Etnofest reflekton mbi lumturinë: Një debat për thelbin e qenies njerëzore

Festivali Etnofest, tashmë i njohur për ndërthurjen e kulturës, traditës dhe reflektimit mbi tema të thella të qenies njerëzore, këtë vit është përqendruar në konceptin e lumturisë. Në edicionin e tij të fundit, që filloi më 10 gusht dhe përfundon më 18 gusht, festivali ka sjellë një mori aktivitetesh kulturore dhe intelektuale, duke ndriçuar aspekte të ndryshme të lumturisë  dhe trashëgimisë kulturore.

Alisa Buzhala

Dita e gjashtë e festivalit shënoi një ndër ngjarjet më të veçanta, me një debat të thellë filozofik mbi lumturinë, të ndjekur nga performanca artistike që ngjallën kujtime dhe ndjenja të forta tek të pranishmit.

Në pasditen e ditës së enjte, për publikun, programi u hap nga  Sheqerie Bucaj e cila  interpretoi vargjet e poezisë së Sibel Halimit, duke sjellë në pah dilemat mbi lumturinë dhe përjetimin e saj, si një parathënie për të vazhduar me debatin kyç të këtij edicioni.

Gjatë viteve, ky festival është formësuar mbi shtylla bazë, përmes të cilave çdo edicion është pasuruar me programin e ndërlidhur rreth tematikës së zgjedhur.

 Dy vitet e mëparshme u përqendruan në dashurinë dhe lirinë, ndërsa këtë vit, “Lumturia” u përjetësua mbi themelet e këtyre dy aspekteve, si dy emocione që çojnë qenien njerëzore drejt një përjetimi të thellë lumturie. Ndaj edhe debati me te ftuar trajtoj temën e lumturisë mbi teori të ndryshme.

Në panelin e diskutimit ishin të ftuar Nezir Kraki, profesor i filozofisë; Agim Selimi, psikiatër dhe regjisor filmi;  dhe Naim Telaku, psikolog. Organizatori i këtij festivali, profesori Fadil Hysaj, citoi se përkufizimi i lumturisë është pothuajse i pamundur, ai theksoi se njohja shpirtërore dhe ushqyerja e saj e çon njeriun drejt lirisë së brendshme, e cila lejon të arrihen pikat e lumturisë.

Gjatë debatit, akademiku i artit foli për frikën si burim kryesor i palumturisë – frika nga mos suksesi, frika nga dështimi, dhe frika nga mos qenurit vetja. Ai shpjegoi se lirimi nga këto ndjenja çliron lumturinë e akumuluar. Publiku dëgjoi me kureshtje të madhe pikëpamjet e secilit folës në këtë debat.

Sipas Nezir Krakit, lumturia është një proces, një synim që nxit njeriun të kërkojë diçka të re. Ai theksoi gjithashtu se lumturia mund të ndikohet nga historia personale dhe profesionale, si dhe nga mjedisi ku jetojmë dhe formohemi.

Ndërsa, Agim Selimi shpjegoi se lumturia ndërtohet ose vjen si rezultat i ruajtjes së gjendjes së brendshme, lirisë si mundësi e zgjedhjeve në jetë, kompetencave dhe argëtimit.

Në aspektin psikologjik, Naim Telaku tregoi se lumturia nuk është një gjendje konstante, por një ekuilibër mes aspekteve negative dhe pozitive, ku mbizotëron pozitivja.

Megjithatë, prania e emocioneve të pakëndshme ofron kontrastin e domosdoshëm që e bën njeriun ta ndiejë dhe përjetojë lumturinë. Si përkufizim praktik, psikologu theksoi se lumturia është aftësia e brendshme për t’u kënaqur me pak, për të gjetur kënaqësi në gjëra të vogla, për të ndjekur qëllime kërkuese të shpeshta, për të pasur pasion në atë që bën, dhe për të zotëruar kapacitetin për të shkëputur nga egoja dhe për të rrjedhur me përjetimet e mjedisit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i lumturisë u cilësua edhe raporti me të tjerët, i cili mund të përshpejtojë lumturinë dhe të mirëmbajë shëndetin mendor.

Ky debat domethënës dhe potencialisht i nevojshëm, dëshmoi edhe një herë se ky festival arrin të analizojë dhe strukturojë shumë dimensione të thelbit të njeriut. Nga bazat e origjinës përmes traditës, deri te emocionet e brendshme që pasqyrojnë formësimin tonë si individë dhe si shoqëri.

Pas përfundimit të këtij debati, programi artistik u hap me Ansamblin “Deçani”. Ky ansambël, i udhëhequr nga Genc Tetaj, u rikthye në festival për herë të dytë, duke ruajtur si suvenir çmimin që kishin fituar vite më parë në të njëjtin festival.

 Karakteristike e këtij ansambli ishte kostumi i vjetër i veshur nga vajzat që interpretuan këngë e valle, që ruajnë gjallë traditën e rajonit të Dukagjinit. Nga kjo paraqitje, Etnofest preku edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, atë të kostumografisë.

Pas kësaj, Klubi “Alpin Podguri” nga Istogu performoi lojën tradicionale me kapuçë, e cila cilësohet si loja që kërkon fokus dhe inteligjencë, ndër më të popullarizuarat ndër shqiptarë, e drejtuar nga Sadik Maxharraj dhe Shasivar Haxhijaj.

Loja me kapuça përmban jo vetëm procesin e lojës, por edhe këngën thumbuese ndaj humbësit të kësaj loje. Zhvillimi i lojës para publikut ngjalli kujtime tek ata që e kishin përjetuar kohën kur kjo lojë luhej në odat familjare mes miqsh, ndërsa për të rinjtë e pranishëm u pa me kureshtje për procesin dhe përfundimin e saj.

Kështu, edhe nata e gjashtë e Etnofestit u përmbyll me nejen e këndshme të mbrëmjes, tashmë pjesë e rëndësishme e argëtimit për të gjithë të pranishmit. Kësaj here, nën zërin e Vesa Smolicës, e cila këndoi këngë të rrymave të ndryshme muzikore, nga ato në gjuhën angleze si hite botërore e deri te këngët e vjetra shqipe, të risjellura  në stilin e saj.

Ky edicion i Etnofest, i cili filloi më 10 gusht dhe përfundon më 18 gusht, dëshmon edhe një herë se përkushtimi ndaj traditave kulturore, trashëgimisë dhe tematikave që prekin thelbin njerëzor, mbetet në zemrën e këtij festivali. Etnofest vazhdon të jetë një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, duke ofruar një hapësirë unike për reflektim, diskutim dhe përjetim artistik./KultPlus.com

Vallet dhe muzika në Fokus: Si u kremtua dita e pestë e Etnofest

Etnofest vazhdoi me aktivitetet e tij të pasura edhe në ditën e pestë, duke sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë të pranishmit. Ekspozitat e hapura janë të pozicionuara në disa nga hapsirat e etnofestit, ndër të cilat veçohej ajo e artistës Teuta Ibriqaj, e cila u prit me interes të madh nga vizitorët.

