shkollës në fjalë, tani kanë shkuar një hap tutje ku ka filluar bojkoti i mësimit në shenj proteste.

Në vend të vlerësimit të gjendjes urgjente, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Ferizaj po kërcënon mësimdhënësit/et me përjashtim nga puna.

Organizata ETEA është tërësisht e zhgënjyer dhe indinjuar me vendimin e DKA-së në Ferizaj. Në asnjë rrethanë nuk justifikohen masat diciplinore dhe ndëshkimore ndaj mësimdhënësve/eve që ngrisin zërin dhe/apo protestojnë për kushte më të mira të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Në këtë kuadër, organizata ETEA inkurajon të gjithë mësimdhënësit/et, prindërit dhe kujdestarët/et ligjor/e të nxënësve/eve që vijojnë procesin mësimor në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” që të bashkohen dhe reagojnë për kushte më të mira mësimore. Njëherësh, duke pasur parasysh mospërfilljen e ankesave të deritanishme, komuniteti i shkollës në fjalë (palët e lartëcekura) inkurajohet që të aplikoj metoda të tjera për të kërkuar me çdo kusht vëmendjen dhe veprimet e menjëhershme institucionale.  Pashmangshëm, këtu duhet të përfshihet edhe komuniteti (palët e lartëcekura) i shkollës së mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, duke qenë se, pavarësisht kushteve më të mira, fëmijët e tyre vijojnë mësimet në po të njejtin objekt.

Gjithsesi, ETEA konsideron se është tejet e rëndësishme dhe i bën thirrje të gjithë mësimdhënësve/eve dhe palëve tjera të komunitetit shkollor që në këtë mes të mos i përfshijnë dhe përdorin fëmijët, aq më pak të publikojnë bisedat dhe/apo ankesat e tyre me identitet të pambrojtur në rrjete sociale.

Për fund, ETEA kërkon ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Ferizaj që, në vend se të angazhohet dhe të inicojë procedura ndëshkimore ndaj mësimdhësve/eve që protestojnë për kushte më të mira mësimore, energjinë e tillë ta kanalizojë në zgjidhjen e menjëhershme të problemit në fjalë. Në këtë rrafsh, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) urgjentisht duhet që të lehtësojë të gjitha procedurat dhe të angazhohet aktivisht për ta mbështetur dhe shtyrë Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Ferizaj për zgjidhjen e këtij problemi, që në fakt, sipas organizatës ETEA, përben problem me relevancë nacionale. Këtu flitet për mirëqenien dhe jetën e mbi 1300 fëmijëve të Kosovës që jetojnë në Ferizaj.

Ditëve në vijim, organizata ETEA do ta vizitojë shkollën “Dr. Shaban Hashani” dhe “Elena Gjika” në Ferizaj dhe do të angazhohet në mobilizimin e burimeve përkatëse për të adresuar problemin në fjalë me qëllim kryesor përmirësimin e mjedisit mësimor dhe shmangien e kërcënimit që ky objekt shkakton ndaj mirëqenies dhe jetës së nxënësve/eve ferizajas/e. /KultPlus.com

Për herë të parë do të organizohet Panairi i Librit për Fëmijë

Për herë të parë do të organizohet Panairi i Librit për fëmijë, shkruan KultPlus.

Organizata ETEA, njofton se është e gatshme të organizojë ngjarjen kulturore për fëmijë, panairin e librit, që do të fillojë më 4 tetor.

Hapja e tij do të bëhet në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, me fillim nga ora 12:00.

“A jeeeni gaaati për një aventurë magjike në ngjarjen më të re kulturore që ju takon ekskluzivisht—vetëm juve!?”, thuhet mes tjerash në njoftimin e ETEA-së.

Ndërkaq, ky panair do të zgjatë katër ditë, pra 4-7 tetor. /KultPlus.com

ETEA: Trendi masiv i kopjimit po vazhdon

Organizata ETEA është duke e përcjellë me shqetësim procesin e testimit të semimaturantëve, me ç’rast trendi i kopjimit masiv po vazhdon sikurse viteve të kaluara.

Organizata ETEA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit në nivel vendi që të mos e vazhdojnë trendin e njejtë me deklarata që, përkundër dëshmive të kopjimit masiv, marrin për bazë vetëm raportet administruesve dhe komisionerëve të cilët zakonisht nuk raportojnë asnjë parregullësi përgjatë zhvillimit të këtyre testeve!

Sot, gjatë tërë ditës pothuajse të gjitha portalet kanë raportuar për kopjimin masiv që po ndodh përgjatë zhvillimit të testit të arritshmërisë, dhe me pak hulumtim në rrjete sociale secili/a mund të kyçet në dhjetra grupe aktive që përfshijnë qindra-mijëra nxënës/e të cilët komunikojnë vazhdimisht dhe lirshëm mes veti.

