Kreatori Etnik Shala hap ekspozitën ‘MM6’, vëmendjen merr gobleni i risjellë në veshje bashkëkohore

Flonja Haxhaj

“Unë kam shum’ çka me kalluxua,
Vij nga Bjeshkët që jan’ mallkua,
S’jam vorros për me dëshmua’

Janë pikërisht këto vargjet me të cilat nis ekspozita e kreatorit Etnik Shala, ekspozitë kjo që në thelb e ka kulturën shqiptare ndër vite, e ri sjellë në veshje bashkëkohore, të menduara thellë, të realizuara me përpikmëri dhe të prezantuara para publikut, përcjell KultPlus.

Ekspozita e titulluar ‘MM6’, e hapur në Paper Gallery në Prishtinë sjell punën 10-12 vjeçare të Shalës, të ndara në koleksionet: Geisha, Wounded Swan, Kornizë Marubi, Brymë, Cage, Goblen Movement dhe Etnografi.

Vetë kreatori Shala thotë se kjo ekspozitë është si një biografi personale e arkivit të tij. Në ‘MM6’ janë të paraqitura disa prej kreacioneve që kanë pasur më së shumti sukses si në Kosovë ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ai shpreh se secila veshje ka një arsye se përse është punuar.

“Këtu janë veshjet me fotot e ‘Marubit’ që janë fotografitë më të vjetra shqiptare. Te koleksioni etnografi kanë qenë të fotografuara prej afër veshjet dhe aksesorët nëpër treva të ndryshme shqiptare, nëpër Kosovë, Shqipëri, nëpër argjendarë dhe me njerëz që kanë punuar me ar e veshje”, tha Shala për KultPlus.

Ndërkaq, vëmendjen e morën goblenët, si një pjesë e pandashme e shtëpive shqiptare për shumë vite, e të cilat, Shala i sjell të përshtatura nëpër veshje, duke e vënë në pah artin që dikur ndonëse në ndërdije vajzat shqiptare e shprehnin në goblen.

“Në këtë ekspozitë janë rikthyer edhe goblenët, që janë punimet që i kemi pasur të varura të gjithë në mur, secila e ka një arsye pse është punuar. Kryesisht kreacionet e mia janë si një kornizë, sepse ne si brez i ri mundemi vetëm kornizën me e punu, një kornizë që e mban të dokumentuar një arkiv të bukur”, tha mes tjerash Shala.

Pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe koleksioni ‘Wounden Swan’, me të cilin kreatori fitoi vendin e parë në European Fashion Passport në Sarajevë.

“Ky koleksion ka temën e luftës, e ka temën e mjellmës së plagosur e që është deri diku historia e të gjithë shqiptarëve, që jemi të barabartë me krejt botën por nuk e kemi mundësinë me udhëtu pa viza e plotë të tjerë e kemi akoma hijen dhe tymin e luftës.”, deklaroi Shala duke shprehur më tutje se veshjet e këtij koleksioni janë të errëta, janë si një mjellmë por nuk janë si mjellmat që jemi mësuar të shohim.

Kurse koleksionin Brymë, Shala thotë se e ka punuar për Aleksandra McQueen në 7-vjetorin e vdekjes së tij, e më pas ky koleksion ka dalë edhe në Vogue Magazine.

Ndërkaq, Vullnet Jakupi nga Paper Gallery, thotë se kjo ekspozitë është në kuadër të projekteve speciale që kjo galeri dhe ‘Prishtina Biennale’ realizon.

“Ekspozita është e bazuar në xhubletë”, thotë Jakupi i cili shtoi se në të gjitha kohërat, historitë e popujve të ndryshëm janë gdhendur në gurë, kurse historia shqiptare për 4000 vjet është qëndisur në xhubletë.

“Këtu është paraqitur edhe koleksioni Wounded Swan që e prekë më shumë stilin bashkëkohor mirëpo është diçka më ndryshe se sa që jemi mësuar ta shohim për shkak që është e ekzekutuar në një formë shumë interesante me të cilat edhe ka fituar edhe çmime të ndryshme internacionale. Më pas e kemi goblenin, duke e ditur se çfarë historie përmban për neve dhe çfarë gjurme ka lënë tek populli shqiptar dhe është interesant me e pa se si është ekzekutuar në veshje dhe si asnjëherë nuk është menduar se kjo është një pjesë konceptuale për me ardhë deri tek veshja përmes goblenit.”, tha ndër të tjerash Jakupi për KultPlus.

E pranishme për të parë këtë bashkëveprim në mes të historisë dhe veshjeve bashkëkohore, në këtë ekspozitë ishte edhe kuratorja, Penesta Dika, e cila thotë se të gjitha këto kreacione të kreatorit Shala kanë përmbajtje, një përmbajtje shumë të thellë në prapavijë.

“Kanë tema të ndryshme që i prekin, pastaj këto tema janë realizuar me materiale të përshtatshme, me ngjyra të përshtatshme, me diazajn të përshtatshëm. Çdo element i përket një pjese të punuar, është i menduar shumëfishtë prej të gjitha aspekteve dhe secila pjesë ka një tematikë të veçantë.”, u shpreh Dika duke shtuar mes tjerash se e sheh si një ndërthurje interesante përshtatje e goblenit në veshje.

Ndërkaq, publiku artdashës do ta ketë mundësinë ta vizitojë këtë ekspozitë përgjatë një muaji, nga data 13 gusht deri më 13 shtator./ KultPlus.com

Një dhuratë unike për ditëlindjen e Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

Bilbili i Kosovës, këngëtarja ikonë e muzikës shqipe – Nexhmije Pagarusha, nesër feston ditëlindjen e saj të 85-të.

Zëri më absolut shqiptar i të gjitha kohërave, këngëtarja e “Bareshës”, “E dehun jam” apo“Mora testin”, në këtë ditëlindje do të pranojë një dhuratë të veçantë që tregon se kontributi i saj dhe vlerat që ajo i dha kulturës shqipe ndër vite nuk janë harruar.

Bëhet fjalë për dis fustane me ngjyrë bezhë dhe portokalli e hapur të cilat divës shqiptare për këtë ditëlindje ia dedikon dizajneri Etnik Shala.

Shala ka punuar me shumë dashuri në koleksionin ‘Muzë’ duke pasur në mendje Nexhmijen.
Me anë të një videoje promovuese, Shala e ka prezantuar koleksionin në fjalë, i cili sipas tij i përshtatet stilit kur Nexhmije Pagarusha ishte në kulmin e karrierës së saj.

Fustanet vijnë në stilin retro classic gërshetuar me modernen, gjithnjë me Bilbilin e Këngës Shqipe në mendje.
Çka tërheqë vëmendjen në këtë realizim është kënga e njohur e Nexhmije Pagarushës që na vjen më e freskët dhe në një stil më unik. Vetë Nexhmije Pagarusha ka pranuar që kënga e saj të jetë e tillë brenda kësaj videoje.
Në realizimin e videos kanë ndihmuar miqtë e afërm të Etnikut ndërsa për muzikën është përkujdesur Gent Gorani. / KultPlus.com