Shkruan: Alisa Buzhala

Ekspozita grafike ‘Gjurmë lumturie’ risolli detaje nga koha e lashtë antike duke i formsuar në formën moderne, fragmenteve të tyre.

Në vazhdim të aktiviteteve të festivalit, ansamblet tradicionale pasurojnë programin. Me elementet e veshjeve si fustanet e shamitë, pantallonat e plisat, në harmoni me tingujt e melodive, vallja shqiptare mbetet një komponent tjetër i rëndësishëm i kulturës sonë, sidomos i festave tona.

Mbrëmja e natës së katërt u hap nga ansambli “Zëri i Kamenicës”, i cili performoi para një audience të madhe disa nga vallet më të njohura, përfshirë edhe vallen e Rugovës.

 Udhëheqësi i këtij aktiviteti, Dilaver Kryeziu, në fund të paraqitjes skenike të valltarëve, siguroi që publiku të merrte një përvojë, duke demonstruar hapat bazë të valleve tradicionale.

Ai gjithashtu kërkoi, si bashkëpunëtor artistik i këtij edicioni, që vitin e ardhshëm, ky festival të shndërrohet edhe në shkollë artistike, me kurse e trajnime mbi pjesë të ndryshme të paraqitjeve skenike.

Etno-ansamble të tjera nga trevat e ndryshme priten të jenë prezent në festival gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkaq, etno-neja, në natën e 5-të të këtij edicioni ishte pak më ndryshe nga netët paraprake. Organizatorët ishin siguruar të risillnin në skenë pas shumë vitesh, rock grupet ‘Tonic dhe Gjinis’, të cilët interpretuan këngë të vjetra të viteve të 80-ta, e që risollën një atmosferë nostalgjike mbi kulturën muzikore në ato vite, si hite të dëgjuara e popullarizuara nga të rinjtë në atë kohë.

E për t’i dhënë krejtësisht një kahje tjetër kësaj nate magjike, after party i festivalit u elektrizua nga repertori i muzikës dhe miksimeve të këngëve nga DJ Caboo.

Me këngën ‘Baresha’, Caboo dëshmoi edhe një herë që përpunimi i këngëve të vjetra dhe risjellja e tyre në forma të reja të muzikës bashkëkohore, të asaj që tashmë njihet si elektro/house, i jep kulturës sonë një dimension unik dhe mundëson ruajtjen e thelbit artistik shqiptar.

Kështu, dita e pestë e Etnofest u mbyll në mesnatë nën ndriçimin e terasës së kompleksit në Kukaj, duke lënë dëshmi në zhvillimin e horizontit kulturor në Kosovë dhe rajon./KultPlus.com

Dita e katërt në Etnofest: Lidhja e pandashme mes brezave përmes kujtimeve, ushqimit dhe artit

Alisa Buzhala

Festivali Etnofest çdo vit mbledh së bashku gjenerata të ndryshme për të festuar dhe ruajtur traditat e lashta të shoqërisë tonë. Vetëm 30 minuta nga qendra e Prishtinës, etno-kompleksi i ndërtuar me një arkitekturë unike, autoktone, me gurë e dru, në thellësi të fshatit Kukaj, po mirëpret vizitorë, mysafirë nga gjithë Kosova, bile shpesh hasim edhe në familje e të rinj nga diaspora, që ditët e pushimeve të tyre në vendlindje po i kalojnë në këtë festival, i cili po cilësohet si një festival mallëngjyes ndaj historisë sonë të vjetër, zakoneve dhe virtyteve që na karakterizojnë si popull.

Edicioni i 14-të i Etnofest-it tashmë ka zhvilluar pjesën e parë të programit të tij. Gjatë këtyre 4 ditëve është vërejtur një rritje e prezencës së një publiku të gjerë, dhe jo vetëm nga komuniteti i fushës së artit, por edhe nga adhurues të historisë sonë, atyre që duan ta njohin më thellë kulturën e tyre, traditën e përcjellë gjeneratë pas gjenerate.

 Që nga dyert e hapura të etno-kompleksit, në çdo skenë, hapësirë, shtëpi, tavolinë e muze, publiku kalon në një horizont tjetër, në qetësinë që ta jep ky vend, freskinë, e në të njëjtën kohë dinamikën e ngjarjeve që ndodhin duke e bërë çdo vizitor të përjetojë diçka ndryshe, të veçantë, varësisht nga format artistike që parapëlqen, qofshin ato piktura, skulpturat, punimet tradicionale, shfaqjet, performancat e ansambleve, muzika apo ushqimi.

Pra, publikut në Etnofest po i ‘ekspozohet’ një gërshetim i artit dhe kulturës shqiptare në detaje të cilat rikthejnë një nostalgji dhe nevojë për ‘t’u ushqyer’ me ndjenja të thella të origjinës dhe kuptimit të saj. E kur jemi te të ushqyerit, si shoqëri, njëra ndër traditat që ende e konsumojmë është ajo e ushqimit tradicional. Pitja dhe flija, të shoqëruara me djathë natyral dhe perime nga bahçet e shtëpive tona, janë ndër pjatat e preferuara të çdo familje shqiptare, e sidomos në bashkimet familjare. Ndaj gatimi i ushqimit tradicional mbetet edhe sot e kësaj dite simbol i bashkimit në sofër, ndjesi e ngrohtësisë, dashurisë e lirisë të të qenurit pranë njerëzve më të dashur, duke shijuar pjatat e begatshme.

Gatimi i ushqimeve tradicionale si pjesë e gastronomisë në Etnofest është një nga momentet më të rëndësishme të festivalit. Në ditën e katërt, përgjatë ditës pati trajnime nga gratë që gatuanin ushqimet duke sjellë në jetë shijen dhe aromën e traditës shqiptare. Ky aktivitet nuk është vetëm një demonstrim, por një rit që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë brezave të rinj mundësinë të mësojnë teknikat e vjetra të gatimit që janë trashëguar nga gjyshet tona.

Në Etnofest, gatimi shndërrohet në një formë arti, ku çdo hap i procesit është i mbushur me kujtime dhe rrëfime të së kaluarës. Ky aspekt i gastronomisë tradicionale jo vetëm që ruan dhe promovon kulturën shqiptare, por gjithashtu thekson rëndësinë e ushqimit si një element kryesor i identitetit kombëtar. Një karakteristikë tjetër e identitetit tonë, përgjatë shekujve janë edhe veshjet e punuara me dorë.

Këto veshje zënë një vend të veçantë edhe në Etnofest, ku simbolet, ngjyrat dhe detajet e veshjeve i gjejmë në copëza të ndryshme, në mindila, çorape, fustana e këmisha të ekspozuara gjithandej.