Përveç krijimit të grupeve të reja, këto grupe zakonisht ripërtrihen vit pas viti, ku vetëm ndryshon emri i grupit dedikuar vitit aktual dhe komunikimi aty shton dinamikën pikërisht gjatë orëve të zhvillimit të testit. Kjo e fundit nënkupton se nxënësit/et lirshëm përdorin telefonat gjatë kohës sa zhvillohet testi dhe fotografojnë testet e komunikojnë mes vete duke kërkuar e shpërndarë përgjigjet e testit.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në nivel vendi nuk munden dhe nuk duhet të i mbyllin sytë ndaj këtyre raportimeve. Përkundrazi, është tejet e rëndësishme që raportet e administruesve dhe komisionerëve t’i ballafaqojë me të dhënat e siguruara dhe raportuara nga mediat dhe OShC-të. Është lehtë i identifikueshëm secili grup i rrjeteve sociale, secili/a nxënës/e që komunikon aty dhe rrjedhimisht secila shkollë e klasë e përfshirë në këtë fenomen të dëmshëm. Në këtë kuadër, është lehtë i identifikueshëm secili/a administrues/e dhe komisioner/e që ka pasur përgjegjësinë për sigurimin e mbarëvajtjes së testimit të nxënësve. Mjafton të ketë vullnet për t’i përmirësuar gjërat në këtë sektor tanimë tejet të degraduar.

Organizata ETEA e mirëkupton vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit nga 60 në 40 pikë si lehtësim për shkak të pasojave që ka shkaktuar Covid 19 në sistemin arsimor të Kosovës. Por, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk duhet të tolerohet mashtrimi dhe kopjimi masiv, pasi kjo, përveç faktorit të të mësuarit mekanik (përmendësh), përbën shkaktarin kryesor të analfabetizmit funksional, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare kredibile shkon mbi 75%! 

Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë duke toleruar vit pas viti kopjimin masiv, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjës së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj.

Së fundi, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit ka dëshmuar këtë gjë, ku të gjeturat e tyre flasin për nxënës/e që gjatë viteve të shkollimit kanë notën mesatare 2 në ndërkohë që në teste të tilla kombëtare arrijnë të dalin me rezultate kulminante.

Në raportet hulumtuese të organizatës ETEA të zhvilluara përgjatë viteve 2019-2020, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se shfrytëzojnë metoda të kopjimit për të përfunduar obligimet shkollore. Në fakt të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare flasin për të tilla shifra alarmante dhe fenomene të dëmshme brenda sistemit arsimor të Kosovës.

Edhe njëherë, organizata ETEA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit që urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore, kulturë kjo që po e degradon edhe më tej sistemin arsimor të Kosovës. /KultPlus.com

Promovohet “Prishtinë, muza ime!”, libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive në kohë karantine

Libri “Prishtinë – Muza ime” që vjen si një libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohën e karantinës nga gjithsej 40 autorë sot u promovua në ambientin e Kino Armatës. Kur pandemia erdhi fuqishëm në vitin 2020, qytetarët e Prishtinës vendosën që t’i shkruajnë Prishtinës në kuadër të iniciativës së librarisë Dukagjini, Komunës së Prishtinës dhe organizatës ‘Etea’, shkruan KultPlus.

Përbrenda një afati të përcaktuar, libraria Dukagjini ka mirëpritur qindra shkrime fantastike nga më të ndryshmet. Tregime e poezi të shkruara nga qytetarët në një kohë të vështirë por njëkohësisht edhe një kohë në të cilën është reflektuar mbi atë se çka është e rëndësishme, janë jetësuar dhe kanë gjetur shtëpinë e tyre në librin e përjetimeve të titulluar “Prishtinë, muza ime!”.

Një libër i mbushur me tregime dhe poezi të cilat janë përzgjedhur nga juria profesionale si: shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës Hivzi Sylejmani, sot në mesin e një numri madh të pranishmëve, disa nga to u lexuan dhe ngjallën emocion dhe një ndjenjë tejet të veçantë.

Pak para se kjo ngjarje të fillonte, të pranishmit dalëngadalë zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër disa rrëfime që nisin qysh nga ideja për të krijuar këtë libër e deri tek botimi i saj. Ndërsa, teksa meloditë e këngës “Të dua Prishtina” luanin në prapavijë si dhe zëri i mahnitshëm i Nexhmije Pagarushës dëgjohej këndshëm në sfond, kjo ngjarje veçse kishte filluar me simbolikën e saj e që është pikërisht qyteti i Prishtinës.

Por fillimisht në një panel diskutimit të moderuar nga shkrimtari Arbër Selmani, të ftuar ishin: Ilirana Hasaj nga libraria Dukagjini, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha dhe drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti.

