Poetja nga Tirana, Etleva Tafa, është fituese e çmimit të parë të edicionit të 37-të të Festivalit të Poezisë, Takimet e Poeteshave Shqiptare, që tradicionalisht mbahet në qytetin e Vushtrrisë.
Çmimin e fitueses për poezinë “Ti merr diell dhe hënë prej meje”, në ceremoninë e Festivalit, që ka filluar dje me mbrëmjen letrare në Vushtrri, fitueses Tafa ia ka ndarë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Çmimin e dytë e ka fituar Rrezarta Shkurta, poete nga Shkodra, derisa vendin e tretë Medina Pasoma, poete nga Vushtrria.
Në këtë manifestim të veçantë, me mirënjohje është nderuar edhe muzicienti i respektuar, Fahri Beqiri.
Manifestimi do të zhvillohet edhe sot. Poetet pjesëmarrëse në këtë festival do të vizitojnë edhe monumentet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vushtrrisë. / KultPlus.com