 Gratë nga Dukagjini, si Buqe Alaj dhe Mihrije Elshani, që janë pjesë e festivalit që nga edicionet e para, janë një shembull i gjallë i ruajtjes së trashëgimisë familjare. Ato sjellin në festival veshjet kombëtare të punuara me gërshërë dhe gjilpëra, duke përdorur veglën tradicionale ‘veku’ për qepjen këtyre veshjeve. Zonjat potencuan me plot zë, që këto punime dore i përmbushin shpirtërisht dhe dëshirojnë që këtë zanat ta përcjellin brez pas brezi, ashtu siç gjyshet e tyre i kishin mësuar.

E për t’u rikthyer në ecurinë e programit të ditës së katërt, sigurt edhe në mbrëmjen e 13 gushtit nuk mungoi një shfaqje. Shfaqje e destinuar për paraqitje në këtë natë ishte ajo e aktoreve Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi. ‘Jepi ngjyrë jetës’ ishte performanca që iu prezantua publikut, i cili mirëpriti fabulën e kësaj paraqitje.

Kapërcimi mes 2-3 kohërave, duke vënë në pah revoltimin, plagët dhe traumat, e mbi të gjitha mësimet dhe përvojat që ndryshojnë jetën, ishin tematika që aktoret përmes rrëfimeve të bazuara në ngjarje të vërteta, përcollën mesazhet sensibilizuese ndaj temave të ndjeshme siç janë dhuna në familje, ndalimi i shkollimit dhe vendosmëria për t’i ndjekur ëndrrat.

‘Nuk ka qeli që mundet me i burgos andrrat’ ishte një nga shprehjet që gjallëroi edhe publikun, i cili kishte stërmbushur amfiteatrin e asaj skene. Në fund, shikuesit u ftuan për të ndarë historitë e tyre personale, gjë kjo që i dha mundësi publikut për ndërlidhje më intime me gjithë konceptin e kësaj pjese artistike.

E pas këtij emocioni sublim, vizitorët u panë ta shijonin deri në mesnatë, natën e cila u karakterizua nga energjia pozitive, që po mbizotëronte pistën e vallëzimit, mes këngëve të bukura shqipe, të kënduara njëzëri nga publiku, bashkë me grupin muzikor ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ të cilët kishin përzgjedhur këngë të moçme, të përpunuara e interpretuara sipas stilit të tyre.

Përderisa përmbyllet edhe një natë tjetër e këtij festivali, kuptojmë që Etnofest është një rrëfim i gjallë i kulturës sonë. Çdo element, nga aromat e ushqimeve tradicionale deri te zëri i fuqishëm i këngëve dhe valleve, na e sjell të kaluarën në të tashmen, duke krijuar një lidhje të pandashme mes brezave./ KultPlus.com

Premiera e shfaqjes  ‘Jermi: Kujtimesh të Lumtura’ – Kur teatri ringjall nostalgjinë në EtnoFest 2024”

Alisa Buzhala

Në ditën e tretë të Festivalit EtnoFest 2024, që po mbahet në fshatin Kukaj, u prezantuan një sërë aktivitetesh që mishëruan thellësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke sjellë një përzierje unike të artit, muzikës dhe teatrit në një ambient që reflektonte traditat e lashta.

Ecuria e laboratorit punues mbi përgatitjen e shfaqjes “Etja” nga regjisori Mario Biagini po ecte mirë, tashmë aktorët kishin filluar të përjetësonin rolet e tyre. Aktorja Fiona Abdullahu, e cila është pjesë e këtij kasti, shpjegoi se kjo dramë trajton karakteret njerëzore dhe mënyrën se si ato përballen me limitet e tyre, duke krijuar një reflektim të thellë mbi natyrën njerëzore.

Ndërkaq, pika kulminante që e karakterizoi programin e ditës së tretë të festivalit ishte shfaqja “Jermi: Kujtimesh të Lumtura” e regjisorit Fadil Hysaj, e cila u dha premierë në amfiteatrin e kompleksit Kukaj. Kjo shfaqje risolli në kujtesë nostalgjinë për jetën e dikurshme përmes përshkrimeve të veglave tradicionale të punës dhe ritualeve të jetesës, siç është përgatitja e nuses kërçovare.

Performanca e aktorëve Sheqerie Bucaj dhe Shpëtim Kastrati mbushi skenën me një ndjeshmëri të veçantë, duke shfaqur në mënyrë të natyrshme dhe spontane momente nga jeta e kaluar dhe duke adresuar sfidat e asaj kohe, përfshirë trajtimin e nuseve në familjet tradicionale.

Çaste lumturie u interpretuan edhe në tregimet e rrëfyera si përgatitja e bukës në qerep si një ritual që ka sjellë gëzim, harmoni dhe mirëpritje në familjet shqiptare. Pjesë e shfaqjes ishte edhe paraqitja e momenteve të bukura të dashurisë, përmes kujtimeve mes dy personazheve. Kjo pjesë teatrale u gërshetua bukur nën shoqërimin e violinës dhe flautës.

Aurora Kabashi, e cila interpretoi në këtë shfaqje, theksoi se përfshirja e këngëve të vjetra shqiptare e bëri këtë paraqitje të veçantë dhe të dallueshme nga performancat e saj të zakonshme.

Po ashtu, nata e tretë u pasurua me një orë letrare të mrekullueshme, ku poetë të njohur si Primo Shallku, Vlora Konushevci, Vlora Ademi, Ilaz Hysaj dhe Halil Matoshi recituan vargjet e tyre për një publik të etur për fjalën e shkruar. Nën ndriçimin e pozicionuar në skenë, u krijua magjia e cila të dërgon në disa dimensione të tjera, ato të thellësisë së ndjenjave shpesh herë të fshehta, mbi dashurinë, sekretin, pritjen dhe mallin të ndërtuar mbi kujtime të lumtura.

Ashtu si edhe tashmë vizitorët dhe mysafirët janë mësuar në netët e destinuara për t’a ndjerë lirinë e kënaqësisë së festivalit, nata e tretë u përmbyll me performancën e “Melodisë së Vjetër”, e cila u rikthye edhe këtë vit në EtnoFest, pas mirëpritjes dhe dashurisë së publikut ndaj këngëve të kënduara nën melodinë unike të zërit të Nezafete Shalës.

Ndërkaq, dita pasuese e festivalit të artit dhe kulturës, më 13 gusht, do të ketë në fokus gastronominë shqiptare, performancë etno-ansambli si dhe muzikën bashkëkohore të ndërthurur me këngët e vjetra të prezantuara nga grupi “Don’t Listen to Your Neighbors”.