“Libri është nis qysh në vitin 2020 atëherë edhe kur është hapur thirrja dhe kur janë dërguar qindra shkrime prej të cilave më pas juria e ka bërë një punë modeste dhe i ka përzgjedhur dyzet prej tyre të cilat janë pjesë e këtij libri që mendoj se do të mbetet një dokument i rëndësishëm dhe i fuqishëm që tregon se si ne jemi mishëruar me Prishtinën në një kohë kur kemi qenë të izoluar, kohë kjo pak e papritur prej neve dhe për ata që janë mirë me fjalën e shkruar. Mendoj se me u përball me atë traumë ka qenë më së lehti për ti shkruar Prishtinës”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është një punë e mahnitshme ku ai vetë si anëtar i jurisë është i kënaqur me poezitë, prozën dhe tregimet e shkurtra të cilat e shfaqin Prishtinën në dimensione të ndryshme dhe prej syve të ndryshëm.

“Unë mendoj që secili prej neve ka një dashuri për Prishtinën ose qoftë edhe një moment, një njeri, një këngë, një objekt me të cilin mishërohen në Prishtinë dhe më e mira e kësaj është se ajo është shprehur në këtë libër. Ky libër vjen si bashkëpunim midis tri institucioneve si: Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe Qendra Etea. Unë tutje po i lexoj të gjitha emrat e krijuesve në këtë libër për të respektuar punën e tyre”, thotë Selmani.

Ndërsa Ilirana Hasa tregoi për rrjedhën e idesë për librin që në fakt ishte paraparë qysh para pandemisë por që ajo u krijua pikërisht kur pandemia goditi botën.

“Libri ka qenë një rrugëtim shumë interesant por edhe tash që po mundemi për të reflektuar ngase kanë kaluar dy vite dhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe jemi marrë shumë me qejf me librin, tash po e shohim edhe më mirë se sa i rëndësishëm është dhe sa i veçantë është. Krejt ka filluar si një ide thjesht për një organizim para pandemisë mirëpo pandemia goditi gjithë botën dhe ishim në karantinë kur u rikthye ideja jonë për ti ftuar qytetarët që t’i shkruajnë Prishtinës dhe ta krijojmë një libër të cilin po ia falim kryeqytetit tonë”, thotë Hasaj.

Sipas saj, në këto kohëra të jashtëzakonshme shihet se çfarë ka dhuruar Prishtina. Në këtë situatë është parë ajo se çka është vërtetë e rëndësishme dhe çka i mungon çdo njeri.

“Edhe pse ishte një situatë jo e mirë, na ka falë një mundësi dhe një kohë që të pauzojmë, të reflektojmë apo edhe ti kthehemi kreativitetit që e kemi ndrydh brenda dhe andaj besoj që shumë prej nesh e kanë shfrytëzuar këtë kohë. E kemi hap thirrjen në grupin “Ri n’shpi me neve”, që ka qenë një grup i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe është bërë kështu një punë shumë e madhe. Kemi pranuar rreth 250 shkrime e po ashtu ne qysh në fillim kemi tregu se cili është qëllimi dhe si ka mu bo përzgjedhja”, shpalos Hasaj.

Ajo tutje tregon se faza e përpunimit dhe krijimit të librit ka qenë një periudhë tejet e mirë ngase është bërë ngadalë dhe me shumë dashuri për detajet e ndryshme.

“Juria është e përbërë nga shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’. Kur kemi ardhur në fazën e dizajnit të librit e kemi menduar që një pjesë e mirë e librit të përmbajë edhe fotografi sepse edhe fotografitë flasin shumë e sidomos pasi që syri i aparatit kap momente të ndryshme të qytetit apo të personave. Fotografitë janë fotografi nga fotografë profesionalë por edhe të zakonshëm”, përfundon ajo.

Po ashtu, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, tregoi për grupin “Rri n’shpi me neve”, grup ky që kishte për qëllim të zhvillojë aktivitete gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi takuar në vitin 2019 kur kemi qenë pjesë e një grupi për realizimin e aktiviteteve socio-kulturore e sportive për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe është shfaqur edhe kjo ideja apo propozimi që të realizohet një projekt i tillë siç është ky libër por në atë periudhë kohore nuk kemi mundur ta realizojmë por sidoqoftë i ka ardhur koha në periudhën e pandemisë. Ne si Komunë në atë periudhë kohore e kemi hapur grupin “Rri n’shpi me neve” ku qëllimi ishte që të zhvillohen aktivitete interaktive”, thotë Berisha.

Sipas tij, ky libër ka qenë një bashkëpunim trekëndësh, bashkëpunim ky që ka rezultuar në aktivitete të shumta e të ndryshme.

