Kosova pa viza më së largu më 1 janar 2024, Kurti thotë se për këtë sukses ndikoi përmirësimi i imazhit të shtetit

Ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian tashmë i kanë dhënë “PO-në” vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Teksti i kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është miratuar, dhe pritja shumëvjeçare e kosovarëve për të udhëtuar pa viza pritet të marrë fund më së largu më një janar 2024.

E në këtë vendim, kryeministri Kurti ka thënë se ka ndikuar përmirësimi i imazhit të shtetit të Kosovës.

Kurti këtu ka përmendur ngritjen e Kosovës për 17 vende te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Kjo thotë Kurti se ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës”, Kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Më 30 nëntor, Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Siç është bërë e ditur liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS, dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024. /KultPlus.com

Von der Leyen: Kosova i ka plotësuar kushtet, sistemi ETIAS është i ndarë nga kriteret për liberalizim vizash

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave. Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Ajo gjithashtu ka thënë se do të bëjë çmos për të bindur edhe Këshillin Evropian për të adresuar këtë çështje sa më shpejt dhe në mënyrë konstrutkive, shkruan Gazeta Express.

“Sa  përket vizave. Kosova I ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. E Kemi thënë edhe në 2018 e kemi përsëritur. Janë plotësuar të gjitha standardet. Jemi plotësisht në anën tuaj”, ka thënë Von der Leyen, raporton Express.

“Do të bëjmë përpjekje ta bindim të gjithë këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë për sistemin ETIAS ka thënë se është çështje e ndarë nga procesi i liberalizimit të vizave.

“ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave.

Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Kushti ETIAS për vizat, Osmani pret në zyrë ambasadorin e Francës dhe diplomatë tjerë

Presidentaj e vendit Vjosa Osmani ka pritur në Presidencë, ambasadorin e Francës dhe disa shteteve të tjera pas diskutimeve të djeshme dhe raportimeve se sistemi ETIAS është kushti i ri për vizat.

Shefja e shtetit ka shprehur besimin e saj që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.

Osmani ka potencuar se Kosova “do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave”.

Njoftimi nga Presidenca:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim.

Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Presidentja Osmani theksoi nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek  të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.

Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. / KultPlus.com

Çfarë është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave

Radio Evropa e Lirë ka raportuar sot se në diskutimet që janë mbajtur brenda takimit të mbyllur të Grupit Punues për Viza, Franca ka kushtëzuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Por çfarë është ky sistem dhe si funksion.

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen.

Në një farë mënyre, ai i ngjan Sistemit Elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara nga BE thuhet se do të hyjë në fuqi më 2023.

Përmes këtij sistemi bëhet kontroll i detajuar sigurie i secili aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen në ndonjë vend të Zonës Schengen, shkruan Schnengenvisa.

Ndërkohë ETIAS nuk vlen për ata qytetarë që s’kanë qëllime udhëtimi në Schengen deri në 90 ditë.

Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengenit.

Siç shkruan Schengenvisa  aplikimi për ETIAS do të kushtojë 7 euro, derisa kjo vlen vetëm për të rriturit mbi moshën 18 vjeçare. Ata që janë nën këtë moshë janë të liruar nga pagesa.

Procesi i aplikimit mund të marrë kohë deri në 10 minuta me pyetjet bazike që ndërlidhen me të dhënat personale, derisa procesi deri në marrjen e lejes mund të zgjas deri në 1 muaj.

Ideja për këtë sistem buron qysh në vitin 2016, kur ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se “Evropa duhet të di se kush po kalon nëpër kufijtë e saj”./Express/ KultPlus.com