EtnoFest 2024 vazhdon të mbetet një ngjarje e veçantë në skenën kulturore të Kosovës, duke bashkuar artistë dhe adhurues të artit nga e gjithë bota. Me programacionin e përgatitur, festivali do të ofrojë edhe më shumë ngjarje të veçanta, duke vazhduar të promovojë dhe ruajë pasurinë kulturore shqiptare./ KultPlus.com

Vazhdon programi i Etnofest 2024, nga teatri deri në muzikë: Si po transformon ky festival fshatin Kukaj në qendër të Kulturës

Alisa Buzhala

Ka filluar tashmë edicioni i 14-të i festivalit të artit dhe kulturës tradicionale. Fshati Kukaj në Prishtinë mbizotërohet  nga një frymë e natyrshme e lumturisë dhe emocionit. Këtë vit,  Etnofest ka zgjedhur si temë shtyllë “Lumtuninë”, duke e shndërruar festivalin në një përvojë magjike që eksploron thellësitë e ndjenjave, gjetjes së pikave të lumturisë, të ndërtuara mbi sintezën e lirisë dhe dashurisë.

Përmes një programi të pasur dhe të larmishëm, Etnofest sjell në jetë një harmoni të veçantë midis traditës dhe modernitetit, një hapësirë ku kultura me të gjitha trajtat e saja bëhet e prekshme.

Edicioni i 14-të i këtij festivali  arrin t’i qëndroj besnik konceptit origjinal, të impresionojë dhe frymëzojë, me një program të gërshetuar mirë, duke jetësuar forma të ndryshme të punimeve artistike. Nga ushqimi,  muzika, ekspozitat e shumta të hapura, performancat teatrale që ndriçojnë skenën me emocion dhe pasion, deri tek debatet dhe punëtoritë që ofrojnë reflektim, analizim dhe kuptim të thellë.

Ambienti i veçantë i krijuar për këtë festival është i dedikuar që të bëhet shtëpi për artin dhe përzierjen e tij.  Siç e përshkruan Fadil Hysaj, krijuesi dhe organizatori i festivalit, “Ky kompleks është ndërtuar nga e para për të ofruar një hapësirë që bashkon artin dhe traditën. Tendenca ime ka qene që e reja , të jetë në relacion me të vjetrën,  ta përshtat atë , qofte në arkitekturë, në teatër, muzikë, gastronomie etj “. Ai e thekson se festivali rikthen në jetën e publikut një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe fëmijërie, duke e bërë secilin  të kërkoj në gjenezën e tij arsyet e formësimit personal dhe shoqërore.

Kjo e veçon programin dhe  etno-kompleksin në tërësi me një dimension emocional.

Pas hapjes spektakulare që patë ky edicion, me 10 gusht, me mbi 10 aktivitete  të pozicionuar në skenat e veçanta që e karakterizojnë kompleksin, me paraqitjet skenike, ekspozitat, shfaqjet dhe koncertet e grupeve artistike të përcjella nga një numër të madh të publikut, dita e dytë pasuese e EtnoFestit pati një program me specifik dhe jo shumë të ngarkuar.

Programi  u hap në mesdite, atëherë kur  regjisori i njohur italian, Mario Biagini, udhëhoqi një punëtori teatrale revolucionare, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të zhyten në teknikën e Jerzy Grotowskit. Kjo punëtori, e zhvilluar nga ora 13:00 deri në 16:00, i ofroi studentëve një përvojë të thellë dhe të veçantë mbi këto teknika. 

Ilirjana Arifi, regjisorja e cila është e përfshirë si bashkëpunuese në zhvillimin e këtij aktiviteti,  theksoi se teknikat e Grotowskit të interpretuara nga Mario Biagini ngjallen interesim të madh tek gjenerata e re e artisteve, për shkak të mënyrës së veçantë të tij, metodës së së punuarit në skenë si dhe raportit me aktorët.  Kjo punëtori teatrore do të vazhdoj përgjatë gjithë edicionit, deri në ditën e fundit, atëherë kur edhe finalizohet shfaqja ‘Etja’ nga Mario Biagini, drejtor i qendrës ‘ Jerzy Grotoëski ‘ Itali.

Në mbrëmjen e udhëhequr nga harmonia e atmosferës së krijuar nga vet publiku prezent, të cilët u panë duke lëvizur nga një skenë në tjetrën, e poashtu në hapësirat ku shërbehej ushqimi tradicional, pas darkës , audienca po priste fillimin e shfaqjes së kësaj mbrëmje.

Ishte shfaqja “Dashuritë e presidentit” nga Miro Gavran, e cila u interpretua nga regjisori Andi Begolli. Bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”, Tirane.

“Pjesëmarrja në EtnoFest është një eksperiment, sfidues. Hapësira në Kukaj është e veçantë prandaj ne jemi munduar të përshtatemi edhe me skenografinë edhe me ndriçimin” citoi regjisori Andi Begolli.

Kjo shfaqje paraqiti një fenomen shoqëror, mbi lidhjet e krijuara, përplasjen,  luftën për dashurinë, fitoren dhe humbjen. Nga kjo shfaqje publiku morri një rol gjykues mbi personazhet dhe të vërtetat e tyre.

Përmbyllja e natës së dytë të këtij edicioni,  u shoqërua nga grupi  muzikor “Çunat e Tironës”, i cili u krijua si grup mes miqsh e bashkëpunëtor artistik, që erdhën nga Tirana për të performuar enkas në festival, duke sjell në skenë meloditë e traditës shqiptare, këngëve të vjetra së Shqipërisë së mesme.

EtnoFest, vazhdon të ofrojë një program të miksuar, ku  këtë vit artdashësit do të kenë mundësi të udhëtojnë në dimensionet e tij deri më 18 gusht 2024.  Ky festival shihet të jetë më shumë se një ngjarje – një strukturë për të zbuluar dhe përjetuar një gamë të gjerë mbi përjetimin dhe kontributin në ruajtjen e sensit tradicional në botën moderne,  duke ofruar një pamje të re dhe të freskët të artit dhe kulturës./ KultPlus.com

‘Etno Fest’- Spektakli artistik ku gërshetohen mrekullisht tradita, riti dhe modernja

Nga: Agron Gërguri

Poshtë në skenën antike rituali i pjekjes së flisë që shpreh mikëpritjen për mysafirë. Lartë mbi këtë objekt grupi nga Rrajca Shqipëri nis gjamën e mortit të burrave si rit i përcjelljes për të vdekurin .

Aktorja Sheqerie Buçaj interpreton motrën e cila bënë nga një rend flije për dritësimin e shpirtrave që nuk janë më. Kur vdes dikush lindja është po aty gjëma zëvëndësohet me gëzim nis dasma. Aty ku takohen vdekja dhe jeta puqen gëzimi dhe dhembja. Plakat e grupit të Rrajcës krejt autentike kënduan këngë nusesh të shoqëruara nga Ansambli “Zëri Kosovës” nga Fushë Kosova.



Nisi kështu Etno Fest edicioni i 14. Me përjetime dashurie krejt të lirë e të lumtur spektatorët në vazhdim mirëpriten me tingujt e violinës, pianos e violinçelos në pikëtakim të kohëve një vlerë që buron nga trashëgimia e modernizuar një pasuri e cila po shpalosej natën e parë të EtnoFest-it si një argument se megjithatë ka gjasë për një kosolidim të sisetmit të vlerave kur e dijmë dhe e prekim ndjenjash origjinën.