“Këta dyzet persona që janë në këtë libër kanë shkruar në kohën e karantinës dhe përmes shkrimeve të tyre kanë treguar përjetimin që qyteti jonë ia dhuron. Pra, Prishtina na bashkon dhe ajo është e përjetimeve tona të përbashkëta”, përfundon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti foli rreth përshtypjeve të tij të cilat i ka marrë përgjatë krijimit të këtij libri.

“Padyshim që ky trekëndësh bashkëpunimi ka rezultuar në një sukses të madh dhe i tillë po duket edhe produkti i këtij bashkëpunimi. Besoj që bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në të ardhmen. Një përshtypje të cilën do të doja ta tregoja është ajo se ndonëse e kemi nis këtë projekt qysh në vitin 2019, ne kemi marrë mesazhe të shumta nga krijuesit të cilët na kanë pyetur se a është akoma i qëndrueshëm dhe se do të krijohet ndonjëherë ky libër. Ka qenë shumë e bukur që t’i shohim ato mesazhe dhe është një kënaqësi e madhe për të lumturuar dikë që pretendon apo edhe është një shkrimtar apo shkrimtare”, shpalos Ahmeti.

Më pastaj vëmendja iu drejtua gjithsej dyzet krijuesve por që njëmbëdhjetë nga të cilët në një mënyrë të rastësishme janë përzgjedhur për t’i lexuar krjiimet e tyre sonte. Në një renditje të rastësishme krijimet e tyre i interpretuan: Flutur Mustafa  (“Mos qaj Prishtinë”), Agon Rexhepi  (“Kam mendu për ty Prishtinë”), Liridona Shehu (“Prishtinë”), Doruntina Golaj (“M’ka marrë malli Prishtinë”), Fatos Lleshi (“Ty, Prishtinë”), Jeta Lila Delija (“Gjakova po t’shkruan, Prishtinë”), Parisa Ratkoceri (“Prishtina në qiell të hapur”), Planeta Sllamniku (“Pse po hesht Prishtina”). Ndërkaq, edhe treshja e fundit që interpretoi poezitë e tyre ishin: Edita Malazogu (“Për ty Prishtinë”), Elita Ferati (pa titull) dhe Filloreta Hoxha (“Ta ndiej heshtjën, Prishtinë”), por paraprakisht ishte nënkryetari në panel për një fjalë rasti u ftua edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Në fakt unë u inspirova aq shumë nga leximet saqë vendosa për të lexuar edhe vetë një poezi për t’u bërë pjesë e këtij leximi. Është me të vërtetë kënaqësi për të marrë pjesë në këso ngjarje. Ngjarjet si kjo sot gjithmonë më japin një emocion dhe ndjenjë të veçantë andaj ju falënderoj shumë për këtë emocion që e mora nga ju. Jam i lumtur që Komuna e Prishtinës ka kontribuar që ky libër të jetë me ne. Nuk kam pasur rastin t’i lexoj më herët këto poezi por me të vërtetë u kënaqa. Tash e lexova edhe një poezi e cila më përfaqëson dhe e përfaqëson kohën që kam kaluar. Koha e karantinës na ka kthyer në kohën e luftës dhe nëse i hiqni datat e këtyre krijimeve, neve në fakt na kthejnë në atë periudhë të luftës”, thotë Zogaj.

Ai tutje veçoi poezinë “Natë e trishtë” e autorit Dren Loxha të cilin ai personalisht nuk e njeh por poezia e tij e ka kthyer Zogajn në kohë dhe i ka dhuruar ndjenjën të cilin ai e ka pasur gjatë luftës por edhe në karantinë. Po ashtu nënkryetari Zogaj kujtoi edhe kohën e karantinës ku muaji mars i vitit 2020 ka qenë për të një trishtim i tejskajshëm.

Kështu krejt në fund ishin duartrokitjet e shumta që iu drejtuan drejt këtyre krijuesve të cilët patën rastin të interpretojnë shkrimet e tyre tashmë të botuara në librin “Prishtinë, muza ime!”. Ndërkaq, autorët tjerë krijues që janë përzgjedhur për këtë libër janë edhe: Ardit Mehmetaj, Argjenda Selmani, Dafinë Bajrami, Dearta Zeqiri, Donarta Sh.Uka, Donika Hamiti, Dorina Imami, Dren Loxha, Edlira Maloku, Elvira Sh.Ukiqi, Fadil Halimi, Fatlinda Imeri, Fitim Majkovci, Fjolla Hajrizaj, Jakob Ëeizman, Kaltrinë Uka, Kosovare Xh.Leskovci, Linda Jakupi, Mimoza Sapiqi, Mirjeta Zekaj, Rrona Jaka, Sala Jashari, Salim Memishi, Sara Tahiri, Saranda Rugova, Saranda Stuja-Tara, Teuta Berisha, Vesa Ferizi dhe Vlora Konushevci.

