Expoart.40 ka hapë ekspozitën e radhës të titulluar “Ethos”, por veçantia e kësaj ekspozite është se veprat e kuruara tashmë janë vendosë në muret e objektit të Komunës së Prishtinës, përkatësisht në korridoret e këtij objekti, shkruan KultPlus.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar për këtë ngjarje kulturore, dhe KultPlus ju sjell të plotë njoftimin rreth kësaj ekspozite.
Në ndërtesën e vjetër të Kryeqytetit, u hap ekspozita “Ethos” e mbështetur nga Drejtoria e Kulturës dhe e realizuar nga @Expoart.40, e cila eksploron lidhjen në mes të identitetit dhe vlerave dhe se si këto mund të shfaqen nëpërmjet artit bashkëkohor.
Punimet janë realizuar përgjatë muajit gusht nga artistët e rinj studentë të Artit Konceptual dhe Mediave të Reja, Arkitekturës si dhe Dizajnit të Modes në bashkëpunim me ligjërues ekspertë të fushës së artit të cilët kanë inspiruar rrugëtimin e tyre profesional.
Falenderojmë artistët tanë të rinj të cilët ngjallën koridoret e Institucionit të Kryeqytetit me shpërfaqjen e artit të tyre unik.
#PrishtinaePërjetimeve / KultPlus.com