Kuarteti i harqeve “Amati” ekzekutuan “O vendi im” me tingujt e violinës e çelos përqonin dashurinë për të prekur çaste lumturie me dozën artistike si terapi antidepresive nga jeta e kontaminuar keqësisht nga politika. Për të plotësuar hapësirën e kënaqësisë artistike okteti interpretoi një nga këngët e vjetra arbëreshe “E bukura More”. Sihana Badivuku me violinë dhe kuarteti i harkor”Amati” mahnitën me interpretimin e këngës e njohur të Nexhmie Pagarushës “Kam rrit shtatin” dhe “Ma fal atë buzëqeshje” e më mbushë me lumturi të ilustruara me gjimnastikë ritmike nga Fiona Kongjeli.



Pastaj në skenën e amfitetrit doli kori i fëmijëve “Okarina” me “Valsinë e lumturisë” për të prekur kulmin e ndjenjave të mira me këngën “Mos na e prishni lumturinë” bashkë me korinë “Okarina” dhe sopranon Adelina Paloja në përkujdesjen e Elikona Hysajt, entuziazmun mysafirët me vibrimet artistike që përquan duke realizuar një komponim të bukur artistik. Për të vënë pikën mbi i me këngën “Unë biri yt Kosovë” e kënduar nga të gjithë me solisten e mrekullueshme Adelina Paloja e cila me këndimin e saj përmbushi me kënaqësi artistike të pranishmit. Arti si terapi e lumturimit!

Festivali nisi si kurrë më parë me një mbrëmje artistikisht spektakulare ku secili nga të pranishmit ndihej i përfshirë në bukurinë e interpretimeve artistike me bazë etnosin një pikëtakim kohësh që unifikonin idenë e ideatorit se rruga deri te kumturia kalon përmes dashurisë, lirisë derisa ura për të dal matanë tek ajo që duam (duhet) të jemi është arti, kultura ajo palca e cila e bënë kuptimplotë poezinë e kënduar të Ali Podrimes “Unë biri yt Kosovë” çiltërt, pa patetikë dhe domethënshëm.



Spontaniteti dhe përfshirja e spektatërve! Dhe vërtetë hapjen e përshkoj një lumturim si një gjendje e krijuar krejt spontanisht e cila ndodhi në natën e parë të EtnoFestit. Organizimi, programi, pa fjalime politike të gjithë frymuan me e për kulturën dhe artin. Moderatorët e festivalit Shpetim Kastrati dhe Sheqerie Buçaj dolën tek në fund për t’ na treguar se festivali nisi pastaj shpërthyen fishekëzjarret. Takime, ushqime tradicionale, nisur me fli, pite të ndryshme, ekspozitat e hapura, gjithçka funksoni përpikërisht.

EtnoFest-i nisi mbarësisht dhe në funkskon të misionit artistik e kulturor në afirmim të vlerave të trashëgimisë dhe trajtimit modern të tyre. Gjithçka ishte thejshtësisht e përkryer dhe spontane, kjo bëri që secili nga mysafirët të ndihet edhe si pjesë e skenarit të hapjes së festivalit të cilin e kishte ideuar Fadil Hysaj ndërsa në formulimin skenik kishin kontribuuar Mario Biagino dhe Ilirijana Arifi.

Mbrëmjen apo “Etno nejen” e bëri të hareshme këngëtari Mendim Shala, këngë, vallëzime deri në orët e vona.

Ekspozitat e përhershme të Etnofest-it 2024

Gjatë ditëve të EtnoFest-it 10 – 18 gusht 2024 do të jenë të hapura ekspozita të piktorëve, skulptorëve: Nysret Salihamixhiq “ Vallëzime ngjyrash”, pikturë, Dialla Vala “ Frymë antike”, pikturë, Haxhi Gjoni “Bukuroshja e fjetur”, skulpturë, Albulen Neziri “Variacione sporituale” skulpturë-pikturë, Korab Kraja “Nga trashëgimia e Krajës dhe Ulqinit”, fotografi, Teuta Ibraj “Gjurmë lumtirie”, grafikë, Yllka Brada dhe Jakup Ferri “Ten ten”, performansë koreografike me tingujt muzikor të Nik Mazrekut, Kaqusha Jashari “Peisazhe me Diell, kulla dhe lule”, pikturë, Laura Sllamniku – Kryeziu “Vallëzime dhe e zjarri”, qeramikë, Ermira Belegu Deçani, Fatos Kabashi “Abatarja me plis”, U prezantua edhe arti i poqarisë me poqarin Luan Qukuri ndërsa do jetë e hapur edhe Ekspozita me eksponate etnografike në Muzeun Etnografik të Festivalit./ KultPlus.com

Lumturia në “EtnoFest” që do të fillojë më 10 gusht

Programi i edicionit të 14-të të EtnoFest veç është prezantuar dhe përgatitjet për hapjen e kësaj feste kulturore tashmë janë në mbyllje e sipër, shkruan KultPlus.

Ky edicion që do të nisë më 10 gusht dhe do të zgjasë deri më 18 gusht do të prezantojë një program të pasur të kulturës, nën moton e lumturisë, duke përfshirë: teatër, muzikë, ekspozita, debate, gastronomi e shumë aktivitete të tjera kulturore.

Edhe ky edicion do të mbahet në fshatin Kukaj, dhe këtë edicion do ta përcjellin edhe këngëtarë të njohur të skenës shqiptare./ KultPlus.com

Etno Fest: tradita, folklori dhe trashëgimia që sjell edicioni i 13-të

Etno Fest-i në Prishtinë, vazhdon të tërheqë një numër të lartë dashamirësish të traditës, folklorit e trashëgimisë kulturore, në këtë edicion të 13-të të tij. Programi i pasur e i kuruar me shumë kujdes, që do të vijojë deri më 20 gusht, ofron për publikun ekspozita të shumta, performaca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori e debate.

Ndër të tjera, ky edicion i Etno Fest prezantoi edhe ritet e veshjeve tradicionale e veçanërisht xhubletën.

Xhubletën në Etno Fest, e prezantoi Rita Kalaj nga Shkodra. Xhubleta është veshje tipike e grave në Shqipërinë veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqipëtare në Malin e Zi. Xhubleta në shekullin e XVIII, bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat. Xhubleta është me prejardhje të lashtë, paraqet ngjashmëri me disa figura të gjetura në Bosnjë e vise të tjera të mesdheut. Që prej vitit 2022 xhubleta është pjesë e listes së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO në nevojë urgjente për mbrojtje. Gjithashtu u prezantuan edhe veshjet e grave të Hasit, edhe ato të pakrahasueshme për nga bukuria.