“Prishtinë – Muza ime” është libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohë karantine përgjatë muajve mars – prill të vitit 2020. / KultPlus.com

ETEA: Kopjimi në testin e arritshmërisë ishte në përmasa masive

Reagim lidhur me testin e arrtishmërisë

Organizata ETEA ka përcjellë me shqetësim zhvillimet përgjatë organizimit të testit të arritshmërisë, përkatësisht shpërputhjet e raportimeve të përsonave përgjegjës mbi mbarëvajtjen e testit dhe deklaratat e nxënësve mbi nivelin e lartë të kopjimit përgjatë testit.

Më 28.05.2021 në Kosovë u organizua testi i arritshmërisë për rreth 26000 nxënës të klasëve të 9-ta në 156 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës.

Por, cila në fakt është besueshmëria e rezultateve të testit të arritshmërisë?

Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive.

Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullësi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim.

Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim (shih fotot e bashkangjitura), me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit.

Gjithsesi, organizata ETEA rezervohet nga qendrimet përkatëse lidhur me deklaratat e nxënësve për administruesit/et e testit, vetëm se i bëhet thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë Drejtorive Komunale të Arsimit, që të zhvillojnë komunikime me nxënësit/et dhe të zbulojnë më shumë informacion. Nuk janë dhe nuk duhet trajtuar vetëm komisionerët dhe administruesit/et e testit si burim informate.

Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjës së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj. Fundja, sistemi e certifikon me të tilla rezultate.

Fenomeni i kopjimit është rrënjosur në shkollat tona. Në raportin hulumtues të organizatës ETEA me titull “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Komunës së Prishtinës”, publikuar në vitin 2019, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se kopjojnë referatet dhe detyrat shkollore.

Dhe kjo pashmangshëm se është e nënkuptueshme. Përderisa, nota mesatare e nxënësve kosovarë shpeshherë shkon në 4.5 dhe testet nacionale iu jepin atyre pikët më të larta, testet ndërkombëtare PISA dhe TIMSS pjesën dërrmuese të tyre i nxjerrin analfabetë funksional.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit duhet urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore. / KultPlus.com

Biblioteka e Aleancës Franceze do të hap dyert për shkëmbim librash

Aleanca Franceze në Prishtinë në bashkëpunim me ETEA do të nisin fushatën për shpërndarjen e librave në gjuhën franceze, shkruan KultPlus.

“Allo Bouquin? Librat për t’u huazuar!” do të jetë emri i fushatës, përgjatë së cilës lexuesit e gjuhës frenge do të kenë rastin të afrohen me librat e kësaj kulture nga biblioteka e Aleancës Franceze.

Nëpërmjet kësaj iniciative, lexuesit do të shprehin preferencat e tyre të leximeve, e që pastaj do ta kenë librin për lexim.

“Mjafton të na tregoni moshën, zhanrin tuaj të preferuar si dhe nivelin e frëngjishtes, ne do të zgjedhim një libër surprizë për ju. Kemi libra për të gjitha moshat dhe interesat, nga 3 deri në 100 vjeç!”, thuhet në njoftimin e kësaj fushate.

Të interesuarit do të kontaktohen për orën dhe vendtakimin se ku mund ta marrim librin, të cilin kanë të drejtë mbajtjeje deri në 3 javë.

Poashtu, për të qartësuar tutje këtë nismë do të mbahet edhe një takim. Takimi i parë për shkëmbimin e librave do të mbahet më 4 dhjetor, në orën 11:00, në objektin e Aleancës Franceze dhe do të shoqërohet me një atmosferë këngësh dhe librash francezë.

Për t’u bërë pjesë, ju lutemi plotësoni këtë formular: https://forms.gle/9QmAxcMktjNwA9gN7 / KultPlus.com

Prishtina me skulpturë të re dedikuar librit dhe shëndetit mendor

Kjo skulpturë  është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, mes Kino “ABC” dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E njejta do të qëndrojë për një muaj aty si lokacion ekspozues i veprës artistike, e më pas me organizimin e një ceremonie do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.

Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Disa nga të gjeturat e gravuara në faqet e librit të kësaj skulpture janë, si vijon: “Nxënësit që lexojnë libra jashtëshkollor kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”; “Të lexuarit aktiv ka ndikim pozitiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve.”; “Fëmijët që lexojnë më shumë libra në vit dhe ata që janë të regjistruar në bibliotekë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”

Skulptura është pjesë e  projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Publikohet raporti: Fëmijët që lexojnë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë

“Fëmijët që lexojnë për shkak se e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë; si dhe ata që lexojnë më shumë libra në vit kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë më të lartë emocionale”. Këto kanë qenë të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të Kosovës”, publikuar sot në ambientet e Qendrës “Libart”.

