Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia, Teatri i Gjilanit, Teatri i Ferizajit ‘’Adriana’’, Etno Teatri në Kukaj ka hapur thirrjen për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.
Laboratori i dramës bashkëkohore shqipe do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza nën drejtimin e regjisorit e dramaturgut Fadil Hysaj. Pjesa e parë do të mbahet mes periudhës 27 nëntor-3 dhjetor, ndërkaq pjesa e dytë më 18-22 dhjetor të këtij viti.
Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë laborator duhet të jenë në intervalin e moshës mes 18-45 vjeç, teksa të përzgjedhurit do të kenë rastin të përfshihen në proceset kreative të shkrimit të dramës.
Dramat e përfunduara të çdo pjesëmarrësi do të prezantohen para publikut si një lexim skenik dhe do të botohen në një vëllim. Nga të gjitha të shkruarat, tre më të mirat do të përkthehen në gjuhën angleze dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë-Eurodram.
Afati i fundit për aplikim është deri më 19 nëntor, kurse 7 persona janë të paraparë që të përzgjidhen gjithsej./KultPlus.com