Festivali vazhdon të jetë shembull se si mund të shfrytëzojmë potencialin e hapësirave të trashëgimisë kulturore, duke harmonizuar traditën me inovacionin dhe duke u shndërruar në një pikë referimi për entuziastët e kulturës dhe vizitorët e turistët.

Në hapsirat e Etno Fest vazhdojnë ekspozitat e pikturave, skulpturave, mozaikë e punëtori e thurjeve me vek. Mbrëmjen e sotme njëri prej artistëve të shumëpritur që do të performojë në Etno Fest, është Mentor Haziri./KultPlus.com

Festivali EtnoFest vazhdon të shpalos vlerat e artit, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare

Festivali për Art dhe Trashëgimi, EtnoFest, po e vazhdon rrugëtimin e tij duke bërë bashkë dashamirës të traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Edicioni i 13-të i Festivalit EtnoFest, i cili ka filluar më  datën 13 gusht dhe do të vazhdojë deri më 20 gusht, ka përgatitur për publikun ekspozita të shumta, performaca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori e debate.

Në natën e katërt të këtij festivali, u prezantuan ritet e veshjeve tradicionale, me theks të veçantë Xhubleta dhe Veshja e Hasit.

Xhubletën në Etno Fest, natën e mbrëmshme e prezantoi Rita Kalaj nga Shkodra. Xhubleta është veshje tipike e grave në Shqipërinë veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqipëtare në Malin e Zi. Xhubleta në shekullin e XVIII, bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat.

Që prej vitit 2022 xhubleta është pjesë e listes së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO në nevojë urgjente për mbrojtje.

Ndërsa në këtë mbrëmje, përgaditjen për veshjen e Hasit në Etno Fest e solli Arbnora Kolxheraj. Veshja e Hasit është identitet i yni. Kolxheraj tregoi për ndërrimin e veshjes nga vajzë e re, në vajzë e fejuar, e martuar e deri tek pleqëria e veshja e gjyshes. Veshjet e Hasit gjithashtu dallojnë edhe në raste të ndryshme si: në raste festive e mortore. Përmes veshjes dallohet edhe statusi social se a është grua e ve ose a e ka burrin në mërgim etj. Veshja e Hasit përbëhet kryesisht nga gjashtëmbëdhjetë deri në njëzet pjesë. Përmes përformancës së shkurtër, gratë prezente treguan edhe statusin social. Veshja e Hasit qëndron akoma prezente tek gratë e Hasit, si në qytete edhe në fshatra, mirëpo veshja ndër vite ka pësuar ndryshime si në përmasa edhe në disa pjesë të veshjes të cilat nuk përdoren më: si kanaci e xhamadani.

Pas riteve të veshjeve tradicionale, festivali vëmendjen e kaloi te shfaqja.

Monodrama “Adrien” e autorit Albin Kushnini nën regjinë e regjisorit Skender Podvorica u shfaq para një publiku të gjerë. Anipse e punuar në stilin e ‘Teatrit të dhomës’, hapsira u mbush me publikë të interesuar për shfaqje. Me temën kryesore që trajton shfaqja – vrasjen e grave – aktorja Donikë Zeqiri në rolin e Gjaninës, përcolli emocionin dhe mesazhin tek audienca.

Gjaninë është një grua që jeta e përplasi me dhimbjet, një grua që u rrit në një sistem patriarkal dhe që ra pre e këtij sistemi. E lumtur në fillim, jeta e saj papritmas mer kahje tjetër duke e privuar atë nga liria, dashuria, lumturia e madje edhe amësia.

E motivuar nga poezia, me të njejtin titull, nga autori Jacques Prevert, “Adrien” erdhi si zë, dhimbje, thirrje dhe revoltë për të parandaluar vrasjet e grave.

Monodrama në zhanrin tragjedi, mbushi në lotë sytë e publikut, të cilët bashkëndjenë me aktorën, e cila shumë besueshëm e përcolli fabulën dhe mesazhin në skenë. Energjia e pashterrur e Donikës nuk lejoi që asnjëherë të humbas vëmendja e audiencës, por të thellohet shumë e mëshumë në fabulën e veprës.

Pas shfaqjes, Etno Fest vazhdoi me Etno nejën ku të ftuar për argëtimin e të pranishmëve ishin Nezafete Shala me grupin Melodia e vjetër, me muzikë të vjetër qytetare. Ky grup rezident për cdo vit mbledhë një audiencë mjaftë të madhe dhe shumë përsona shprehin interesim për ta ndjekur këtë melodi. Muzika e vjetër qytetare e argëtoi çdo të pranishëm që e shijuan mjaft shumë, dhe që vazhdoi deri në orët e vona pas mesnate.

Etno Fest vazhdon programin edhe për disa ditë të tjera, duke ngritur tema që synojnë lirinë e lavdishme./KultPlus.com

EtnoFest po vjen me edicionin e 13-të, shpalos programin zyrtar

Etno Fest’ po sjell edicionin e 13-të me radhë. Në fshatin Kukaj edhe këtë vit ju pret një program i mbushur me shfaqje teatrale, poezi, muzikë, etnoperformanca kontemporane dhe baleti, vepra arti e shumëçka.

I gjithë programi do të shpaloset për publikun duke filluar nga data 13 deri më 20 gusht.

Etno Fest në faqen e tyre zyrtare tashmë kanë shpalosur programin zyrtar të edicionit të 13-të.

Linku: https://www.etno-fest.com/Programi.html

Rreth Festivalit:

Çdo gjë fillon në vitin 2009 kur në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi “Gomarët e Kufirit” ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të fshatit të braktisur e blen një shtëpi, rrënojë dhe e fton shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I magjepsur me bukurinë e këtij fshati Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilat janë me gurë, ndërsa shtëpia e vjetër që përdoret si ahur për vitin 2010 do të kthejë në Etno Teatrin e parë në Kosovë, ku me 26 maj 2010 do të jepet premiera e shfaqjeve “Dardha pas bunarit” e Arta Arifit, në regji të Iliriana Arifit. Rregullimi i oborrit, duke e respektuar reliefin kodrinor, imponuan krijimin e kaskadave të cilat i dhanë dhe idenë e ndërtimit të një amfiteatri të ardhshëm në të cilin në shtator të vitit 2011 do ta mbushë ngjarja më e madhe kulturore Etno Fest, festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. / KultPlus.com

‘Babai dhe Babai’ fiton katër çmime kryesore në “Etno Fest”

Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ ka arritur të fitojë katër çmime kryesore në festivalin “Etno Fest”, shkruan KultPlus

Katër çmimet kryesore janë:

– Shfaqja më e mirë
– Regjia më e mirë, Kushtrim Koliqi
– Aktorja më e mirë, Ilire Vinca
– Aktori më i mirë, Bujar Ahmeti

Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje. /KultPlus.com

Sot nis edicioni i 12-të i festivalit “Etno Fest”

Sot hapet edicioni i 12-të i Festivalit të Arteve dhe Kulturës tradicionale Etno Fest i cili do të zgjasë gjashtë ditë: nga data 3-9 shtator, përcjell KultPlus.