Për gjashtë muaj me radhë organizata ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), dhe Qendra për Afirmimin të të Rinjve (CSAY), kanë punuar në realizimin e këtij raporti hulumtues, të gjeturat e së cilit kontribuojnë në fushën e edukimit dhe psikologjisë.

Në fjalën e saj hyrëse, menaxherja e projektit Fatime Rrahmani, tregoi më gjerësisht për rrjedhën e projektit, arsyet dhe konceptet e tij si dhe punën e organizatave partnere. 

Rrahmani tha se pothuajse i tërë projekti është realizuar virtualisht për shkak të kushtëzimit nga pandemia COVID-19. Ndërsa tregoi se ky studim thekson rëndësinë që të lexuarit ka në zhvillimin mendor te fëmijët. Po ashtu, shtoi se studimi është valid dhe se, sipas saj, mund të përdoret për intervenime në fushën e psikologjisë dhe edukimit. Fatime Rrahmani ndër të tjera tha edhe se sipas të gjeturave motivi i brendshëm është faktori kyç për nxitjen e procesit të të lexuarit.

E për të treguar më shumë për metodologjinë, rezultatet, përfundimet e rekomandimet e raportit, foli Diar Hajrizi, hulumtues kryesor i projektit.

Hajrizi, the se pjesëmarrës në projekt kanë qenë rreth 980 nxënës të klasave 6-9 të moshave 10-15 vjeç, dhe hulumtimi është shtrirë në 68 shkolla të 20 komunave të Kosovës. 

Diar Hajrizi, po ashtu tregoi se ndër të tjera, më këtë hulumtim kanë synuar ta masin edhe se cilat lloje të leximit dhe zhanret të librit ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale. 

Për më tej, ai u shpreh se rezultatet tregojnë se fëmijët që lexojnë më shumë libra dhe janë të regjistruar në bibliotekë gëzojnë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë. 

 Nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), të cilët e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt, Dajana Berisha u shpreh se përkrahja e studimeve të tilla është e nevojshme pasi e ngrisin nivelin e raportit të shkencës, dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme në raport me tregun e punës. Berisha, gjithashtu shtoi se duhet të fokusohemi në të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Sipas saj, faza e parë është të nxënit në mosha të reja, faza e dytë formësimi dhe krijimi i identitetit dhe faza e tretë kontributi që pastaj ia dhurojmë shoqërisë. 

Për t’i komentuar të gjeturat nga prizmi psikologjik, e pranishme në panel ishte edhe psikologja Saranda Rexha.

Ajo tha se leximi duhet të promovohet si diçka që nxit kënaqësi dhe kjo duhet të fillojë nga mosha e hershme, më saktësisht para se të fillojnë procesin mësimor.  

Ndërsa, sociologu Roland Peraj, tregoi për trajtimin e fenomenit të lexueshmërisë nga këndvështrimi sociologjik.

Ai tha se janë disa faktorë që sipas tij e pengojnë nxitjen e procesit të leximit. Peraj theksoi se ndër ta, fakti kryesor është mungesa e kulturës së leximit, ndërsa aspekti historik, kurrikulat dhe infrastkruktura shkollore ndikojnë në uljen e nivelit të motivit për lexim. Ndërsa, sugjeroi të krijohet një strategji nacionale për lexim dhe të bëhet digjitalizimi i librave.

Nga audienca, Besnik Peci, psikolog dhe sociolog u shpreh se me këtë hulumtim janë vënë bazat e evidencës për rëndësinë e lexueshmërisë. Peci, njëherish psikolog i SOS Fshatrave të Kosovës, tha se prindërit dhe mësimdhënësit duhet t`i shpërblejnë dhe inkurajojnë fëmijët që lexojnë, dhe po ashtu, të krijojnë alternativa që leximi për fëmijët të jetë i këndshëm dhe jo i imponueshëm. 

Panelistët, po ashtu bënë më dije se përveç produkti kryesor të projektit që është raporti hulumtues, ditëve në vijim do të përurohet edhe skulptura që ngërthen trurin dhe librin, në faqet e së cilës do të gravohen rezultatet kryesore të raportit. 

Fatime Rrahmani, prezantoi edhe rekomandimet e dala nga projekti, disa prej të cilave janë: aplikimi i Biblioterapisë (seanca grupore me lexim të librave) nëpër shkolla, të hartohen më shumë hulumtime nga organizatat e shoqërisë civile dhe prindërit të investojnë në krijimin e këndeve me libra sipas preferencave të fëmijëve të tyre. 

Ky hulumtim është pjesë e projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Dy sulme ndaj minibibilotekave në Prishtinë, njërës i vidhen librat kurse tjetrës i thyhen xhamat

Dy minibiblotekat në Prishtinë sot gjatë ditës janë dëmtuar, asaj në lagjen “Bregu i Diellit” i janë thyer xhamat ndërsa tjetrës në “Lagjen e Spitalit” i janë vjedhur të gjitha librat, njofton organizata ETEA, shkruan KultPlus.com

Organizata ETEA, e cila njëkohësisht ka qenë implementuese e këtij projektit ka dalur sot me një komunikatë përmes së cilës ka dënuar këto akte. Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që janë sulmuar minibiblotekat e reja në ngritje.

Këtu keni reagimin e plotë të organizatës ETEA rreth këtij incidenti:

REAGIM
NDAJ SULMIT ME GURË NË MINIBIBLIOTEKËN E “BREGUT TË DIELLIT” DHE NDAJ VJEDHJES SË LIBRAVE NË MINIBIBLIOTEKËN E “LAGJES SË SPITALIT”

Prishtinë, 23 nëntor 2019

Të nderuar qytetarë,

Nga banorët e “Bregut të Diellit” dhe “Lagjes së Spitalit” kemi pranuar njoftime se minibibliotekat e këtyre dy lagjeve që u inaguruan më datë 21 nëntor 2019 janë dëmtuar dhe keqpërdorur, përkatësisht njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.

Nga përvoja e deritanishme kemi kuptuar se minibibliotekat janë në rrëzik të lartë në ditët e para dhe kjo duket se vjen nga kurreshtja e tepërt e faktorit njeri, pamundësia e këtij të fundit për ta pranuar të renë dhe paaftësia e pandjeshmëria për t’u kujdesur dhe vlerësuar pronën e përbashkët. Me pak fjalë, derisa minibibliotekat të bëhen pjesë e përditshmërisë sikurse në lagjet “Dardania” dhe “Ulpiana” – ato do të dëmtohen dhe/apo keqpërdoren.

Prandaj, ne tashmë kemi ndërmarrë masat e nevojshme duke njoftuar fillimisht Policinë e Kosovës dhe duke vëzhguar kamerat për ta identifikuar personin/at që kanë bërë këto veprime të pahijshme, me ç’rast do të nisim procedurat e nevojshme juridike.

Rastet në Policinë e Kosovës janë cilësuar si vepra penale: Dëmtim i pronës dhe vjedhje e rëndë.

Pas përfundimit të procedurave juridike, kemi kënqësinë të njoftojmë komunitetin kontributdhënës dhe lexuesit se ne do të organizohemi për ta bërë sa më shpejt rimbushjen me libra të minibibliotekës në “Lagjen e Spitalit” dhe renovimin e minibibliotekës në “Breg të Diellit”.

Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë qytetarët e kulturuar që po kujdesen për minibibliotekat, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë në të gjitha aspektet për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e minibibliotekave.

Të gjithë jemi të vetëdijshem se lexues ka më pak, por fuqia e dijes është më e madhe se çfardo force tjetër dekonstruktive. Prandaj, siç kemi thënë edhe më parë, minibibliotekat do të ndërtohen. Edhe nëse rrënohen – minibibliotekat do të rindërtohen – derisa rrënuesit të bëhen lexues.

Shihemi së shpejti në hapjen e minibibliotekave në Sheshin “Nëna Terezë”, Lagjen “Qafa”, Taukbahçe, Sheshin “Adem Jashari”, Kampusin Universitar, Lagjen “Arbëria” dhe në Parkun e Qytetit të Komunës së Prishtinës”.

KultPlus.com

Dëmtohet minibiblioteka që u hap dje në Dardani, reagon ETEA

Dëmtohet minibiblioteka që u hap dje në Dardani, reagon ETEA, shkruan Klan Kosova transmeton KultPlus.com

Mbrëmë gjatë mbikëqyrjes së minibibliotekës që u përurua gjatë ditës në lagjen e Dardanisë në Prishtinë është sulmuar me vezë.

Për këtë ka reaguar edhe organizata joqeveritare “ETEA” duke kërkuar që këtë ta bëjnë edhe qytetarët e lagjes, njofton Klan Kosova.

“Lusim qytetarët që nëse nuk përdorin minibibliotekat së paku të mos i keqpërdorin ato. Dhe, lusim të gjithë lexuesit/et e lagjes “Dardania” në Prishtinë, dhe jo vetëm, që të reagojnë ndaj kujtdo që tenton t’i dëmtojë minibibliotekat si dhe të na njoftojnë për çfarëdo parregullsie në raport me minibibliotekat”, thuhet në reagim.

“Ndërsa ne, shihemi së shpejti në ceremoninë e hapjes së minibibliotekës në lagjen Ulpiana, Prishtinë”.

“ETEA” thotë se minibibliotekat do të ndërtohen dhe edhe nëse rrënohen ato do të rindërtohen, derisa rrënuesit të bëhen lexues.