Si gjithmonë në etnokompleksin e veçantë edhe më të pasuruar këtë vit, në fshatin Kukaj ju mirëpret një edicion i mbushur me aktivitete.

KultPlus ua sjell programin e plotë për ditën e parë:

18:30 – 19:30

Hapja solemne e festivalit

Performancë skeniko-muzikore e hapjes së festivalit (Program festiv me aktorë, piktorë, skulptorë, instrumentistë, valltarë dhe balerinë, të përcjellur me flaute nga Blenda Konxheli, çello nga Arberëshe Ademi me performancë akrobacie dhe gjimnastikë ritmike nga Fiona Konxheli.)

Koncert solistik (Anila Hoxha-Gjermeni, soprano e Operës së Milanos në përcjellje nga Synjona Poplekaj; Kori i fëmijëve dhe grave “Okarina”.)

Teatër (“Dasma e nanes” nga “Tana Production” nga Arta Arifi në regji të Iliriana Arifit me aktoren Sheqerie Buqaj, balerinët: Vjollca Llugiqi dhe Fisnik Smani, me sopranon Urta Haziraj, Leufat Buçuku violinist dhe defatoret “Shamikuqet”.)

Ekspozita (Ekspozita të pikturave, skulpturave, grafikëve, mozaikëve dhe instalacioneve të cilat do të jenë të hapura nga 3 deri më 9 shtator.

Suad Rama – ekspozitë e pikturave

Muslim Mulliqi – ekspozitë e vizatimeve

Fatmir Krypa – ekspozitë e grafikëve

Butrint Morina – ekspozitë e skulpturave

Fatos Kabashi dhe Erëmira Deqani  – ekspozitë e mozaikut

Nagip Tashi – ekspozitë e mozaikut me dru

Drenusha Zajmi – ekspozitë e pikturave

Artistët për artistët (Ekspozitë kolektive dhe atelie të hapura të 30 artistëve figurativ me kurator Veton Gusia:

Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Hajrush Fazliu, Merita Mundrizi-Maloku, Bardha Buza, Vjosa Bujari, Amire Demolli, Agron Mulliqi, Anton Krasniqi, Naim Spahiu, Haki Xhakli, Amarilo Ruqi. Albulena Bilalli, Edmond Dhrami, Sabri Behramaj, Bardhyl Bejtullahu, Flamur Miftari, Haxhi Gjoni, Veton Gusia, Fitore Rama, Eli Gashi, Rina Kumanova, Valera Konxheli, Magbule Xhemaili, Zana Ramadani, Donjeta Haziri, Valera Konxheli, Doruntinë Berisha, Sadije Maliqi.

Ekspozitë e eksponateve të vjetra (Stolisje e nuses ilire nga Aziza Shefitagoq; Ekspozitë e fotografive nga Muzeu Etnografik i Kosovës; Ekspozitë e eksponateve nga Muzeu etnografik Kukaj; Punëtori te zejeve tradicionale në zhdukje.)

Etno Party (“Nata e jareve shqiptare” me Anila Hoxha-Gjermeni, soprano e Operës së Milanos në përcjellje me piano nga Synjona Paplekaj.)

Frederik Ndoci – deri në orët e vona. / KultPlus.com

“Etno Fest” shtyhet për një kohë të pacaktuar

Edicioni i 12-të i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, Etno Fest, do të shtyhet për një kohë të pacaktuar dhe nuk do të mbahet më 20-27 gusht, siç ishte planifikuar më parë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka konfirmuar vetë festivali përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”

Postimi i plotë:

“Të nderuar dashamirë pjesëmarrës dhe mysafirë të Etnofest-it Me keqardhje ju njoftojmë që për shkak të informatave që kemi për kushtet meteorologjike (shi dhe mundësi vërshimesh gjatë vikendit dhe fillimit të javës tjetër), detyrohemi të shtyejmë Edicionin 12 të Etnofest deri në përmirësimin e kushteve meteorologjike. Shumë shpejt do t’ju njoftojmë rreth datave të reja. Etnofest”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

Ndahen çmimet e edicionit të 11-të të ‘EtnoFest’

Festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale pavarësisht gjendjes pandemike ka përmbushur edicionin e 11-të të organizimit. Ndërkaq, në përfundimin e këtij festivali juria profesionale (Melihate Qena, Primo Shllaku, Jahja Dranqolli), ka ndarë edhe çmimet kryesore të Festivalit, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë çmimet e këtij viti:

Performancë:

• Këngëtarja më e mirë – Zana Ramadani
• Valltarja më e mirë – Vjollca Llugiqi
• Valltari më i mirë – Fisnik Smani
• Instrumentistja më e mirë – Lumturie Nonaj
• Kostumografia më e mirë – Etnoansambli ” Fortesa” – Kërçovë
• Etnoansambli më i mirë – “Deqani” nga Deqani
• Etnoperformanca më e mirë – Feim Leka

Teatër:

• Skenografia më e mirë – Mentor Berisha (shfaqja “Pa mua”)
• Etnokoreografia – Robert Nuha (Flox life)
• Aktorja më e mirë – Donika Ahmeti (Shfaqja “Pa mua”)
• Aktori më i mirë – Shpëtim Selmani (Shfaqja “Audienca e V. Havellit)
• Shfaqja më e mirë – “N’dry” nga Arta Arifi
• Regjia më e mirë – Iliriana Arifi (Shfaqja “N’dry”)
• Çmimi special i EtnoFest – Noa Dance Theatre Co.
• Çmimi i karrierës – Skender Latifi

EtnoFest për herë të parë ka nisur rrugëtimin e tij në shtator të vitit 2011 dhe tashmë është shndërruar në një festival tradicional. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e edicionit jubilar të ‘EtnoFest’

Festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale pavarësisht gjendjes pandemike ka përmbushur edicionin jubilar të organizimit. Ndërkaq, në përfundimin e këtij festivali juria profesionale ka ndarë edhe çmimet kryesore të Festivalit, shkruan KultPlus.

Dedikuar grave dhe diellit, në edicionin e tij të 10-të, EtnoFest ka sjellur në fshatin Kukaj ekspozita, muzikë live, shfaqje teatrore, diskutime në panel dhe kuzhinë tradicionale mendjehapur (liberale). Ndërkaq këtë edicion nuk kanë munguar as ndarjet e çmimeve.