Pensionisti shpallet lexues i dalluar në Prishtinë

Në komunën e Prishtinës është mbajtur edicioni i pestë i festivalit “Prishtina Lexon”. Në kuadër të këtij festivali, në përmbyllje të aktiviteteve, janë shpallur tre lexuesit e dalluar në këtë komunë.

Nga organizata ETEA kanë njoftuar se për këtë titull janë vlerësuar të gjitha grupmoshat, dhe një nga lexuesit e dalluar është shpallur pensionisti Hazir Mehmeti.

Po ashtu, nxënësja Era Dragusha dhe studenti Flamur Foniqi, janë nderuar me këtë titull.

Lexuesve të dalluar u ndanë mirënjohje kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti dhe Fatime Mehmetaj nga biblioteka “Hivzi Sulejmani”. Atyre po ashtu u dhuruan libra Iliriana Hasaj nga Libraria “Dukagjini”, Bukurije Demolli nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe përfaqësues nga Aleanca Franceze, përcjell albinfo.ch.

“Prishtina Lexon”, një ngjarje tradicionale tashmë në Prishtinë, përgjatë datave 1-5 qershor, solli aktivitete për të gjitha grupmoshat në kryeqytet. Aktivitetet ishin të ndryshme, por me një qëllim të njejtë: vetëdijësimin për rëndësinë e librit dhe kultivimin e shprehisë së leximit.

Dita e Librit të Ndaluar “Librat digjen, (por) idetë jo”

Kryeqyteti i Kosovës, për herë të parë do t’i bashkohet nismës “Java e Librit të Ndaluar” e cila në fund të muajit shtator shënohet në shumë qytete të shteteve perëndimore.

Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj censurës, me theks të veçantë te censurimi i librave.

“Java e Librit të Ndaluar” si ngjarje ndërkombëtare e cila synon ngritjen e vetëdijes mbi lirinë e të shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët dhe intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare, mbahet për herë të parë në Kosovë, si ngjarje një ditore e cila organizohet nga “ETEA” në kuadër të “Prishtina Lexon”. Si ngjarje, e cila është inicuar nga Asociacioni i bibliotekave amerikane, “Java e Librit të Ndaluar” promovon mendimin jokonformist, sfidues dhe kritik.

Edhe kjo ngjarje sot shkon në linjën e idealeve të promovuara përmes ngjarjes si festim dhe përkujtim ndërkombëtar i rëndësisë së lirisë të të shprehurit dhe rëndësisë fundamentale që mendimet dhe publikimet t’i nënshtrohen vlerësimit publik dhe të mos mbeten të cenzuaruara. Në Prishtinë, aktivitete dedikuar kësaj ngjarjeje do të realizohen nga Organizata “ETEA” gjatë gjithë ditës së 24 shtatorit 2018. Duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të shfaqet për publikun një performancë artistike me karakter satirik, kjo e fundit e përgatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti.

Në ambientet e sheshit do të ketë edhe aktivitete tjera të cilat vënë theksin te rikujtimi i shkrimtarëve, gazetarëve dhe intelektualeve të tjerë shqiptarë që në kohëra të ndryshme u persekutuan dhe cenzuruan nga pushteti dhe grupacione sociale që i shkojnë për shtati njerëzve të politikës dhe pushtetit.

Më tej, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në ora 15:00, të interesuarit do të kenë mundësine t’i bashkohen diskutimit të hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky ndaj të cilit, në vitin 2014, u organizuan aksione përmes së cilave u dogjën publikisht kopjet e tij në Skënderaj e Ferizaj. Ky diskutim do të moderohet nga Liridona Sijarina.

“Dita e Librit të Ndaluar” përmbyllet në mbrëmje, në ambientet e “Parkut të Qytetit” me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451” nga ora 19:00, aktivitet ky që do të realizohet në bashkëpunim me “Film n’Park”. Filmi është i bazuar në romanin po me këtë emër, autor i të cilit është shkrimtari Ray Bradbury. Romani “Fahrenheit 451” paraqet një shoqëri të ardhshme ku librat janë te jashtëligjshme ndërsa “zjarrfikësit” kanë për detyrë të djegin çdo libër që gjendet në qytet. “Librat digjen, (por) idetë jo” është tema për këtë vit, ndërsa “Dita e Librit të Ndaluar” në Kosovë synon të shndërrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë censurën ndaj mendimit të lirë dhe mentalitetin konzervator apo dogmatik.

AGJENDA
12:00 – 12:30 Performancë artistike nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti / @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
12:00 – 13:00 Libri yt i ndaluar & Rikujtim i shkrimtareve të persekutuar dhe cenzuruar / @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
15:00 – 16:00 Diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina / @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës
19:00 – 21:00 Shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park” / @ Parku i Qytetit të Prishtinës
Linku i eventit në rrjete sociale: https://www.facebook.com/events/1783430308392591/