KultPlus ju sjell të plotë çmimet e këtij viti:

  1. Shfaqja më e mirë: “Gjuetarët e Artemides” – Art Polis, Prishtinë
    2. Perfomanca më e mirë: “Gjuetarët e Artemides” – Art Polis, Prishtinë
    3. Regjia më e mirë : Naser Shatrolli për shdaqjen “Frigoriferi”
    4. Aktori më i mirë : Florent Salihu ne shfaqjen “Frigoriferi”
    5. Aktorja më e mirë: Ajshe Useini në monokomedinë ” Ballkanibalizëm” – Oda -Tetovë
    6. Etno Ansambli më i mirë: “Bresana” -Opojë
    7. Valltari më i mirë – Enver Osmani
    8. Kostumografia më e mirë : Etno ansambli “Katarina Josipi” – Zym i Hasit
    9. Etnoperfomanca më e mirë : dyshja e vallëtarëve Feim Leka dhe Patriot Osmani
    10. Instrumentisti më i mirë: Naser Zeqiri – Bresanë, Opojë
    11. Çmimi i karrierës: Haqif Mulliqi

EtnoFest për herë të parë ka nisur rrugëtimin e tij në shtator të vitit 2011 dhe tashmë është shndërruar në një festival tradicional. /KultPlus.com

Sot nis edicioni jubilar i ‘Etno Fest’

Sot hapet edicioni jubilar i Festivalit të Arteve dhe Kulturës tradicionale Etno Fest i cili do të zgjasë tri ditë: nga data 25-27 shtator, përcjellë KultPlus.

Meqenëse ky edicion po mbahet në kushte pandemie, organizatorët kanë ftuar publikun që të respektojnë të gjitha masat mbrojtëse tashmë të njohura.

Si gjithmonë në etnokompleksin e veçantë edhe më të pasuruar këtë vit, në fshatin Kukaj ju mirëpret një edicion i mbushur me aktivitete.

Ky është programi për ditën e parë:

DITA E PARË
E PREMTE, 25 SHTATOR
17:00
SKENA E MADHE
Hapja solemne e Etno Fest 2020

Mysafirë:
Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit
Vjosa Osmani – Kryetare e Parlamentit të Republikës së Kosovës
17:30 – 19:30

HAPJA E EKSPOZITAVE
Ekspozitë e pikturave të Esat Vallës
Ekspozitë atelje e piktorit Besnik Xhemaili
Ekspozitë e përbashkët e Shqipe Kamberit, Mjellma Gorancit dhe Blerta Surroit
“Quo Vadis” – Ekspozitë e pikturave të Adriana Marku – Sedaj.
“Balerinat” – Ekspozitë e pikturave dhe skulpturave të Sabri Behramajt
“Centenarian” – ekspozitë e fotografive të Samir Karahodës.
“Gratë e një kohe tjetër” – ekspozitë e fotografive të Muhamet Sadriut
“Artefakte” – ekspozitë nga Shemsi Krasniqi
Ekspozitë e etno eksponateve e koleksionit të Muzeut Etnografik në Kukaj
“Gruaja e Hasit” – ekspozitë etnografike e Lajde Kolxherajt. Shpjegime për veshjen hasjane nga etnografi Nexhat Çoçaj.
Rite e valle nga Etno ansambli “Katarina Josipi” nga Zymi i Hasit
18:00 – 19:15
FemArt në Etno Fest
“Hollocaust” – ekspozitë e pikturave të Mirjeta Çehajës
“GJUETARËT E ARTEMIDES” performancë skenike nga Zana Hoxha – Premierë që do të mbahet në pikën më të lartë të fshatit, te Lisi Trenjak, e cila përfundon me perëndimin e diellit.
Tereza Hajdaraj: Gruaja që pjekë raki në kazana tradicional.
-GRUAJA E THEMELEVE – performancë skenike me balerinën Vjollca Llugiqi me përcjellje vokale të Elikonë Hysajt
19:30 – 20:00

FILMA DOKUMENTAR
“Rrëfim për lahutarët e fundit” nga Donika Dabishevci, regjisor Arber Murturi
20:30
ETNO NEJA
“Melodia e vjetër” me Nezafete Shalën. / KultPlus.com

EtnoFest shpalos programin e edicionit të tij të nëntë

Festivali i arteve dhe i kulturës ETNOFEST, rikthehet edhe këtë vit me edicionin e tij të nëntë, ku si çdoherë zë vend në etnokompleksin e fshatit Kukaj, nga datat 20 deri më 25 gusht, shkruan KultPlus.

Edhe në këtë edicion, pritet të mblidhet një numër i madh i njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor, duke shpalosur kështu para tyre gjërat më të bukura që janë të përgatitura për pjesëmarrësin.

Ky festival ka nisur në një mënyrë mjaft interesante. Në vitin 2009, në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi “Gomarët e kufirit” ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të këtij fshati të braktisur e bleu një shtëpi rrënojë dhe e ftoi shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I magjepsur me bukurinë e këtij fshati, Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilën e veshë me gurë, ndërsa një shtëpi e vjetër që atëkohë përdorej si ahur për kafshë, në vitin 2010 do ta kthehej në Etno Teatrin e parë në Kosovë. Duke e bërë kështu Etnofestin një ngjarje të përvitshme, ku kultura dhe tradita shqiptare bashkëveprojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky festival që për shumë njerëz është shndërruar në të preferuarin e tyre, tashmë ka shpalosur edhe programin e plotë për këtë edicion. KultPlus ju sjell më poshtë oraret e plota. / KultPlus.com

Etnofest sonte me vikendin e fundit për këtë edicion

Vendi nikoqir i festivalit Etnofest, fshati Kukaj ka qenë i rrethuar për disa javë rresht me aktivitete nga më të ndryshmet kulturore e artistike, shkruan KultPlus.

Vepra arti, valle tradicionale, këngë folklorike e gjithçka tjetër ka mirëpritur adhuruesit e këtij festivali në secilin vikend.

Ky edicion i shtatë i Etnofest, mblodhi një numër të madh të njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor, duke shpalosur kështu para tyre gjërat më të bukura që ishin përgatitur për ta.

Por, Etnofest këtë javë po përmbyllet duke sjellë vikendin e katërt dhe të fundit për këtë edicion.
Sonte dhe nesër ju do të mund të shijoni gjëra tradicionale në natyrën e bukur të fshatit Kukaj.

Zona e debatit më temë: “Kaosi urban dhe mungesa e arkitekturës autoktone” do të filloj mbrëmjen sonte nga ora 17:00 – 18:00, për t’i lënë tutje vend debatit etnologjik më temë: “Vallet përfaqësuese të Kosovës si trashëgimi kulturore shpirtërore”, nga ora 18:00 – 19:00.

Tutje programi vazhdon me “Melodi ilire”, koncert në piano nga Dita Hysaj, e për t’i lënë vend më vonë Grupit të frymoreve nga Filharmonia e Kosovës – “Prishtina Brass”, koncert ky me motive muzikore tradicionale.

Krejt për fund, për të përmbyllur këtë mbrëmje do të jetë edhe Etno Neja që fillon nga ora 21:00 me Jehona Lumin.

Ndërsa nata përmbyllëse e këtij festivali kulturore, ju mirëpret më datë 3 shtator, ku përveç aktiviteteve të shumta do të bëhet edhe shpallja e fituesve të festivalit. / KultPlus.com